Fejzi Rrokaj/ Lufta e popullit të Vlorës për pavarësi kombëtare

984
Sigal
Gjendja e vështirë ekonomike dhe e sundimit të huaj, e ka detyruar popullin e Qarkut të Vlorës të qëndrojë vazhdimisht me armë në dorë, në luftë kundër pushtuesve të huaj dhe në të njëjtën kohë edhe kundër bejlerëve dhe agallarëve të vendit dhe në tërësi kundër regjimit në fuqi. Në krye të këtyre lëvizjeve ka qenë fshatarësia e varfër dhe e mesme, sidomos ajo e zonave malore e kodrinore. Në këtë ka ndihmuar në radhë të parë fryma atdhetare, baza ekonomike e pa varur, mënyra e jetesës dhe pozicioni gjeografik malor i këtyre krahinave. Jeta e tyre ka qenë më shumë baritore, në male. Ata nuk i kanë lëshuar as një herë armët nga duart, sepse edhe në rastet më të vështira kanë patur mundësi manovrimi dhe mbrojtjeje. Folklori ynë popullor është dëshmi e gjallë që hedh dritë mbi të kaluarën e popullit të krahinave të Vlorës. Ai luftoi si kundër tiranisë, kundër taksave të mëdha të regjimit turk, ashtu edhe kundër regjimeve të më vonshme, që janë munduar ta shfrytëzojnë . Të gjata e shumëvjeçare kanë qenë përpjekjet e popullit të krahinave të Vlorës, luftërat e labëve të zonës malore në shekullin e XV-XVI. Të quajtura me emrin “Himarjotët” nënë drejtimin e Gjon Kastriotit, djalit të Skënderbeut, të cilët edhe pas largimit të tij nga Shqipëria, i shpartalluan forcat turke dhe nuk iu nënshtruan taksave dhe nizamllëkut për gati një shekull. Të dëgjuara në historinë e fshatarëve të Vlorës, janë luftërat e popullit të Mesaplikut e Kurveleshit nënë drejtimin e Zenel Gjolekës , ku populli i ka kënduar : Dërgoi Gjoleka njerinë,/ Lum’ i Vlorës ë të vijë,/ C’u çkulë që në Radhimë,/ Errimë o Gjolekë errimë,/… Populli i rrethit të Vlorës , krahinat e Mesaplikut, Dukatit e Himarës në kohën e Tanzimatit më, 1847, nuk munguan të shkonin në ndihmë të kryengritësve që luftonin nënë drejtimin e Rrapo Hekalit në Mallakastër, kundër bejlerëve të Beratit dhe forcave turke. Një çetë e madhe nga krahina e Dukatit, nënë komandën e Devish Ali Dukatit, shkoi në ndihmë të Rrapo Hekalit dhe luftoi me trimëri te Ura e Konisbaltit, afër Beratit : – Te Ura në Konisbaltë,/ Luftojnë Tragjasë e Dukatë,/ Dervish Aliu nam lartë,/ Që sulmon e s’hiqet prapë,/… Për trimëritë që ka bërë populli, jo vetëm burrat, por edhe gratë, si kundër turqve ashtu edhe të gjithë shtypësve barbarë të vendit tonë, flitet qartë në këngët e rapsodëve popullorë. Në luftë kundër pushtuesve si dhe kundër shfrytëzuesve bejlerë e agallarë, krahas burrave kanë marrë pjesë edhe gratë. Ato pranonin vdekjen, por armikut nuk i dorëzoheshin. Gratë e fshatrave të Bregdetit luftuan me heroizëm kundër ushtrisë turke në shekullin e XVIII dhe kur e panë se u rrethuan dhe ishte rrezik që armiku t’i kapte, ato nuk pranuan të dorëzoheshin, por me gjithë fëmijët u hodhën nga shkëmbi. Populli i krahinës së Himarës , këndon me vargjet e më poshtme :-Si zorqethë janë mileti, / Ata trima kapedanë,/ I tregojnë gjoksin dovletit,/ Si zogjtë në tramudanë,/…Këngët dhe gojëdhënat e popullit të krahinës së Vlorës, janë një thesar i madh që plotësojnë më së miri të dhënat historike mbi luftën shekullore dhe të pa prerë që ka bërë ai kundër armiqve të lirisë së tij. Viti 1910-1912, ashtu si në të gjithë Shqipërinë, edhe në krahinat e Vlorës, kanë qenë vitet e një përpjeke të ashpër dhe goditje të vazhdueshme kundra turqve. Një ndikim dhe nxitje në këtë kohë i dha puna dhe lufta e patriotit të madh Ismail Qemali, qysh nga vendimet historike të memorandumit të Gërçes të 23 qershorit të vitit 1911. Çeta kryengritëse së bashku me popullin e krahinave të Dukatit, Mesaplikut dhe Kurveleshit vendosën të sulmonin dhe të çlironin qytetin e Vlorës, por tradhtia e redifëve shqiptarë në Vlorë, bëri që të dështojë sulmi. Pas disa ditëve më 31 korrik përfaqësues të popullit, të mbledhur te Ura e Drashovicës, morën vendim dhe u solidarizuan me kërkesat e Gërçes dhe ia dorëzuan atë përfaqësuesit të Sulltanit në Vlorë. Populli i krahinave të Vlorës e përkrahu me vendosmëri ngritjen e flamurit me, 1912 dhe e mbrojti atë me luftë jo vetëm kundër ushtrive të shpartalluara turke, por edhe kundër sulmeve të grekëve nga ana e Jugut. Për të përmendur janë trimëritë dhe lufta e vendosur e popullit të Vlorës në përkrahjen pa rezerva me një herë të thirrjes që i bënte Ismail Qemali për pritjen dhe organizimin e kuvendit, për formimin e qeverisë së parë shqiptare dhe me gjithë përpjekjet dhe rezistencën e bejlerëve dhe pashallarëve turkofilë, populli qysh nga fshatrat e Myzeqesë e deri në fshatrat e Kurveleshit u mobilizuan të gjithë dhe siguruan si ardhjen e Ismail Qemalit, ashtu edhe ardhjen e delegatëve, punimet e kuvendit dhe ngritjen e Flamurit pa marrë parasysh kërcënimet që i bëheshin nga ç’do anë. Shpallja e pavarësisë dhe krijimi i shtetit të ri shqiptar ishte një ngjarje me rëndësi , ashtu si për të gjithë popullin shqiptar për popullin e rrethit të Vlorës, që kish luftuar me heroizëm, ish djegur e shkatërruar , por nu kish pranuar as nje herë t’u nënshtrohej armiqve të tij. 
ZHVILIMI EKONOMIK DHE LUFTA E POPULLIT TË VLORËS PAS SHPALLJES SË PAVARËSISË DHE GJATË REGJIMIT TË ZOGUT ! 
Gjendja e vështirë ekonomike e masave të gjëra të fshatarëve të Vlorës dhe të qytetit nuk ndryshoi as pas shpalljes së pavarësisë. Fillimi mi Luftës së I- Botërore dhe pushtimi i huaj ushtarak e vështirësuan edhe më tepër gjendjen ekonomike. Për nevoja ushtarake italianët krijuan një rrjet rrugor, duke lidhur në këtë mënyrë qytetin me disa krahina , por që nuk ndihmuan shumë në zhvillimin ekonomik të krahinave të Vlorës. Në qytet si rrjedhim i çmimeve spekulative të krijuar nga gjendja e luftës, u grumbulluan para të lira në duart e një grupi tregtarësh dhe matrapazësh. Një pjesë e këtyre të hollave u përdorën për ngritjen e disa punishteve të vogla, pjesa më e madhe u përdor nga tregtarët për blerjen e çifliqeve dhe pjesa tjetër u hodh për zhvillimin e tregtisë ose si kapital hua. Por si në të gjithë Shqipërinë edhe në qytetin e Vlorës, marrëdhëniet kapitaliste në prodhim zhvilloheshin me shumë ngadalësi. Ato filluan të shtrihen edhe në fshat dhe të pleksej sistemi çifligar me kapitalistë tregtarë e fajdexhinj. Përfaqësuesit kryesorë të kësaj shtrese ishin familjet e Papallarëve, Sezai e Seit Qemali, Aleko Bezhani, stavro Ndini, Sadik Shaska, Musa sharra etj. Familja e bejlerëve Vlora, mbeën gjithënjë pronarë të mëdhenj të tokave, duke vazhduar të përdornin në pronat e veta edhe për një kohë të gjatë format feudale. Kjo gjendje paraqitej më e theksuar në zonën fushore sidomos në Myzeqe e Topallti, ku forma e shfrytëzimit feudal ka ekzistuar deri në çlirimin e Shqipërisë. Këto toka ishin në pronësi të çifligarëve dhe tregtarëve, të cilët i jepnin me iktizam ose i zotëronin direkt nëpërmjet të qehallarëve, bekshinjëve, sejmenëve të cilët si vargonj të një zinxhiri të vetëm e shfrytëzonin në mënyrë shtazarake bujkun e Myzeqesë. Gjatë regjimit çifligaro-borgjez të Zogut edhe në rrethin e Vlorës kishin filluar të depërtonin me shpejtësi ndërmarrjet e huaja kapitaliste, sidomos ndërmarrjet kapitaliste italiane më 1938 në qytet dhe në të gjithë rrethin ishin 8 shoqëri të tilla si TEMVA, OLIUM, SINGER, AIPA etj. Këta kishin depërtuar edhe në bujqësi nëpërmjet sistemit iktizam siç ishte kavaleri i Llakatundit ose Kavaljeri Xhuzepe Xhebeli, që kish marrë si çiflig fshatrat Poro dhe Zhukë dhe i shfrytëzonin ato njësojë si edhe çifligarët e tjerë. Të njëjtin shfrytëzim pësonin edhe punëtorët e shoqërisë së serës në Selenicë, ata të portit, shoqërisë detare, të kripës (SITA) e tj. Gjendja e rëndë dhe e prapambetja ekonomike e rrethit të Vlorës shoqërohej me një prapambetje të theksuar kulturore, arsimore. Në vitin 1938 në të gjithë rrethin nga 94 fshatra vetëm 45 kishin shkolla fillore me 90 mësues dhe 3383 nxënës. Në gjendje të vajtueshme ishin zonat e ulëta Myzeqe e Topallti, ku nga 26 fshatra, vetëm 5 prej tyre kishin shkollë. Në këtë zonë mbi 95 % e popullatës ishin analfabetë. Në të gjithë rrethin kishte vetëm një shollë të mesme, ajo tregtare me 6 mësues dhe 142 nxënës, një pjesë e mirë e tyre ishin të ardhur nga qytetet e tjera të Shqipërisë. I ulët ishte gjithashtu edhe numri i specialistëve me shkollë të lartë. Në të gjithë rrethin kishte 32 specialistë si mjekë, inxhinierë, etj. Prapambetjen ekonomike, arsimore e kulturore të asaj kohe e kanë shfrytëzuar shumë sidomos sektet fetare për të mbrojtur interesat e padronëve të tyre. Në Vlorë popullsia praktikonin disa fe të ndryshme, por më të rëndësishmet ishin feja myslimane, kleri i së cilës ishte vënë plotësisht në dispozicion in e klasës feudale, të bejlerëve dhe agallarëve, duke qenë mbrojtëse e fortë e regjimit në fuqi. Pas klerit mysliman vinte ai ortodoks. Kishat ortodokse në shumicën e tyre ishin vegla të bindura dhe nënë influencën greke sidomos ato të Himarës, nartës , në të cilat ritet fetare zhvilloheshin në gjuhën greke. Ajo bënte propagandë jo vetëm në favor të shtresave të pasura dhe të regjimit në fuqi, por edhe në favor të shovinizmit grek. Përveç këtyre kryesisht në qytet vepronte edhe kisha katolike italiane, e cila aktivizohej si një agjenturë e hapur e imperializmit italian në vendin tonë, me katolikë shqiptarë si dhe me katolikë italianë. Veçanërisht pas Luftës së Parë Botërore, në Vlorë filloi të funksiononte edhe kisha unite. Besimtarët e kësaj kishe ishin ortodoks, por si drejtues kishin Papën e Romës. Këta paguheshin nga kleri katolik Italian dhe ishin direkt në shërbim të tyre. Përveç këtyre në Vlorë kishte edhe çifutë, armenë, protestantë, por numri i tyre ishte i paktë. Klasa punëtore, me gjithë zhvillimin e saj në qytet dhe në disa qendra prodhimi jashtë qytetit, kryesisht me punëtorë sezonalë, ajo ishte akoma një forcë në jetën ekonomike dhe shoqërore të vendit. Në vitin 1936, në Ujë të Ftohtë kishte 600 punëtorë që punonin për ngritjen e depove të vajgur-sjellësit Kuçovë-Vlorë. Si qendra të tjera punëtore n’atë kohë ishin: miniera e serës në Selenicë, Porti Detar, distileria e alkoolit “Skënderbeg” në Ujë të Ftohët, sharrat e Llogorait etj. Në gjithë rrethin kish 1146 punëtorë, të ndarë si më poshtë: në industri 782, nga të cilët në Selenicë 200 punëtorë, në artizanat 141 punëtorë, në Portin detar 41 punëtorë, në tregëti 81 punëtorë dhe në çifligun Italian në Llakatund 101 punëtore. Në 10.000 frymë që ishin n’atë kohë në qytet, rreth 20% e familjeve ishin borgjeze, tregtarë e matrapazë, 5% ishin kapitalistë tregtarë grosistë, latifondistë e fajdexhinj që dominonin me pasurinë e tyre sin ë qytet ashtu edhe në fshat. Në të gjithë rrethin , nga 6.700 banorë, 46.752 , d.m.th. 82.6% e popullsisë banonte në fshat dhe vetëm 17,4 %, banonin në qytetin e Vlorës. Gjatë kësaj periudhe, veçanërisht gjatë sundimit të Zogut, si rrjedhim i dekompozimit të pronave të mëdha feudale, tokat malore dhe më pakë pjellore, të cilat nuk paraqisnin ndo një interes ekonomik kishin kaluar në pronësi të fshatarësisë, ndërsa një pjesë e tokave më të pasura kaluan në pronësi të tregtarëve dhe të pasanikëve të qytetit, por pjesa më e madhe mbeti në duart e pronarëve të mëdhenj të tokave . Por edhe këto nuk siguronin të ardhura të mira pronarëve të tyre . në një raport që konsulli Italian në Vlorë i drejton legatës italiane në Tiranë mbi gjendjen ekonomike të krahinës së Vlorës për vitin 1934, midis të tjerave thuhet: – Gjendja ekonomike e kësaj krahine është duke hyrë në një fazë jashtëzakonisht kritike dhe mund të thuhet pa ekzagjerim se dëshpërimi është duke u futur ndërmjet këtyre popullsive (A.Q.H. Dok.Nr. 1741). Në zonat malore baritore mund të themi se fshatarët kanë qenë krejtësisht të lirë të pa varur nga agai apo beu. Por edhe këtu diferencimi i fshatarësisë është i madh. Rreth 65-70 % të familjeve janë fshatarë të mesëm dhe vetëm 4-5 % fshatarë të pasur dhe borgjezi e fshatit. Në vitin 1938 në të gjithë qarkun kishte 19.545 Ha. Tokë nënë kulturë, nga të cilat 15.644 ha. Tokë arë dhe 3.901 ha . tokë ullishte, vreshta e livadhe. 90 % e kësaj toke shtrihej në zonën fushore dhe kodrinore dhe vetëm 10 % në zonat malore. Kjo sipërfaqe u takonte 6680 familjeve. Në duart e fshatarësisë ishin tokat më të varfra. 57.2 % e këtyre familjeve kishin më pakë nga 1 ha. Tokë secila, ndërsa vetëm pakë familje, midis të cilave ajo e Eqerem bej Vlorës, Muhedin Haxhiut, Myqerem Hamzarajt, Perikli Papait, Aleko Bezhanit, Arshi Selfos, Arshi Halilit zotëronin pjesën më të madhe dhe më të shumtë të tokës. Vetëm familja e Sadik Shaskës zotëronte mbi 2000 rrënjë ullinj, 6000-7000 krerë bagëti etj. Në fshatrat malore popullsia ka qenë e varfër, por nga vetë pozicioni gjeografik dhe mënyra e prodhimit baritore, ata kanë qenë fshatarë të lirë, që zotëronin një copë tokë , një shtëpi ose kasolle, pula, bagëti dhe nuk kishte të drejtë tua prekte njeri. Ata në shumë raste haheshin me agallarët një për një dhe nuk u bindeshin tekave të tyre.