Kapedan Sali Vranishti, të veçantat e luftës dhe dekorata “Nderi i Kombit”

2144
MSc. Albert HABAZAJ*/ studiues/

Vijon nga numri i kaluar
Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, Lufta e Vlorës, 1920 dhe heronjtë e saj
Heronjtë e kësaj lufte janë ata që e organizuan dhe e drejtuan atë, janë ata që luftuan dhe u vranë me armë në dorë si pjesëmarrës në të dhe të gjithë ata që e mbështetën dhe e inkurajuan. Për një ngjarje historike si Lufta e Vlorës mund të bëhej një listë e gjatë pjesëmarrësish dhe kontribuesish që e meritojnë të nderohen dhe të dekorohen. Duke ndjekur parimin e respektimit të hierarkisë së vlerave, nderimi i parë, vetvetiu i takon Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”. Ky komiteti, i cili u popullarizua me emrin “Komisioni” është përjetësuar në këngët e popullit dhe në librat e historisë sonë. Kryetarit të Komitetit, Osman Haxhiu, komandantit të përgjithshëm të Luftës, Ahmet Cani (Lepenica) dhe pas luftës së Kotës, Qazim Koculi si dhe të rënëve e figurave historike të kësaj lufte ndër të cilët spikatin emrat e luftëtarit legjendar Selam Musai, Zigur Lelo, Kanan Maze, Sali Murati, Sado Koshena e shumë të tjerë, ne sot e nesër brezat që vijnë, u përkulemi e do t’u përkulen dhe nga shpirti çelin lule mirënjohjeje për ta. Shumë domethënës, vizionar e kuptimplotë ishte nderimi i lartë që Kreu i Shtetit i bëri atdhetarit Sulejman Delvina, kryeministrit shqiptar në kohën e Lufës së Vlorës. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi më dt. 12/11/2014, nr. dekreti 8787 Sulejman Delvinës (pas vdekjes) dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Si patriot dhe politikan i shquar i kombit shqiptar, një ndër themeluesit dhe drejtuesit e shtetit shqiptar që në krijimin e tij, me ndikim në qarqet ndërkombëtare në mbrojtje të interesave kombëtare.”.

3.1. Kapedan Sali Vranishti – Nderi i Kombit
Persona realë si Sali Murati, kur e kërkuan fatet e Atdheut u shndërruan në personazhe historikë dhe, për trimëritë e pashoqe në luftërat kundër pushtimit, kohës i vijnë me imazhin e maleve epikë në lëvizje. Sali Murati, ky luftëtar i pamposhtur, që për veprimtarinë e shquar çlirimtare mori pagëzimin popullor Sali Vranishti, lindi në Vranisht-Himarë të prefekturës së Vlorës, më 20 mars 1880. Figura e tij është e mbarënjohur, por telegrafisht mund të themi se, që në rini, për veprimtarinë e tij patriotike, si rebel ndaj pushtuesve shekullorë otomanë, u përndoq dhe u dënua me vdekje nga osmanët. Izolohet prej tyre në këshjellën e Janinës. Arratiset prej këtej i plagosur dhe qysh në fillim të shekullit të XX fillon jetën e komitit. Me idenë e Ismail Qemalit, në nëntor 1908 krijon çetën patriotike me luftëtarë nga Vranishti, Tërbaçi dhe Lumi i Vlorës. Ai e udhëhoqi me trimëri e heroizëm këtë çetë në disa aksione, jo vetëm në rrethin e Vlorës, por edhe më gjerë. Çeta e tij kreu shumë aksione luftarake gjatë viteve 1908-1909, ajo përkrahu fshatarët që luftonin kundër arbitraritetit të çifligarëve. Më korrik 1911 është pjesëmarrës në Kuvendin e Drashovicës në përkrahje të kërkesave të Memorandumit të Gërçes. Aksioni më i bujshëm i Sali Vranishtit është ai i hapjes së burgut të Vlorës, më 24 gusht 1912, prej të cilit liroi gjithë të burgosurit, patriotët e dënuar, ngjarje qe pati jehonë në shtypin vendas dhe atë të huaj. “-Po hapsanet kush i hapi?!/ -Kapedan Sali Murati!” – vjen ende e freskët jehona e këngës së Kapedanit. Në prag të shpalljes së Pavarësisë, shkon në ndihmë të popullsisë të Delvinës dhe lufton ndaj bandave shoviniste greke. Me krijimin e qeverisë të Ismail Qemalit, gradohet kapiten dhe emërohet komandant i Sigurimit Publik. Kryeministri i parë i Shqipërisë Ismail Qemal Vlora emëroi në krye të Xhandarmërisë së parë shqiptare pikërisht kapedanin besnik nga Vranishti. Në krye të forcave atdhetare zmbraps rebelimin esadist kundër Qeverisë së Vlorës në Cakran dhe Myzeqe. Mbas këtyre ngjarjeve atentohet dhe plagoset. Së bashku me Çerçis Topullin organizojnë dhe drejtojnë luftimet në mbrojtje të trojeve amtare nga andartët grekë dhe shovinistët e Jugut. Në vitin 1918 bën pjesë në shoqërinë patriotike “Opinga”. Emri i tij dhe i Selam Musait vijnë si reminishenca mitologjike, por janë sinonimi i heronjve të Luftës së Njëzetës, historia popullore e saj. Në Luftën e Vlorës drejtoi Çetën e “Rrëzës” dhe spikat për kontribut të jashtëzakonshëm. Plagoset rëndë gjatë sulmit për marrjen e kalasë së Kaninës. Kur luftëtarët shqetësohen për plagët e Kapedanit, ai i qetëson me një thënie lapidare, duke shpërfillur gjakun e tij për frymën e lirë të Atdheut: “Në gju çorra kërcinë…”. Gazeta italiane “Epoka” do ta cilësonte “Gjeneralissimi i rebelëve të Jugut”. Me çlirimin e Vlorës, përfshihet në strukturat e sigurisë kombëtare. Në shtator 1920 merr pjesë në luftimet kundër invadorëve serbë në Macukull dhe në Shkallë të Deshe në zonën e Matit. Aderon në shoqërinë “Bashkimi” dhe me fillimin e Revolucionit të Qershorit lufton me armë dhe udhëheq forca kryengritëse, në anën e demokratëve fanoliostë. Në Tiranë i besohen detyra në mbrojtje të Qeverisë së F. Nolit. Me dekret të veçantë, më 1 nëntor 1924, Qeveria Demokratike, krahas Bajram Currit dhe Hysni Currit, nxjerr në pension edhe Sali Vranishtin me motivacionin e invaliditetit. Në dhjetor 1924 merr pjesë në luftimet në Shkallë të Tujanit kundër forcave të kombinuara zogisto-vrangeliste. Me triumfin e forcave revanshiste, në janar 1925 kthehet i dëshpëruar në vendlindje. Plagët e pa mbyllura në trup, i marrin jetën më 24 janar 1926, në moshën 46 vjeçare. S’i mbahet mend vdekja, i kujtohen trimëritë dhe i këndohet kënga e Kapedanit. Sali Vranishti mban titullin “Hero i Popullit”. Eshtrat e tij prehen ne Varrezat e Deshmorëve të Atdheut në Vlorë. Është vlerësuar “Nderi i Qarkut Vlorë”. Dy rrugë, një në Vlorë dhe një në Tiranë mbajnë emrin e tij, kurse në Vranisht ka një shtatore të derdhur në bronx. Kinematografia shqiptare e ka të fiksuar në filmin “Gunat përmbi tela”, prodhim i vitit 1977, me regji të Muharrem Fejzos dhe skenar të shkrimtarit dhe gazetarit të njohur me origjinë nga vendlindja e Kapedanit Duro Mustafait, në bashkëpunim me M. Fejzon. Në këtë film pëmblidhet si një vepër korale një nga ngjarjet më të rëndësishme historike ikja nga Vlora e trupave italiane të mbetura pas luftës së parë botërore. Luftëtarët hyjnë në kampin e rrethuar armik jo me ndihmën e armëve të sofistikuara të kohës por me ndihmën e gunave që hedhin mbi tela. Studiuesi Agron Metaj ka botuar monografinë: “Kapedan Sali Vranishti”, Tiranë, Toena, 1999. Në romanin “Ultimatum” të Petro Markos së madh, është personazhi qendror. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi më dt. 02/07/2015, me nr. dekreti 9156 Sali Muratit (Vranishtit) (pas vdekjes) dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për veprimtari të shquar në luftërat për lirinë dhe Pavarësinë e Atdheut, si dhe trimërinë e vetëmohimin e tij në organizimin e Luftës epope të Vlorës të vitit 1920.”. Figurën e tij atdhetare populli e ka sintetizuar me vargjet: “Kapedan Sali Vranishti,/ Sa rrojti, i punoi gishti.”.

Për famën e atij kapedani të shquar që kishte drejtuar çetën patriotike të Vranishtit në aksione të ndryshme për sigurimin e pavarësisë kombëtare, mbrojtjen e saj nga kërcënimet e shovinistëve të Jugut, Luftën e Vlorës, Luftën e Dibrës kundër shovinistëve serbë, në Revolucionin e Qershorit dhe përballjen në dhjetor 1924 në Shkallën e Tujanit me forcat revanishte që risollën klikën e Zogut në pushtet – shkruan me krenari edhe nipi i Heroit Arben Saliu, duke mbajtur përherë të gjallë dhe të freskët kujtesën historike lokale, në funksion të kujtesës historike kombëtare. Gjatë LANÇ, emrin e tij e mori çeta partizane e Vranishtit, ndërsa populli e përjetësoi në këngët e tij labërishte. 

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi dt. 02/07/2015, nr. dekreti 9156 Sali Muratit (Vranishtit) (pas vdekjes) Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për veprimtari të shquar në luftërat për lirinë dhe Pavarësinë e Atdheut, si dhe trimërinë e vetëmohimin e tij në organizimin e Luftës epope të Vlorës të vitit 1920.”

4. Të veçantat e Luftës së Vlorës
A – Kur nderohen luftëtarët e Epopesë së Vlorës, të cilët luftuan ballë për ballë me një fuqi botërore siç ishte në atë kohë Italia, por për çlirimin e tokave shqiptare, nuk ka se si të mos rikujtojmë me vlerësim te veçantë në çdo rast të tillë edhe Qeverinë kombëtare të Lushnjës të kryesuar nga patrioti Sulejman Delvina. Pikërisht këtë qeveri e cila ka luajtur një rol vendimtar në “prapavijë strategjike” ndoshta për frymëzimin dhe mbështetjen që i dha kryengritjes së luftëtarëve të lirisë në vitin 1920 që njihet tashmë në historinë tonë si Lufta e Vlorës. 

B – Por kur nderohen pjesëmarrësit e Luftës së Vlorës nuk mund të harrojmë bandën muzikore shqiptaro-amerikane, dërguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me nismën e Shoqërisë “Vatra” dhe që i frymëzoi luftëtarët, duke luajtur këngë atdhetare, duke hyrë në histori si e para bandë muzikore ushtarake shqiptare. Banda muzikore shkoi deri në frontin e luftës duke vënë anëtarët e saj në rrezik edhe për jetën e tyre, por me ideale të bardha lirie për detyrën më të lartë fisnike, atë atdhetare. Drejtuesi i kësaj bande, Thoma Nasi u bë emër i njohur në të gjitha fshatrat e Vlorës, por edhe më gjerë, kudo ku kjo bandë muzikore shkoi gjatë Luftës. 

C – Është edhe një hero internacionalist i Luftës së Vlorës, Xhovani Valenca (Giovanni Valenza), një nënoficer i Ushtrisë italiane, i cili me bindjen dhe ndërgjegjen e tij jo vetëm si ushtarak, por edhe si njeri, duke parë padrejtësinë e madhe të pushtuesve, tek të cilët për fat të keq ai bënte pjesë në atë kohë kur erdhën në Shqipëri, vendosi t’u dorëzojë luftëtarëve shqiptarë të gjitha depot e armëve italiane në Panaja, duke kontribuar shumë në fitoren e luftës nga forcat shqiptare të asaj kohe. Giovanni Valenza nuk ishte tradhtar i shtetit të tij, ai qe një dëshmor i pandjerë i të drejtës humane dhe lirisë universale. Pena e Halim Xhelos do t’i thurte një elegji në prozë nga më prekëset, më njerëzoret dhe më madhështoret e njohura deri më sot nga penat universale të lirisë. Valencia ishte një nga pionierët e një Italie të re, i asaj të sotme, e cila marrëdhëniet me vendet fqinje e më gjerë nuk do të kërkonte t’i vendoste me anë të kanonierave, por me anë të miqësisë reciproke e bashkëpunimit të sinqertë.

Lufta e Vlorës është e ngarkuar me mjaft ngjarje dhe episode trimërie, të cilat njihen apo edhe nuk njihen të gjitha. Ka shumë luftëtarë dhe komandantë të shquar që u vetësakrifikuan për idealet e një Shqipërie të lirë për të cilën kishin luftuar dhe hedhur themelet Ismail bej Vlora, bashkëkohësit dhe paraardhësit e tij rilindas, të frymëzuar nga Moti i Madh i Epokës së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Epopeja e Njëzetës ka kohën e sajë të mbushur me shpirt atdhedashurie dhe lirie, atë kohë të zjarrtë të cilën e mbrujtën vlonjatët e Lumit të Vlorës, dukatasit dhe tërbaçiotët, bregdetasit dhe salariotët, tepelenasit dhe delvinjotët, por edhe kavajasit dhe gjirokastritët, të gjithë shqiptarët që nuk duronin më skllavëri dhe pushtim në këtë toke, prandaj kishin marrë vendimin që të luftonin: “O do mbetet Vlora jona, o do bënet shkrumb e hi!”. Përkulja me nderim ndaj atyre që e bënë historinë e tyre është dhe një memorie e pashuar kombëtare, që na detyron dhe frymëzon të bëjmë mirë ç’ka kërkohet nga ne në sotshmëri dhe në vijim, të reflektojmë dhe të punojmë me mend, me mish e me shpirt për integrimin europian të vendit tonë protoeuropian, për një Shqipëri më të mirë, të bukur, të begatë e të përparuar.

*) Autor i monografisë “Lufta e Vlorës – Historia në Epikën Historike”, mbrojtur në Qendrën e Studimeve Albanologjike, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, Tiranë, 06.11.2013
Sigal