Ismail Ilmi Pinci Ushtarak model dhe punëdashës si devolli

Safet N. Ramolli

Edhe pse ishte 82 vjeçar, pa asnjë hezitim, i përgjigjej ftesës tonë për të ardhur midis efektivave të Gardës së Republikës në raste ceremonish të ndryshme. Ndihej krenar për kontributin që kishte dhënë efektivi ushtar dhe ai kuadër, me të cilët kishte bashkëpunuar për vite të tëra për konsolidimin e kësaj njësie speciale në vitet e para të jetës së saj. Kënaqej dhe mbushej me gëzim, kur shihte që pasardhësit kishin rrugëtuar me aq siguri dhe vendosmëri, po në atë rrugë si paraardhësit e tyre, për përmbushjen e detyrave mjaft të vështira dhe me përgjegjësi të lartë.

Ismaili ka ardhur në jetë më 4 maj 1918 në fshatin Stropan të rrethit Devoll. U rrit ashtu si gjithë bashkëmoshatarët e tij mes fëmijëve të tjerë të familjes së Ilmi Pincit: Hytbije, Shadije dhe Hasan. Në vendlindje kreu shkollën fillore dhe shtatëvjeçare. Në maj të vitit 1942, kur ishte 24-vjeçar, inkuadrohet krejt vullnetarisht në Njësitin Gueril të fshatit, dhe pas disa muajsh kalon në Çetën Partizane “Morava”, një ndër të parat në zonën e Korçës. Në gusht 1943 bën bëhet pjesë, sipas planit të drejtuesve të Lëvizjes Antifashiste Nacional-Ҫlirimtare, e Batalionit Partizan “Fuat Babani”, i cili kishte komisar një emër të njohur në krahinë, Myzafer Spahon. Vetë Ismailin, të cilin drejtuesit e konsideronin mjaft të matur dhe luftëtar trim, e ngarkuan me detyrën e komandantit të Kompanisë së Parë, i cili ishte nënrepart mjaft i konsoliduar dhe rezultativ. Në qershor 1944, në fshatin Protopapë të Oparit në rrethin e Korçës, krijohet Brigada e XV Sulmuese me kuadro drejtues Teki Kolanecin dhe Shahin Rukën, përkatësisht komandant e komisar të Brigadës, dhe Ismaili caktohet përsëri në detyrën e komandantit të kompanisë, por tashmë kjo detyrë kërkonte më shumë përgjegjësi, sepse nuk ishte e lehtë të punoje me kuadro të tillë, që i kishin kaluar kufijtë e krahinës për zgjuarsi, trimëri dhe aftësi organizative. Si efektiv i Br. XV S ka marrë pjesë në luftimet për çlirimin e Pogradecit (30 gusht 1944), të Elbasanit (11 nëntor 1944), por edhe në luftimet për çlirimin e Tiranës, duke kryer detyra të vështira për bllokimin e rrugës Elbasan-Tiranë, pikërisht në segmentin rrugor të Qafë Kërrabës, një drejtim kryesor dhe i rëndësishëm ky, nga ku ishte parashikuar tërheqja e forcave gjermane, së pari, për t’u ardhur në ndihmë forcave pushtuese të rrethuara në Tiranë, dhe, mandej, për t’u larguar nga Shkodra drejt territorit jugosllav. Në nëntor 1944, i vlerësuar si një kuadër i kompletuar në fushën ushtarake dhe atë organizative, i besohet detyra me mjaft përgjegjësi e komandantit të batalionit në Brigadën e Parë të Mbrojtjes së Popullit. Pas çlirimit kjo Brigadë, në përbërje të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, kreu detyra në zonën e Durrësit (Ishëm etj.) për të mbrojtur popullsinë nga veprimet keqbërëse të elementëve terroristë, të organizuar dhe hedhur në veprim nga reaksioni i huaj duke shfrytëzuar miopinë e reaksionit vendas. Në periudhën korrik 1945-gusht 1946 kryen detyrën e komandantit të Batalionit Special për sigurimin e rendit e të qetësisë publike, po nga veprimet keqbërëse të reaksionit vendas në zonën e Kuçovës. Në gusht 1946, tashmë me mjaft përvojë dhe arritje në detyrat e mëparshme, ngarkohet me detyrën e komandantit të Batalionit të Kufirit në zonën e Korçës, çka për kohën përbënte problem serioz për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme nga jashtë territorit shqiptar të grupeve diversioniste. Në vitin 1947 kryen detyrën e komandantit të batalionit në përbërje të Regjimentit të Mbrojtjes së Popullit, i vendosur në Krastë të Elbasanit, me mision eliminimin e keqbërësve dhe bandave të ndryshme që vepronin brenda vendit apo që vinin nga përtej kufirit shtetëror.

Në shkurt 1948-shkurt 1949 emërohet komandant i Gardës së Republikës, një detyrë me mjaft përgjegjësi, sepse kishte si mision të vetëm sigurimin dhe garantimin me çdo kusht dhe sakrificë, të jetës së personaliteteve më të larta shtetërore dhe partiake, por edhe sepse zëvendësonte një emër të nderuar sikurse ishte Axhem Abazi, i cili kishte qënë komandant i kompanisë gardiste të krijuar më 12 shkurt 1944, por edhe që kishte bërë një punë të lavdërueshme. E vlerësoi me seriozitetin dhe përgjegjshmërinë më të lartë detyrën e ngarkuar, e cila paraqiste edhe mjaft vështirësi objektive, po të mbajmë parasysh se Garda atë mot kishte gati 500 vetë me statusin e ushtarëve të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, që komandoheshin e drejtoheshin nga një trupë oficerë dhe nënoficerë pa përvojën dhe kualifikimin e duhur profesional, që gjithsesi, që të gjithë vinin nga radhët e partizanëve. Garda kishte si strukturë : një batalion me tre kompani, një togë të shërbimeve të veçanta, dhe një kompani speciale të tankeve, pra një efektiv i konsiderueshëm në numër. Megjithatë, me punë të përkushtuar duke u privuar nga mjaft të drejta dhe detyrime familjare, duke krijuar një ekip drejtues solid dhe gjithëpërfshirës, u mundësua që kushtet e jetesës të ishin të pranueshme, për të mos thënë mjaft të mira, por që edhe efektivat nuk paraqisnin në asnjë rast pretendime jashtë mundësive reale. Shërbimi i rojës kryhej me shumë rigorozitet, sepse mendohej se duhej të ruhej udhëheqja me çdo kusht e sakrificë, dhe që të gjithë ishin të gatshëm të bënin çdo sakrificë. Kuadrot, përfshi edhe komisari i Gardës, z. Ymer Malo, një bashkëpunëtor mjaft serioz ky, më të shumtën e kohën e kalonin pranë rojeve në shërbim, dhe në vijimësi ishin në lëvizje në gjithë territorin ku kryheshin detyrat luftarake.

Në vitin 1949 kaloi me repartet e ndjekjes (me detyrën e komandantit të batalionit të ndjekjes) për gati dhjetë vjet, duke pasur koleg pune të nderuarin Isa Ibrahimin, mjaft të lidhur me punën dhe të përgjegjshëm për autoritetin shtetëror të ngarkuar. Më vonë ka kryer edhe detyra të tjera të rëndësishme si instruktor-specialist në Ministrinë e Brendshme, detyrë kjo me mjaft përgjegjësi për kushtet në të cilat ndodhej vendi. Në vitin 1951-1955 ka qenë emëruar në detyrën e komisarit të Brigadës së Kufirit në Shkodër, duke pasur koleg pune të respektuarin Mevlan Dervishi, për të cilin shprehet me konsideratë të veçantë. Gjatë viteve 1956-1958 dërgohet për studime ushtarake në ish-BS. Ndërsa në vitet 1958-1962, shërben si shef seksioni në Ministrinë e Brendshme, për të vijuar mandej në vitet 1962-1966 në detyrën e komandantit të Brigadës së Kufirit në Sarandë, duke pasur koleg pune Njazi Sinën, i cili (në vitet kur takoheshim me z. Ismail Pinci më 2000-2003), ndodhej mjaft i sëmurë, dhe Ismailit i rrëshqasin lot nga sytë nga keqardhja për shokun e tij me të cilin ishin përballur me mjaft vështirësi dhe i kishin kaluar me sukses. Në vitet 1966-1969 kalon përsëri në Gardën e Republikës në detyrën e komisarit duke pasur koleg një ish partizan dhe kuadër me përgjegjësi gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, Feti Smokthinën si efektiv i Brigadës Parë dhe të Tetë Sulmuese. Gjatë kësaj kohe Garda kishte një batalion me ushtarë aktivë dhe katër të tjerë me rezervistë të përqendruar në rajone strategjikë: në Mullet, Lozhan, Cakran dhe Skrapar, çka do të thoshte se ishte një fuqi e konsiderueshme. Efektivi i Gardës ishte gati prej 600 vetësh. Më vonë, dhe përkatësisht në vitet 1969-1975, ka qënë i caktuar në detyrën e instruktorit në Ministrinë e Brendshme, për të dalë kështu në pension pleqërie.

Në vitin 1949, detyrën e Komandantit të Gardës ja dorëzoi “Heroit të Popullit”, luftëtarit trim Myslym Ketës. Ismaili mbas kaq vitesh pohon se ishte ndjerë mjaft i qetë dhe i sigurt, sepse kishte tepër besim të plotë tek aftësitë dhe ndershmëria e Lym Ketës. Në bashkëbisedim me z. Ismail, me kthjelltësi për ta pasur zili, shprehet se në vitin 1950, në detyrën e komandantit të Gardës ishte caktuar një tjetër luftëtar për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Është fjala për njeriun zemërzjarrtë dhe trim i çartur si rrallëkush, Avdyl Bizhga, një kuadër i ardhur nga radhët e partizanëve më trima. Vërtet ishte mjaft i ri në moshë, rezulton komandanti më i ri i Gardës së Republikës, por kishte shpirt bashkëpunues dhe aftësi të rralla për të vënë në punë njerëzit dhe për të arritur rezultate të matshme vetëm me vetveten. Më vonë këtë detyrë e merr Çelo Arrëza, edhe ky një kuadër i matur, me aftësi mjaft të mira profesionale dhe organizuese.

Midis të tjerash në bashkëbisedim, artikulonte se kishte një djalë dhe dy vajza, të arsimuar me arsim të lartë, por sidomos njerëz familjarë dhe punëtorë, për të cilët ndihej krenar. Atë kohë djali i tij, Maksimi, ishte oficer në specialitetin e ndërlidhjes me detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Ndërlidhjes në Ministrinë e Rendit Publik.

Për varësinë e Gardës me Drejtorinë e Gjashtë, i nderuari Ismail shprehet : Në vitin 1947 Garda ishte shkëputur nga vartësia e strukturave të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit dhe quhej “Garda e Republikës”. Megjithatë ajo ruan vartësinë nga Ministria e Punëve të Brendshme, për sa i përket kryerjes së detyrave tepër të rëndësishme, përmes Drejtorisë së Gjashtë, e cila përgjigjej për sigurimin e Drejtuesve të Lartë të Partisë e të Shtetit. Garda prej saj merrte detyra lidhur me shërbimet në interes të ruajtjes e të sigurimit të Drejtuesve më të Lartë të Shtetit.

Ismail Pinci ishte një kuadër shembullor i sistemit të Ministrisë së Brendshme. I motivuar dhe vullnet plotë në përmbushjen e detyrave të ngarkuara, duke shpalosur kështu virtytin e lartë të dashurisë për punën të një devolliu të ndershëm dhe kokë-ulur. Kishte aftësinë të bashkëpunonte me personel të niveleve të ndryshme, sepse vetë ishte mirënjohës për kontributin e secilit punonjës, shumimi i të cilave bëhej garanci e sigurt për arritjen e suksesit të pritshëm. Mbetet një kuadër me parametra moralë, profesionalë dhe atdhetarë të pasur, të qartë dhe të konsoliduar, prej të cilit pasardhësit kanë se çfarë të përfitojnë, me bindjen se janë ata që dëshiron komuniteti në përditshmërinë e bashkëjetesës së mbarë.