Enveri, sulm shkatërrues për kundërshtarët e Konferencës

260

ARKIVA II/ Enveri merr lejen e munguar nga KQ dhe frikëson kundërshtarët. Kërcënimet e hapura dhe akuzat për komunistë antiparti dhe agjentë të perëndimit

Por Enver Hoxha e kishte ndërprerë fjalimin në një pikë kulmore, natën e së dielës së 15 prillit ’56. Ishte tepër vonë. Pjesëmarrësit duhet të pushonin. Ai vetë po ashtu. E nesërmja ndihej se do të ishte një ditë e tensionuar. Disa nga anëtarët e konferencës kishin “grisur” diskutimet paraprake. Vetëm se këtë herë balancat kishin ndërruar kah. Enver Hoxha nuk e ndjente veten më të kryqëzuar. Falë aftësive oratorike, ai u kishte shpëtuar kthetrave të “armiqve”, që kërkonin kokën e tij. Përpara kishte një natë të errët, ku intrigat nuk mungonin të thureshin. Të nesërmen, ditën e hënë në 16 prill 1956, ai ishte më energjik në atë që replikonte me kundërshtarët….

Mëngjes, e hënë 16 prill 1956

“Tani konferenca ka hyrë në rrugën e vërtetë; ajo duhet të thellohet, të gjykojë dhe të zbulojë frymën dhe qëllimet e këtyre elementëve që çuan konferencën në këtë rrugë. Tani KQ më ka ngarkuar që ta ndihmoj konferencën në këtë drejtim. Tani thonë përse nuk shpejtuam për çështjen e punimit të kultit të individit, siç u shtrua në Bashkimin Sovjetik. Pas një muaji e gjysmë doli artikulli i “Pravda”-s dhe po të mos gabohemi, 10 ditë pas botimit në “Pravda”, doli dhe artikulli i gazetës kineze dhe më vonë ai i Koresë. Në menduam se pas artikullit të “Pravda”-s njerëzit u sqaruan, por po të duan të dinë ata që janë më ortodoksë, mund të themi se duhej edhe ne të bënim një artikull të tillë. Po nuk e kemi bërë. Po vallë mos bëmë ndonjë krim që nuk u shpejtuam?

Pyetjet frontale

E dini ç’thonë buletinet e lajmeve perëndimore: “Të gjithë kanë folur për ndryshimet që kanë ndodhur, kurse Shqipëria, Rumania, Kina, Mongolia, Korea nuk po flasin akoma, domethënë ato janë staliniste, kundër kongresit XX” Atëherë lind pyetja: Ç’e shtyu Vehib Demin të akuzojë udhëheqjen. Po Nesti Zoton ç’e shtyu t’i kërkojë llogari udhëheqjes, gjoja në emër të organizatës bazë. Pasi u sqarua konferenca, erdhi në tribunë shoku Ilias Ahmeti dhe përsëri filloi atakun frontal kundra udhëheqjes. A kujtojnë këta shokë se do t’i lemë këto gjëra të kalojnë kështu? Armiqtë e partisë nuk mund t’i lemë të veprojnë kështu. Kjo nuk është demokraci! Ky është provokacion. Po ç’është kjo udhëheqje që u sulmua këtu? Ajo është udhëheqja që organizoi partinë dhe Luftën NAÇl dhe që po udhëheq popullin në ndërtimin e socializmit”.

Kërcënimi i hapur

“Këtu disa njerëz çdo goditje e drejtojnë kundër udhëheqjes. Pse mos vallë kjo udhëheqje luftoi për një kile oriz ose vaj apo disa kuponë, që tha Ilias Ahmeti. Pse këta njerëz i ruajnë këto gjëra për këtë konferencë. Ç’i shtyri ata të mendojnë kështu. Pse aq kollaj mendoni këta njerëz se do të vihej partia kundër udhëheqjes. Ju që po na flisni këtu si bilbila, mos mendoni vallë se konferenca do t’ju lejojë të kaloni aq kollaj? Jam i bindur se këtu ka pasur disa shokë që thonë dhe shoku Enver u nxeh. Unë nuk e fillova fjalën time me të nxehtë, por me të butë. Por kur shoh një anëtar partie që vazhdon të sulmojë udhëheqjen dhe të turbullojë organizatën, do t’i lë të grijnë këta njerëz? Ata që nuk duan të mirën e partisë, jo nuk do t’i lëmë, nuk është e drejtë. Partinë duhet ta mbrojmë”.

LUFTA E KLASAVE

“Armiqtë, asnjë mundësi për komplote”

Në diskutimin prej 25 faqesh të ish-sekretarit të Parë të KP-së i PPSH-së Enver Hoxha, mes të tjerash thuhet: “Çështja e luftës së klasave për të cilën është bërë edhe një pyetje. Pa hyrë shumë në teori. Sa më shumë forcohemi ne, aq më shumë e kemi dobësuar armikun politikisht e ekonomikisht. Kështu ai nuk është në gjendje të bëjë një luftë klase aq të egër sa dhe përpara. Prandaj Sejfulla Maleshova u përjashtua nga partia. Në rast se dikush thotë se po tani u zbut lufta e klasave. Po atëherë ishte ndryshe. Ç’gjetëm ne pas lufte? Kur partia kërkonte të formonte sektorin shtetëror të ekonomisë dhe tregtinë e jashtme ta marrë shteti në dorë, ai thoshte ta merrnin tregtarët e mëdhenj që jo vetëm nuk duhet t’i kufizojmë por t’u japim dhe kredi, si fjala vjen Shefqet Bejës me shokë që më pas na bënë komplotin. Ai thoshte ta konsiderojmë njësoj si Amerikën e Anglinë dhe Bashkimin Sovjetik. Tani lufta e klasave zbehet se jemi të fortë dhe armiqtë nuk janë në gjendje si më përpara të bëjnë komplote kundër Sigurimit të Shtetit. Por kjo nuk do të thotë se ne do të flemë dhe se armiku i ka hedhur armët”.

Rehabilitimi i kulakëve

“Çështja e kulakëve. Në këtë drejtim është shkelur direktiva e partisë. Ecet në mënyrë të jashtëzakonshme sektare. Partia ka thënë dhe përsëritur “limitim”, limitim dhe limitim ekonomik dhe izolim politik, po poshtë shumë kulakë i kanë likuiduar gjë që nuk ka qenë dhe nuk është e drejtë. Pra është shtrembëruar vija e partisë. Politikisht kulakun nuk duhet ta bëjnë Kryetar të Këshillit të fshatit, po pse ta thërrasësh në mbledhjen e frontit nuk ke bërë gabim, bile ke bërë punën e fillimit të rehabilitimit”.

 KULTI

Enveri pranon gabimet në parim

“Kulti i individit” dhe rrëzimi i tij, ishte një nga pikat më të diskutuara të Konferencës së Tiranës në vitin 1956. Pas ballafaqimit me tezat e Kongresit të XX të Bashkimit Sovjetik, të cilat deri në atë kohë ishin mbajtur “të heshtura”, Enver Hoxha nuk mund të qëndronte indiferent, kur gjithsesi salla e mbushur me delegatë, kërkonte shfajësimin e drejtuesit më të lartë të partisë. Në fjalën e tij Enver Hoxha thotë: “Këtu u ngrit çështja e kultit të individit me të gjitha aspektet e saj përsa i përket personit të Josif Stalinit, masat që janë marrë në Bashkimin Sovjetik, në demokracitë popullore dhe në vendin tonë. Kjo çështje e ka preokupuar dhe vazhdon ta preokupojë partinë tonë. Por këtu u shtrua pyetja se përse nuk u shtrua në partinë tonë kjo çështje? A e ka parë KQ në dritën e Kongresit XX? Këto pyetje janë të drejta. Po ua shpjegoj më gjerë… Ka pasur kult individi tek ne apo jo? Ka pasur dhe do të ketë jo sot dhe mot, por për shumë kohë. Kjo rrjedh nga mbeturinat mikroborgjeze që ekzistojnë në ndërgjegjen e njerëzve, kjo do të thotë që njeriu të bëhet megalloman, mendjemadh, arrogant, mos peshojë zërin e masës, të të pëlqejë mendja, të mendosh se ajo që bëre ti është më e mira. Shfaqje të kultit të individit tek ne kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë”.

Niveli i dytë me kult individi

Duke iu përgjigjur pyetjeve të bëra në Konferencën e Tiranës, Enver Hoxha thotë. “Tani në udhëheqjen tonë ka patur kult të individit? Ka të meta, ka çfaqe mikroborgjeze, mos pandehni se nuk ka, por vendimet kryesore janë marrë në mënyrë kolegjale. Kjo çështje në Komitetin Qendror është observuar me rigorozitet. Ju e dini se nga kreu i bulevardit dhe gjer në fund të tij është shkruar emri “Enver”. Kudo janë ndërtuar buste, ekspozohen fotografi, përdoren epitetet “gjeniali”, “i ndrituri”. Këtë nuk e them për modesti, por mua personalisht nuk më kanë pëlqyer. Po këto gjëra e kanë dëmtuar partinë. Vetëm mendoni kur thotë populli: “Ujët nga lart buron i kulluar, por turbullohet poshtë”. Domethënë nga kjo del se nuk ka si Enveri, se këta poshtë nuk t’i zgjidhin gjërat. Pra gjëra të tilla janë efekte të zhvillimit të këtij kulti. Mos ta marrim çështjen nga ana subjektive. Mirë në Komitetin Qendror nuk ka pasur, po më poshtë ka? Po ka. Ka drejtorë që pushojnë njerëz pa të drejtë, marrin masa arbitrare, hedhin shqelma, ka sekretarë organizatash bazë që sillen në mënyrë arrogante, ka dhe shokë ministra që nuk sillen mirë me punonjësit”.

 

EPILOGU

Ja cilët ishin armiqtë e konferencës

Ish- Sekretari i Parë të KP-së i PPSH-së, Enver Hoxha, në fund të fjalës së tij tha: “Tani si u thashë dhe përpara një çështjeje të tillë nuk është tek shoku Vehib. Partia jonë di t’i nxjerrë lakrat në shesh. Për këtë atak kundër vijës së partisë bërë me rastin e konferencës së saj kanë përgjegjësi shumë të rëndë dhe janë në pozita thashethemesh armiqësore kundër partisë:

Pëllumb Dishnica

Hulusi Spahia

Pajo Islamaj

Niazi Jaho

Nesti Zoto

Vehib Demi

Peço Fidhi

Ihsan Budo

Iljaz Ahmeti

Këta shokë kurrë nuk kanë qenë në rregull me vijën e partisë, me gjithë ndihmën që i ka dhënë partia jonë. Çështja e këtyre shokëve të shikohet në mënyrë të posaçme në organizatat e tyre”.

 

MOSPRANIMI

Enver Hoxha nuk pranoi të rehabilitojë asnjë nga shokët e tij të vjetër të luftës nën frymën e re të tolerancës. Atmosfera e Kongresit të XX-të të PKBS nuk arriti të dominonte në Shqipërinë socialiste. Në zbutjen e luftës së klasave, ai kërkon të tregojë se “armiku është dobësuar”, por jo se kundërshtarët e vijës së partisë, që kishin tentuar ta bënin një gjë të tillë 10 vite më parë, kishin pasur plotësisht të drejtë në kohë dhe hapësirë. Në këtë mënyrë ata e kishin marrë dënimin sipas aktualitetit.

SHËNJESTRA

Pas kthesës së bërë në Konferencë kanë marrë fjalën në favor të Enver Hoxhës dhe duke sulmuar të sulmuarit prej tij: Ramiz Alia, Ndreko Rino, Milo Leka, Ismail Uznova, Myqerem Fuga, Ligor Harrizi, Maqo Çomo, Hapi Përpunja, Petro Dodi. Diskutimet janë bërë bënë në seancën e VI të Konferencës, nën frymën e goditjes së armiqve, të cilët sipas tyre kërkonin të konfrontonin partinë me udhëheqjen e saj. Ndërsa në shënjestër u vunë: Pëllumb Dishnica, Hulusi Spahia, Pajo Islamaj, Niazi Jaho, Nesti Zoto, Vehib Demi, Peço Fidhi, Ihsan Budo, Iljaz Ahmeti.

Sulmi i Ballukut: “Fiqret Shehu nuk zbuloi dot armiqtë”

Duke mbajtur dukshëm anën e Enver Hoxhës, i deleguari i Komitetit Qendror, Beqir Balluku u drejtohet rebeluesve të Konferencës III Tiranës: “Si goditet udhëheqja e partisë? Në një mënyrë të hollë, në një mënyrë prej faraoni. Kundër udhëheqjes sonë flet Vehib Demi. Ato që thotë BBC-ja, ai i solli në konferencë. Gjoja në emër të organizatës bazë të radio Tiranës”. Ndërkohë në fjalimin e tij Enver Hoxha ishte shprehur: “Të thuash se ajo është në gjendje të mjerueshme do të thotë të sjellësh këtu parullat e Radio Londrës dhe të Zërit të Amerikës”. Më pas Beqir Balluku porosit: “Duke shkuar poshtë sqaroni anëtarët e partisë hapur se si u zhvillua kjo konferencë. Ç’punë bëri kjo, por me konditë që konspiracioni të ruhet”. Në këtë mënyrë Konferenca III e Tiranës u mbajt nën trysni që atmosfera e saj të mos kishte mundësi të përfshinte hallkat e tjera të organizatave bazë, për më tepër ajo të mos bëhej publike në pjesën tjetër të popullit, e cila nuk bënte jetë partie. Por Sulmi i Ballukut do të vazhdonte: “Përgjegjësi për gjendjen e krijuar në organizatën e qytetit të Tiranës ku sekretar i Parë i Komitetit të Partisë është shoqja Fiqret Shehu, që është përgjegjëse kryesore. Por përgjegjësi kanë dhe sekretarët veç e veç. Një mungesë tjetër e madhe ka qenë ajo e një pune të fortë kolektive në mes tre sekretarëve Vasil Miçit, Midhi Vjeros dhe Niazi Jahos. Sekretari për propagandën, shoku Njazi Jaho, ka qenë dhe është në pozita antiparti. Ai në mënyrë negative ka influencuar, ka futur pikëpamjet e tij tek sekretarët Vasil Miçi dhe Midhi Vjero. Para një situate të tillë shoqja Fiqret Shehu, sekretare e parë nuk ka marrë masa, nuk ka mundur të zbulojë një gjë të tillë të sëmurë dhe të vejë situatën në vend. Situata e krijuar në Komitetin e Partisë krijoi atë që të shtunën në mëngjes, në këtë konferencë, elemente me qëllime të caktuara anti- parti, tentuan dhe takuan vijën e partisë, ato hodhën shpifje të ulëta kundër udhëheqjes së partisë. Ku u zhvilluan këto pikëpamje të sëmura antiparti? Në organizatën bazë të Ministrisë së Industrisë vetëm? Jo. Zhvillimi i konferencës vërtetoi se sëmundja prej kohësh ka ekzistuar në: Ministrinë e Industrisë, Radio Tirana, Kinostudio e disa të tjera. Tendenca të theksuara antiparti dhe me atake demostrative kundër vijës së partisë u shfaq në Konferencë Vendush Vinçani i organizatës bazë të Komitetit Qendror. Siç u vërtetua në konferencë nga demonstracionet e bëra, kjo na tregon se edhe në Ministrinë e Tregtisë dhe Bujqësisë ka pyetje tendencioze që nuk justifikojnë veten. Nuk është ekzakt të themi siç tha shoqja Fiqerete se, këtu ka një “komplot të madh”. Kjo nuk është kështu. Ta shikojmë me masën që është, pa e zvogëluar as pa e zmadhuar”.

 

Nga: Leonard Veizi