Patriotë dhe dëshmorë nga Deromemajt

572
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Fis që i ka shërbyer me përkushtim Atdheut
Fisi Deromemaj në Mesaplik të Vlorës në historinë disa shekullore ka nxjerrë figura patriotike dhe atdhetare që i kanë shërbyer krahinës, Vlorës dhe Shqipërisë. Vend të nderuar në fillimin e shek. XX zë dhe pishtari i arsimit shqip Feti Deromemaj një nga mësuesit e parë të Vlorës. Ai në Luftën e Vlorës 1920 ishte sekretar i çetës së Shullërit. Në Luftën e Vlorës 1920 nga fisi Deromemaj u plagosën katër luftëtarë Lesko, Lazo, Et’hem dhe Hysni. Një tjetër atdhetar ishte dhe Nazif Deromemaj që punoi në gjithë Shqipërinë në mesin e shek. XX. Vend të veçantë zë dhe Pashako Deromemaj, e cila djalin e vetëm e fali dëshmor për Atdhenë. Nazër Deromemaj ishte një tjetër patriot, i cili shtëpinë e tij në Mesaplik e ktheu në bazë të Luftës dhe drejtoi punët e këshillit në luftë dhe çlirim. Brezi i më vonë përfaqësohet nga Atdhe Deromemaj, i cili si një inxhinier i talentuar i ka dhënë shumë qytetit të Vlorës.

Jetimi që ra dëshmor në Kukës
E dhimbshme ka qenë fëmijëria e Zeqir Hetem Deromemaj. Ai ishte i vetmi fëmijë i Hetemit dhe Pashakos, pasi mbeti jetim, kur i ati iu vra. Pashakoja e rriti Zeqiri në kushtet e rënda të varfërisë. Ajo e dërgoi në shkollë, në Bolenë, ku Zeqiri u dallua për zell në mësime, për zgjuarsi e për sjellje shembullore. Këtë vullnetin për të mësuar e tregoi dhe gjatë viteve të shkollës, si dhe dy vite në Tregtaren e Vlorës, të cilën e ndërpreu për shkak të aktivitetit të tij antifashist, ku ra në sy dhe u përjashtua nga shkolla. Për veprimtari të dukshme në shërbim të Luftës u diktua dhe u spiunua nga armiqtë dhe u burgos. Për mungesë provash u lirua. Qëndrimi i tij në qytet ishte i pamundur, prandaj në gusht të 1943-shit, inkuadrohet në çetën partizane “Zigur Lelo”. Nënë Pashakoja mbështeti veprimin e të birit dhe kur e përcolli për në mal i tha: “Të shkosh me shokët e tu e t’u bëftë pushka top! Por dy gjëra do të thotë nëna, që mbase ti i di më mirë, armiku është i fortë dhe ju duhet të bëheni më të fortë. Luftë kemi bërë gjithnjë, por kësaj radhe ndryshon puna, se do dalim me fitore. Shko e mbarë t’u bëftë!” Me krijimin e Brigadës V Sulmuese, u rreshtua partizan në kompaninë e 4-të të batalionit I, ku u shqua për trimëri e guxim në të gjitha luftimet që zhvilloi Brigada. Në shkurt të viti 1944 emërohet zëvendëskomisar kompanie dhe u shqua si drejtues e organizator, trim e guximtar në të gjitha luftimet që zhvilloi Brigade nga Vlora, në Përmet, Elbasan, Tiranë dhe Peshkopi. Nënë Pashako i ruajti me kujdes dy letrat e birit të saj të vetëm. Letrat mbajnë datat 4 dhe 30 shtator 1944. Letrat i dërgon për të afërmit në Mesaplik, në Deromemaj, duke i ngushëlluar për rënien e kushëririt të tij të parë, Ismail Deromemaj, ku theksonte se “erdhi dita të mbërrijmë qëllimin tonë, për të cilin mjaft kohë kishim lënë mënjanë gjithë interesat. Është nevoja që të çlirojmë atdheun tonë të dashur dhe të futemi në gjirin e nënës tonë të madhe Shqipëri. Vetëm t’i falim jetën lirisë! Kush vdes si burrë, në ballë të Luftës, emri i tij do të mbetet i paharruar në histori e këngë, si djalë i popullit shqiptar. Do të piqemi me liri bashkë”. Zeqir Deromemaj ra në fushën e nderit në Kukës, më 3 tetor 1944. Për të përjetësuar veprën e tij, shkollës fillore të Mesaplikut që më nëntor 1944 iu dha emri “Zeqir Deromemaj”, emër që e mban dhe sot shkolla 9-vjeçare e Mesaplikut. Ai është vlerësuar me medaljet e Trimërisë, të Kujtimit, është përjetësuar në këngët e popullit, si dhe është shpallur Dëshmor i Atdheut.

Ra dëshmor për çlirimin e kryeqytetit
Veiz Hysni Deromemaj, ishte 20 vjeç kur doli partizan nga qyteti i Kavajës dhe u rreshtua partizan në Brigadën VIII Sulmuese. Luftoi me trimëri në të gjitha aksionet që zhvilloi Brigada në zonat përreth Kavajës, Qafë-Kërrabës, Priskës dhe deri në Tiranë, ku Brigada mori pjesë në luftime për çlirimin e kryeqytetit. Brigada sulmoi në drejtim të qytetit nga ana e lumit të Lanës. Skuadra ku ndodhej Veizi duhej të hidhte në erë një fortifikatë gjermane të pajisur me mitraloza të rëndë. Plumbat nazistë nga frëngjitë e bunkerit kishin shpuar gjokset e disa partizanëve. Pranë skuadrës vjen komandanti i Brigadës, Feti Smokthina, i cili niset për t’u hedhur mbi bunker. Por në moment Veizi i thotë: “Jo, shoku komandant! E kemi ne radhën tani!” Dhe i pajisur me bomba e granata, me trimëri e guxim, niset drejt bunkerit. U afrohet frëngjive dhe hedh me shpejtësi bomba, bunkeri merr flakë, fortifikata e nazistëve shpërthen. Bashkë me nazistët ra në fushën e nderit dhe trimi nga Smokthina, ditën e çlirimit të kryeqytetit, më 17 nëntor 1944. Emri i tij është i shënuar në lapidarin e dëshmorëve të çlirimit të kryeqytetit. Ai është shpallur Dëshmor i Atdheut.

Ra dëshmor në vendlindjen e Skënderbeut
Ismail Velo Deromemaj lindi në fshatin Mesaplik në një familje me tradita atdhetare, me ndjenjën e dashurisë për atdheun dhe me urrejtje për armiqtë. Familja e Ismailit dha gjithçka për LANÇ-in. Në qershor 1942, Ismaili u thirr për të kryer shërbimin ushtarak, në qytetin e Elbasanit, në batalionin “Tomorri”. U lidh me antifashistët e qarkut të Elbasanit, që punonin në radhët e reparteve ushtarake, që panë tek Ismaili dhe shokë të tjerë, cilësi dhe tipare revolucionare, duke u aktivizuar vazhdimisht. Isamili me grupin e shokëve u njoh në vjeshtën e vitit 1942, me oficerin revolucionar, Asim Zeneli, i cili filloi të takojë të gjithë me pretekst se donte të këndonte këngë labe. Qarkori i qytetit të Elbasanit kishte porosi të organizohej dezertimi i ushtarëve. Dezertimi duhej bërë, jo thjesht me një pushkë, por me marrje armësh dhe municionesh nga depot e armikut për t’i dhënë karakter politik dhe ushtarak, për të lënë mbresa të thella në masën e ushtarëve. Në ditët e para të janarit 1943, 16 ushtarë organizuan dezertimin. Në mbrëmje në errësirë, u futen në depo dhe rrëmbyen armatim e municion deri në 24 pushkë, 8 mitraloza, 10 arka municioni, këpucë e veshmbathje. Në pikën e daljes i prisnin veprimtarë të qytetit për të ndihmuar në transportimin e materialeve. Ditën e dytë iu shtuan grupit edhe 8 ushtarë të tjerë që drejtoheshin nga i deleguari i qarkorit Avdyl Myzyri. Në mars 1943, Ismaili kalon në Qarkun e Vlorës. Fillimisht u inkuadrua në forcat vullnetare territoriale të Smokthinës. Më 5 qershor 1943, me krijimin e çetës “Zigur Lelo” rreshtohet duke u emëruar skuadërkomandant. Në luftimet e zhvilluara nga çeta, Ismaili u dallua për guxim, trimëri e gjakftohtësi, për dashuri ndaj shokëve dhe drejtues i zoti. Në tetor 1943 u emërua zëvendëskomandant i çetës “Zigur Lelo”, e inkuadruar në batalionin “Halim Xhelo”. Me krijimin e Brigadës V Sulmuese, çeta “Zigur Lelo”, me komandant Ismailin formoi kompaninë II të batalionit I. Në përbërje të Brigadës V Sulmuese, Ismaili vazhdon luftën në Përmet, në Kolonjë, Tomorricë, në rrethinat e Tiranës e të Matit. Më 27 korrik 1944, Brigada duke kryer marshimin prej Matit për në Peshkopi, në afërsi të fshatit Sinjë, e gjithë brigada kërcënohej rëndë. Kompania e tij u ndesh me forcat mercenare të Halil Alise. Ismaili plagoset rëndë dhe mbas disa ditësh vdes në spitalin partizan në fshatin Sllatinë të Peshkopisë. Plaga ishte tepër e rëndë. Në spitalin partizan iu bënë të gjitha shërbimet. Do të presim një çikë njërën këmbë, Ismail, i tha mjeku partizan, duke iu dridhur buza. Do të bësh një çikë kurajë! Ta prisni more, foli Ismaili, i duhet Luftës? Luftës i duhesh ti, Ismail! Po ç’pate që vure dorën në kokë, ke dhimbje? Ismaili, ashtu siç e kishte kapur fort dorën e doktorit, ashtu i mbeti. Ismail Deromemaj është shpallur, Dëshmori i Atdheut dhe emri i tij është shkruar në lapidarin e fshatit Mesaplik.