Si u shpartallua  Brigada e Parë  e Mehmet Shehut

Frika e 5 mijë burrave  përballë motit të keq

Leonard VEIZI

Jetëshkrim i shkurtër

Në shkallët e karrierës ushtarake

Tomor Voda, edhe pse tanimë një ushtarak në rezervë, mban një gradë të lartë si oficer i ushtrisë shqiptare. Thotë se ka provuar që nga jeta e ushtarit, (atëherë kur Shkolla e Bashkuar i dërgoi studentët e rinj për t’u ambientuar me jetën në kazermë), për t’u rritur pastaj në karrierë sipas shkallëve. Kështu ai numëron që gjatë punës së tij 25- vjeçare, çdo dy-tre vjet i është dashur të marrë detyra të ndryshme. Dhe në karrierën e tij ushtarake numëron të ketë qenë: komandant skuadre, zëvendëskomandant toge, më pas komandant toge, kompanie, batalioni. Ndërsa detyrat më të larta kanë qenë: shef zbulimi, shef stërvitjeje, si dhe shef personeli e organizimi në brigadë tankesh e këmbësorie, si dhe shef i përgatitjes së trupave, të kuadrove, komandove e shtabeve dhe i punës shkencore të Grupimit të 6-të Operativ dhe Divizionit të Parë të Tiranës. Tomor Voda u lind në 3 prill të vitit 1948 në Përmet.

Asgjë më shumë se sa një marshim i deformuar i njësisë më të vëzhguar në Grupimin e Tiranës nuk do të çonte në përfundimin e shpejtë se ushtria shqiptare nuk i kishte punët mirë, dhe se gatishmëria e saj ishte vetëm sipërfaqësore. Pompimi për “frymë të lartë revolucionare” jo vetëm në radhët e ushtrisë aktive, por dhe tek rezervistët nuk rezultoi si e tillë. Ajo që lindi si një trill i Mehmet Shehut, nuk do të ishte gjë tjetër veç një pararendëse e një dështimi të paparalajmëruar. Urdhri për të zhvilluar një stërvitje të madhe ushtarake, nuk do të jepte rezultatet e pritura dhe për më tepër, në vend të forconte pozitat e kryeministrit do të kthehej në një bumerang që do t’i përdorej kundër tij që nga çasti kur do të gjendej i vdekur me një plumb në zemër, në dhomën e gjumit të tij. Në analizën e tekstit, dështimi i operacionit të Brigadës së Parë, në janar të vitit 1979, mund të merret në një konsideratë shumëplanëshe. Ndërsa qëllimi kryesor i kësaj trajtese është të pasqyrojë se ç’ndodhi në të vërtetë në Bizë të Martaneshit, në ato ditë të ftohta janari, kur ushtarë e rezervistë të paorganizuar, rendnin drejt shtëpive të tyre në Tiranë. Cilat ishin kushtet që shpunë në degjenerimin e një njësie ushtarake, që dikur quhej si “lavdia e ushtrisë shqiptare”.  Në fund të viteve ‘70 ushtria shqiptare ishte e përbërë nga 9 korpuse dhe 2 grupime: ai i Tiranës dhe Elbasanit. Për nga rëndësia, Grupimi i Tiranës ishte i pari, për më tepër kur në përbërje së tij ishin mbi 20 njësi të fuqishme të ushtrisë shqiptare, të cilat ishin të vendosura jo vetëm në Tiranë, por shtriheshin dhe në Laç, Mirditë e në Vaun e Dejës. Tomor Voda, ish-shefi i Stërvitjes të këtij Grupimi rrëfen historinë e udhëtimit të Brigadës së Parë, arsyet e dështimit të stërvitjes dhe shkaqet se përse njësia nuk u përgatit moralisht dhe fizikisht për marshimin e gjatë e të vështirë:

Si nisi puna për të realizuar një stërvitje të urdhëruar nga Mehmet Shehu?

Ndërsa kryeministri, që në atë kohë ishte dhe ministër i Mbrojtjes, kishte vendosur që Brigada e Parë duhej të bënte një stërvitje e kompletuar me të gjithë efektivin e saj, (si në një rast të vërtetë lufte), dukej se shtabi i kësaj njësie dhe vetë Grupimi i Tiranës nuk e morën me nxitim të madh. Unë në atë kohë isha shefi i stërvitjes së Grupimit. Puna përgatitore filloi disi e vonuar dhe nuk u respektuan të gjitha detyrimet që duheshin për një stërvitje të këtij kalibri. Në ditët e para të janarit në Shtabin e Grupimit filloi hartimi i planit metodik. Në këto masa përgatitore hynte organizimi i të gjitha reparteve dhe nënreparteve të Brigadës së Parë. Por duheshin parë edhe ndryshimet në degën ushtarake për kompletimin e efektivit me rezervistë. Po në ditët e parat të janarit, u zhvillua një udhëtim i kuadrove për njohjen e terrenit, si dhe një stërvitje komando-shtabi. Por me sa duket këto nuk mjaftonin.

Cili do të ishte itinerari që do të përshkonte njësia?

Itinerari që mori Brigada e Parë ishte Tiranë-Bizë-Kostenjë-Fushë Studë. Nëse do të merrej vajtje – ardhje në një terren të thyer, kjo distancë ishte e barabartë me rreth 300 kilometra marshim. Në fakt drejtuesit e shtabit e kanë bërë tri herë rrugën nga Tiranë deri në pikën më të lartë të stërvitjes që ishte Qafa e Përvallit. Megjithatë, në udhëtimet paraprake u vendos që rajoni, ku do të zhvillohej stërvitja në kushtet e mësymjes, të shtrihej: Fushë Studë-Qafë e Përvallit e në Sterblevë. Po ato ditë u morën masat për përballimin e stërvitjes në kushte dimri. Një ushtari i takonte të mbante mbi supe, të paktën 20 kg pajime.

Sa trupa do të merrnin pjesë në këtë stërvitje?

Në stërvitje ishte parashikuar të merrnin pjesë 5 batalione këmbësorie, 3 grupe artilerie, si dhe repartet e nënrepartet autonome. Ndërsa raporti mes ushtarëve aktivë dhe atyre rezervistë ishte 40%-60%. Repartet e Brigadës së Parë ishin të përhapura dhe të dislokuara në Vorë-Yrshek-Ysberisht-Vaqarr. Stërvitja kishte për qëllim imitimin e kushteve të vërteta të luftës. Ajo ishte e kombinuar dhe u mendua që të jepej një kushtrim luftarak ajror për të gjithë qytetin e Tiranës.

Në çfarë date do të fillonte realisht marshimi?

Në datë 28 janar të vitit 1979 kushtrimi u dha me anë të sirenave, që oshtin në të gjithë kryeqytetin. Gjatë këtij kushtrimi që u dha në afërsi të mëngjesit, të gjitha dritat u fikën, banorët e kryeqytetit shqiptar vrapuan për në strehimet e nëndheshme, ndërsa rezervistët në përbërje të Brigadës së Parë u paraqitën menjëherë në pikat e hapjes. Pra në çastet e para stërvitja ishte konceptuar edhe me një alarm të përgjithshëm të banorëve të kryeqytetit.

Ku do të dukeshin problemet e para që do të çonin dhe në dështimin e vetë stërvitjes?

Problemet u duken që në fillim. Për t’u kompletuar efektivave iu dhanë dy ditë kohë, ndërsa në fuqi ishte futur organika e kohës së luftës. Pranë Shtabit të Brigadës të gjithë oficerët, kishin dhe nga një koleg tjetër përforcues, që ishte dërguar nga Shtabi i Grupimit. Efektivi numëronte gati 5.000 burra. Por që në fillim u pa që oficerët rezervistë merrnin dhe jepnin urdhra me ngathtësi. Nuk kishte moral të lartë. Duhet thënë që organika nuk u plotësua 100% dhe pati mungesa në pjesëmarrje. Pjesa e rezervistëve ishte pak e organizuar. Nuk njihnin drejtuesit. Kjo kuptohet, për mungesë të stërvitjeve të vogla paraprake që ishin të domosdoshme që një stërvitje e tillë të shkonte mbarë. Ajo që mund të them unë si ish-shefi i Stërvitjes së Grupimit, është se pjesa me e madhe e rezervistëve dukeshin të tensionuar, kishin një ndjenjë frike për udhëtimin e gjatë, në kushte të vështira atmosferike, me të paktën 20 kilogramë mbi vete.

SITUATA

Ushtria që kishte dalë nga terrori i vitit ‘75

Në fund të viteve 70, Mehmet Shehu po kërkonte të evidentohej me vendosmëri si një ekspert në fushën ushtarake. Atë kohë ushtria shqiptare sapo kishte dalë nga një raprezalje, ku kishte humbur shumë nga figurat kryesore të saj. Ishin dënuar me pushkatim ish-ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, ish- shefi i Shtabit të Përgjithshëm Petrit Dume si dhe drejtori i Drejtorisë Politike të Ushtrisë, Hito Çako. Disa të tjerë ishin dënuar me vite të gjata burgu dhe internimi. Sa për shkarkimet dhe emërimet me ulje në detyrë, kishin përfshirë të gjitha repartet e ushtrisë. Klanet dhe kastat e vjetra kishin marrë fund. Në të njëjtë kohë, Mehmet Shehu kishte marrë frenat e Ministrisë së Mbrojtjes, krahas detyrës së lartë të kryetarit të qeverisë. Ai po përpiqej që të “ndreqte” imazhin e deformuar të ushtrisë dhe po kërkonte gjithnjë e më shumë nga shefat e rinj, që kishin zënë vendet e “armiqve”. Duhej të rikrijohej ideja se ushtria shqiptare ishte po aq e gatshme për të kryer detyrat luftarake, sa edhe përpara se të ndodhnin ndryshimet. Po në të njëjtën kohë, në Kosovë po krijoheshin mundësi për lëvizje të reja. Në Tiranë po përgatitej një plan sekret për të marrë territorin e humbur nga Konferenca e Londrës. Gjithsesi ishte një situatë ku gatishmëria e ushtrisë duhej të testohej. Po në këtë kuadër, Mehmet Shehu kërkonte të bënte një sprovë të madhe, gjë që do të merrte emrin e tij. Këtë kërkonte ta niste me një stërvitje gjithëplanëshe të Brigadës së Parë, komandant i së cilës kishte qenë para 35 vjetësh.

Thyerja e mitit

Kryeministri urdhëroi stërvitjen e dështuar

Pikërisht në ditët e fundit të nëntorit 1978, në nderim të 35-vjetorit të Brigadës së Parë Sulmuese dhe 34-vjetorit të çlirimit të Atdheut, u organizuan disa veprimtari. Një ndër to ishte dhe krijimi i një muzeu me dëshmi dhe fotografi të Brigadës së Parë, gjatë periudhës së Luftës Antifashiste. Gjatë ceremonisë së përurimit të muzeut, në komandën e kësaj brigade të dislokuar në Yzberisht, fare pranë Tiranës, asistoi dhe ish- komandanti i parë i saj, Mehmet Shehu. Gjatë kësaj vizite, kryeministri ishte i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, Fiqreti. Tomor Voda, në atë kohë një oficer i ri 30-vjeçar, që sapo kishte mbaruar Akademinë Ushtarake dhe ishte emëruar si shefi i Stërvitjes së Grupimit të Tiranë, thotë se ishte Mehmet Shehu ai që inicioi një stërvitje të plotë të Brigadës së Parë. Kryeministri ka parë me kujdes të gjithë muzeun me kujtime nga jeta partizane, por është ndalur gjatë tek stenda ku ishin vendosur pamjet dhe materialet nga marshimi i kësaj brigade për të shkuar në zonën e Çermenikës, ku gjendej i rrethuar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë. Pasi ka shkëmbyer ide me drejtuesit e brigadës, Mehmet Shehu mendoi përfundimisht se forcat aktive dhe rezerviste, si pasardhëse të njërës prej reparteve më të lavdishme të Luftës Antifashiste, duhet të viheshin në provë. Në këtë mënyrë ai urdhëroi që të zhvillohej stërvitja: “Brigada e këmbësorisë në mësymje, në terren malor, në kushtet e dimrit”. Stërvitja kishte për qëllim imitimin e udhëtimit të Brigadës së Parë në janarin e vitit 1944, kur Shtabi i Përgjithshëm ndodhej i rrethuar nga trupat gjermane të Operacionit të Dimrit. Në këtë mënyrë Ministria e Mbrojtjes urdhëron Grupimin e Tiranës për të planifikuar stërvitjen. Dhe, sipas hierarkisë, Komanda e Grupimit do të çonte urdhrin në Brigadën e Parë, komandant i së cilës në atë kohë ishte Halim Abazi.

(Vijon nesër)