Kur shpallej Pavarësia në Lushnjë

310
Nga Sorkat Ndreçka
Më datë 27 Nëntor 1912 në sheshin para Beledijes (Bashkisë) Lushnjë u organizua një festë e madhe popullore. Në qendër të qytetit kishin ardhur, përfaqësues të shquar të popullit, banorë, nxënës shkolle, një natë më pare, për të qenë të pranishëm në ceremoninë e madhe festive, të lajmëruar me mjete të ndryshme komunikimi. Organizatorët e këtij ceremoniali ishin patriot, atdhetar, përfaqësues të krahinave, të komuniteteve të ndryshme të Lushnjës. Entuziazmi kishte arritur kulmin. Njerëzit të entuziazmuar kishin gjetur mjete rrethanore transporti për të mbërritur dhe për të qenë të pranishëm në këtë ngjarje të madhe historike. Ngritja e flamurit dhe shpallja e pavarësisë së Lushnjës ishte hyjnore për lëvizjet patriotike, atdhetare, por edhe për popullin e shumëvuajtur nga regjimi otoman, i cili nuk lejonte zhvillimin dhe edukimin e njerëzve me vlera atdhetare e shoqërore. Dita e madhe e 27 Nëntorit 2012 ishte e pa përshkruar. Entuziazmi dhe ngazëllimi i njerëzve për t`iu bashkuar festës të së ardhmes ishte i pa imagjinuar. Sheshi u mbush plot e përplot me të ardhur nga zona të ndryshme. Mbanin në dorë pankarta dhe parulla ku shkruhesh: “Rroftë Shqipëria!”, “Rroftë Pavarësia!”, “Rroftë liria!”. Ngado duartrokitje, ovacione. Ishte ora 5 allaturka (11.20 me orën e sotme). Mes thirrjeve të stuhishme, në podiumin e ngritur posaçërisht u ngjitën me radhë 14 përfaqësues të zgjedhur nga populli, për të shpallur pavarësinë e Lushnjës. Ata ishin: Sheh Ibrahim Karbunara, Emin bej Vokopola, Papa Jovani, Sulejman Arapi, Halid Gramshi, Kadri bej Karbunara, Shaqir bej Lushnja, Sulejman Korreshi, Llambi Xoxi, Haxhi bej Imshta, Fejzullah bej Imshta, Vasil Gjeçi dhe Thanas Paftali. Duartrokitje për minuta të tëra. Në sfond të sheshit ishte shkruar një parullë e madhe: “Rroftë e qoftë Shpresa e Mëmëdheut, Ismali Qemal Beu!”. Mitingu u zhvillua në masa të rrepta sigurie, për shkak se forcat turke nuk donin që në Lushnjë të shpallej Pavarësia, nuk donin të ngrihej Flamuri. Kryetari i Beledijes, Emin bej Vokopola përshëndeti të pranishmit. Mes entuziazmit dhe ovacioneve kreu i bashkisë ia dha fjalën pastaj patriotit të madh Sheh Ibrahim Karbunara, i cili foli në emër të përfaqësuesve të lëvizjes patriotike, atdhetare, përfaqësuesve të popullit nga të gjithë fshatrat e Lushnjës. Ai njoftoi publikisht qëllimin e tubimit të jashtëzakonshëm në këtë qytet. Sheh Ibrahim Karbunara ishte figura kryesore shpirtërore fetare dhe atdhetare, që nisi fjalën e tij në emër të Zoti. Pasi u bë publik shpallja e pavarësisë dhe ngritja e flamurit në qytet, nisi kështu një jetë tjetër në këtë trevë. Lajmi u shpërnda shumë shpejt. Pas Sheh Ibrahim Karbunarës foli edhe Papa Jovani, i cili falënderoi Perëndinë dhe Ismail Qemal Vlorën për shpalljen e pavarësisë dhe bëri thirrje që të ruhej qetësia dhe rendi. Sihariqi për shpalljen e pavarësisë së Lushnjës ishte një hap i matur i organizatorëve, të cilët i paraprinë kuvendit të madh në Vlorë. Ndërkohë, në mes të entuziazmit të pandërprerë, u lexuan telegrami, që iu dërgua Ismali Qemalit dhe delegatëve të Kuvendit Kombëtar të mbledhur në Vlorë, ku thuhej se populli i nënprefekturës së Lushnjës, shpalli pavarësinë dhe për këtë u njoftua një memorandum përfaqësive të Fuqive të Mëdha në Durrës. Ndërkohë u njoftua për solidarizim të parisë së popullit të Tiranës e Durrësit, që e kishin shpallur pavarësinë një ditë më përpara, më 26 nëntor 1912. Shpallja e pavarësisë dhe 29 nëntori, Dita e Çlirimit, janë dy data simbol në historinë e lavdishme të kombit shqiptar, të cilat do përkujtohen në përjetësi, sepse gjithçka është dokumentuar, është e shkruar dhe s`ka asnjë fuqi ta njollosë atë.