Spiro Xhamballo, dëshmori intelektual që u pushkatua në kampin e Prishtinës

1164
Sigal

Gjashtë  ditë para çlirimit, pas gjashtë muajsh torturash çnjerëzore, mes 104 të pushkatuarve, ishte dhe Spiro Xhamballo

Dhe pak ditë dhe dita e 70- vjetorit të çlirimit të Shqipërisë do të veshë me banderolën e krenarisë, entuziazmit dhe joneve festive atdheun tonë të dashur. Dhe sa më shumë afron kjo ditë, aq më të afërt bëhen bijtë dhe bijat e lirisë që dhanë gjakun dhe jetën për çlirimin e atdheut nga “bisha” nazi-fashiste. E një ndër ‘ta është edhe biri i Zagorisë, Spiro Xhamballa. I lindur në Sheper të Zagorisë, në atë krahinë krenare e patriotike shtrirë mes vargmaleve të Nermënçkë-Dhembelit dhe Lunxhëri-Buretos, me gjak dhe heroizëm ka shkruar faqe të lavdishme në historinë shqiptare dhe sidomos në LANÇ, Spiro u edukua me traditën dhe ndjenjën patriotike dhe liridashëse, por edhe se vinte nga një familje me tradita liridashëse. Ai vjen sot nëpërmjet kujtimeve të së bijës së tij, Zoicës secila tregon se familja e tyre qe e lidhur shpirtërisht me LANÇ-in dhe ishte një nga bazat e sajë të fuqishme. Nënë Sava  dhe bashkëshorti Leonidha sollën në jetë katër djem dhe një vajzë. Leonidha, i ati i Spiros ishte patriot dhe njeri me kulturë pasi kishte punuar në kurbet në Egjipt dhe deri në Amerikë. Në Egjipt qëndroi pranë kushëririt të tij të parë, poetit Andon Zako Çajupi, qëndrim që rrënjosi akoma më shumë ndjenjën e atdhedashurisë, ndjenjë që e përcolli edhe tek fëmijët e tij. Spiro Xhamballo u lind në Sheper në 13 shtator 1905. Si shtëpi e lidhur ngushtë me LANÇ-in, shtëpia u dogj dy here nga pushtuesit nazi-fashist në shenjë hakmarrjeje për aktivitetin e Pano e Spiro Xhamballës si pjesëtarë të rreshtimeve partizane. Operacioni armik i dimrit 1943 dhe ai i qershorit 1944 e shkrumboi dy here këtë banesë që lulëzonte patriotizëm e liridashësi, atdhetarizëm e përparim, kulture e zhvillim. Nazistët dogjën shtëpinë dhe fshati që i shpërngulur dhe i fshehën në shpellat e Rapavicës nga ku me dhimbje shikonin tymin e zi të dalë nga flakët që shkrumbonin banesat e tyre. Spiro, si njeri me arsim të mesëm, ishte i punësuar në administratën lokale, por ishte edhe vëllai i komandantit partizan Pano Xhamballo dhe i  Qirjakos që ndodhej emigrant në Greqi, por kushtet e luftës nuk e lejonin të dërgonte ndihma për familjen, kështu që barra i mbetej Spiros. Por vjen një ditë…Kur u dogj për here të dytë fshati Sheper, Spirua ndodhej me punë në Tiranë së bashku me disa fshatarë të tij, por diktohet nga një bashkëfshatar i tij ballist e spiun fashist, i cili e denoncon si njeri të rrezikshëm e të lidhur me lëvizjen komuniste dhe partizane dhe një vëlla e kishte komandant partizan. Pas një muaji e ca qëndrimi në burgun e Tiranës, familjarët të shqetësuar dhe të detyruar të paguajnë, mundësuan lirimin e tij, por pa kapërcyer mire pragun e burgut e arsyetojnë me motivacionin se nuk duhet të dalë nga burgu si njeri i rrezikshëm dhe familja e tij është tërësisht e lidhur me LANÇ-in. Pas disa muajsh e transferojnë në burgun e Prishtinë së bashku me 104 të arrestuar të tjerë. Dhe dihet historia dhe fati tragjik i tyre në burgun e Prishtinës.  Nazistët në prag të kapitullimit ishin tërbuar dhe tërbimi i kishte bërë më çnjerëzorë. Kështu, më 23 tetor 1944, pas gjashtë muajsh torturash çnjerëzore, të 104 të arrestuarit e ardhur nga burgu i Tiranës, mes tyre edhe Spiro Xhamballo, u kositën nga plumbat e breshërive të mitralozit nazist. Historia e kampit famëkeq të Prishtinës njeh dy masakra të mëdha: e para është ajo e 19 shtatorit të vitit 1944 ku u pushkatuan 26 vetë, pa përmendur vdekjet nga torturat dhe uria. Por rasti i dytë është vërtetë më makabër. Të burgosurit, para se të pushkatoheshin, hapnin vetë gropat e varrit të tyre. Spirua u pushkatua në 23 tetor 1944, por haberi në shtëpi erdhi në tetor 1944, kur atdheu ishte çliruar, por më parë në 1 shtator 1944 qe vrarë edhe vëllai i tij Pano Xhamballo. Dhimbja qe e madhe për familjen Xhamballa. Spirua la pas tre fëmijë jetim,13,7 dhe 6 vjeç. Spirua u pushkatua në moshën 39- vjeçare. Eshtrat e Spiro Xhambalos erdhën në Shqipëri nga Prishtina dhe prehen në Varrezat e Kombit në Tiranë. Emri i tij qëndron i vendosur edhe në një rrugë në qytetin e Korçës. Veprën e tij, të vëllait dhe të shumë bij e bijave që derdhën gjakun për lirinë e Shqipërisë, zagoritët dhe sheperiotët i mbajnë të gjallë e të respektuar si yje të pashuar në altarin e lirisë që në këtë 70 -vjetor ndiejnë më shumë. Bashkë me kujtimin e tyre udhëton edhe vetëmohimi,guximi e shpirti i sakrifikimit të të dy vëllezërve, Pano e Spiro Xhamballo, duke i bërë pasardhësit e tyre krenarë.

Agron MEMA