Manipuluan matësin, kallëzim për 5 biznesmenë nga Vlora

574
Aksionet me kontrollet ndaj debitorëve nuk ndalen as natën, ku gjatë mbrëmjes së të enjtes, grupi Task Forcë OSHEE Vlorë, zbuloi 5 raste të ndërhyrjes në sistemin e matjes, nga subjekte private, ndaj të cilave është bërë kallëzimi dhe janë shoqëruar për në polici. Fokusi i kontrolleve është tek abonentët privatë dhe kryesisht në bregdet, por rastet e zbuluara mbrëmë janë brenda qytetit të Vlorës. Drejtori i OSHEE Vlorë, Erjon Osmanaj thotë se aksioni po shtrihet në çdo anë, dhe nis nga Zvërneci deri në Dhërmi. “Dy ditë më parë ishim më Dhërmi ku zbuluam raste të vjedhjes së energjisë, dje në Vlorë, ndërsa jemi duke punuar në Orikum”, tha ai. Abonentët privatë, me inicialet K.L, R.H, B.M, I.L dhe S.G ishin kryesisht pronarë bar-restorantesh dhe nga kontrolli rezultoi se kishin cenuar matësin. Sakaq, kontrollit nuk i ka shpëtuar një abonent familjar, i cili është proceduar në polici. Osmanaj thotë se kontrollet do të vijojnë deri në shtator, ditë-natë, deri në vendosjen e plotë të respektimit të ligjit nga të gjithë, të vendosur për të mos toleruar askënd.

Gjithashtu, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka denoncuar në polici shtetasin me iniciale E.L, pasi kundërshtoi dhe dhunoi dy punonjësit e OSHEE që po kryenin kontroll tek subjekti privat. Punonjësit Elton P. dhe Qani S., të njësisë OSHEE Sarandë, duke ushtruar detyrën në vazhdën e kontrolleve ndaj subjekteve private debitore, kanë hasur në kundërshtinë e abonentit. Akti kriminal ka ndodhur në Ksamil dhe policia po heton rreth ngjarjes. Ky është rasti i dytë brenda 24 orëve, ku punonjës të OSHEE ndalohen të ushtrojnë detyrën e tyre, në zbatim të ligjit. Në Belsh të Elbasanit, ndaj punonjësve të OSHEE-së u qëllua me çifte nga një debitor, edhe pse ishte njoftuar disa herë! OSHEE dënoi me forcë ngjarjet e ndodhura dhe pavarësisht presionit të vazhdueshëm nga debitorë që nuk duan të zbatojnë lidhin për pagesën e faturave të energjisë, apo të vjedhësve, kompania deklaroi se nuk do të ndalë kontrollet deri në vendosjen e plotë të ligjit dhe respektimit të barabartë nga të gjithë, pa asnjë dallim dhe përjashtim! Në tre ditët e fundit, në Sarandë dhe Ksamil janë kryer 50 kontrolle ku u është ndërprerë energjia 202 debitorëve.
Sigal