Kolonel Petraq Kolonjari, veterani edhe babai i Brigadës së Këmbësorisë

1432
Sigal

Pali Nito

Lindi në qytetin e Fierit në vitin 1943. Shkollën 7-vjeçare e kreu në qytetin e lindjes dhe më pas do të vazhdonte me pasion edhe këmbëngulje maksimale ciklet e shkollave ushtarake, duke filluar nga Shkolla “Skënderbej”, Shkolla e Bashkuar e Oficerëve “Enver Hoxha” e që kulmoi me përfundimin e Akademisë së Shtatmadhorisë si dhe përfundimin e kursit të lartë një vjeçare të filozofisë, pra u përgatit një kuadër i lartë me formim të plotë ushtarak dhe politik. Me përfundimin e Shkollës së Bashkuar të Oficerëve u emërua komandant kompanie në zonën e Mallakastrës, më pas mbasi kreu Akademinë e Shtatmadhorisë u emërua instruktor taktike në korpusin e parë Bregdetar në Fier, pasi ishte ekspert për çështjet taktike-operative dhe pas dy vitesh u emërua komandant Bregdetar në Fier dhe më pas drejtor i Drejtorisë së Përgatitjes Luftarake në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë. Duke qenë se në këtë detyrë e kishin propozuar Nikollaq Sallabanda ish-komandant i Korpusit të Fierit dhe Petrit Dumja ish-Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, të cilët më pas u dënuan si puçist, kështu e pësoi edhe Petraqi, të cilin e shkarkuan pasi konsiderohej si i preferuari i tyre. Shkarkimi nga detyra e rëndësishme ia mbylli rrugën e mëtejshme të karrierës ushtarake duke e gozhduar për më shumë e 20 vjet Komandant Brigade në Rrethet e Fierit, Shkodrës dhe Lushnjës në punën pasionante, profesionale e me një organizim shembullor brigadat që ai ka drejtuar kanë arritur rezultate të larta. Gjithsesi më duhet të theksoj se edhe detyra e komandantit të Brigadës ishte një detyrë goxha e rëndësishme por Kolonel Petraqi meritonte më lart dhe padrejtësisht iu bllokua rruga për të bërë karrierë të mëtejshme ushtarake. Unë personalisht kam pasur fatin dhe privilegjin që të punoj bashkë me të, 5 vite rresht, unë komisar Brigade them me modesti se kam përfituar shumë nga përvoja dhe eksperienca e tij edhe në drejtim të çështjeve të drejtimit e komandimit të Brigadës, ndonëse kisha si detyrë funksionale problemet e edukimit ideopolitike e kulturore të efektivit. Gjatë periudhës pesë vjeçare që punova me të në punën time delikate në marrëdhëniet dhe raportet e punës që kishte ndërtuar me komandat dhe kuadrot vartëse nuk më krijoi asnjëherë probleme e shqetësime, pasi sillej e komandonte në mënyrë korrekte e shembullore me njerëzit. Në punën dhe veprimtarinë e tij të përditshme e kishte në natyrë, stilin dhe metodën e punës së tij kërkesën e rreptë të llogarisë pra, ishte i rreptë por i drejtë dhe secilit i jepte hakun dhe atë që meritonte. Veçanërisht në çështjet dhe problematikat e mprehta e delikate e sidomos në zbatimin në kohë e me përpikëri të udhëzave e të rregullave ushtarake ishte tepër strikt dhe nuk lëshonte pe, si i thonë, por ama edhe vartësit e mirëkuptonin. Asnjëherë dhe në asnjë rast nuk manifestonte shenja të mendjemadhësisë, ftohtësisë apo të kundërvënies së qëllimshme e të pa principtë i tillë, shembull e model do të mbetet kolonel. Petraqi për mua si koleg, dhe gjithë kuadrot e Brigadave të këmbësorëve mbetet veterani dhe babai i Brigadës. Në përmbyllje të këtij portreti kam një apel për median e shkruar që të evidentohet, të vlerësohet e të lartësohet puna e lavdërueshme e kuadrove dhe specialistëve jo vetëm të fushës ushtarake, por të të gjitha fushave të veprimtarisë ekonomiko shoqërore, pasi si kolonel Petraqi ka shumë, ka pasur dhe ka, por fatkeqësisht flitet pak ose aspak.