Noli, maratonomaku ynë i dijes

885
Sigal

Në kuadrin e dy 100 vjetorëve, të Pavarësisë dhe të laurimit të F. S. Nolit

Interesat e Nolit për dije, kulturë dhe gjuhë të huaja s’kanë të krahasuar me asnjë shqiptar tjetër. Ai solli pranë nesh figurën legjendare 2 500 vjeçare të Maratonomakut, lajmëtarit të fitores…; vërshimin e”lumenjve” që shkatërrojnë rrjetat e “merimangave”e të “mushkonjave” të zeza vampire, përfaqësueset e injorancës, mjerimit dhe të abskurantizmit mesjetar. Noli i kushtoi tërësisht dhe si pak kush tjetër jetën atdheut, i cili, i zhytur thellë në “pellgun” e mjerimit, të prapambetjes shekullore, analfabetizmit, injorancës dhe varfërisë së tejskajshme, kërkonte ringjallje, liri, emancipim, përparim dhe integrim në rrjedhat e zhvillimeve progresive evropiane të kohës! Pas shtypjes së revolucionit, gjeniu i letrave shqipe kuptoi se liria nuk dhurohet, por fitohet me luftë e sakrifica. Poliglodi i shquar i dha botës shqiptare disa nga kryeveprat  e letërsisë botërore: “Hambleti”, “Makbethi”, “Otella”, “Romeo e Zhulieta” të Shekspirit, “Don Kishoti”i Servantesit,”Rubaitë”e Omar Khajamit etj. Poema “Skënderbeu” e shkrimtarit Ameritan Longfellou është “derdhur” në një shqipe kaq të bukur e brilante sa ka kaluar në radhën e parë të “galerisë”së veprave më të ndritura të letërsisë tonë. Vetëm përkthimi i përkryer i tragjedive të Shekspirit do mjaftonte për t’i siguruar Peshkopit të lavdishëm pavdekësinë në “Panteonin e Përjetësisë”së burrave më të mëdhenj të kombit Shqiptar. Ai, me idetë ngadhënjyese që rrezatojnë këto vepra të “dhuruara” falas, si Maratonomak i kohëve moderne, na dha sinjalet e fitoreve të së ardhmes.”… Shekspiri tregoi që ai që nis qeverimin me gjakderdhje dhe terrorizmë është i shtrënguar fatalisht të vazhdonjë ashtu si nisi, s’kthehet dot prapë më, hyn thellë e më thellë dhe është i dënuar të mbytet në pellgun e gjakut që ka krijuar vet”.  Fan Noli për vite me radhë përjetoi dëshpërim, dhimbje e mall kur Atdheu lëngonte nën “thundrën” e dhunës: Ku e lam’ e ku na mbeti,/ vaj-vatani e mjer mileti,/ anës detit i palarë,/ anës dritës i paparë,/ pranë sofrës i pangrënë,/ pranë dijes i panxënë… Bujaria e Nolit ishte e jashtëzakonshme.”… Ka nja njëzet a tridhjetë kryevepra letrare, të cilat s’duhet të vdes njeriu para se t’i këndojë. Një prej tyre është “Don Kishoti” i shkrimtarit spanjoll Miguel de Cervantes Saavedra… Është dhurata më e lezeçme që mund t’ju bëjmë këndonjës të dashur. Jemi sigur që do ta shijoni. Është e pamundur të mos ju pëlqenjë…” Don Kishoti do t’u ndihmojë edhe në “jetën” tjetër! Ju siguron “shpirti” i Dostojevskit në Botën e Yjeve! Besojeni! “… Kur të niseni për në Gjyqin e Madh, në takim me Zotin, mos harroni të merrni me vehte librin “Don Kishoti”, se do t’u ndihmonte t’u faleshin ca nga mëkatet tuaja…” Don Kishotët në çdo kohë kërkojnë të kthejnë mbrapsht “rrotën” e historisë. “…Ata qahen se në Shqipërinë e sotme e ka marrë në dorë fuqinë rinia. Çupat dhe djemtë- thonë këta të mykur- janë demoralizuar, bëjnë dashuri me kë të duan dhe martohen me kë të duan. Nga pikëpamja e këtyre mbeturinave kjo qenka një krimë e madhe! Kur është dëgjuar kjo liri e madhe që një vajzë shqiptare të martohet me cilin t’i dojë zemra e saj? Sa gjë e keqe! Perëndia na shpëtoftë nga një regjim i tillë. Noli i donte me gjithë zemër këngët dhe vallet popullore. ” Kur shkoi me 25 gusht 1924 në Bilisht i shoqëruar nga shumë burra të njohur devollinj, u bë një miting i madh dhe ai kërkoi që të dëgjonte këngë dhe të hidhte valle bashkë  me ata artistë popullor. Ishte kohë e bukur por fryente një fllad sa për të rrahur palët e flamurit me të cilin ata pritën Kryetarin e Shtetit Shqiptar…” Pa karakter të fort, s’ka artist të mëdhenj, tha ai për Bet’hovenin. Këto fjalë lapidare i përshtaten më së miri poetit, prozatorit, publicistit, gojëtarit, historianit e mendimtarit të shquar, kritikut të artit e të letërsisë, mjeshtrit të madh që i fali shqipes një potencial të pashoq fuqie shprehëse artistike. Dijetari i shkëlqyer “eksploroi” duke “pushtuar” shumë maja të larta… Edhe në moshë të thyer synonte lartësitë! Ato ishin pengu i tij më i madh! “Kam shpresë t’i kthehem përsëri, duke dhënë disa kryevepra të tjera të Shekspirit në shqip. Unë mund ta bëj këtë. Jam ende i ri. Jam vetëm 82 vjeç”. Por jetën ia kemi borxh Natyrës. Pas disa muajve vdiq, në vitin 1965, në Florida të SHBA, për të kaluar në përjetësi.

______________________________________________________________________________________

SIKUR TË NGJALLEJ HERODOTI

Fjalimi i Nolit në Parlamentin Shqiptar, 1924

…” Fjalimi i Nolit në Parlamentin Shqiptar të vitit 1924: “Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive: 1.Katër fe të ndryshme që s’kanë zënë vend në zemrën e një populli pagan. 2…Këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqish, as klasë borgjeze. Këtu bujku është më bej se beu dhe beu më bujk se bujku. Kini një shëmbull të bukur në partinë popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve nga oxhaqet më të vjetër, kurse anëtarët e saj lëvdohen që kanë shpëtuar prej bejlerëve. 3…. Këtu qeni s’njeh të zonë; këtu karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë e ngjyrë dita më ditë si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha. 4…Këtu brenda një dite, si me magji, tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim para syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenj ata që kanë luftuar për flamurin e babës e kanë djegur Shqipërinë e mesme, këtu si thoshte një mik, më mirë që njeriu të jetë tradhëtor e të shikojë interesin e tij sepse kështu do të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh. 5. Këtu idealet e shtrembra, të errëta e mumifikuara të Fanarit e të Buharesë përfyten e përleshen në një luftë për jetë a vdekje me idealet më të gjalla, më elegante e më të ndriçime të Perëndimit. Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Por për të zënë vendin e këtyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpusha që mund t’i copëtosh, por jo t’i çqitesh, që kafshojnë e thëthijnë. Herodoti na tregon se në betejën navale të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte, gjersa ia prenë, ahere e kapi me dorën e mëngjër, ia prenë dhe këtë, ahere e kapi me dhëmbë e s’e lëshoi gjersa i prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodoti, do të shikonim që kolltukofagët janë me të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë antike…”