Muharrem Xhaferi: Ja si tentuan Omer Nishani, Zai Fundo dhe Sejfulla Malëshova vendosjen e komunizmit që në 1924-n

1273
Sigal

Flet ish-Sekretari Organizativ dhe ish-Anëtari i Kryesisë së partisë së Ballit Kombëtar, Muharrem Xhaferi;

 

-Komunisti Kostandin Boshnjaku, luajti rol kryesor në vendosjen e komunizmit në Shqipëri

– Omer Nishani, Zai Fundo dhe Sejfulla Malëshova që nga viti 1924 së bashku për të vendosur komunizmin

-Ju rrëfej miqësinë e fshehtë të Stalinit me Hitlerin

 

(Kjo intervistë shpreh qëndrimin dhe opinionin e të intervistuarit dhe jo opinionin dhe qëndrimin e redaksisë. Gazeta është e hapur për çdo replikë dhe debat duke ruajtur normat e etikës)

 

Albert Z. ZHOLI

 

Mbas viteve 1933, Lufta e Dytë Botërore filloi të trokasë në dyert e Evropës. Si gjithmonë pararendëse në këto probleme qëndron politika. Shtetet me një fuqi ekonomike më të fortë filluan të shtrijnë influencat e tyre mbi shtetet e tjera më të dobëta. Mund të themi se në Evropë dhe Azi ekzistonin dy rryma të fuqishme politike të cilat donin të dominonin me çdo kusht shtetet e tjera të rajonit. Këto ishin partitë komuniste tashmë të përfaqësuara nga Bashkimi Sovjetik dhe nazi-fashizmi ku flamurin e mbante nazizmi gjerman.

-Cili është mendimi juaj për lindjen e komunizmit në Shqipëri?

 

Shtetet kapitaliste në të gjithë botën, donin të ruanin kapitalet e tyre, prandaj i shihnin këto dy lëvizje si shumë të rrezikshme. Si të tilla e ndiqnin me vëmendje këtë situatë. Kjo ndodhte edhe me vendet e vogla që nuk kishin as mjetet, as aftësinë ekonomike për të përballuar këtë gjendje. Nga kjo situatë nuk shpëtoi as vendi ynë. Fatkeqësisht, njerëz me bindje komuniste nga intelektualët shqiptarë ishin të pranishëm qysh në revolucionin e Fan Nolit. Ata nën udhëheqjen e Internacionales Komuniste po e tërhiqnin qeverinë e Nolit (pa e kuptuar) drejt vendosjes së komunizmit në Shqipëri. Një nga këta mbetet padyshim komunisti Kostandin Boshnjaku, i cili ka një aktivitet të gjerë komunist jo vetëm në Shqipëri por edhe në Evropë.

Ky agjent, ka luajtur një rol të madh në përhapjen e ideve komuniste në Shqipëri. Po kështu në bashkëpunim me shokët e tij Omer Nishanin, Zai Fundon dhe Sejfulla Malëshovën që nga 1924 i shohim së bashku në punën e tyre për të vendosur komunizmin në vendin tonë. Këtë agjent besnik e gjejmë me dokumente me dy vendlindje, një në Gjirokastër dhe tjetrën sipas pasaportës në Delfinaki në Greqi. Më 1947, Boshnjaku zgjidhet deputet në Shqipëri. Ndërsa më 1951-shin, atë e shohim të dënuar me 10 vjet burg. Aktiviteti i tij përmendet pak në historinë e P.K.SH. (Për të zgjeruar njohuritë shih librin “Ali Këlcyra” f. 62).

Rreth viteve 1930- 1940, në Shqipëri u dukën përfaqësues të tjerë të Internacionales Komuniste, të cilët, pak nga pak filluan të përhapin idetë e tyre në popull. Nga kjo del e qartë, se komunizmi në vendin tonë nuk lindi brenda një dite apo edhe njëviti.

Po kështu edhe rryma tjetër fashizmi italian, pothuaj kish hedhur në dorë gjithë ekonominë shqiptare. Bashkimi Sovjetik tashmë kishte si aleat një sërë shtetesh. Për të mos mbetur prapa, edhe fashistët krijuan aleancën e tyre të quajtur “Boshti Romë-Berlin, e më vonë edhe Tokio”. Këto dy forca politike me një potencial të madh ushtarak kishin synim të pushtonin Evropën, ndoshta edhe më tej. Të dyja palët e ndjenin si të rrezikshëm rivalitetin midis tyre. Njëkohësisht, për mënjanimin e përkohshëm të konfliktit që ishte hapur për pushtimin e disa shteteve të Evropës, ata filluan bisedimet me njëri-tjetrin.

Ju diku keni thënë se, mes Stalinit dhe Hitlerit ka pasur miqësi të madhe si dhe dy vjet aleancë Gjermani –Rusi, ku dhe si e bazoni?

 

Autori i disa librave mbi Komunizmin, Anxhelo Toska, që nënshkruan me pseudonimin “R. Rosi”, është një nga studiuesit më seriozë të kësaj fushe. (1) Në Paris, ai ndër të tjera, botoi një libër shumë interesant me titull “Dy vjet aleancë midis Gjermanisë dhe Rusisë”. Në këtë libër ai sjell me fakte miqësinë e ngushtë të Stalinit me Hitlerin. Ky i fundit, pa ndihmën e Stalinit nuk do të kishte mundur kurrë të niste Luftën e Dytë Botërore. Stalini bëri çmos për t’iu shmangur luftës me Gjermaninë, por kurë nuk mundi, kundër dëshirës së tij, u lidh me vendet perëndimore për t’i bërë ballë këtij kundërshtari. Gjatë gjithë kohës së mbretërimit të sistemit komunist në vendet ku ky sistem kishte sundimin e vet, nuk u fol kurrë për marrëdhëniet Stalin – Hitler. Stalini kudo, si në politikë ashtu edhe në art e letërsi, dilte si armiku kryesor i nazizmit dhe si i vetmi që e luftoi dhe e mundi atë. Prandaj sjellja e fakteve për marrëdhëniet e fshehta midis Stalinit dhe Hitlerit, të bazuara në dokumentet arkivorë është shumë e nevojshme për brezat që vijnë. Këta duhet të mësojnë të vërtetat mbi çka ndodhi në atë kohë, që historia të mos përsëritet.

Nga libri i Anxhelo Toskës alias R. Rosi, po sjellim këtu disa të dhëna, ai shkruan: “Përpara se dy diktatorët t’i jepnin dorën njëri tjetrit në sytë e të gjithë botës, diplomatët e Moskës në Berlin nuk dinin asgjë mbi marrëdhëniet midis tyre. Por një grup agjentësh nga më të besuarit e Stalinit përgatitën kontaktet e para. Me të marrë vetë në duar Stalini me Molotovin këtë çështje, i zhdukën fizikisht agjentët për të mos mbetur asnjë gjurmë mbi veprimtarinë e tyre. Më 12 janar 1939, në një gosti që u dha në Berlin, Hitleri ndalet te ambasadori sovjetik duke biseduar me të përzemërsisht, saqë diplomati rus u habit. Në muajin mars Stalini duke folur për politikën e jashtme, siguroi se Gjermania nuk kishte qëllime pushtimi mbi Ukrainën. E natyrshëm lind pyetja, nga i kishte marrë këto sigurime Stalini? Po aty tregon se edhe Franca me Anglinë donin të kishin marrëdhënie me Rusinë. Ata dërguan edhe përfaqësues të veçantë për bisedime, si Willam Strang, por bisedimet e tyre dështuan. Po si mos të dështonin kur as Anglia, as Franca nuk mund t’i plotësonin atë ç’ka kërkonte Stalini: Pushtimin e shteteve të Baltikut, Besarabinë dhe gjysmën e Polonisë? Mirëpo Stalini nuk u mërzit pasi shihte tek Hitleri njeriun që mund t’ia plotësonte dëshirat e tij. Mbas shumë bisedimesh midis dy diktatorëve, më 20 gusht 1939, Hitleri i kërkon Stalinit që të pranonte Ribbentroppin në takim me të. Mbas këtij takimi, të dy shtetet përgatitën përfaqësuesit e tyre që do të merrnin pjesë në bisedime. Delegacionin e Bashkimit Sovjetik e kryesonte dora e djathtë e Stalinit, Molotovi. Edhe Hitleri në krye të njerëzve të tij, dërgoi më të besuarin, Ribbentroppin. Pasi dy ortakët e mëdhenj i kishin përgatitur me kohë marrëveshjet midis tyre, delegatëve të të dy palëve nuk u ngelej veçse t’i shpallnin ato.

Kështu që brenda një kohe shumë të shkurtër për të marrë vendime të tilla, më datën 23 gusht 1939 u shpall botërisht pakti i famshëm i mos sulmimit midis Rusisë dhe Gjermanisë. Ndryshe i quajtur nga ne pakti “Ribbentropp-Molotov”. Me këtë rast Hitleri thërret me gëzim duke thënë “Tash e kam botën në xhep”

Nga ana tjetër në Moskë, Stalini duke gostitur Ribbentroppin, ngre dolli dhe thotë: “Unë e di se sa e do populli gjerman Fuhrerin, prandaj dëshiroj të pij për shëndetin e tij”.

Kështu pra, dy ortakët, shpërthyen luftën kundër botës të lirë demokratike dhe ishin të sigurt në fitoren e tyre. Bashkëpunimi doli më i qartë kur sipas planit sekret të hartuar midis dy fuqive, Ribbentroppi thërret ushtrinë ruse të hynte në Poloni, për të marrë atë pjesë që u ishte caktuar. Me 17 shtator 1939 ushtria ruse kaloi kufijtë e Polonisë për ta pushtuar. Me 31 tetor 1939, përpara Sovjetit Suprem, Molotovi u shpreh fjalimin e tij: “Beteja mbi Poloninë na ka kushtuar 737 të vdekur dhe 1862 të plagosur”. Më 27 gusht 1940 Ribbentroppi shkon prapë në Moskë ku korri një sukses tjetër, për grabitjen e asaj Polonie të mbetur, ndërsa me miliona polakë e çifutë u dërguan nga gjermanët në furrat e shfarosjes. Gjatë drekës të shtruar Ribbentroppi i tregon ministrit Çiano (siç lexohet në ditarin e famshëm të tij) se u gjend në mes të veteranëve të partisë komuniste në një atmosferë të shoqërisë të vjetër. Kjo thënie flet më shumë se çdo koment tjetër, se komunistët dhe fashistët ishin dhe ngelën një e të pandarë. Në këtë kohë Stalini i intervistuar nga “Pravda”, deklaroi se Gjermania ka qëllime paqësore, kurse Anglia dhe Franca i kanë sprapsur të gjitha përpjekjet e Gjermanisë dhe Rusisë për paqe. Vetë Molotovi, më 29 mars 1940, para Këshillit të Sovjetit Suprem deklaron:

“Anglia dhe Franca i kanë deklaruar luftë Gjermanisë…”

Në muajin prill të vitit 1940 kur Gjermania sulmoi Danimarkën dhe Norvegjinë, gazetat sovjetike ”Izvestia” dhe “Pravda” mbrojtën Hitlerin, duke shkruar se këta shtete shpëtuan nga kërcënimet e Francës dhe Anglisë. Por nuk kanë të mbaruar gënjeshtrat e shtypit rus të shkruara në mbrojtje të Hitlerit. Kur në qershor të vitit 1940, Hitleri shpartalloi ushtrinë franceze, “Izvestia” dhe “Pravda” shkruajnë: “Vetë e deshën imperialistët francezë dhe anglezë që shpërthyen një luftë të re në Evropë”. Besoj se komentet edhe në këtë pikë nuk kanë vend. Për këtë fitore në mbrëmjen e 8 qershorit 1940 Molotovi thërret ambasadorin gjerman në Moskë, Von Schulenburg dhe i paraqiti urimet më të përzemërta të qeverisë së tij, për suksesin e shkëlqyer të Wehrmahtit. Kur Stalini sipas komunistëve ka dashur paqe, pse nuk e përmbajti mikun e tij Hitlerin, por përkundrazi e ka ndihmuar në shtytje për luftë? Ky që në tetor 1939 vuri në dispozicion të Hitlerit portin më me rëndësi të Murmanskut, që admiraliati gjerman e përdori deri në ditën që pushtoi brigjet e Norvegjisë. Stalini më 3 maj 1940 njohu urgjentisht qeverinë filo-gjermane të Irakut. Kur më 1941 gjoja u venitën marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Rusisë, qeveria ruse qe e para që vrapoi për t’i ardhur në ndihmë Gjermanisë. Kjo qeveri dyfishoi furnizimin për Gjermaninë me lëndë të para dhe grurë. Ajo lejoi që të kalojnë nëpër territorin rus, të gjitha mallrat që Gjermania i siguronte nga vendet e Lindjes. Ka shumë të drejtë autori i këtij libri që thotë: “Rusia u vu në radhët e Demokracive Perëndimore vetëm atëherë kur Gjermania e shtyu me bajoneta mbase shpine”.

Sipas jush kur dhe si filloi lëvizja popullore nën drejtimin e nacionalistëve shqiptarë?Kush ishin ata?

Lufta e Dytë Botërore, vendin tonë e gjeti nën një mbretëri, e cila kishte bërë ç’kishte mundur për ta konsoliduar shtetin. Por duke qenë një vend me një popullsi të vogël dhe me një ekonomi të prapambetur, nuk kishte mundësi për të krijuar një ushtri që mund ta mbronte vendin nga katastrofa që kanoste gjithë botën. Nga brenda, parlamenti shqiptar ziente nga grupime të ndryshme. Një grupim ishte ai me ide përparimtare demokratike i kryesuar nga deputeti Ali Këlcyra. (Idhtarët e këtij grupi në vitin 1924 përkohësisht rrëzuan qeverinë e Mbreti ZOG dhe vendosën një tjetër të kryesuar nga Noli, por që nuk pati jetë të gjatë). Të tjerët ishin kundërshtarë personalë të Mbretit Zog. Përveç debateve nga kundërshtarët politikë, u arrit deri aty, sa që këtij, duke hyrë në parlament, t’i bëhet një atentat për ta vrarë, nga Beqir Valteri. Mbreti u plagos lehtë pa pasur ndonjë rrezik për jetën. Atentatori u kap dhe u gjykua por Mbreti e fali. Një atentat tjetër ishte ai i bërë në Austri, sërish nga shqiptarët por edhe aty shpëtoi Mbreti Zog I pa u dëmtuar vetë.

Kundërshtarët arritën deri aty sa që të krijonin edhe një grusht shteti për ta rrëzuar. Mbreti Zog I kishte sinjalizime se diçka po përgatitej kundër tij. Edhe organizatorët e dinin se survejoheshin, prandaj morën një seri masash. Shpërndanë në të gjithë vendin njerëzit që do të drejtonin kryengritjen. U arrit deri aty sa të caktoheshin me detaje veprimet që do të kryenin. Njëkohësisht u caktua dita dhe ora kur do të fillonte një kryengritje e përgjithshme në të gjithë vendin. Duke vepruar në këtë mënyrë, organizatorët mendonin se ndër forcat e xhandarmërisë, ajo pjesë që ishte besnike e mbretit, nuk do të ishin në gjendje t’i bënin ballë kësaj kryengritjeje. Plani u vu në zbatim më 14 gusht 1935. Mirëpo nga një mosmarrëveshje midis organizatorëve për orën e saktë dhe ditën që do të fillonte Kryengritja, në Fier filloi një ditë përpara (ndoshta u quajt kështu për t’u justifikuar). Mbreti Zog duke përfituar për sa thamë më lart, mundi që këtë kryengritje ta shtypë me lehtësi. Disa nga udhëheqësit kryesorë u kapën dhe u dënuan me vdekje. Të tjerë morën dënime të ndryshme. Një pjesë mundën të arratisen jashtë Shqipërisë.

Kundërshtarët e Mbreti Zog brenda qeverisë ishin të shumtë dhe vazhduan të ngrinin krye herë pas here kundër tij. Një nga këto kryengritje që pati jehonë ndër ato kohë, ishte edhe ajo e organizuar më 1937 nga Hetem Toto. Ai këtë e filloi në Delvinë pastaj në Gjirokastër dhe Tepelenë. Hetemi në krye të kryengritësve u drejtua për në Vlorë. Qeveria e Mbreti Zog organizoi forcat të shumta të xhandarmërisë dhe mundi ta shtypë me lehtësi këtë. Hetem Toto në këto përpjekje u vra. Po kështu u kap edhe vëllai i tij, Hismet Toto të cilin, Mbreti Zog I e vari në Tiranë. Ndër këto vite në qytetet kryesore të Shqipërisë filluan të nxirrnin krye grupet e para komuniste. Ky përbënte një rrezik tjetër për vendin tonë, frytet e hidhura të të cilit, do t’i shijonim për afro 50 vjet me rradhë. Nacionalistët shqiptarë përveç përpjekjeve në parlament, filluan të grupohen për të menduar si mund të përballohej kjo gjendje që sa vinte po rëndohej.

Mid’hat Bej Frashëri, i njohur tashmë me pseudonimin “Lumo Skëndo” ishte bërë mbështetësi dhe përhapësi më i fuqishëm i ideve të nacionalizmit shqiptar.

Libraria e tij në Tiranë ishte bërë një nga qendrat kryesore të asaj kohe ku studentët brumoseshin me idetë atdhetare. Rreth Mid’hat Frashërit u grumbulluan shumë intelektualë të shqetësuar për fatet e vendit. Në këtë situatë që sa vinte e rëndohej më shumë, Italia fashiste përgatitej për ta pushtuar Shqipërinë. Kjo duke përfituar nga ekonomia e dobët e jona mundi të hidhte në dorë pothuajse të gjithë pozitat kyçe të ekonomisë. Ajo e shtriu influencën e vet në krejt administratën shtetërore, me anën e gjoja instruktorëve edhe mbi ushtrinë. Italia e asaj kohe kreu edhe një marrëveshje të fshehtë me Jugosllavinë.

 

Po roli i mbretit?

 

Mbreti duke e ndier këtë, dërgoi disa emisarë për marrëveshje me qeverinë italiane. Një pjesë e të dërguarve, duke përfituar nga rasti për të plotësuar ambicjet e tyre i tradhëtuan këto bisedime. Në ditët e para të prillit 1939 mbi qiellin shqiptar u dukën aeroplanët italianë duke demonstruar forcën. Njëkohsisht hidhnin trakte duke u bërë thirrje shqiptarëve që të ruanin gjakftohtësinë, pasi Italia vinte në Shqipëri si mike për ta mbrojtur nga lufta që po afrohej. Në këto rrethana Mbreti Zog I më 5 prill 1939 u largua nga Shqipëria.

Populli pothuajse i gjithë u ngrit në demonstrata ku kërkonte armë për t’u mbrojtur nga ky pushtim. Shteti shqiptar ndodhej në një çorganizim të plotë. Armatimi nëpër depo ishte pothuaj i sabotuar nga këshilltarët italianë që gjendeshin në vendin tonë, si dhe nga simpatizantë të Italisë. Patriotët shqiptarë u organizuan aq sa mundeshin për t’i bërë ballë me luftë pushtuesve. Gjatë gjithë bregdetit shqiptar, atje ku kishte mundësi zbarkimi nga deti, duke filluar nga Saranda deri në Shkodër, nacionalistët u pozicionuan për luftë. Italia fashiste, më 7 prill 1939 sulmoi Shqipërinë. Ajo u prit me armë gjatë gjithë vijës bregdetare që përmendëm më lart. Në Durrës u bë qëndresa më e fortë. Patriotët shqiptarë tre herë e zmbrapsën zbarkimin ushtarak në portin e Durrësit, por kuptohet që mundësitë e një qëndrese të fortë nuk egzistonin. Kështu që ushtria italiane brenda një jave realizoi pushtimin e plotë në gjithë territorin e vendit tonë. Populli u ngrit në demonstrata kundër pushtuesit. Në qytete ku gjendeshin zyrat e fashios italiane u sulmuan nga demonstruesit ose i goditën me sende të forta, duke thyer të gjitha xhamat. Italianët u treguan shumë gjakftohtë dhe kështu mundën të identifikonin organizatorët kryesorë të këtyre demonstratave.

 

 

Nesër do të lexoni;

-Kur dhe si u formua Balli Kombëtar, arsyet dhe qëllimi

-Cila ishte parulla e Ballit dhe pse u zgjodh kjo parullë

-Cilat ishin organet e shtypit të Ballit Kombëtar