Islam Kondi: Jeta ime midis dy dashurive, rrobës ushtarake dhe skenës

509

Intervista/ Rrëfen ish-ushtaraku-artist, aktori amator i Teatrit të Korçës, Islam Kondi

Ka lindur në Fushë-Bardhë të Gjirokastrës, por ka jetuar për 45 vite në Maliq. Jeta e tij ka kaluar mes uniformës kaki dhe skenës. Ëndrra e tij e parë ishte rroba ushtarake dhe e dyta skena. Të dyja i realizoi me sukses në jetë. Detyra bëri që tërë jetën ta kalonte larg vendlindjes, por Maliqi ju bë vendlindje e dytë, ndërsa skena e teatrit të Korçës, shtëpi e dytë. Dhe pse me rezultate të larta në ushtri, asnjëherë s’mundi të largohej nga Maliqi dhe pse kërkesat për lëvizje nuk munguan, por servilat, hatëret, tarafet e lanë në vendin ku dikur ka qenë kënetë. Por ai boshllëqet e jetës i plotësoi me skenën. Aktor amator, por që është vlerësuar nga kritika si aktor profesionist. Në shumë drama i janë besuar role të dorës së parë, sikur të kishte mbaruar Akademinë e Arteve. Edhe sot ai vazhdon të jetë pjesë e skenës, edhe pse jeta artistike në Maliq është e varfër, por kjo s’mund të thuhet për Korçën ku ai e ka si Maliqin.

Banoni në Maliq, po origjina juaj?

Jam puro lab. Ose më mirë të them, origjina ime është nga fshati Fushë-Bardhë i rrethit të Gjirokastrës. Shkollën 7-vjeçare (ashtu ishte atëherë) e mbarova në vendlindje dhe më pas vazhdova studimet në shkollën ushtarake “Skënderbej” në Tiranë. Rroba ushtarake ka qenë për mua një dëshirë shumë e madhe, pasi zona jonë karakterizohet nga  atdhedashuria. Njëkohësisht dua të evidentoj se nga familja ime ka patur shumë ushtarakë me grada madhore. Pjesa më e madhe e familjes sime ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi, dhe si të tillë kanë bërë dhe emër si historianë gazetarë dhe shkrimtare. Pas përfundimit të shkollës ushtarake unë kam mbaruar fakultetin Gjuhë-Letërsi.

A ishin aparaturat e ushtrisë në periudhën e monizmit moderne dhe të kohës?

 Unë kam mbaruar studimet ushtarake në specialitetin ndërlidhjes, që e kam pas ëndërruar të shërbeja si kuadër në shërbimin e ndërlidhjes. Gjatë kohës të studimeve kemi patur në përdorim aparatura ruse. Ato ishin për kohën moderne si në foni edhe në radio telegrafi. Më vonë ato u përsosën më tej në organizimin e ndërlidhjes në reparte dhe njësi ushtarake deri në vendosjen e ndërlidhjes me Traktatin e Varshavës. Në fillimet e mija të karrierës ushtarake, si kuadër në repartet poshtë, gjeta edhe aparatura të ndërlidhjes trofe nga lufta e dytë botërore, si radiot A 7 A . Më kujtohen fare mirë që ato kishin të varura një orë “Zenith” të markës zvicerane. Më vonë  pastaj erdhën radio me një teknikë të lartë të organizimit të ushtrisë në shkallë ndërlidhje. Me prishjen e marrëdhënieve me ish- Bashkimin Sovjetik, erdhën tek ne aparatura të ndërlidhjes kineze, por këtu desha të veçoj, se këto ishin difektoze dhe me të vështira në përdorim. Kurse aparaturat e ardhura nga Rusia ishin me rezistente dhe me të lehtë në përdorim.

Ku bazohej pajisja e ushtrisë me mjete logjistike ndërlidhjeje?

Fillimisht pajisja ka filluar mbas vitit 1945 dhe në vazhdim ka ardhur e rritur e përsosur si ndërlidhja radiofonike si dhe ndërlidhja telefonike. Të mos harrojmë se ndërlidhja me radio ka funksionuar edhe gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe krijimi i saj daton me 22 qershor 1944. Veteranët e saj janë Servet Zama, Kadri Shameti, etj..

Në Divizionin ku ju shërbenit, mbani mend ndonjë ngjarje më me rëndësi, që u ka lënë shumë përshtypje?

Me qenë se ishte kohë paqeje, ngjarjet më mbresëlënëse ishin stërvitjet e mëdha dhe vizitat e drejtuesve të lartë të ushtrisë, të cilët linin gjurmë të thella kur vinin. Petrit Dumen, Hito Çakon, Kiço Mustaqin i kam parë gjatë zhvillimit të stërvitjeve në kohën që kam qenë në Korpus dhe më pas Divizion. Në stërvitjen me trupa të Bodesë në shkurt të vitit 1968 ka marrë pjesë ministri i mbrojtjes Beqir Balluku, zv/kryemnistri Adil Çarçani, Petrit Dume, Hito Çako. Ishte një nga stërvitjet më të mëdha dhe më të rëndësishme. Rrallëherë mund të vinin kaq udhëheqës në një stërvitje. Vepronim sikur të ishim në luftë. Serioziteti dhe ndërgjegjja ishin në maksimum. Atëherë s’luhej me ushtrinë. Mobilizimi ishte në maksimum. Sa kam qenë në ushtri, s’kam parë stërvitje të tillë me kaq pjesëmarrje dhe me kaq interes.

Në ushtri ka patur edhe probleme, ju keni patur të tilla, sidomos me komandantët?

Po. Kam patur me disa, por veçoj këtu takimin me gjeneral major Dilaver Poçin. Kam debatuar me të. Kam kërkuar tri herë transferim për t’u afruar pranë familjes në Korpusin e të Gjirokastrës. Janë bërë 25 kërkesa, pastaj më thërriti pranë Ministrisë së Mbrojtjes për të më sqaruar dhe jo zgjidhur problemin. Mbas dy orë debatesh, më mallkoi dhe më tha: Aty të ngordhësh, në kënetën e Maliqit! Për fatin e keq, këtu jam edhe sot. Poçi më tregon  midis të tjerash, letrën që unë i pata dërguar Adil Çarçanit, ku ai me shumë dashamirësi thoshte ndërmjet të tjerave: Është djali ynë, është fshatari ynë, është hallexhi, prandaj zgjidhjani problemin… Ndërsa ai nuk denjoi të më ndihmonte. Kanë qenë disa nga kapot e Labërisë të asaj kohe, si: Shefqet Peçi, Kadri Hazbiu, ky Poçi që zura në gojë, që hiqeshin si shenjtë, por që të linin të ngordhje si qeni.

Karriera juaj si aktor, kur keni filluar dhe çfarë roli ke luajtur?

Aktrimi ka qenë ëndrra ime e dytë pas asaj të ushtarakut. Karriera ime si aktor, ka filluar pikërisht në janar të vitit 1965. Kam patur fatin e madh të punoj me aktorin dhe regjisorin Dhimitër Orgocka, i cili më ka besuar gjithnjë role kryesore. Roli i parë ka qenë ai i Hekuranit tek drama “Vdes dhe nuk tregoj”, i autorit Verbi Take. Këtë rol ma besoi Dhimitër Orgocka.

Në rolet në teatër me cilët mjeshtra të Teatrit të Korçës keni luajtur? Na përmendni ndonjë episod mbi ndihmën e tyre…

Në vitin 2009 kam patur fatin të luaj në dramën e Namik Dolkes, “Vdekja e dytë e Homerit”. Me trupën profesioniste të Korçës, rolin ma rekomandoi Dhimitër  Orgocka. Trupa e teatrit  të Korçës mua më njihte si aktor i vjetër amator, po kur e pashë veten mes tyre, u ndodha s’mund të them keq, por ngushtë. Ata më mbajtën afër, dua të përmend aktorin që s’është mes nesh, Perika Gjezi, Tasha Andoni, etj., dhe e ndjeva veten mirë si ansambël dhe shfaqja pati sukses. Përveç shfaqjeve në qytetin e Korçës më pëlqyen edhe në qytetin e Fierit.

Kush nga udhëheqësit e kohës ka ardhur në teatrot që ke luajtur…si ju kanë vlerësuar?

Në vitin 1969 zhvillohej në Tiranë takimi i teatrove të ushtrisë. Ne u përfaqësuam me dramën “Shokët”,  vepër me subjekt nga jeta ushtarake, me autor Bashkim Kozeli. Si gjithmonë në këtë shfaqje kisha rolin kryesor, atë të Sokolit, student, ushtarak i aviacionit. Në atë premierë erdhën për ta parë ish/drejtori politik i ushtrisë, Hito Çako, si dhe zv/ministri i arsimit dhe kulturës Mantho Bala. Hito Çako pas përfundimit të shfaqjes thotë:- kjo nuk është trupë amatore, por profesioniste, do të shkoni të kontrolloni një për një aktorët me pasaporta në duar. Dhe kështu ndodhi, na rreshtuan tërë trupën. Dolëm se ishim 4 oficerë, 2 ushtarë dhe 3 rezervistë. Pra kur na e thanë të vërtetën ne u gëzuam jashtë mase që na quajtën në interpretim të nivelit profesionist. Si shpërblim morëm çmimin e parë, shoqëruar me flamur, dhe gjëja e madhe për kohën, një televizor “Adriatik”, dhuratë për shtëpinë e oficerëve. Një vlerë të jashtëzakonshme në krijimin e trupës teatrore për inkurajimin e amatorëve, ka kuadri me shpirt artisti ish komisari i Brigadës, që sot nuk jeton më, Arshi Hajro, nga fashti Lekdush i Tepelenës

Pra, amator dhe keni qenë në role kryesore?

Po. Kjo është një e vërtetë. Deri më sot numëroj 18 role, nga këto 5 çmime të para në shkallë kombëtare. Besoj nuk janë shumë, por edhe pak nuk janë për një amator.

Oficer, aktor, familjar, ka qenë e vështirë të ruanit ekuilibrat? 

Dihet nga të gjithë se kudo në botë profesioni i ushtarakut është i vështirë, ai të privon nga shumë gjëra, nga shumë dëshira sidomos në atë kohë. Aq më tepër që në sistemin komunist të merreshe dhe me aktrim, ishte…Dua të them se kam sakrifikuar diçka nga rehatia, nga profesioni për aktrim, duke vazhduar provat deri natën vonë. Për këtë një meritë të madhe ka bashkëshortja ime, por edhe fëmijët e mi që më kanë kuptuar. Ata në vend që t’i ndihmoja, në shumë raste më kanë ndihmuar. Jo vetëm që s’më kanë penguar, por më kanë inkurajuar në rrugën e aktrimit.

Sigurisht skena ka momente pikante që edhe të mbesin gjatë në memorie… Madje kur i kujton të duket sikur s’kanë kaluar mbi supet e tu?

E drejtë. Kam shumë momente në skenë që kur i kujtoj qesh ose më duken shumë të lashta. Konkretisht në dramën “Vdes dhe nuk tregoj”, të dramaturgut Verbi Take, kam një moment shumë domethënës për mua. Ja se si do ta përshkruaj: Në sallë qetësi absolute. Ishte momenti kur hapet sipari dhe perdja po ngjitej lart. Unë qysh në hyrje të dramës ndodhem në skenë i makijuar për rolin që i përshtatesha. Roli ishte që unë të isha  i leckosur, para torturave të Gestapos. Rrija si statujë në mes të skenës. Heshtje. Heshtje varri!  Vajza ime e madhe, Cerazela, atëherë 3 vjeç, ishte në sallë me bashkëshorten time. Si duket edhe pse me makijazh ajo në atë gjendje më njeh. Çohet në këmbë dhe thërret duke qarë: Babi, babi!… Po kështu edhe në sallë u dëgjuan të qara. Kjo më shtyu ta luaja atë rol sa më mirë.

Keni ndonjë peng si ushtarak?

 Po, kam. Në shkurt të vitit 1977, u propozova për komisar të Ansamblit të Ushtrisë. Ky propozim erdhi  pasi plotësoja gjithë kushtet, kërkoheshin për atë vend pune me arsim të lartë ushtarak, me arsim të lartë civil, dhe kisha më shumë se 15 vjet në skenë. Isha i plotësuar. Më miratuan dhe emërtesën, por më në fund mora lajmin e keq, që në atë vend ishte caktuar dikush tjetër…Dihej, kudo luftë bërrylash, miqësish, ndërhyrjesh, ryshfetesh…Edhe sot kur e kujtoj, ndjej dhimbje…

 Sot vëmë re mërgimin e inteligjencës dhe talenteve të mirëfillta në disa fusha të artit? Ndërsa ju, jo! Çfarë iu ka shtyrë për të mos e lënë vendlindjen, aq më tepër Maliqin?

Nuk kam patur dëshirë të qëndroja në qytetin e Maliqit, por kështu ndodhi, në vitin 1992 më kapi reforma dhe mbeta këtu ku jam. Pishman nuk jam, sepse vazhdoj ende të punoj dhe pa shpërblim financiar, vetëm për hir të pasionit, aktivizohem ende në skenë si prezantues, recitues dhe ndërkohë si aktor.

Aktualisht vazhdoni të merreni me pasionin tuaj në artin skenik?

Sa të jem në gjendje të lëviz, do të mbetem në skenë. Ajo më bën të jem mirë dhe të motivohem. Skena më jep ato çka s’i kam arritur në jetë si ushtarak. Interpretimet e mia janë parë dhe dëgjuar edhe në Korinth të Greqisë dhe në Tetovë të Maqedonisë.

Pengu i skenës?

Një vetëm kam, njëckë…Sikur, sikur të më ofronin një rol kryesor në një film. Kaq.  Besoj se ka kohë… Nuk e humbas kurrë besimin.

A ka ndonjë nga familja tuaj të përfshirë në artin skenik?

Gjatë viteve që unë jam marrë me artin, ndoqën rrugën time edhe tre fëmijët e mi, që kanë qenë aktivistë pranë Pallatit të Kulturës në Maliq. Vajza e madhe, Cerazela, ka qenë valltare me ansamblin e valleve “Gora”; djali, Taulanti, kërcimtar, kitarist dhe këngëtar; Enkelejda recituese dhe  poete. Jam krenar për fëmijët e mi sot. Janë rritur si i doja unë.

Hobi juaj veç aktrimit?

Të lexoj dhe shkruaj. Pasion për mua është publicistika, vazhdoj të shkruaj në tre organe shtypi, revistën “Pavdekësia”, gazeta “Kushtrim brezash” dhe gazeta “Gora”. Pastaj aktrimi, skena dhe e padiskutuar, kënga labe.

Aktualisht duke banuar në Maliq si jeni i lidhur me Gjirokastrën?

Sa herë kam mundësi, shkoj në vendlindje. Aty kam vitet e fëminisë. Maliqi është vendlindja ime e dytë, me njerëz të mrekullueshëm, që i dua dhe i respektoj kaq shumë. Por Fushë-Bardha mbetet e para, e shoh në ëndërr me dhembshuri dhe mall.