Sejmen GJOKOLI/ Kur të nderon Labëria

695
Ditën e premte, më 13. 11. 2015, në Pallatin e Kulturës “Labëria” Skelë, Vlorë ora 11:00, Shoqata Kulturore Atdhetare “ Labëria” organizon një aktivitet për të ndarë me anëtarësinë, miqtë e saj, por dhe mjedisin shoqëror vlerësimin për disa figura, të cilat me punën dhe përkushtimin e tyre i kanë bërë nder kësaj krahine të njohur për histori të mëdha. Disa si bijë të saj, por edhe ndonjë që me këtë krahinë nuk e lidh vendlindja, por kontributi për të.
Këtë radhë, Forumi i Shoqatës ka vendosur të formalizojë me motivacionet përkatëse katër figura labe dhe jo labe, propozime të degës së Vlorës.
Me vlerësimin “Personalitet i shquar i Labërisë” do të nderohen Dud Gumenicioti, Xhule Çiraku (të dy pas vdekjes ) dhe doktori i shkencave mjekësore Llukë Gjidede, si dhe me “Mirënjohje e Labërisë” skulptorin Viktor Simoni.
Ka vite që në fokusin e punës së shoqatës “Labëria” , në të gjitha degët, por edhe në Forumin e shoqatës vlerësimi i figurave të ndryshme nga fshatra e zona të ndryshme, por edhe në kohë të ndryshme ka vëmendje të posaçme dhe që është kthyer në një prej aktiviteteve dalluese të kësaj shoqate mes simotrave të tjera.
Mesazhet që përcillen përtej e përmes këtyre vlerësimeve janë sa atdhetare e patriotike, po aq edhe bashkëkohore për më shumë dashuri, solidaritet e unitet, jo vetëm rreth një krahine e historisë së saj, por mbi të gjitha në shërbim të një çështje më të madhe, siç është ajo Kombëtare.
Do më mjaftonte një vështrim i shkurtër mbi këto katër figura të radhës për të argumentuar këtë të vërtetë.
Dudë e Nur Gumenicioti
Cane Myftar Cmokthinjoti
Ç’ishin a i faltë zoti!
…………………………..
Mbahu Dud se t’u vra Nuri
Jo mor jo se i qesh nuri…
Kështu thotë një këngë për këtë burrë gumeniciot, që afër dy shekuj më parë i ndenji në krahë Ali Pashë Tepelenës dhe aty, në një Kokojkë në një kullë vrojtim, ndenji syzgjuar në vrojtim të zonës, ku luftonin forcat e Pashait të Janinës.
Atë kullë vrojtimi, pas beteje Pashai ja fali Dudës dhe Duda e ktheu në shtëpi-frëngji.
Sot i nipi, Gafur Duda me shumë dashuri e përkushtim shtëpinë e ka kthyer në një shtëpi-muze të Gumenicës, për të gjitha kohët e për të gjitha historitë, një muze historiko-etnografike, që do ta kishte zili edhe vet Muzeu ynë Kombëtar.
Xhule Çiraku është një tjetër emër i madh i Labërisë, që do nderohet nga krahina e tij. Këtij biri të Vërmikut lavdia i vjen prej Luftës së dytë botërore, asaj kohe që fëmijët i bëri djem e djemtë burra. Xhule Çiraku ishte partizani i orëve të para, por edhe Komisari i Brigadës së 6-të Heroinë, një nga formacionet emërmëdha të Ushtrisë Çlirimtare Shqiptare.
…Dil nëno e shiko tanët
Shami verdhët partizanët…
Xhule Çiraku është njëri prej këtyre “shamiverdhëve”, që për lirinë e këtij vendi luftoi më këmbë në rrugën e gjatë, prej Përmetit në Vishegrad.
Po doktor Llukë Gjideden, kush nuk e njeh e kush nuk e respekton në Vlorë e gjithandej? Bregasin nga Vunoi, që Labërinë e ka në sy e që për të ka folur e shkruar me aq pasion e dashuri.
Nga mbrojtësit e mëdhenj të së vërtetës se madhe, se Himara ka qenë e mbetet zemër e Labërisë, Himara-Labëri e Labëria-Himarë.
Si kundër thotë dhe kënga: Që në Gumenicë e lartë
Himarë është çdo fshat…
Po Labëria, cilindo që bën për të e që kontribuon për të memorializuar njerëzit dhe historinë e saj, edhe pse nuk ka për vendlindje Labërinë, ajo ka ditur të vlerësojë e t’i nderojë me tituj e vlerësime të ndryshme.
Siç ka vlerësuar Rexhep Qosen, Dritëro Agollin, Reshat Arbanën, Luftar Pajon, Mirush Kabashin, Engjëll Musain etj. Kështu do të bëjë edhe këtë herë për Viktor Simonin, këtë djalë e skulptor të talentuar që edhe pse nuk është nga Labëria ka derdhur aq bukur bustet e 12 luftëtarëve të Labërisë, vendosur në Memorialin aq interesant të Mesaplikut.
Ka gdhendur Zenel Gjolekën, Selam Hasanin, Zigur Lelon, Sali Vranishtin, Cane Myftarin e Halim Xhelon me shokë.
Mesazhet që japin këto veprimtari vlerësuese për njerëz që në kohë e rrethana të ndryshme kanë bërë e bëjnë histori lavdie e suksesi janë shumë dimensionale.
Në shumë raste ato kthejnë “sytë” nga historia, por shumë prej tyre u flasin kohëve dhe brezave që vijnë. Për të mos pushuar së kontribuari me përkushtim e dashuri për Labërinë e Kombin vetë.
* Nënkryetar i Përgjithshëm i SHKA “ Labëria”
Sigal