Preng C. Lleshi/ Në kujtim të 5 “Heronjve të Vigut” Trimave që dhanë jetën për lirinë

2625
Sigal

Prej kohësh, pinjollët e bashkëpunëtorëve të pushtuesve, hoqën nga qendra e Shkodrës shtatoren e heronjve dhe e lanë mes plehrave në periferi

Në konstelacionin yjor të 28 mijë heronjve dhe dëshmorëve, që u flijuan në altarin e lirisë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, pesë Heronjtë e Vigut ishin pesë yje të veçantë, pesë yje të pashuar, të cilët, me dritën e tyre, i falen një shkëlqim të ri heroizmit shqiptar, jo vetëm në prag të agimit të lirisë, po në gjithë historinë e kombit shqiptar. Pesë Heronjtë e Vigut ishin pesë yje të pashuar, drita e të cilëve u ndriçoi udhën jo vetëm partizanëve legjendarë drejt ditës së madhe të 29 nëntorit, por edhe gjithë shqiptarëve në betejat e mëdha për rindërtimin dhe ndërtimin e Shqipërisë së djegur e të shkatërruar nga lufta. Drita e atij heroizmi depërton edhe tani mes reve të zeza që ka endur e po end propaganda ballisto-zogiste për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe për Heronjtë dhe Dëshmorët e saj. Ajo dritë na vjen edhe nëpërmjet vargjeve të poetit partizan-Kolë Jakova:

“Ushton Vigu gur e zall,/

S`lidhen trimat për të gjallë,/

S`lidhet Ndoci me gjithë shokë,/

Për pa shkue gjaku për tokë,/

Për pa vdekë, për pa mbarue,/

N`vend Partisë fjalëm m`ia çue”!/

Dhe, si nga një skenë e e denjë për tragjeditë e Shekspirit, sikur dëgjojmë zërin e gruas trime mirditore-Drane Jaku, e cila i jetoi ato çaste sublime të 21 gushtit të vitit 1944: “Si sot më kujtohet ajo ditë e zezë…Në Buzëbardh janë rrethue disa komunistë, më tha nji kushrini im…Dhe mendja më shkoi menjiherë tek Ndoc Deda me partizanë…Trimat e nanës ishin rrethue keq në atë fushë mes malesh, pa asnji mbrojtje…Partizanët ishin vetëm pesë…kurse kriminelët ma shumë se pesëdhjetë…Forcat e kapidan Gjonit sa vinte e shtoheshin. Kishin ardhë bajraktari i Kashnjetit Jak Bajraktari, kryetari i komunës Gjegjan-Pjetër Lleshi e shumë katila të tjerë…”.  …“E shumë katila të tjerë…”. Dhe nënë Drania hesht, si për të lënë enkas kohë për të sjellë ndërmend çetën partizane të rrethuar në Vig të Mirditës nga forcat bashibuzuke të Gjon Marka Gjonit; për të sjellë ndërmend Ndoc Dedën “shtatselvi”, Hydajetin “djalë lezhnjanë”, Met Haxhinë “si bajrak”, Naim Gjylbegun e Ndoc Mazin, “që i thanë Shkodrës “Lamtumirë”!/ Veç kur t`shihna n`Shqipni t`lirë”; për të kujtuar ata që luftuan trimërisht kundër bishës fashisite, që po tërhiqej drejt strofkës së vet, drejt varrit që i kishte rezervuar historia! …“Po baheshin gjashtë orë, vijonte më tej nënë Drania, që bijtë e nanës ishin të rrethuem. Ishin djegë për ujë nga zhegu i madh i atij gushti të nxehtë…Atëherë ua mbusha tasin me ujë. Ndoci me shokë ishin ba gati me dekë…Nuk munda me qendrue ma dhe, si u fala me ta për të fundit herë, u nisa. Pa mbërritë në Gjadër, ndigjova nji kangë të fortë-kangë trimash partizanë. Sa kalova Gjadrin, krisi pushka…Ata vdiqen mes këtyne krismave,…me kangë në gojë. Atëherë qava… dhe vrapova drejt Gomsiqes me letrën e sokolave të nanës në gji, të cilën ua dorëzova shokëve të Partisë”… Dhe prap nënë Drania heshtëte. Heshtëte, si për të na thënë: E shikoni si luftuan bijtë e këtyre maleve, të prirë nga Partia Komuniste e Shqipërisë?  Dhe dalin pastaj falsifikatorët e historisë, forcat e të djathtës shqiptare e thonë se Shkodra nuk i ka dashur dhe nuk i do idealet komuniste. Bëjnë sikur i harrojnë këta mjeranë  komunistët e lavdishëm: Naim Gjylbegun e Ndoc Mazin, Vasil Shanton e Tomë Kolën e dhjetëra të tjerë, që ranë si luftëtarë antifashistë për idealin e lirisë!  Dhe na del në ditët tona ndonjë pseudohistorian e gënjen se, gjoja, malësorët e Shkogrës, të Mirditës, të Pukës e të Dibrës nuk luftuan kundër pushtuesve gjermanë e veglave të tyre e veglave të tyre-bajraktarëve. Na mbin edhe ndonjë “artist”, i cili kërkon të tallet me të vërtetën historike që na thotë se shqiptarët dinë të shkojnë në luftë edhe me këngë në gojë siç dinë të shkojnë të bukur edhe drejt vdekjes! Duke e dëgjuar nënë Dranën, këtë grua fisnike të Mirditës, tek flet për heroizmin partizan, se si na vjen ndërmend edhe një pohim i dikurshëm i S. Berishës, i cili vjen në kundërshtim me veprimet praktike të të djathtës shqiptare. “Tingëllojnë shumë absurde dhe cinike deklaratat e disave-deklaronte me hipokrizi S. Berisha- që duan ta shpallin luftën e shqiptarëve kundër okupatorëve fashistë si luftë vëllavrasëse”.…”Se djemtë dhe vajzat shqiptare-shtonte ai me hipokrizi, nuk dolen malit për t`u vrarë me njëri-tjetrin, por për të luftuar pushtuesin dhe për këtë ata duhet të nderohen”. Por, cilido shqiptar, kur kujton se po ky Sali priti në selinë e tij bashkëpunëtorin e fashizmit Ndue P. Gjomarkaj, kur mëson se po ky Sali  ka dekoruar si “pishtarë të demokracisë” forca të zeza, të cilat i lyen duart edhe me gjakun e partizanëve, ka të drejtë të mos u besojë frazave hipokrite të kësaj natyre! Në përputhje me këtë, sa herë vjen 21 gushti, dita e rënies së pesë Heronjve të Vigut, çdo shqiptar i ndershëm ka të drejtë  të shtrojë pyetjën: “A nuk dolën malit për të luftuar pushtuesit gjermanë edhe pesë Heronjtë e Vigut? A nuk ranë ata nga plumbat e bashkëpunëtorëve të pushtuesve fashistë?. Dhe, kur dihet se përgjigja e vetme pë rkëto dy pyetje është “po”, a nuk kanë të drejtë shqiptarët t`u bëjnë edhe një pyetje përfaqësuesve të të së djathtës shqiptare: Atëherë përse e shembët Monumentin që përjetësonte aktin e Heronjëve të Vigut në hyrje të qytetit të Shkodrës?! Mos u dukej se do të ngriheshin përsëri Heronjtë e pavdekshëm:nuk: Ndoc Dedë Marku, Ahmet Haxhia, Ndoc Mazi, Hydajet Lezha e Naim Gjylbegu, për të rrëzuar pushtetin borgjez?!

Por përpara këtyre pyetjeve heshtin politikanët e të djathtës shqiptare. Heshtin edhe pseudohistorianët e klanit ballisto-zogist, sepse, të gjithë këta,  kërkojnë të endin natën e heshtjes së përjetshme për faqet më me dritë të historisë sonë kombëtare, që lidhën me emrin e PPSH dhe të Enver Hoxhës gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe viteve të  përparimit epokal ekonomiko-shoqëror të Shqipërisë gjatë gjysmës së dytë të shekullit njëzet!. Veçse, siç thoshte këto ditë një veteran i nderuar, sa më e errët të jetë kjo natë, aq më shumë ndrisin yjet e heroizmit partizan në nënqiellin shqiptar. E kështu ndodh edhe me yjet e pashuar të Vigut, vepra e të cilëve është përjetësuar jo vetëm në bronx e në këngë, por edhe në ndërgjegjën e njerëzve të thjeshtë, për t`ua përcjellë brezave si pishtarë në rrugët e mundimshme drejt progresit. Ndaj na duket se e dëgjojmë përsëri zërin e pesë Heronjëve të pavdekshëm:

 “Lamtumirë, shok`t e Partisë!/

Shok`t e luftës e t`rinisë!/

Lamtumirë i bajmë shtëpisë,/

Nanë e motër, bab` e vlla,/

Amanet kush mos me na qa,/

Se n`Mirditë na kemi ra”!/.