Qazim Koculi, komandant i forcave kryengritëse në Luftën e Vlorës 1920

1759
Prof. As. Dr. Bernard Zotaj

Jetëshkrimi
Qazim Koculi lindi më 22 gusht 1887 në fshatin Kocul të Vlorës. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesëm në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Studimet e larta i përfundoi në Akademinë e Lartë Ushtarake të Stambollit, pas të cilës fitoi gradën ushtarake, nëntoger. U emërua më pas në detyrë në Marinën Ushtarake të Perandorisë Osmane, ku fitoi gradën ushtarake të togerit. Në vitin 1909 nuk i bindet një urdhri ushtarak të një eprori të tij gjatë një beteje detare në Prevezë, për t’iu dorëzuar flotës italiane, ku luftoi heroikisht me torpendinierën e tij të vjetër. Pas nxjerrjes së urdhër-arrestit nga komanda perandorake, Koculi arratiset për në Argjentinë, ku qëndron deri në vitin 1912. Në këtë vit kthehet në Vlorë, pasi iu përgjigj thirrjes së Ismail Qemalit, i cili me shpalljen e Pavarësisë e cakton drejtor të portit të Vlorës. Këtë detyrë e kreu deri në momentin kur porti u mor në administrim nga italianët, në tetor të vitit 1914. Deri në vitin 1917 ishte krye/katundar në Brataj të Vlorës. Nga ky vit e deri më 1919 kreu detyrën e nënprefektit në Tepelenë. Më 21-31 janar 1920 ishte delegat i Vlorës në Kongresin Kombëtar të Lushnjës, nga ku u emërua edhe senator.
Në Komitetin “Mbrojtja Kombëtare”
Në ditët e Kongresit të Lushnjës delegatët e prefekturave të Vlorës, Beratit, Korçës dhe Gjirokastrës bënë një mbledhje të veçantë më 6 shkurt 1920. Përfaqësuesit e prefekturave diskutuan për formimin e një Komisioni Central për nevojat e Lëvizjes Kombëtare për “Mbrojtjen e Atdheut”. Përpjekjet për të krijuar Komitetin “Mbrojtja Kombëtare”, në një letër që i shkruan kryeministrit Sulejman Delvina, i bën të qarta Qazim Koculi, më 16 shkurt 1920. Sulejman Delvina në takim me Qazim Koculin, Spiro J. Koleka dhe Ahmet Zogun diskutuan për të ndihmuar fillimin e kryengritjes së armatosur për çlirimin e Vlorës, si dhe qëndrimin e qeverisë për këtë luftë, i cili do të ishte jo zyrtar. Kryeministri Sulejman Delvina iu përgjigj kërkesës së krerëve të Vlorës për një takim të veçantë “për zgjidhjen e çështjes kombëtare”, takim që u organizua në fshatin Lepenicë më 28 shkurt 1920, ku morën pjesë 68 përfaqësues të krahinave të Vlorës e Mallakastrës. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” u krijua në Vlorë më 10 mars 1920 dhe aty u vendos që çështja e Vlorës të zgjidhej me armë…”. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” në Vlorë, si dhe degët e tij në Tepelenë, Gjirokastër, Mallakastër, Berat, Përmet e në Tiranë filluan përgatitjet për luftën e armatosur. Osman Haxhiu dhe Komiteti i Fshehtë “Mbrojtja Kombëtare” në Vlorë, fund marsi e fillim prilli 1920, nisën përfaqësuesit e tyre në këto krahina për bashkërendimin e mendimeve dhe të veprimeve të tyre, për qëndresë të armatosur kundër pushtuesve italianë. Më 22 maj 1920 delegacioni i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, pas bisedimeve me qeverinë e Sulejman Delvinës u kthye në Vlorë, e me ta erdhi dhe ushtaraku Ismail Haki Kuçi, si operativ pranë Komisionit të Luftës.
Në Luftën e Vlorës 1920
Më 29 maj 1920 në Braçalla, u bë mbledhja e Kuvendit, me pjesëmarrjen e 200 vetëve nga pleqësia e katundeve dhe qytetit të Vlorës, ku vendosën njëzëri për bashkimin me shtetin shqiptar dhe largimin e pushtuesve italianë nga krahina e Vlorës. Kuvendi i Barçallasë zgjodhi një Këshill Kombëtar me 35 anëtarë, si dhe Komitetin e Ri të “Mbrojtjes Kombëtare” me: Osman Haxhiu – kryetar, Sali Bedini, Hamit Selmani, Duro Shaska, Hazbi Çano, Beqir Sulo, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Hysni Shehu, Qazim Kokoshi, Murat Miftari dhe Myqerem Hamzarai. Është aktiv në Luftën e Vlorës të vitit 1920 dhe njihet, si një ndër organizatorët e Kuvendit të Barçallasë. Meqë Gjenerali Piacentini, i cili i komandonte ato nuk denjoi t’i përgjigjej ultimatumit të drejtuar atij nga komisioni i dalë nga Kuvendi i Barçallasë që brenda 48 orëve të largoheshin trupat italiane nga Vlora. Në këtë ultimatum midis të tjerave thuhej: “Na e dimë se një popull i vogël si populli shqiptar, nuk mund të sulmojë me armët e tij një fuqi të madhe siç është Italia, por qeveria italiane sado e fortë që të jetë, nuk mundet kurrë të ndalojë popullin e vogël të Shqipërisë të derdhë gjakun për idealin e lirisë së tij, paralajmëronte atë epokë të lavdishme që përjetësisht është skalitur e rrëzëllen me shkëlqim madhor në Historinë e Shqipërisë”. Me dorëheqjen e Ahmet Lepenicës në Kotë, u emërua Komandant i Forcave Kryengritëse të cilat i udhëhoqi deri në fitoren e tyre. Nga Drashovica drejtoi gjithë veprimtarinë luftarake të zhvilluar për marrjen e garnizoneve të fundit siç ishte Kanina dhe qyteti i Vlorës. Më 3 shtator 1920 hyn fitimtar në qytetin e çliruar të Vlorës. Pas luftës u emërua prefekt në Vlorë.
Nga jeta parlamentare
Zgjidhet deputet i Vlorës në zgjedhjet e para të 5 prillit 1921 duke qenë anëtarë i Partisë Popullore. Ishte mbikëqyrës i qeverisë së Pandeli Evangjelit së bashku me Bajram Currin dhe Avni Rustemin në periudhën tetor-nëntor 1921. Kriza e dhjetorit 1921 e gjeti në krahun e forcave që ishin për rrëzimin e qeverisë së Evangjelit. Nga kjo krizë ai u bë protagonist, jo me ndonjë dëshirë të madhe, duke hyrë në histori edhe si kryeministri njëditor i Shqipërisë. Më 6 dhjetor 1921 u ngarkua nga Këshilli i Naltë Kryeministër për një kabinet prej 8 anëtarësh, por jep dorëheqjen para Këshillit të Regjencës. Në zgjedhjet e 27 dhjetorit 1923, Qazim Koculi u zgjodh sërish deputet i Vlorës në Kuvendin Kushtetues. Gjatë kësaj kohe vazhdoi të përkrahte po atë linjë politike që ishte për rrëzimin e qeverisë. Koculi ishte ndër pjesëmarrësit dhe përkrahësit e Lëvizjes së Qershorit 1924. Në qeverinë e dalë nga kjo kryengritje, Koculi ishte ministër i Punëve Botore. Me dështimin e kësaj qeverie dhe me Triumfin e Legalitetit, Qazim Koculi emigroi jashtë Shqipërisë bashkë me politikanët e tjerë.
Nga emigracioni politik, rikthimi në atdhe
Emigracionin politik Koculi e kaloi në Vjenë dhe Paris. Gjatë kësaj kohe ai pajtohet me Mbretin Zog dhe pranoi që të ishte kryetar i Komitetit të Kosovës në mërgim. Pas pushtimit fashist, Koculi u kthye në Shqipëri, dhe në dhjetor 1939 emërohet anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit. Në qeverinë e Mustafa Krujës ishte ministër Shteti dhe në çastet e fundit të kësaj qeverie u emërua Komisar i Lartë në Vlorë, në kohën kur ishte rritur Lëvizja Çlirimtare. Më 2 janar 1943 Qazim Koculi vritet në Vlorë nga batalioni mercenar i Halil Alisë në bashkëpunim me italianët. Mustafa Kruja në shenjë proteste, si dhe indinjate ndaj italianëve dhe personalisht ndaj Mëkëmbësit të Mbretit, Jacomoni, i cili nuk pranoi që të arrestoheshin e të çoheshin në gjyq vrasësit e Qazim Koculit, paraqiti menjëherë dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Qazim Koculi ishte udhëheqësi ushtarak i Luftës së Vlorës, senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë dhe parlamentar, kryeministri më jetëshkurtër i Shqipërisë ku qeverisi vetëm një ditë, 6 orë, më 6 dhjetor 1921. Në vitet e demokracisë figura e Qazim Koculit është vlerësuar dhe ai po zë me të drejtë vendin që i takon si komandant i forcave kryengritëse në Luftën e Vlorës të vitit 1920. Ndaj na ngelet si detyrë që figura të tilla ushtarake e historike të njihen, të shkruhet e flitet vazhdimisht për veprimtarinë e tyre patriotike, luftarake dhe atdhetare në vijimësi.