Prof. Dr. Agron F. Fico/ “Kuajt e Akilit” apo “Kuajt e Kurveleshit”

809
Sigal

N/ Kryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve

Në prag të Festivalit Folklorik Kombëtar

 (Gjirokastër, 4-9 prill 2015)

 Njoftimi nga ministrja e Kulturës, zonja Mirela Kumbaro, për mbajtjen e Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër, më 4-9 prill 2015, është sa një ‘sihariq’ mbarëkombëtar, aq edhe një shtytje për shoshitje krijuese, shkrime e studime shkencore, që do të ndihmonin zhvillimin dhe përparimin cilësor të krijimtarisë e lëvizjes folklorike dhe të turizmit kulturor. Mendimet që shpreh në këtë ese synojnë t’i shërbejnë pikërisht këtij qëllimi.

Gjuha shqipe dhe letërsia gojore shqiptare janë sa të lashta aq edhe të pandashme, janë si “dy qershi në një degë”. Shqiptarët kanë folur shqip, kanë luftuar shqiptarçe dhe kanë kënduar shqip. Letërsia gojore, ose e njohur edhe me termin tradicional “folklor”, ka përballuar sfida historike, ashtu si edhe vetë shoqëria shqiptare.

Folklori sot has sfida të reja

Folklori ka përballuar sfida të ashpra me pushtuesit e huaj, sidomos gjatë pushtimit pesë-shekullor otoman. Mund të thuhet se ka qindra e qindra këngë, balada, proverba, melodi etj., që dëshmojnë ekzistencën e këtij thesari folklorik dhe njëherazi pasqyrojnë sfidat luftarake historike. Kjo letërsi gojore ka qenë dhe mbetet një histori e gjallë, një arkiv i ngjarjeve, i betejave, i luftëtarëve.

Sfida e dytë ka qenë dhe është jetesa e kësaj letërsie gojore në epokën e zhvillimit ekonomik dhe industrial në shoqërinë e quajtur socialiste. Madje, në vitet ‘60-‘70 të shekullit të kaluar u shtrua, në studimet e vakëta folklorike dhe pjesërisht edhe në masmedia, çështja e vetë ekzistencës së kësaj krijimtarie. Kujtoj këtu rubrikën e disa revistave dhe gazetave me tituj të mëdhenj, si “Folklori dhe e ardhmja”. Jeta dhe mbi të gjitha shpirti i popullit e mbajti në gji këtë pasuri artistike, edhe pse shpesh me gjemba politike. Sfida e tretë zhvillohet në ditët tona, kur ekonomia e tregut të lirë dhe gjithë mekanizmi i ndërlikuar ekonomik e shoqëror, konsumizmi e gërryejnë këtë kulturë popullore, ashtu si lagështia gërryen e ha edhe shkëmbin malor. Kjo dukuri shfaqet në disa anë të kësaj krijimtarie popullore si p.sh. vihen re tekste këngësh të dobëta në përmbajtje dhe pa shije artistike; meloditë e bukura popullore po zëvendësohen me variante bajate dhe pa emocione estetike; kostumet mahnitëse popullore po modifikohen pa shije, pa ngjyra tërheqëse etj.. Pra, sfida në thelb është midis zhvillimit të kësaj kulture tradicionale dhe ruajtjes së origjinalitetit, thelbit folklorik shqiptar. Përdorimi i këtyre vlerave artistike kulturore tradicionale për turizmin kulturor ende nuk ka gjetur formën e përshtatshme, pavarësisht se ka nisma të mira e fitimprurëse.

Pluralizmi demokratik sjell një realitet të ri folklorik

Në këto vite të pluralizmit demokratik vihet re lindja dhe krijimi i dhjetëra e dhjetëra grupeve, ose ansambleve folklorike, siç pëlqehet të quhen. Këto u përkasin krahinave të ndryshme të vendit, ose edhe brenda një krahine apo qyteti ka disa ansamble të tilla folklorike. Një pjesë prej tyre kanë marrëveshje dhe shkëmbejnë koncerte me grupe folklorike të vendeve të tjera kryesisht të Ballkanit, por edhe jashtë tij.

Këto ansamble folklorike janë një realitet dhe nuk duhen paragjykuar. Studiuesit dhe kritika shkencore ende nuk e kanë thënë fjalën dhe mendimin e vet shkencor dhe ato ecin sipas ligjeve të ekonomisë së tregut. Madje, këto grupe folklorike, që janë të shumta, kryesisht drejtohen nga amatorë dhe njerëz të pasionuar për folklorin, por që u mungojnë njohuritë bazë të shkencës folklorike. Prandaj edhe në një vështrim tërësor mund të thuhet se niveli dhe cilësia e programeve të koncerteve të tyre janë të dobët dhe të njëllojtë për disa vite. Po ka edhe shembuj që dëshmojnë se, kur në krye të këtyre asambleve ose aktiviteteve janë njerëz te kualifikuar , ansambli  ose aktiviteti është i mirë dhe sjell kënaqësi kulturore te shikuesit, teleshikuesit  dhe ndiqet me vëmendje. I tillë është programi  “AULONA  Interfolk Festival”, që zhvillohet çdo maj në qytetin e Vlorës. Grupet dhe ansamblet folklorike zgjidhen me kritere cilësore dhe standard bashkëkohor , duke përfshirë edhe pjesëmarrjen  e grupeve që vijnë  nga vendet e Ballkanit e të Europës. Ky aktivitet shquhen për  nivelin e lartë, për vlerat e reja të papërsëritshme estetike etj.   “AULONA Interfolk”  Festival  drejtohet, udhëhiqet nga Sejmen Gjokoli, që ka një përkushtim të pamasë , por edhe një  gradë profesionale të merituar, ai   mban titullin e “Masterit”’.

Kryedobësia e këtyre ansambleve është se në këtë veprimtari krijuese popullore dhe të dashur për njerëzit tregohet pak ose aspak kujdes për ruajtjen e origjinalitetit, autenticitetit dhe të zbatimit të ligjeve krijuese, siç është ai i sinkretizmit (d.m.th. fjalë-melodi-kostum).

Kjo hartë larmie dhe pasurie e veprimtarisë folklorike, që nga njësia-bazë – këngët në mjedisin familjar, shoqëror gjer te grupet e festivaleve vendore dhe kombëtare, ansamblet folklorike me emra të ndryshëm, dëshmojnë për identitetin tonë origjinal, pjesë thelbësore e gjithë arkitekturës së kombit shqiptar.

Domosdoshmëria e studimeve serioze shkencore: Terminologjia

Në këtë fushë kaq të begatë krijimtarie rëndësi të veçantë merr studimi shkencor dhe trajtimi serioz i kësaj pasurie të kulturës popullore.

Dihet se në lëmin e dijes dhe të kulturës ka rëndësi të përcaktohen qartë fjalët dhe termat bazë, që të mos krijohen keqkuptime dhe dyshime.

Vitet e fundit vihet re se, në disa libra të botuara, shkrime në masmedia, biseda ose intervista në radio-televizione, debatohet për disa terma si polifonia, iso-polifonia, kultura jomateriale etj. Madje, në një nga këto intervista, një pjesëmarrës në bisedë shpalli habitshëm: “Ç’na duhen ‘kuajt e Akilit’ kur kemi ‘kuajt e Kurveleshit’”. (?!)

Ai shprehte këtë vlerësim të pazakontë, që si duket e kishte fjalën për librin e akademikut Vasil Tole, botuar në vitin 2011 me titullin “Pse qanë kuajt e Akilit”, në të cilën autori, sa herë flet për këngët e Jugut, përdor termin iso-polifoni.

Termi folklor u përdor për herë të parë në vitin 1846 në revistën e Londrës “Anthenaeum”. Folklore vjen nga folk (fouk) – ‘popull’ dhe lore (lor) – ‘dituri’; pra ‘dituri popullore’.

Me zhvillimin dhe përparimin e studimeve të kulturës popullore dhe të vetë lëvizjes folklorike, në vende të ndryshme dhe nga studiues të ndryshëm u përdorën emërtime të tjera krahas termit folklor.

Në vitet ’30 të shekullit XX-të dijetarët e shquar amerikanë të Universitetit të famshëm të Harvardit Milman Parry dhe Albert B. Lord hodhën themelet e teorisë moderne të folkloristikës dhe e cilësuan atë me termin “letërsi gojore”.

Profesor Albert B. Lordi shkruan: “The term ‘oral’ emphasizes… the  singer sings orally, composes orally, and transmits orally to others…” Termi ‘gojore’ thekson se… këngëtari këndon gojarisht, kompozon gojarisht, dhe po gojarisht e përcjell tek të tjerët. (“THE SINGER OF TALES”, Nevv York, 1965, p. 5)

Ky term, njëherazi edhe koncept i ri, u bë fjalë-kyçe në punën madhore të dy dijetarëve për regjistrimin, botimin dhe studimin e eposit heroik të sllavëve të jugut.

Zbulimi i Eposit heroik shqiptar në Arkivat e Harvardit

Është një punë tepër e vyer e profesor Albert Lordit që, në një ekspeditë kërkimore në shumë fshatra të Shqipërisë së Veriut, në vitin 1937 mblodhi me dhjetëra e dhjetëra këngë të Eposit heroik shqiptar, këngë historike etj.

Ky thesar i mbledhur nga profesor Lordi ruhet i dokumentuar dhe i sistemuar në arkivin e bibliotekës “Uaidener” të Universitetit të Harvardit.

Kam qenë i pari dhe me fat që kam mësuar për ekzistencën e këtij thesari shqiptar në Harvard, qysh në qershor 1966 kur Albert Lordi erdhi në Shqipëri për të marrë pjesë në simpoziumin e Shoqatës së Studimeve të Europës Juglindore që do të mbahej në Tiranë.

Në aeroportin modest të atëhershëm të Tiranës, pasi u përshëndetëm më mikun e sapo ardhur dhe si përfunduan rregullat doganore, u nisëm për Tiranë. Më kujtohet qartë se si në aeroport profesor Lordi më shqiptoi të rrokëzuar vargun tipik të Eposit shqiptar, të ciklit të Mujit dhe Halilit:

“Ha-li-li ia hi-pi ka-lit”

Gjatë ditëve të qëndrimit të Lordit në Tiranë mësova më shumë dhe më me hollësi për punën kërkimore të Lordit në Shqipërinë e Veriut, për materialet e mbledhura dhe për planet për botimin e tyre në një vëllim të veçantë.

Në mars të viti 1996, pra pas 30 vjetësh, i ftuar nga bashkëshortja e profesor Lordit, studiuesja Meri Karlson Lord, vizitova dhe punova në arkivin e Harvardit, ku u njoha me gjithë fondin shqiptar të epikës heroike shqiptare, zbulova këtë thesar kombëtar shqiptar.

Pas kthimit në Shqipëri, në maj 1996, e bëra të njohur publikisht fondin shqiptar të Eposit heroik shqiptar që zbulova në Harvard dhe ky kumtim shkencor u përshëndet nga specialistë dhe intelektualë të njohur.

Për Eposin heroik shqiptar ka një larmi termash

Le të kthehemi te tema kryesore, fati i letërsisë gojore, folklorit, në periudhën e ekonomisë së tregut të lirë dhe te shoshitja e debati për disa terma që kanë ngjallur diskutime.

Jemi një komb me fat të madh që kemi ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi dy monumente madhështore të kulturës së lashtë dhe origjinale të etnosit shqiptar, që janë Eposi heroik ose Eposi i kreshnikëve dhe Iso-polifonia (= polifonia), një margaritar mes margaritarësh të rruzullit tokësor.

Kjo magji kulturore-artistike popullore e veçantë, iso-polifonia, u vlerësua nga UNESCO më 25 nëntor 2005 me titullin:

Albanian folk iso-polyphony

a Masterpiece of Oral and Intangible

Heritage of Humanity

(Iso-polifonia shqiptare

Kryevepër e trashëgimisë

gojore dhe shpirtërore të njerëzimit)

Është me interes të theksohet se ndërsa ka një shumicë e larmi termash për këngët e kreshnikëve, disa prej të cilave do t’i parashtroj më poshtë, për këngët e Jugut ka pak terma. Ky ndryshim ndofta lidhet edhe me faktin se fragmente të këngëve heroike shqiptare janë botuar më herët sesa këngët shumëzërashe të Jugut. Megjithatë, kjo dukuri nuk përbën asnjë ndryshim në madhështinë e njëjtë të të dy përmendoreve të kulturës folklorike të kombit shqiptar.

Gustav Majeri është studiuesi i parë i huaj që në veprën “Albanesiche Studien V-VI” (Vjenë, 1896-1897) botoi edhe disa këngë legjendare. Një përmbledhje e rëndësishme është ajo e Vinçenc Prenushit, Sarajevë 1911, ku përfshihen edhe 132 këngë legjendare. Kasëm R. Taipi botoi në Shkodër më 1933 përmbledhjen “Zana popullore – kangë popullore”, në të cilën janë përfshirë edhe një numër i madh “kangësh heroike”.

Profesor Stavri Skëndi në librin “Poezia epike gojore e shqiptarëve dhe sllavëve të jugut” përdor termin këngë heroike shqiptare. Ndërsa në serinë e vëllimeve të “Visareve të Kombit” (1937) gjejmë të përdorur termat: këngë kreshnikësh, cikli i këngëve shqiptare të Mujit dhe Halilit, por edhe rapsodi të ciklit të Mujit dhe Halilit. Milman Parry përdor një tjetër term – “Serbocroatian Heroic Songs” (1954), ndërsa Albert Lordi, në librin e njohur “The Singer of Tales” (1965), shkruan: “The form and function of heroic poetry…” (f. 3).

Zymer Neziri në botimin “Studime për folklorin” (2006) përdor termat “këngë kreshnike shqiptare” (f. 29) si dhe “eposi i kreshnikëve” (f. 24). Në botimin e Institutit të Folklorit “Epika legjendare (cikli i kreshnikëve)”, vëllimi i parë 1966, jepet një tërësi e termave të njohura për këngët e Veriut. Këngët heroike legjendare njihen në popull me termat: kangë lahute, të moçme, trimash, kreshnikësh, të Mujit dhe Halilit, agajsh të Jutbinës.

Nga këto emërtime del në dritë në mënyrë të qartë karakteri i vetë këtyre këngëve.

“Polifoni” apo “Iso-polifoni”?!

Profesor Eqrem Çabej, te studimi “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes” (1994), shkruan se këngët e Gegërisë janë këngë solo, ato të Toskërisë janë korale, janë këngë shoqërore (f. 47) dhe shton se “për këngët toske themi ‘bën iso’ (gr. isos), ndërsa në Labëri thuhet ‘ia mbush’”. (f. 48). Debati, që po zhvillohet prej disa kohësh në masmedia si dhe në disa libra etj., rreth emërtimit të këngëve shumëzërashe të Jugut të Shqipërisë si polifoni ose iso-polifoni, a ndonjë term tjetër, si kultura “jomateriale, nuk sjell ndonjë ndihmesë në zgjidhjen e problemeve shqetësuese që ka letërsia gojore në shoqërinë e pluralizmit demokratik dhe të ekonomisë së tregut të lirë, në shoqërinë e konsumizmit.

Po shpreh edhe unë mendimin tim, pa u bërë as arbitri dhe as fjala e fundit.

Së pari: Nuk kam kuptuar dhe as kam parë ndonjë ndryshim thelbësor, nga ana gjuhësore, midis emërtimeve – polifoni dhe iso-polifoni, siç jepet “alarmi” në disa shkrime dhe intervista televizive.

Është i njohur fakti se termi polifoni ka burim grek dhe ka dy elemente: poli-shumë dhe foni-zëra/ tinguj. Ndërsa termi “iso-polifoni” ka të njëjtën përmbajtje me termin “polifoni”, por sipas Prof. Vasil Toles ka si specifikë, tipar shques, dallues, ison. Kjo është një dukuri e njohur në fushën e studimeve, kur studiuesi dëshiron të theksojë, nënvizojë nga termi anën më tipike sipas mendimit të vet.

Së dyti: Siç theksova, ndërsa nuk e kuptoj dhe as shoh ndonjë ndryshim thelbësor në vështrimin gjuhësor midis këtyre dy emërtimeve të këngëve shumëzërashe të Jugut, po ashtu më duket i huaj për një debat demokratik dhe intelektual qëndrimi emocional ndaj Prof. Vasil Toles dhe veprës së tij shkencore lidhur me studimin e iso-polifonisë, duke e quajtur: “i maskuar me dinakëri” (f.74) “dështim ordiner” (f. 134), “mashtrim fëlliqësisht” (f. 135) etj. e mjaft fraza edhe epitete lënduese.

Madje, zoti Fitim Çaushi shkon edhe më tej, në librin e tij “Tjetërsimi i polifonisë shqiptare” 2014, duke thënë se ky përdorim termash nga Vasil Tole është gjetur për të fshehur mjaft nga tezat dhe hipotezat e veta studimore për këngët e Jugut, të gjenezës së tyre dhe veçanërisht për grekët antikë. E drejta për të menduar ndryshe është demokratike, por të fantazosh, të përçmosh dhe të denigrosh, kjo nuk është normë qytetëruese. Më 2011, Vasil Tole botoi librin “Pse qanë kuajt e Akilit”, që ka vënë në qendër të studimit temën: “‘E qara me bote’ dhe prejardhja e iso-polifonisë popullore”. Në shtypin shqiptar të Nju Jorkut botova një ese të gjatë për këtë libër dhe lexuesit e pritën me interes. Në këtë ese, pasi kam shtjelluar idetë dhe tezat e hipotezat e Prof. Vaso Toles në librin në fjalë, në ballafaqim edhe me teorinë shkencore amerikane për letërsinë gojore, kam nënvizuar se “Studimi i Prof. Vasil Toles ka edhe një meritë tjetër, sepse mbështetet mbi një bibliografi të gjerë bashkëkohore dhe të përzgjedhur me kujdes”. (Agron Fico: “Beautiful America – Mozaik shkrimesh”, 2014, f. 115)

Në gjykimin tim thelbi i problemit d.m.th. gjeneza e iso-polifonisë (= polifonisë) është trajtuar në këto studime, por mbetet vetëm si hipotezë, madje edhe për faktin se kjo dukuri muzikore popullore nuk është vetëm shqiptare. Në kapitullin “Në kërkim të origjinës etnike” (f. 66-99) të librit të Fitim Çaushit me titullin “Tjetërsimi i polifonisë shqiptare” 2014, sillen dhe citohen mjaft të dhëna nga poemat e Homerit “Iliada” dhe Odiseja”, që lehtësojnë kuptimin e raporteve të traditës së hershme iliro-epirote me ato helene-greke. Të dhënat e sjella nga zoti Fitim Çaushi e pasurojnë dhe ndihmojnë për vetë këtë debat. Por zoti Fitim, si duket nuk ka pasur mundësi të njihet me mendimin e Prof. Albert B. Lordit, i cili shkruan: “A true understanding of the Homeric poems could come ëith a full understanding of the nature of oral poetry.” (Poemat e Homerit arrin t’i kuptosh vërtet vetëm kur kupton natyrën e poezisë gojore.)

Në studimin e vet “Tjetërsimi i polifonisë”, ndonëse një libër me interes, me mendime dhe teza me vlerë, zoti Fitim mban një qëndrimi emocional dhe lëndues e disa herë rëndues ndaj figurës dhe veprës shkencore të akademik Vasil Toles, duke përdorur edhe ironinë e sarkazmin.

Folklori është dashuria ime e përhershme

Dëshiroj të ritheksoj se secili ka mendimin e vet, që është mirë ta respektojmë pa e etiketuar.

Së pari: Do të shtoja se interesi për këtë debat dhe më gjerë për fatin e këngëve folklorike në epokën e re të ekonomisë së tregut është pjesë e studimeve të mia mbi gjysmë-shekullore në fushën e folkloristikës.

Së dyti: Si gjirokastrit jam ushqyer e rritur me këto këngë popullore shumëzërashe, ku “e qara me bote” është një e veçantë e madhe. Në librin “Profesor në tre kontinente” kam përmendur se   humbjen e tim eti e kanë qarë nga dy herë në javë për 17 vjet rresht.

Së treti: Kam qenë në shumë fshatra dhe, që në vitin 1958, kam bërë një ekspeditë kërkimore në krahinën e Zagorisë, të cilën e kam pasqyruar në një studim të gjatë. Veçanërisht  me  plot bereqet ka qenë  ekspedita në Lumin e Vlorës në maj 1967

Një ekspeditë disa javore dhe me një program kërkimor te gjithanshëm: letrar, muzikor, koreografik; organizuar dhe realizuar nga specialistë me përvojë te Institutit të Folklorit. Regjistrimet dhe incizimet nga tekniku i përkushtuar Mehmet Shkëmbi sollën një material të pasur, të larmishëm në arkivin e Institutit.  Këto kërkime, u kurorëzua me regjistrimin natyror të melodive te stanit shqiptar në vendin e famshëm historik Kodrat e Beunit

     Në artikullin e zotit Fitim Çaushi me titull “Eksploratori i këngës  polifonike të Vlorës”  (gazeta “Telegraf” f. 14, 28 tetor 2014), që flitet gjerësisht për materialet e mbledhura ne Lumin e Vlorës, kjo ekspedite , me vlera te mirëfillta shkencore, komplekse dhe  e njohur , nuk përmendet dhe është lënë jashtë  analizës së autorit.

.Kontributin tim më të rëndësishëm në fushën e folkloristikës mbaj kërkimet dhe zbulimin e thesarit shqiptar të këngëve heroike në Arkivin e Harvardit në mars 1996, mbledhur nga Prof. Albert B. Lordi në Shqipërinë e Veriut në 1937

 Është thënë dhe është shkruar se folklori kërkon shtigje të reja zhvillimi si vetë shoqëria, sipas kohës dhe vendit, por ai ka jetuar dhe do të vijojë të jetojë si një pasuri e lashtë dhe e pasur, një vlerë e përhershme e kombit shqiptar.