Gjika: Luftuam kundër pushtuesit, por në liri më pushkatuan vëllain

1069
Sigal

 I moshuari Andrea Gjika: S’ kërkojmë hakmarrje, duam harmoini e bashkëpunim

Mursia, fshati në skajin jugor të Sarandës, gjatë diktaturës vuajti 1200 vjet burgje dhe internime. Mursia është fshati që përkrahu tërësisht LANÇ-in dhe nuk kish asnjë ballist, por pas çlirimit nuk mbeti shtëpi, familje e fis pa të pushkatuar,të burgosur e të internuar. Një nga familjet që vuajti peshën e persekucionit, burgosjes, pushkatimit e diskriminimit është edhe familja e Andrea Gjikës….

Zoti Andrea! Mund të na flisni për kaluarin e familjes suaj?

– Ishim një familje e nivelit të mesëm. Do të them edhe faktin se të gjithë që kaluan në Mursi që nga italianët, grekët, çamët e shumë të tjerë, gjetën një mikpritje vëllazërore tek banorët. Vendi sapo qe çliruar e njerëzit punonin edhe të gëzuar se Mursia qe e gjitha me partizanët, asnjë ballist nuk doli nga fshati ynë. Por shpejt erdhi zhgënjimi…

Në çfarë mënyre?

-Në vitin 1945 xhaxhai im, ish-partizan, arratiset në Greqi. Këtu fillon gjithçka e dhimbshme mbi ne.. Vijnë e na marrin. Kërkuan babanë dhe pasi e gjetën, na morën dhe na çuan në internim në Krujë. Në fillim na çuan në disa kazerma ushtarake në fund të lumit, dhe më pas në një shtëpi brenda në qytetin e Krujës ku qëndruam rreth gjashtë muaj. Një ditë erdhi policia dhe kërkoi babanë dhe i thanë: ‘Vangjel Gjika, ejani me ne në polici!’. E mbaj mend mirë këtë se qenë çastet e fundit që shikoja babanë tim, nuk do ta shikoja më kurrë… E morën babanë e gjorë…Në vitin 1947 na arratiset vëllai i madh, Perikliu, Perikli Gjika. Edhe kjo duhej. Na morën prapë siç ishim me gjithë gjyshen dhe na shpien në Valias te Tiranës. Na futën në një ish stallë derrash.

Sa qëndruat në Valias?

-Këtu bëmë tre vjet. Mbaruam dënimin dhe erdhëm përsëri në fshat, por e keqja nuk ka fund. Kur guri rrokulliset tatëpjetë hapi udhë e le të ndalojë ku të dojë vetë. Duhej garanci të qëndronim në fshatin tonë, ishim afër kufirit. Mursia nuk e lëshoi një garanci të tillë. Na morën prapë dhe na çuan në Cërrik të Elbasanit. Na futën në një barakë buzë lumit të atjeshëm. Bëmë ndonjë vit. Vëllai i vogël mbaroi klasën e parë atje. Po në këtë kohë vajta ushtar, qe viti 1955. Erdhi xhaxhai i arratisur nga Greqia për të marrë familjen… Kishin ardhur dy veta: Vaso Gjika dhe Vaso Çullua nga Pllaka e Vurgut.

Erdhi në shtëpi xhaxhai i arratisur e ardhur ilegalisht?

-Po. Trokitën në shtëpi, por gjyshja nuk ua hapi derën se ishim armiq dhe nuk dihej kush ishin se provokatorë vinin çdo natë nga sigurimi i shtetit dhe thoshin… Qëndruan deri ndaj të gdhirë dhe si panë që qe i pamundur takimi me familjen u detyruan të largoheshin nga kishin ardhur. Por nuk u priu fati. Tek lumi, afër kufirit shtetëror me Greqinë, forcat e kufirit e vranë xhaxhain të parin, ndërsa Vaso Çullua u mundua të ikte. Vajti tek gropa e Çullit, ndaj ja kane vënë emrin. Atje nuk u dorëzua dhe e vranë. Hollësitë e tjera i mësova më vonë..

Çfarë mësuat konkretisht?

-I vranë dhe i sollën në Pazar të Mursisë ngarkuar mbi mushka nga lumi,i hodhën përtokë në mes të fshatit dhe mblodhën gjithë mursiotët, por i detyruan të hedhin valle rreth kufomave…  I morën përsëri ngarkuar në kafshë dhe i çuan në Sarandë. Dhe aty i hodhën në mes të sheshit të qytetit për të demonstruar terror psikologjik që të mos arratiseshin të tjerë. Nga Saranda i morën dhe i hodhën në Qafë-Gjashtë në një përrua ku pas disa ditësh u gjendën të coptuar nga qentë..

Cili kamp ishte më i keq?

-Kampi më i keq qe ai i Valiasit. Ndërsa nga komunitetet që na kanë respektuar më shumë ka qenë populli i Krujës. Pas viteve ’90, kur erdhi demokracia dhe u hapën kufijtë shtetëror, erdhi vëllai që u arratis më 1948-n dhe shkuam në Krujë, ku takuam disa nga të njohurit e dikurshëm dhe i falënderuam.

Rikthehemi tek viti ’90, ku ju gjetën proceset demokratike?

-Në Mursi. Se unë në Mursi erdha që në moshën 40 vjeç. Më para nuk më linin se mos arratisesha. Pikërisht nga kjo frikë më morën dhe më çuan në Dukat të Vlorës. Atje isha punëtor, vetëm largim nga Mursia… Atje jo! Se isha afër me kufirin. Nga Dukati më sollën për pak kohë në Borsh të Sarandës, ku punova në agrumokulturë. Po nuk më lanë shumë, më çuan përsëri në Dukat se në Borsh isha afër me kufirin grek, kishin frikën e arratisjes. Më kthyen prapë në Dukat.

Me se merreshit më 1990?

-Në vitet e para të demokracisë u zgjodha edhe kryeplak i fshatit dhe njëherazi edhe kryetar i të persekutuarve politikë… Trazirë dhe përgjegjësi e madhe. Nuk donim të përsëritej historia e tmerreve dhe shantazheve. Kishte ardhur koha e ëndërruar. Kishte ardhur liria për të gjithë. Bënim thirrje ç’do ditë për tolerancë dhe frenim të hakmarrjes. Nuk donim gjak shqiptari të derdhur kot, mjaft qe derdhur.

Ju ishit organizator dhe realizues i ndërtimit të memorialit?

-Në këtë kohë bëra edhe memorialin me shpenzimet e mia. Mund ta bëja edhe tek vendi ku u vra xhaxhai dhe me shpenzime të pakta, se thashë, që e kisha amanet nga gjyshja. Por e bëra në mes të fshatit. Që emrat e tyre të gdhenden e të gjenden diku dhe të jenë bashkë, mos ti mbulojë pluhuri i harresës se shumica nuk kanë as një varr. Më ndihmuan edhe djemtë e nipat e atyre të pushkatuarve pa gjyq dhe kanë emrat në memorial. Është diçka simbolike e pavdekësisë së tyre, por edhe për të sfiduar kotësinë e ekzekutimit nga diktatura.

_____________________________________________________________________________________

82-VJEÇARI: E KALUARA I TAKON TË DJESHMES, TË PUNOJMË PËR TË ARDHSMEN

Në rrëfimin e tij Andrea Gjika, sjell historinë e dhimbshme të familjes dhe fisit të tij. Një kalvar i dhimbshëm që kalon formatin njerëzor të torturës dhe shantazhit. Por shton se ai dhe të persekutuarit e tjerë, kurrë se si nuk kërkojnë hakmarrje, por ‘paqe dhe mirësi mes njerëzve’ Lutet për paqe mes njerëzve të kësaj bote. ‘E shkuara ti mbetet të shkuarës, duhet të shikojmë e të punojmë të gjithë bashkë për të ardhmen,për brezat që do të vijnë,për Shqipërinë’- shton ai. Ndërsa intervistën e mbyll me psherëtima dhimbjeje të një ankthi disavjeçar të hedhur rrënjë në shpirtin e tij, dhe me shprehjen:’E ngrita memorialin e të pushkatuarve të fshatit se plotësova një amanet të gjyshes, por dhe një detyrim ndaj këtyre njerëzve të pa fajshëm’. Andrea ndjehet i çliruar se e ka plotësuar një amanet të gjyshes që nuk e lanë të qante burrin, dhëndrin dhe djalin, por ja hodhën kufomën e tij për ushqim për qentë. “Por shyqyr erdhi dita që të prehen të qetë, të gjithë bashke në dheun e tyre që e deshën aq shumë se nuk qenë armiq.!Armiq i bënë. Një zot e di psenë e kësaj që ndodhi në Mursi”,- e mbyll rrëfimin Gjika.