Prof. Bernard Zotaj: Dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetar dhe lavdie

241

Dorëheqja e Ismail Qemal Vlorës, gjest atdhetar dhe fletë lavdinë historinë e kombit

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

 

Jo, ndërhyrjeve në punët e brendshme

 

Ismail Qemali e kishte pranuar ndihmën e Fuqive të Mëdha për zgjidhjen e problemit shqiptar, por nuk kishte pranuar ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit të ri. Ishte koha kur Ismail Qemal beu pati biseduar me Beqir Grebenenë për daljen në gjyq të tij, ku nuk tha asgjë, e kjo gjë çoi në rënien e prestigjit të tij te disa patriotë shqiptarë. Kundërshtarë ishin Syrja Vlora, Myfid Libohova dhe Esad Pasha. Komisioni i Kontrollit e gjeti rastin për ta kthyer shtetin dhe qeverinë Kombëtare të Vlorës, në një provincë dhe qeveri lokale me kushte. Esad Pasha po luante rolin për ardhjen e princ Vidit dhe po siguronte të ishte pjesëmarrës në qeverinë e tij. Kështu Fuqitë e Mëdha dhe princ Vidi e larguan nga skena politike qeverinë e Ismail Qemalit.

Ismail Qemali para popullit të Vlorës për vendimin e Fuqive të Mëdha për të sjellë Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit në Shqipëri ka thënë, se “qëllimi i Evropës nuk mund të ketë shkak vetëm të mirën tonë, por një kontroll sa i zbutur e i zbukuruar që quhet, duke qenë që vjen prej mendimit që kanë bota për mos mundjen e shqiptarëve të qeverisen vetë, na jep ndjenjat të cilat s’janë fort të kënaqshme për shqiptarin që do lumturinë morale të Shqipërisë.”

 Kështu ka thënë një e vërtetë të pamohueshme, duke theksuar se ardhja e princ Vidit në Shqipëri dhe Komisioni i Kontrollit nuk do t’i sillte asgjë Shqipërisë. Ardhja e Vidit në Shqipëri nuk u konsiderua si një akt pozitiv, pasi për sa kohë që ishte Vidi në fuqi, në Shqipëri vepronte Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit. Ismail Qemal bej Vlora kishte meritën se e kishte kuptuar këtë më mirë nga të tjerët në periudhën ku vepronte.

 

Thuaj pakënaqësitë një nga një

Ismail Qemali nuk kishte shkuar mirë me konsullin italian në Vlorë, ndaj ky i kërkonte që të mbajë qëndrim krejtësisht të sjellshëm dhe korrekt ndaj Italisë. Ismail Qemali i kërkoi t’i thoshte pakënaqësitë një nga një.

  • Konsulli De Fagendis iu ankua për tarifat doganore për mallrat e importuara, merreshin në natyrë.

Ismail Qemali iu përgjigj, se kjo ndodhte në Durrës, ku nuk kishte pushtet.

  • De Fagendis ishte ankuar se mitropoliti ortodoks i Durrësit dhe disa ortodoksë të tjerë nuk trajtoheshin mirë nga Qeveria e Vlorës, sidomos në Elbasan dhe në Shpat.

Ismail Qemali i kishte thënë se ushtronte një tolerancë të madhe, mbasi metropoliti në fjalë e ka harruar se është nëpunës kishtar shqiptar dhe jo agjent politik i një vendi të huaj. Ismail Qemali kishte plotësisht të drejtë. Ky mitropol në një letër dërguar Fuqive të Mëdha u bënte thirrje të siguroheshin privliegjet e vjetra të patrikanës në Shqipëri. Ismail Qemali i kërkonte konsullit italian, ta këshillonte kolegun në Durrës, që të mos ndihmonte mitropolitin e Durrësit, por të gjithë ortodoksët për t’u bashkuar me qeverinë e Vlorës”.

  • De Fagendisi kërkonte të vendosej prej Qeverisë Kombëtare të Ismail Qemalit, ligjërisht, një kajmekam i lidhur ngushtë me Esad Pashën.

Ismail Qemali nuk bëri asnjë lëshim. Ismail Qemali i ishte përgjigjur se në Shqipëri do të kishte një anarki të plotë, sepse bejlerë të tjerë nuk do të vononin që të imitonin shëmbullin e tij.

  • De Fagend iu ankua kryetarit të qeverisë, se çështjen e studimit të një vije hekurudhore ia kishte ngarkuar disa kapitalistëve austriake dhe jo atyre italianë. Ismail Qemali i kishte thënë se oferta austriake ishte më e leverdisshme për Shqipërinë.

Ismail Qemali i kishte thënë Lejhanecit se zëmërimi i qeverisë italiane kundër tij, nuk mund ta pengonte atë që ta ndalonte një ndërhyrje dhe sundim të politikës italiane në Shqipërinë e Jugut. Kjo do të kishte pasoja katastrofale për vendin e vet.

Në këto kushte qeveria italiane mblodhi kundërshtarët kundër Ismail Qemalit, si Myfid Libohovën me shokë.

 

Ishte një front i gjerë lufte!

Myfid Libohova ishte një nga kundërshtarët më të rrezikshëm të Ismail Qemalit dhe në këtë qëndrim, ai nxitej nga Italia. Ai thoshte se Qeverisë Kombëtare të Ismail Qemalit, së shpejti do t’i vinte fundi, por edhe sikur kjo të mos ndodhte, Myfid bej Libohova, Esad Pasha dhe feudalët e tjerë do të kërkonin rrugë të tjera për t’i dhënë fund sundimit të Ismail Qemal Beut. Këta feudalë ia kishin arritur qëllimit, të ndihmuar nga Fuqitë e Mëdha. Ky ishte një front i gjerë lufte për Ismail Qemalin, të cilin nuk mundi ta përballonte, pavarësisht se nga lufta më vonë, në kushte dhe rrethana të reja, ai nuk do të hiqte dorë. Me Ismail Qemalin në krye të Qeverisë Shqiptare, Fuqitë e Mëdha dhe Komisioni i tyre i Kontrollit e panë se nuk mund të luanin në kurriz të popullit shqiptar, nuk mund ta skllavëronin Shqipërinë. Vjena njoftonte se solidariteti i Austro-Hungarisë dhe i Italisë shtrihej në mënyrë të barabartë mbi Shqipërinë. Ishte një solidaritet grabitqar që nuk mund të pajtohej me rilindjen e një vendi të vogël as me karakterin e Ismail Qemalit. Përgjegjësia e Fuqive të Mëdha të atëhershme ndaj historisë së popullit shqiptar ka qenë e rëndë. Zhurma që bënë në këtë çështje Fuqitë e Mëdha, kishte qëllim likuidimin e Qeverisë së Vlorës dhe zëvëndësimin e saj me qeverinë e princ Vidit. Feudalët e mëdhenj që i përkrahnin nuk guxuan ta bënin Esad Pashën, kryetar të qeverisë shqiptare, por bënë një feudal tjetër të madh Ymer Pashë Vrionin.

Qeveri për të gjithë Shqipërinë

Më 22 janar 1914 Ismail Qemali dha dorëheqjen. Në vendimin e dorëheqjes Ismail Qemalin ishte i bindur, se i vetmi mjet për t’i dhënë fund përçarjes dhe anarkisë në vend, të formohej një qeveri e vetme për të gjithë Shqipërinë. Ky qëllim, sipas tij, mund të arrihej vetëm po t’ia dorëzonte pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Ai përsëriti kërkesën që i kishte paraqitur më parë, në prani të ministrave të tij, atij Komisioni, që të merrte përsipër këtë detyrë dhe pushtetin në dorëzim. Aqif pashë Elbasani, prefekt i Elbasanit në telegramin dërguar Ismail Qemalit i thoshte se ‘gjesti atdhetar i Shkëlqesisë Suaj i shton një fletë lavdie shërbimeve të larta atdhetare të bëra nga ju. Meritoni nderime dhe me këtë rast adhuroj Shkëlqesinë tuaj”. Ismail Qemali në telegramin e lamtumirës si kryetar i Qeverisë Kombëtare të Vlorës i drejtonte Aqif pashë Elbasanit, se kishte ushtruar për 14 muaj rresht pushtetin shtetëror të dhënë nga Asambleja Kombëtare. Në këtë periudhe ishte përpjekur me të gjitha mundësitë, “me gjithë të metat e mia”, të punonte në favor të bashkimit kombëtar dhe të tërësisë tokësore. Dhe shkaku i dorëheqjes ishte, se “disa ngjarje të hidhura të nxitura nga interesi vetjak janë shfaqur, kanë turbulluar harmoninë qeveritare për të cilën atdheu ynë ka gjithnjë nevojë, dhe kësisoj çështja kombëtare u rrezikua shumë.” Ismani Qemali kishte ndërhyrë pranë Fuqive të Mëdha dhe u kishte propozuar që deri në ardhjen e princ Vidit, Qeverimi i gjithë Shqipërisë të merret në dorë prej Komisionit të Kontrollit. Ai u bënte thirrje bashkëkombësve të vet që t’i bindeshin autoritetit të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Përfaqësuesit e popullit të Elbasanit në telegramin e që i dërgonin kryetarit të Qeverisë së Përkohshme, thuhej se me gjithë shpirt iu lutemi t’i pranoni urimet tona të nxehta për burrërinë e atdhedashurinë që treguat. Kjo therori me të vërtetë i ngjan asaj burrërie që ngritët flamurin për të parën herë në Vlorë. Këto dy punë nuk ka për t’i harruar Shqipëria kurrë. Rrofsh edhe shumë kohë! Gjesti i Shkelqësisë S’uaj, thuhej në telegramin e përfaqësuesve të popullit të Lushnjës më 23 janar 1914, që synon bashkimin e kësaj copëze Shqipërie, ka bërë të dështojnë qëllimet djallëzore të disa keqdashësve të kombit, të cilët në të kaluarën e në të tashmen nuk i kanë kursyer tradhëtitë për ta bërë Shqipërinë viktimë të interesave të tyre personale të poshtra, është glorifikuar dhe ndëruar prej të gjithëve.” Më tej theksonte se “është e plotë shpresa për ta parë në një kohë shumë të afërt Shkëlqesinë Tuaj përsëri në atë post të shenjtë dhe me shumë nderime ju puthim duart tuaja të ndershme.” Veprimtaria e Ismail Qemalit dhe e qeverisë së tij kishte lënë mbresa në popullin që kishte qeverisur, ndërsa të këqija për feudalët e mëdhenj dhe Fuqitë e Mëdha. Nga viti 1914 e deri sa vdiq Ismail Qemali qëndroi jashtë vendit dhe nuk u kthye në Shqipëri. Dhe nuk mund të ishte ndryshe. Një njeri i ditur si ai nuk mund të punonte midis feudalëve injorantë dhe lakmitarë, një i ndershëm si ai nuk mund të jetonte midis të pandershmëve që kishin tundur çdo flamur, një besnik si ai ndaj atdheut dhe popullit nuk mund të qëndronte midis tradhëtarëve feudalë që të vrisnin natën dhe të qanin ditën. Kjo për vendin e vet s’do të kishte asnjë kuptim në ato kushte të rënda të krijuara.

Më 22 janar 1914 Ismail Qemal bej Vlora dha dorëheqjen. Në vendimin e dorëheqjes Ismail Qemali ishte i bindur se i vetmi mjet për t’i dhënë fund përçarjes dhe anarkisë në vend, të formohej një qeveri e vetme për të gjithë Shqipërinë