Çfarë i shkruante Presidentit Wilson, një zonjë nga Çamëria

784
Nga Pertefe Leka
A nuk duhet të mësojnë sot nënat greke, për letrën e një bije nga Çamëria, drejtuar presidentit amerikan?
Sot po vlerësohet shumë pjesëmarrja e grave në jetën politike e shoqërore. Si duket ka ardhur koha që virtytet e grave ta stimulojnë shoqërinë njerëzore drejtë më së mirës, të drejtës dhe paqes. Në historinë e kombit tonë ndër shekuj, nuk kanë munguar bëmat e tyre, por edhe në historinë botërore ka shembuj të lartë të qëndrimit heroik të grave. Ajo që është evidentuar për gratë shqiptare, pavarësisht nga statusi i tyre në jetën shoqërore, ishte se ato e kishin shpresuar të ardhmen e vendit, pa armiq dhe armiqësi. Është mirë të njohim historinë e një Zonje nga Çamëria,e cila me një letër, i është drejtuar Presidentit Amerikan Wilson me 1919 në Konferencën e Paqes në Paris për problemet territoriale me fqinjët. Më përpara, t’i drejtohemi Nënave Greke, ta njohin historinë e një nëne si vetë ato, që të ndihmojnë në zgjidhjen e një problemi që sjell vetëm paqe midis dy popujve fqinj. Nënat greke njihen që nga lashtësia për stoicizmin e tyre, kur pritnin ndër vite burrat (Odise) të larguar, që endeshin nëpër dete nga furtunat vdekjeprurëse dhe kurrë s’u përkulën përpara vështirësive. Ata kurrë nuk i tradhtuan trimat e tyre, por duruan deri në bashkimin me to. Janë edhe sot po ato nëna që me besim te Zoti, priten me bujari mijëra refugjatë shqiptarë dhe i trajtuan si fëmijët e tyre,mirënjohje për këtë. Me këtë rast duhet t’i prekim pak zemërdhembshurat, nënat greke, se çfarë kanë përjetuar nënat shqiptare nga klikat famëkeqe të fqinjit jugor. Vetëm pastërtia e shpirtit tyre mund të kontribuojë direkt në këtë besëlidhje, sepse vetëm ata e dinë se çfarë është vuajtja, kur njerëzit i zbojnë nga trualli i të parëve. Vetëm ata mund të bashkojnë djemtë,që enden rrugëve të kurbetit të vijnë të nderojnë të parët e tyre, të krenohen me historinë e lavdishme te popullit te vet, të përshëndeten me gjuhën e nënës, në Çamëri. Kufijtë le të rrinë, zemrat të bashkohen, gratë e vendeve fqinj të bëhen një forcë dhe kjo është, vetëm bekim nga perëndia. Në rrethana të rëndësishme historike për mbrojtjen e bashkësisë kombëtare, atyre u ka lindë nevoja e natyrshme e grupimeve për të arritur në një mendim e mbrojtje të përbashkët. Kjo ka qenë shtytja që Lejla Dino, në rrethana shumë vendimtare për fatet e popullit tone, krijoi në Gjenevë të Zvicrës “Komunitetin e Gruas Shqiptare” në vitin 1919. Më ka tërhequr shumë fakti i kësaj gruaje çame, Lejla Rasih Dino, e cila në emër të grave shqiptare, u drejtohet në mënyrë diplomatike autoriteteve të larta botërore për çështjen e trojeve shqiptare të mbetura jashtë kufijve të 1913. Lejla Dino (Ileri) 1893-1966, vinte nga një familje me tradita të larta patriotike e atdhetare, ku i kishte të projektuara kërkesat për ardhmërinë e kombit shqiptar. Në emër të komunitetit të gruas shqiptare, ajo iu drejtua Konferencës së Paqes në Paris, për problemet madhore të kombit tonë. Ishte pra gruaja e parë shqiptare që me kurajë i drejtohet në kohën e duhur, Kryetarit të Konferencës së Paqes në Paris, për çështjen shqiptare. (tamam kur po ndahej gjahu i luftës në mes forcave luftuese). Nuk ishte rastësi ky guxim i një gruaje çame por një vazhdimësi e pjesëmarrjes së familjes Dino në të gjitha ngjarjet e mëdha, të luftës për Liri e Pavarësi. Familja Dino, ka nxjerrë shumë figura të përmendura, të pushkës e të penës, të cilët kanë hyrë në historinë e artë të kombit tonë. Kështu dhe bija e tyre, Lejlaja, eci në rrugën e të parëve të saj që nuk heshtën kurrë në kërkimin e drejtësisë për identitetin Kombëtar dhe trashëgiminë e trojeve shqiptare. Babai i saj Rasih Dino, ishte djali i Abedin Dinos, pjesëmarrës ne” Lidhjen e Prizrenit”. Nën shembullin e të atit, Rasihi, u bë një luftëtar dhe kontribues në Shpalljen e Pavarësisë. Ishte në krye të delegacionit pjesëmarrës të Shqipërisë në” Konferencën e Londrës”. I ra botës kryq e tërthor për të lobuar për mos copëtimin e Shqipërisë nga fqinjët grabitqarë.

Si përfaqësues i shqiptarëve me qëndrim të përkohshëm në Zvicër, i Federatës Ndërshqiptare “Vatra”dhe i shoqërisë “Çamëria” në SH.B.A. prej Gjenevës i dërgon Këshillit të Ministrave të Italisë, në të cilën kërkon që qeveria Italiane të heqë dorë prej lakmive të saj për Vlorën dhe të ndihmonte në rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë, si dhe në kthimin e krahinës së Çamërisë dhe Kosovës. Për këtë kontribut, Shoqëria “Çamëria”në Amerikë e caktoi si përfaqësues të popullsisë çame në Konferencën e Paqes në Paris 1919, por u pengua nga qeveria franceze dhe ajo Italiane. Kështu, Lejlaja, kur pa pengesën që po i bëhej të atit u mobilizua edhe më shumë. Ajo si Kryetare e Grave Shqiptare jashtë vendit, shfrytëzoi ardhjen e familjes Presidenciale, Wilson, në Konferencën e Paqes në Paris. Ishte hera e parë që një President Amerikan vinte në Evropë. Ajo trokiti tek simboli i Paqes, Woodrow Wilson, i cili u vlerësua me çmimin “Nobel për Paqen” (Nobel Peace Prize). Trokiti tek humanisti, që mori bekimin e Papës Benedikt XV, i pari president amerikan që vizitoi një Papë. Ajo i drejtohet kësaj figure më në zë të politikës botërore, për mbrojtjen e çështjes shqiptare në përgjithësi e të Kosovës e Çamërisë në veçanti. Ajo trokiti në zemrën e një personaliteti fisnik, i cili kishte firmosur zyrtarisht dhe vendosur ne kalendar të dielën e dytë të muajit Maj festën e nënave, “Mother’ s Day” – Lejlaja në këtë rast, shfrytëzoi njohjen e saj me Edith (Galt) Willson, gruan e presidentit, Woodrow Willson, dhe nëpërmjet një letre, i shtron kërkesat legjitime të popullit shqiptar të mohuara prej grabitqareve. Sa për dijeni, Edith Galt ishte direkt trashëgimtare e gruas vendase amerikane, Pocahontas, (descendant of the Native American woman, Pocahontas) Bija e Çamërisë në atë letër, ndër të tjera shkruante: 

“…Hidhërimet e tmerrshme dhe mizoria që nënat shqiptare, gratë dhe bijat duruan duke parë gjakun e të dhembshurve të tyre të derdhet nën zgjedhën e shtypësve të huaj, kanë natyrisht për të tronditur ndjenjat tuaja të larta njerëzore dhe do të na ndihmoni për të fituar lirinë tonë të dashur. Në këto çaste, shtetet fqinjë të Shqipërisë duan të aneksojnë vende të tokës sonë të dashur ose që të marrin prej nesh independencën tonë politike. Por jemi të sigurt se Lavdia e ndjenjave të larta dhe njerëzore të shoqit tuaj dhe me ndihmën tuaj këto gjëra nuk do të bëhen dot dhe se do të kemi për së afërmi independencën tonë me anën e së cilës do të marrin fund vuajtjet tona…. Qindra, mijëra prej punëtoreve shqiptarë, të cilët u shtrënguan të lënë shtëpitë e tyre dhe të emigrojnë në Amerikën tuaj të lirë, shpresojnë nxehtësisht se Atdheu i parë i tyre, provincë e Kosovës dhe e Çamërisë, të cilët u ndanë padrejtësisht nga Shqipëria me 1913…do të lirohen…” (Publikuar, te “Albania”, 1 Janar 1919)
Sëmundja që i ndodhi Presidentit Wilson, kur ishte në Evropë, ishte e papritur
Edith, gruaja e përkushtuar ndaj këtij njeriu të madh e çoi me tutje kujdesin ndaj të shoqit deri në detyrat presidenciale sa mund të quhej se ishte një presidente grua në hije. Edhe pse presidenti ishte i sëmurë ajo nuk mundi ta ndalonte vrullin e tij shpirtëror e fizik që ai të vazhdonte rrugën e tij për krijimin e një organizate politike ndërkombëtare, e cila do të garantonte ruajtjen e Paqes në Botë. .Ashtu, në gjendje të rëndë shëndetësore, i ndaluar nga mjekët që të vepronte në terren, me një vullnet të paepur, për te realizuar Paqen dhe detyrën presidenciale, mbijetoi deri në fund të mandatit me ndihmën e pakursyer edhe të shoqes së tij, Edith. Kështu fundi i jetës i erdhi shpejt, por ai mbeti simbol i Paqes botërore dhe për ne shqiptarët shpëtimtar i mos copëtimit të mëtejshëm të trojeve tona nga grabitqarët. Letra e Lejlasë është lexuar ndër vite dhe ka realizuar deri diku kërkesat e saj.

U desh përsëri një president amerikan (Bill Clinton ) që ta përshpejtonte çlirimin e Kosovës dhe përsëri një tjetër president amerikan (George W. Bush) që të finalizonte Pavarësinë e Kosovës.

Çështja çame, tashmë e ndërkombëtarizuar, do ta fitojë legjitimitetin, sepse Çamëria fizikisht është aty, martirët e saj dhe historia janë po aty.

Lejlaja nuk jeton më, por letrën e saj do ta vazhdojnë ta lexojnë brezat, për të cilët ajo mendoi. Në atë portë ku trokiti Lejlaja ishte e vetëdijshme se mund të fitohen vlera të mëdha për të ardhmen e Kombit Shqiptar. Ajo kishte besim, kur iu drejtua Presidentit të SHBA Woodrow Wilson, sepse ishte udhëheqësi i një shteti të fuqishëm dhe shembulli më i përkryer i Demokracisë në botë, pa ndihmën e të cilit nuk do të ishim edhe ne, aty ku jemi sot.

Mesazhi i sekretares së shtetit të SH.B.A. Hillary Clinton në Parlamentin shqiptar, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, se “edhe 100 të tjera do të jemi pranë jush…” është një vazhdimësi dhe një ogur i mirë për ta bërë të pavdekshme letrën e Lejla Dinos.

Gruaja shqiptare sot, me një status të barabartë në jetën shoqërore, do të jetë një zë i fortë për mbrojtjen e identitetit të saj dhe të drejtave njerëzore. Me një demokraci të fortë në Shqipëri dhe me ndihmën e SH.B.A-së mund të zgjidhen probleme madhore, që koha i ka zvarritur.

(Iliriapress.com )
Sigal