Nesër do të lexoni/ Vili Minarolli: Drita në fund të tunelit

247
Në Shqipëri, jehona e asaj që ndodhte në botën komuniste të Europës Lindore e Qendrore, vinte e zbehtë, jo e plotë, për shkak të izolimit nga informacioni, por ndiqej edhe me frikë, për shkak të egërsisë së regjimit “të plagosur”, i cili e ndiente se po i lëvizte toka nën këmbë. E vërteta është se te ne jo vetëm që nuk ekzistonte një opozitë, si në rastin e “Solidarnostit” në Poloni, qoftë edhe e dobët, por as edhe një kulturë opozitare, si në rastin e vendeve të tjera ish-komuniste, në Hungari apo në Çekosllovaki. Zërat kundërshtues, pothuajse të mekur dhe ambiguidë, kishin filluar të dëgjoheshin ose nga pinjollë të nomenklaturës së lartë komuniste, ose nga intelektualë të rinj, të mbajtur afër nomenklaturës, me shkollime në perëndim dhe që mendonin për një reformim të sistemit, me qëllim që të zinin vendet e atyre që tashmë duheshin larguar. Për këta intelektualë të rinj ishte bërë kujdes nga ana e regjimit, sidomos pas vdekjes së diktatorit, që të anëtarësoheshin në Partinë Komuniste, ose në struktura të tjera të krijuara nga regjimi, si njerëz që do të merrnin më pas fatet e vendit. Prandaj, ata ishin edhe të mbrojtur kundrejt ndonjë deklarate apo opinioni të tyre, sigurisht me porosi dhe miratim nga lart, që binte ndesh me qëndrimin zyrtar dhe që për të tjerët dukej si thyerje e një tabuje. Në të vërtetë, për shumë intelektualë të tjerë, të cilët i ndiqnin me vëmendje ngjarjet në Europë, ishte i rrënjosur mendimi se kjo mbyllje e syrit dhe veshit ndaj këtyre zërave opozitare të regjimit, ishin pjesë e një skenari, që dirigjohej po nga regjimi. Rrjedhja e ngjarjeve të mëvonshme tregoi se regjimi e drejtoi me mjeshtëri shndërrimin e shoqërisë shqiptare në një shoqëri të lirë, pluraliste…

Për më shumë lexoni nesër në Gazetën “Telegraf”