Rexhep Alimemaj: LANÇ, pjesë e lavdishme e historisë

1381
Sigal

Pjesëmarrja e popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore ishte një akt madhor që i dha Shqipërisë dinjitet dhe prestigj midis shteteve të Botës.

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, pjesë e lavdishme e Historisë së Shqipërisë

Rexhep G. Alimemaj

 

Mbrojtja e LANÇ-it, detyrim atdhetar

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve nazi-fashistë pa dyshim që përbën një nga faqet më të lavdishme të historisë të Shqipërisë. Ajo tashmë ka hyrë në fondin e nderit të krenarisë kombëtare. Kjo pjesë e Historisë së Shqipërisë është lavdëruar aq shumë sa që nuk do të ishte nevoja për të thënë diçka më tepër, por meqenëse nga grupe dhe individ të veçantë, vazhdon të diskutohet rreth saj, me qëllime të errëta për ta zhvleftësuar e madje mohuar atë, mbetet detyrim atdhetar për t’i thënë prapë e prapë ato të vërteta që Adriatik Alimadhi, kryeballisti i sotëm, i cili shpreh vlerësimin për Edi Ramën, pse nderoi Mit’hat Frashërin, si patriotin e madh të Shqipërisë. Ky Adriatik Alimadhi i cilëson komandantët dhe komisarët e ushtrisë partizane si kriminelë dhe mohon që ballistët të kenë bashkëpunuar me fashistët dhe nazistët, por që ballistët kanë qenë patriotë dhe luftuan të parët për Shqipërinë, kundër nazizmit. Për të theksuar edhe një herë se sa e drejtë, sa atdhetare, sa e moralshme dhe sa heroike ishte vepra e tyre, nuk do të rreshtim të flasim për të vërtetat e pamohueshme rreth kontributit të madh që populli shqiptar dha në luftën kundër murtajës nazi-fashiste përkrah popujve të tjerë përparimtarë të botës. Dëshminë për këtë kontribut më mirë se gjithçka tjetër na e jep rruga luftarake dhe rënia heroike e heronjve dhe ajo e mijërave partizanëve e dëshmorëve të tjerë.

Ndoshta kjo çështje as nuk duhej shtruar fare, por jemi të detyruar prej mohuesve si të tipit ballist Adriatik Alimadhi e të tjerë pasuesve të puthadorëve të pushtuesve nazi-fashist. Ja çfarë thotë e shkruan Alimadhi “komandantë dhe komisarët e ushtrisë partizane do të mbeten gjakatar dhe koha do ti kujtojë si kriminelë”. Ja çfarë thotë kryeballisti Alimadhi për kryetarin e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, majorin Spiro Moisiu”: “komandant i burgjeve të Fierit, gjatë shtypjes së lëvizjes më 1935, xhelat i martirizuarve të Fierit, kryetar i shtabit madhor”. Por harron zoti Adriatik Alimadhi se ushtria antifashiste shqiptare e komanduar nga patrioti Spiro Moisiu ishte në aleancë me Anglo-Sovjet-Amerikan. E dyta, lufta ka filluar më 1939-1944 dhe ti e quan xhelat i martirëve në Fier 1935!? Çudi! Ti qofsh!

Kontributi i popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore

Në atë kohë një rrezik i madh e kërcënonte njerëzimin, një kasaphanë e vërtetë përgatitej dhe po ndodhte prej fashizmit italian, nazizmit gjerman, militaristëve japonez, të cilët krijuan të ashtuquajturin “Boshti” që veç këtyre tri shteteve, ju bashkuan dhe vende të tjera. Përpara popujve liridashës, u shtruan detyra, për të përballuar këtë të keqe të madhe, duke krijuar aleancën e madhe antifashiste me në krye SHBA, Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik dhe shumë vende të tjera. Ishte fat i madh që populli shqiptar, ju bashkua kësaj aleance të organizuar e drejtuar nga PKSH, nga Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH. Themi populli shqiptar sepse të gjithë shtresat e popullit tonë u përfshinë në vorbullën e asaj lufte. Ndaj kur flasim për të, nuk kemi parasysh vetëm ata 70.000 partizanë me armë në dorë, të cilët padyshim që ishin pararoja, bërthama dhe armë kryesore e fitores mbi armikun, por kemi parasysh mijëra shqiptarë që luftuan në çeta, batalione territoriale, kemi parasysh të gjithë shqiptarët, pavarësisht se të varfër, e ndihmuan materialisht luftën, qindra njerëz të pafajshëm që u vranë në kampet e përqendrimit, u dogjën fshatra të tëra dhe u grabit pasuria e tyre etj., prandaj edhe quhet Lufta e popullit shqiptar.

Partizanët e shpëtuan Shqipërinë

Rëndësia e pjesëmarrjes së Shqipërisë në bllokun antifashist botëror (Anglo-Sovjeto-Amerikan) është e pamatshme, për faktin fatlum të rifitimit dhe moscopëtimit të Shqipërisë së pas Luftës. Janë të shumta dokumentet që janë gjendur në arkivat britanike dhe gjermane, të cilat vërtetojnë se nëse Shqipëria nuk do të përfshihej në këtë luftë, territore të saj në jug, do ti jepeshin Greqisë, sikurse edhe Jugosllavisë mund të jepej ndonjë copë bregdeti verior, dalje në det si shpërblim. Copëtimi i Shqipërisë pas Luftës ka qenë një rrezik real. Shqiptarët që bashkëpunuan me pushtuesit nazi-fashistë, mundohen ta minimizojnë ose ta mohojnë krejtësisht atë Luftë, bëjnë një spekulim të neveritshëm me gjakun dhe sakrificat e atyre që bënë të mundur të mos ndodhte kjo mynxyrë. Partizanët e shpëtuan dy herë Shqipërinë, një herë e çliruan prej pushtuesve të huaj vetëm me forcat e tyre dhe një herë që shpëtuan prej copëtimit midis vendeve fqinje. Me pushtimin gjerman të Shqipërisë, bashkëpunimi i Ballit Kombëtar me pushtuesit u bë krejt i hapur. Më 7 tetor 1943 kur gjermanët sapo kishin hyrë në Shqipëri, Mit’hat Frashëri lëshon një qarkore për të gjitha komitetet krahinore të Ballit, në të cilën thuhej: “meqenëse vendi ynë sot ka nevojë më të ngutshme për rregull dhe disiplinë, gjithë komitetet, komandat dhe çetat e Ballit, porositen që me të arritur kjo qarkore të pezullohet çdo operacion luftarak kundër forcave gjermane, tash për tash. Më vonë do t’ju dërgohen edhe direktiva të tjera”. Mit’hati kërkonte rregull dhe disiplinë d.m.th., që mileti të rrinte urtë dhe të mos bënin as çak dhe as bam, kundër nazistëve që po zaptonin Shqipërinë. Dëshmitarë autentikë dhe të paanshëm janë oficerët e misionit Britanik në Shqipëri, të cilët kanë dëshmuar se kush ishte duke luftuar në Shqipëri, kundër nazi-fashistëve. Gjenerali Devis i shkruante qendrës: “Tani unë rekomandoj një ndryshim situate, ka evoluar kaq shumë kohët e fundit, sa që duhet urgjentisht të demaskohet Këshilli i Regjencës, Balli Kombëtar dhe zogistët. Të gjithë po bashkëpunojnë me gjermanët”. Oficeri tjetër britanik, Reginald Hibbert shkruan: “Nacionalistët i humbën shanset e tyre plotësisht, sepse nuk ngritën as gishtin kundër gjermanëve, madje as në çastin e fundit, duke i ruajtur forcat vetëm e vetëm për veprime kundër partizanëve”. Edhe oficerët britanikë; Maklin dhe Smaili që nuk patën marrëdhënie të mira me partizanët dhe qëndruan kohë më të gjatë pranë Abaz Kupit në raportin që i dërgojnë qendrës shkruajnë: “Lëvizja Nacionalçlirimtare është forca ushtarake dhe me kapacitete ushtarake në Shqipërinë e Jugut dhe Qendrore…duhet të mbështesim partizanët me ndihma ushtarake, sepse këto janë forcat efektive në vend”.

Luftë kundër nazi-fashizmit apo luftë civile

Një prej teorive të apologjetëve të mohimit të luftës kundër nazi-fashizmit, është dhe ajo se në Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, paska pasur vetëm luftë civile. Për këtë çështje kohët e fundit në Shqipëri ka pasur debate të shumta. Më e çuditshme është se bota dhe aleatët e mëdhenj Anglo-Sovjeto-Amerikan, na kanë njohur si aleatë të koalicionit të madh antifashist të shteteve që luftuan kundër nazi-fashizmit, duke na renditur në listën e shteteve fituese të asaj lufte, ndërsa nihilistët dhe bashkëpunëtorët e nazi-fashizmit thonë se ne kemi vrarë njeri-tjetrin dhe nuk na kanë vrarë gjermanët dhe as italianët. Natyrisht ky lloj gjykimi është sa antihistorik aq edhe antikombëtar dhe krejt paradoksal. Atëherë shtrohet pyetja, se kush i vrau 28.000 dëshmorë dhe viktima në Shqipëri? Nëse ne kemi vrarë njeri-tjetrin, i bie që ballistët dhe legalistët të kenë bërë kërdinë në Shqipëri dhe historia duhet t’i gjykojë si të tillë,se kanë vrarë partizanë dhe aktivistë. Përveç sa më sipër, shtrohet pyetja, se kush i vrau mbi 8.000 italianë dhe 7.000 gjermanë në Shqipëri. Kjo përbën tregues të qartë se Lufta në Shqipëri ka qenë thellësisht antifashiste. Studiuesit e luftërave kanë sqaruar se, kur një vend, ka pushtues të huaj, nuk mund të bëhet fjalë për luftë civile dhe vetëm kur dy fuqi të ndryshme të një vendi, pa pushtues të huaj përplasen me njëra tjetrën, atëherë bëhet fjalë për luftë të mirëfilltë civile. Kjo dukuri ndodh vetëm me mohuesit e LANÇ-it dhe pasardhësit e kolaboracionistëve tanë si Adriatik Alimadhi, Edi Rama e shumë të tjerë, dhe nuk ndodh në vende të tjera. Natyrisht partizanët luftuan dhe kundër ballisto-zogistëve, sepse këta të fundit u rreshtuan në një front me pushtuesit e huaj nazi-fashistë.