Provokimet e Ramizit: S’më thatë gjë për pluralizmin politik

ARKIVA XII / Nga takimet e Ramiz Alisë me intelektualët e vendit në prag të ndryshimeve të mëdha të vitit 1990

TAKIMI ME INTELEKTUALËT

“Telegraf” vijon botimin e pjesës së dymbëdhjetë të bisedës së Ramiz Alisë me intelektualet, zhvilluar më 12 gusht 1990. Zhvillimi i ngjarjeve në Evropë pas përmbysjeve që ndodhën në vendet e lindjes, padyshim që të çonte në mendimin, se ajo që ndodhi andej do të ndodhte edhe në Shqipëri. Në atë kohë, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së, Alia ka biseduar për rreth katër orë në Pallatin e Kongreseve me rreth 60 intelektualë, mes të cilëve Dhimitër Shuteriqi, Luan Omari, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Ylli Popa, Sali Berisha dhe Fatos Nano. Në këtë pjesë, diskutohet mes Ramiz Alisë, Ismail Kadaresë. Në mënyrë të veçantë shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, përqendrohet në punën e organeve shtetërore dhe të informacionit, lidhur me aspekte te ndryshme sociale dhe politike.

Ramiz Alia: “Flas edhe si qytetar, si intelektual. Besoj se duhet ta ketë secili prej nesh parasysh. Që ka paqartësi, ka! Që ka dezinformime, ka! Që ka gabime, që thotë Saliu, të rënda, të forta etj., etj., kriminale, të gjitha janë, të cilat duhet t’i luftojmë. Po a nuk është detyra e gjithë neve? Se mua ajo që më shqetëson është pasiviteti. Përse? Se këto gjëra, qofte edhe ky çorientimi politik, ky nuk ndodh në Hënë, ky nuk ndodh në bulevard, ky ndodh në qendrat e punës, në ambientet ku jetojmë ne. Po jetojmë ne! Pse ne i shkojmë anës këtyre fenomeneve? Nuk e di, a biem dakord këtu? Ta shikojmë edhe ne, kemi një çikë fajin vetë apo jo? A duhet të luftojmë një çikë për të, pa hequr asnjë presje të tëra atyre? Epo edhe ne jemi dhjetëra mijë. Jo, dëgjo Ismail, unë e kuptoj, por këtu e kam hallin, që ndoshta duhet të nxjerrim një konkluzion edhe neve. Që të tërë duhet të jemi më aktiv, mendoj unë. Të tërë duhet të reagojmë, sepse të tërhiqemi prej hunde nga disa llafe te hedhura në erë, nga ndonjëherë. Por, do të thosha nga një anë tjetër, edhe të kaloja në një ekstrem, që tërë ndërgjegjja kombëtare është tek ai polici që rrahu dy veta, edhe shqetësimi bëhet shqetësim kombëtar tek ai. Mua me duket e ekzagjeruar. Jo e ekzagjeruar në këtë kuptim, nuk e marr në mbrojtje dhe e dënoj që ç’ke me të ato veprime, duhen dënuar. Por, unë jam më shumë i shqetësuar me ato që tha Luani. Pse organet tona të Sigurimit të Shtetit janë kaq qyla? Pse janë kaq të paaftë? Pse u treguan kaq syleshë? Pse u treguan kaq injorantë? Pse u treguan kaq të pazotë që të kuptojnë burimet e kësaj që po na ndodh, kur tani... Prit, prit. Nuk dua shkakun, ju lutem, mua më duket se ky duhet të jetë shqetësimi ynë i parë dhe tani nga të arratisurit që janë tani në Gjermani, edhe në Francë, Itali e të tjerë, po e marrim vesh se si ka ndodh ky skenar. Si ka vepruar i ngarkuari gjerman? Si ka vepruar i ngarkuari çek? Si ka vepruar i ngarkuari francez? Si ka vepruar i ngarkuari jugosllav? E marrim vesh nga andej, se ata kanë filluar andej të tregojnë, si e kapën, si i tha, kush i tha. Kurse kjo duhej bërë këtu, duhet të gjendej këtu. Kjo është paaftësi e njerëzve tanë. Kjo a nuk duhet të na shqetësojë? Po unë nuk besoj që të themi që ishim të implikuar. Unë nuk them që... Fundi ja ta pranoj edhe ashtu, si ndodh që organet tona te Sigurimit paskan qenë bashkëpunëtorë në këtë vepër? Për shembull, unë po shkoj në ekstrem. Më falni, që të mos e devijojmë muhabetin, a duhet të na shqetësojë edhe ky aspekt i problemit? Si patriotë, si qytetarë? Unë mendoj që duhet të na preokupojë kjo, prandaj është e drejtë dhe vërejtja që u bë këtu, që ka nevoje për kulturë, mungon kultura, ka nevojë për një shkundje komplet të organeve të Sigurimit të Shtetit, ka nevoje për ligje. Në tërë veprimtarinë e tyre, duhet çdo gjë të vihet nën kontrollin e ligjit, sepse nuk janë në kontrollin e ligjit dhe duhen vënë në kontrollin e ligjit. Ne jemi edhe njerëz që e kemi jetuar këtë histori dhe po të shikosh që nga fillimet e tij, ka dominuar me tepër paaftësia dhe padija, që të mos them injoranca. Apo janë baras? Domethënë ka dominuar edhe kjo dhe padyshim që është shprehur edhe kjo. Se ai që nuk di, kupton, kur nuk ka argumentin dhe aftësinë që të bindë të tjerët me argument, përdor forcën. Është qëndrimi klasik i të madhit ndaj të voglit, i të rriturit ndaj fëmijës. Fëmija ka fjalët që të shan me nënë e me baba, i madhi të rreh në shpulla. E kisha këtu hallin, që te kjo çështja që duhet edhe ne të nxjerrim konkluzionin që ka nevojë për një organizim më të mirë të vetes sonë, e forcave tona. E drejtë është ajo Ismail, që janë dhjetëra mijëra këto që hapin thashethemet. Por, edhe ne jemi dhjetëra mijëra. Këtu e kam unë, këtu. Për shembull, një fjalë e njërit, një fjalë e tjetrit, në ambientet ku jemi, mendoj që bën, me këtë absolutisht nuk ju ftoj të mbuloni dobësitë, të mbuloni të metat. Jo! T’i kritikoni dobësitë, t’i kritikoni të metat, t’i zbuloni dobësitë, t’i zbulojmë të metat, por t’i zbulojmë t’i kritikojmë të metat, duke pasur parasysh edhe ndreqjen e tyre, por të mos lejojmë që mbi këto të meta, mbi këto mundësi, të ndërtohen teori të tëra, goditje të tëra, që dëmtojnë tërë punën e partisë, tërë punën e shtetit tonë. Këtu e kam hallin. Të tërë me duket që duhet në një farë mënyre të biem dakord të tërë, përndryshe do të rrimë duke qarë të tërë dhe kjo nuk është e nuk duhet të jetë në natyrën tonë. Por, duhet të hidhemi në sulm edhe për të korrigjuar shumë gjëra, që kanë nevojë të korrigjohen. Po mirë nuk më thatë gjë për atë pluralizmin politik... Çfarë thuhet? Si mendohet? Mua kjo më shqetëson, pse duhet të jenë pasiv? Pse duhet të jenë pasiv? Apo ndodhin, ndodhin por... 
Bashkëbisedues: “Është biseduar edhe në mjediset tona universitare me pyetje duke marrë shkas nga shqetësime të ndryshme që vërehen në këtë rrugë 45-vjeçare. Për shembull, pranojmë qe jemi të nxituar në problemin e tufëzimit. Atëherë nëse ne do të kishim një oponencë ndaj këtij gjykimi të partisë, nuk do të mund t’i jepnim një zgjidhje më të mirë problemit? Më thjeshtë? Mund ta kishim kapërcyer nxitimin? Një mendim që është dhënë me duket në ambiente të ndryshme intelektuale. Vetvetiu ky lloj arsyetimi mund të na çojë deri aty, do të pranojmë pluralizmin politik? Të jemi të ndërgjegjshëm që ne e ndajmë pluralizmin e mendimeve nga pluralizmi politik. Pluralizmi i mendimeve, i asaj forme të debatit, brenda kësaj hije, për t’i gjetur zgjidhje më të mirë këtij problemi, partia asnjëherë nuk na e ka mohuar, përkundrazi na e ka kërkuar dhe na e kërkon vazhdimisht. Veçse, te kjo çështja e dytë, e kapërcejmë nga ky pluralizëm mendimesh, në pluralizëm ideologjish dhe aq me tepër pluralizëm partiak, bëhet një kapërcim i madh cilësor, i cili do të vinte në dyshim këtë formë të rendit tonë shtetëror. Në këtë terren është bërë debat dhe vazhdon të këtë debat. Dua t’ju them pikëpamjen e opinionit të përgjithshëm dhe që është opinioni, me duket, më i argumentuar, mendimi im personal, që ne me këtë pluralizmin e debateve, me pluralizmin e mendimeve, kemi nevojë të kulturohemi akoma më tepër, të demokratizohemi akoma më shumë. Dhe se rruga e demokratizimit nuk është kalimi të pluralizmi politik, ne kemi mundësi brenda për brenda nesh, të gjejmë format, mënyrat, që brenda këtij pluralizmi mendimesh që përsosin rrugëzgjidhje problemesh. Për shembull, një nga këto çështje ju na e trajtuat vetë, lidhur me raportin e partisë lidhur me Frontin Demokratik. Në atë koncept tradicional...”.
Ramiz Alia: “A ishit dakord ju teoricienët me antitezën që rrip transmisioni nuk mund të quhen këto organizatat?”
Bashkëbisedues: “Ne ishim dakord shoku Ramiz që pozicioni i statusit të tyre duhet të jetë marrë...“.
Ramiz Alia: “Jo, jo. Unë thashë me tezën se e ka thënë Lenini, e ka thënë edhe Stalini, shoku Enver. Unë vetë e kam thënë disa herë”.
Bashkëbisedues: “Për mendimin tonë shoku Ramiz, ajo tezë është përpunuar në kushte të caktuara dhe nuk mund të themi që ajo nuk ishte e drejtë në ato kushte në të cilat ndodhej. Në këto kushte, të kalimit të dijetarëve të demokratizimit të mëtejshëm, raporti i partisë siç e kemi diskutuar ne...”.
Ramiz Alia: “... jo vetëm, por unë arrita në atë që e thashë, duke pasur parasysh edhe një tezë tjetër. Shoku Enver disa herë ka folur kundër tutelës mbi organizatat, veçanërisht të organizatës së rinisë. Atëherë, kur jemi kundër tutelës, pse duhet të jemi me rripa transmisioni? Nëse jemi kundër tutelës, domethënë, t’i lëmë, kupton, që të veprojnë, të jenë të pavarur në veprimtarinë e tyre”.

Nesër do të lexoni:
• Ramiz Alia debate me Sali Berishën dhe Luan Omarin për Marksizëm-Leninizmin dhe Baba Stalinin. 
• Biseda rreth çështjes së fesë dhe pluralizmit.