Mithat Islamaj: Nderim invalidit e veteranit të LANÇ, Selman Islamaj!

1011
Sigal

Selmani lindi në Agaraj, të fshatit Çorrush të Mallakastrës, në një familje me tradita patriotike prej disa dekadash, në 2 maj të vitit 1928. Babai i tij Zenel Islamaj, nga Çorrushi, i dalluar për kishte marrë pjesë në të gjithë aktivitetet patriotike. Zeneli mori pjesë me armë në dorë në luftën e Vlorës në 1920 ku ishte edhe zëvendës komandant i çetës së Çorrushit të 1920, për sigurimin e Kongresit të Lushnjes, në kryengritjen e qershorit të vitit 1924, e tjerë. Kurse nëna e tij rridhte nga një familje e dëgjuar e Tepelenës, gjyshi i saj Çaush Lika ishte vrarë nga Ali Pashë Tepelena dhe sot e kësaj dite i këndohet këngë në Tepelenë. Babai dhe nëna e tij ishin të dy njerëz të fortë e të ndershëm, mikpritës e njerëz me influencë dhe prindër shembullorë e të përgjegjshëm.

Selmani që në moshë të re, në traditën e familjes u angazhua në të gjithë aktivitet patriotike, veçanërisht në Luftën Antifashiste ku qëndroi me vendosmëri në Brigadën e Parë Sulmuese deri në ditën e çlirimit të vendit në nëntor të vitit 1944, në luftimet për çlirimin e Tiranës. Selmani është dekoruar disa herë si pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare ku kishte mbetur i plagosur 2 herë. Për këtë arsye Selmani ishte në listën e veteranëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Selmani, pas çlirimit të vendit u vendos në Tiranë, ku mbaroi universitetin për histori dhe ku dha me ndershmëri e devocion kontributin e tij në shumë institucione të shtetit deri në daljen në pension në administratën shtetërore…

Selmani u martua me Myzejen Islamajn, me origjinë nga Dibra e Madhe, e cila u nda nga jeta vetëm 20 muaj me parë, në 26 shtator të vitit 2017. Selmani ishte baba i lumtur dhe shembullor i dy fëmijëve, Kastriot Islamit dhe Liliana Rexhës. Selmani arriti të ishte po ashtu gjyshi i lumtur dhe i dashur i katër nipave, 3 vajzave e një djali, të cilët i mbante afër dhe i këshillonte vazhdimisht. Si dhe së fundmi edhe stërgjyshi i Dorës së vogël, të cilën e donte shumë e me të cilën do të lozte deri në ditët e fundit të jetës së tij.

Selmani mbylli sytë i qetë, në 11 qershor të vitit 2019, për shkak të një ataku kardiak duke qëndruar plotësisht i vetëdijshëm deri në minutat e fundit të jetës së tij me një dashuri të pashoqe për jetën dhe duke u interesuar, me një memorie shembullore, për të gjithë miqtë e tij e të afërmit, të cilët i donte shumë e për gjithçka ndodhte në vend e në botë. Selman Islamaj u vendos, në 12 qershor 2019 në një ceremoni familjare me familjarët, të afërmit dhe miqtë e tij, të prehet i qetë në Tufinë të Tiranës.

Shënim: Mithat Islamaj është vëllai i vogël i Selmanit. Shkrimi bazohet në fjalën e mbajtur prej tij në ceremoninë funebre