Abaz HOXHA/ “Tomorri – Film”- një demagogji fashiste

492
Më 30 shtator 1942 u krijua në Shqipëri shoqëria kinematografike “Tomorri – Film”. Kjo shoqëri mori përsipër të xhirojë filma në Shqipëri dhe me subjekte shqiptare. Krijimit të kësaj shoqërie iu bë gjithashtu jehonë në shtypin e kohës, duke e quajtur atë si lindjen e kinematografisë shqiptare. Në artikullin “Kinematografia jonë”, shkruar nga M. Mone në gazetën “Balli i rinisë”, ndër të tjera thuhej: “… Sot mundemi me folë për një kinematografi Kombëtare e themelimi i shoqërisë private kinematografike shqiptare “Tomorri-Film” është një provë e ndriçuar…”4. Ideja, qëllimet dhe funksionet e kësaj shoqërie u projektuan shumë më parë, prandaj për të treguar se çfarë kinematografie ishte “Tomorri-Film” po iu referohemi dokumentave. Në një promemorie të kësaj periudhe thuhej: “… Zyra e Shtypit dhe e Turizmit, sipas direktivave oportune të Mëkëmbësisë, duhet të intensifikojë zhvillimin e kinematografisë në territorin shqiptar dhe duhet të marrë masa intensive si të rregullojë prodhimin kinematografik sipas një norme korporative (autorizimin për prodhimin e filmave, vëzhgimin preventiv të subjekteve, kontrollin e prodhimit, çensurën e filmave etj …1 Do të ishte e dëshirueshme ngritja në Tiranë e një Enti parashtetëror në analogji me atë që bën ENIC në Itali, për zhvillimin e kinematografisë dhe për të marrë inisiativën për zhvillimin e idustrisë kinematografike në Shqipëri…”. Më poshtë po në këtë promemorie thuhej: “Ky ent duhet të ngrihet në bazë të një përgatitjeje serioze dhe duhet të mbështetet në kapitalet që do të sigurohen nga Institutet dhe Komunitetet Shqiptare e të drejtohet edhe nga ndonjë personalitet i njohur shqiptar, në mënyrë që të marrë ngjyrën shqiptare”. Aty shprehej, gjithashtu, mendimi i prerë se “…duhet të jetë nën vartësinë direkte të Zyrës së Shtypit dhe të Turizmit…”2, e cila siç përmendëm, drejtohej nga italiani Lo Ruso Atoma. Pra, komandën, detyrat, udhëzimet, kontrollin e prodhimit dhe çensurën e filmave të kësaj shoqërie do t’i kishin të gjitha në dorë italianët, ndërsa emrin dhe shpenzimet për mbajtjen e saj do t’i mbulonte pala shqiptare.
Në fillim të vitit 1942
Në fillim të vitit 1942 ideja për prodhimin e filmave, si dhe për krijimin e të ashtuquajturës kinematografi shqiptare u thellua më tej. Në përpunimin e kësaj ideje morën pjesë deri krerët më të lartë fashistë, deri Çiano dhe Musolini. Por gjithmonë veprohej me dorashka se në aparencë çdo gjë ishte shqiptare: të miratohej nga autoritetet shqiptare dhe të kishte ngjyrën shqiptare, ndërsa kuzhina ku do të përgatiteshin udhëzimet të qëndronte në prapaskenë.
Shoqëria “Dante Aligeri” ishte një shoqëri për përhapjen e gjuhës dhe të kulturës italiane në Shqipëri dhe kishte varësi të drejtpërdrejtë nga qarqet drejtuese fashiste në Romë, si një organ i propagandës së tyre. Drejtori i Përgjithshëm i kësaj shoqërie në Shqipëri Sestilio Montanelli, me shkresë nr. 250, 2 shkurt 1942, i drejtonte këtë promemorie Salvatore Melonit, Sekretar i Përgjithshëm i Mëkëmbësië së Përgjithshme Mbretërore në Tiranë:
“Zoti Valter Moki më njofton se drejtori i shoqërisë kinematografike Tirrenia po organizon prodhimin e një seri filmash me subjekt shqiptar dhe në krye të organizatorëve është zoti Koçi, Ministër shteti i Shqipërisë, vetë Valter Moki, Giakino Forzano dhe Bombaci, drejtori i revistës “La variete”. Do të thosha që programi i prodhimit duhet të diskutohet me vëmendje në një takim të drejtuesve dhe preventivisht të aprovohet nga Mëkëmbësia dhe Ministria e Kulturës Shqiptare”1.
Takimi i organizatorëve
Siç njofton ai më vonë, takimi i organizatorëve u bë në shtëpinë e agjentit të fashizmit, Ministrit të Shtetit, Koçi, ku merrnin pjesë V. Moki, kompozitori Bizelli dhe Sestilio Montanelli. Mbas dy orësh diskutime u vendos që organizata që do të krijohej do të kishte një ndihmë financiare dhe një program “serioz” dhe “dinjitoz” për vëllazërimin e popujve italianë dhe shqiptarë, që të nxirrte në pah dhe të “vlerësonte” epikën, folklorin, muzikën dhe traditat e popullit shqiptar, si dhe të ilustronte vëllazërimin italo-shqiptar. Në këtë dokument thuhej se edhe kjo do të shërbente si shembull për popujt e tjerë të Ballkanit, duke u bërë thirrje atyre që të bëjnë pjesë në Perandorinë e Romës.
Në këto letra, drejtori i shoqërisë “Dante Aligeri” në Shqipëri thoshte se ishte i mendimit që filmi i parë që do të xhironin të ishte një film-operetë i tipit të “Vejushës gazmore”. Ai do të ekzaltonte virtytin e popullit shqiptar, do të vinte në lojë Zogun dhe familjen e tij; ai këshillonte që prodhimi i një filmi të tillë nuk i dukej oportun, por me rreziqe, prandaj duhej të merrej miratimi nga Mëkëmbësia e Përgjithshme dhe nga Ministria e Kulturës Shqiptare.
Françesko Jakomoni
Françesko Jakomoni më 26 shkurt të vitit 1942 i shkruante kabinetit për Shqipërinë të Ministrisë së Jashtme në Romë letrën që vijonte: “… Kam nderin të bashkëngjis kopjen e një promemorieje të Prof. Montanellit, Këshilltar i përhershëm pranë Ministrisë së Kulturës dhe drejtor i Përgjithshëm i shoqërisë “Dante”, në lidhje me një projekt për organizimin e një serie filmash me subjekt shqiptar. Qëllimi i kësaj organizate që do të drejtohet nga shoqëria kinematografike “Tirrenia” është të njohë Shqipërinë me epikën, folklorin dhe traditat … Prof. Montanellit i është ofruar Konsulenca politike për prodhimin e këtyre filmave…”. Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë, më 16 mars 1942, i shkruante gjeneralit Manilo Gabrieli, shefit të sektorit ushtarak pranë Mëkëmbësisë së Përgjithshme në Tiranë: “… Duke ju referuar telegramit tuaj ekspres Nr. 04823/1462, të datës 26, mbi programin për organizimin e prodhimin të një serie filmash me subjekt shqiptar, të komunikoj se në një takim u bisedua kjo me ekselencën, ministrin Çiano, i cili e aprovoi inisiativën, mbasi ajo do të merret në patronazh dhe në të njëjtën kohë do të kontrollohet nga kjo ministri dhe nga qeveria shqiptare. Në këtë mënyrë është oportune që promotorët e kësaj inisiative të marrin kontakte direkte si me Mëkëmbësinë e Përgjithshme, ashtu edhe me Kabinetin Shqiptar.”
Sipas këtyre dokumenteve del e qartë se çfarë kinematografie shqiptare përfaqësonte shoqëria “Tomorri-Film” dhe cilat ishin qëllimet e saj të vërteta që mbuloheshin me demagogji nga jashtë. Siç shprehej qartë, ajo do të ekzaltonte “italofilinë e shqiptarëve dhe do të ilustronte “vëllazërinë” italo-shqiptare, që do të bëhej shembull për popujt e tjerë ballkanikë. Kjo kinematografi “shqiptare” kishte në krye si Këshilltar Politik fashistin Montaneli dhe do të ishte në varësi të Zyrës së Shtypit dhe të Turizmit, që drejtohej nga fashisti tjetër Nikolo Lo Ruso Atoma, i cili gjithashtu më vonë do të bëhej Këshilltar i përhershëm në Ministrinë e Kulturës Popullore në Tiranë.
“Tomorri-Film” e filloi veprimtarinë me bujë, shpalli edhe një konkurs për përgatitjen e aktorëve të filmave që do të përgatiteshin në Qendrën Eksperimentale të Kinematografisë në Romë. U akorduan 6 bursa për djem e vajza. Afati i konkursit ishte 10 ditë për paraqitjen e kandidaturave, si dhe për përgatitjen e dokumenteve që duheshin, duke përfshirë, natyrisht, edhe çertifikatën e garancisë politike dhe qënien anëtar i Partisë Fashiste, njohjen e gjuhës italiane etj.
Nga vetë fakti kush e drejtonte, ku do të përgatiteshin kuadrot, si dhe dokumentet që kërkoheshin nga kandidatët, kuptohet se çfarë do të ishte kjo kinematografi dhe kujt do t’i shërbente.
“Takim në liqen”
Pavarësisht se në përbërjen e kësaj shoqërie kishte edhe ndonjë shqiptar, ajo nuk mund të ishte shqiptare dhe nuk u bë e tillë, sepse nuk mund t’u shërbente idealeve kombëtare. “Tomorri-Film”, me gjithë bujën që bëri për planet e saj, realizoi vetëm filmin “Takim në liqen”. Ky ishte një film i shkurtër (rreth 300 m) i karakterit panoramik, i realizuar në Shen Naum dhe në liqenin e Pogradecit1. Interpretonin K. Antoniu dhe motrat Xhaçka R.: M. Mone.
Në artikullin me titull “Drejt filmit shqiptar” shkruar në vitin 1944, duke ju referuar filmave “Kalorësi i Krujës” dhe “Takim në liqen”, ndër të tjera thuhej: “… Mbas këtij vjen “Takim në liqen”. Lëndë shqiptare, artista shqiptarë, luajtur në Shqipëri. Gjatësia e tij nja 300 m nuk mjafton që të quhet film dhe mbetet pra, një sprovim ose një dokumentar. Edhe këtë 300 m në Shqipëri nuk i pamë.”2.
U bë edhe një përpjekje për të krijuar një reviste kinematografike. Është fjala për revistën “Artistet kinematografikë shqiptarë”, e cila nxorri vetëm numrin e saj të posaçëm më 1 janar 1943 dhe pastaj u zhduk se ishte e parakohshme dhe nuk kishte ç’të trajtonte për kinematografinë dhe aktorët shqiptarë përderisa nuk ekzistonin. Edhe plani për krijimin e kësaj reviste u përgatit nga fashistët që në vitin 1940. Më 10 shtator 1940, në një relacion që i drejtohej drejtorit të përgjithshëm të shtypit nga ana e konsulentit për thuhej: “… po ju parashtroj edhe një ide: do të ishte me mirë të krijohet një reviste kinematografike në bashkepunim me ndonjë element të aftë që ndodhet në Tiranë. Funksioni i kësaj reviste do të jete propagandimi i prodhimit kinematografik kombëtar, ku në veçanti do të jepen lajme për filmat kombëtare dhe të huaj. Nuk përjashtoj se populli shqiptar i ndjek me pasion dhe interes të madh problemet e kinemasë.”3.
Vetëkuptohet se me kinematografi kombëtare dhe prodhim kombëtar kishin parasysh atë prodhim që do të drejtohej nga shoqëria “Tirrenia”, me konsulencë politike të Sesilio Montanelit, Drejtor i Përgjithshëm i shoqërisë “Dante Aligeri” në Shqipëri.