Fitim Çaushi: Nga Liceu i Gjirokastrës ranë dëshmorë 67 të rinj dhe 4 Heronj të Popullit

Në 100 vjetorin e Gjimnazit “Asim Zeneli”

– Si u larguan nga Gjirokastra profesorët e Liceut Shtetëror: Zini Sako, Kadri Baboçi, Siri Shapllo, Fotaq Kekezi dhe mësuesja Qibrie Ciu

Sigal

Është shkruar vazhdimisht për frymën antifashiste dhe patriotike të nxënësve të Liceut të Gjirokastrës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për të sjellë atmosferën e atyre viteve heroike, po sjellim disa dokumente të Arkivit Qendror të Shtetit. Më 28 Nëntor 1941, me rastin e ngritjes së flamurit, u organizua në Gjirokastër manifestimi i madh nga nxënësit e shkollave. Kuestori i Gjirokastës, Q. Sefa, më 3 dhjetor 1941, njoftonte Prefekturën: “Më datën 28 Nëntor, mbas mbarimit të ceremonisë në sheshin “Çerçiz Topulli”, studentët dhe studentet ktheheshin rregullisht në shkollë…Në kohën që komandanti i Divizionit të Fanterias “Parma”, mbrinte në Prefekturë, një agjent i Sigurisë Publike, lajmëron, se afër kështjellës asht tue u përgatitun një demostratë. Në kreun e tregut, demostruesit u rrethuan dhe u thirrën të shpërndahen, sepse mbanin flamurin pa shenjat e Mbretnisë. Korteu i mbyllur nga forcat publike u shoqnue deri në gjimnaz…U pa mungesa e paaftësisë e z/drejtorit të konviktit Siri Shapllo…Të padisiplinuar janë treguar nxanësit e klasave të larta të Liceut dhe të gjimnazit dhe katër vajza të klasës së katërt të Gjimnazit me flamur në duar. Ishte parë mungesa e interesimit të mësuesve. Propozojmë dëbimin nga të gjitha shkollat e Mbretnisë të nxanësve, sepse mbajtën qëndrim të pathyeshëm kundrejt funksionarëve, oficerëve dhe agjentëve të karabinerisë të Mbretnisë në shërbim e sipër. Sa mbaroi ceremonia zyrtare në “Sheshin e Çerçizit”, demostruesit në këtë manifestim politik, hodhën parulla: “Poshtë fashizmi”! “Rroftë Shqipëria e Lirë”! Këngët patriotike shoqëroheshin me valëvitjen e flamurit shqiptar pa sëpatat e lektorit, të cilin e mbante në duar nxënësja e gjimnazit, Nurie Çiço. Mes demostruesve dhe fashistëve u zhvilluan përleshje. Prefekti Naraçi në raportin e tij dërguar Ministrisë së Brendshme, propozonte që të pushoheshin nga puna mësuesit pjesëmarrës në demostratë.

Nxënëset dhe nxënësit e propozuar për përjashtim nga shkolla, ishin: Nurie Çiço, Firdes Toto, Evanthi Duda, Nezaqet Skënduli, Dilaver Karagjozi, Astrit Sako, Sotir Papuli, Hasan Metuli, Ali Rexha-Gjakovë, Riza Doda-Peshkëpi, Dimush Thaçi-Gjakovë. Këtë manifestim, Ministria e Punëve të Brendshme, më 12 dhjetor 1941, ia njofton Ministrisë së Arsimit: “Për këtë indisiplinim jemi të mendimit të merren masa disiplinore. Sa për profesor Siri Shapllon, z/drejtor i konviktit, të ndëshkohet disiplinarisht tue u largue nga Gjirokastra. Nuk qe i zoti, ose nuk deshi, me i detyru nxanësit me ndenjë ditën e festës brenda.” Për demostratën e 28 Nëntorit 1941, drejtori i shkollës, Babamusta, njoftonte Ministrinë e Arsimit: “Nxënësit e liceut morën pjesë në ceremoni dhe u kthyen në shkollë në rregull, tue këndue këngët e brohorit “Rroftë Skanderbeu”, “Rroftë Liria”! Një nxanës që u ndalua, u lirue menjëherë”. Pasojat e këtij manifestimi do të binin mbi z/drejtorin Siri Shapllo, i cili më 29 Nëntor 1941, i përgjigjet Kuesturës Mbretërore Gjirokastër: “Me përjshtime të pakta muarën pjesë në demostratë të gjithë konviktorët, të cilët na duken se janë fajtorë sa njeri dhe tjetri. Gjer nashti s’kemi mundur të zbulojmë në ka patur organizues të demostratës, sikurse bën fjalë shkresa juaj. Në këto rrethana Ministri i Brendshëm i drejtohet Ministrisë së Arsimit për të marrë masa ndaj drejtorit Siri Shapllo. Në dhjetorin e vitit 1941, Gogo Nushi solli në Gjirokastër thirrjen historike të formimit të PKSH, e cila përmbante programin e Partisë për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Thirrja ftonte popullin të rrëmbente armët dhe të luftonte kundër pushtuesit të huaj për çlirimin e Shqipërisë. Pas Konferencës së I të Organizatës së PKSH, që i zhvilloi punimet në 21 shkurt 1942, në shtëpinë e Sado Naipit, në lagjen Dunava, u zgjodh Komiteti Qarkor i Partisë: Bedri Spahiu, Bajram Sinoimeri, Muzafer Asqeriu, Nebaet Bakiri dhe Sejdi Haxhialiu. Mësuesi veteran Azis Hoxha ka shkruar: “Ishin ditët e para të marsit 1942. Populli i qytetit, nën drejtimin e Qarkorit të Partisë dhe forcave antifashiste, organizoi demostrata dhe protesta kundër pushtuesit. Manifestimi i 6 marsit 1942, u kthye në një demostratë të fuqishme antiitaliane. Drejtoria e gjimnazit kishte organizuar një shëtitje në kodrat përballë qytetit. Gjimnazistët kishin marrë me vete trakte dhe broshura ilegale. U kënduan këngë revolucionare dhe u futën në qytet me flamurin në krye. Kjo entusiazmoi tërë qytetin. Prefekti, Faik Quku, më 8 mars 1942, do të informonte Ministrinë e Brendshme në Tiranë: “Liceu i këtushëm bashkë me shkollën e punës kanë ba një shëtitje të jashtme në mëngjes deri në mbamje. Në kthim kanë kalue nëpër qytet tuj këndue kangë kombëtare. Kur kanë arritur te Liceu dhe ishin tuj u shpërnda, marrshalli i kuesturës, bashkë me agjenta të tjerë, që ndjekin lëvizjet e studentëve, tuj kujtue se po këndoheshin kangë subversive, ndërhynë në mes studentave tuj kërkue pushimin e kangëve dhe shpërndarjen. Prof. Aqif Selfo merr përsipër shpërndarjen, por 30 metra në drejtim të pazarit, marshalli tuj kujtue për ndonjë manifestim shkon me ndal ecjen e grupeve të studentëve. Një studente e vogël, Nurie Çiço, bërtet “ Rroftë Shqipëria”! Marshalli e kap vajzën me të dyja duart dhe ia dorëzon agjentave. Profesorët ndërhynë me të mirë për me e shpëtue vajzën, marshalli qet pushkë në ajër dhe urdhëron ndërhyrjen e agjentave. Fillon një përleshje me grushta mes profesorëve, studentave dhe agjentave të policisë. Prej fuqisë publike janë hedh edhe disa pushkë e kështu studentët janë shpërnda. Agjentat arrestuan dy vajza: Nurie Çiço dhe Firdez Toto, studentin Njiazi Deda, profesorët Aqif Selfo, Zihni Sako, Kadri Baboçi. Profesori Zihni Sako ishte shumë i rrahur dhe është përcjellë mes pazarit me duar të lidhura me zinxhir. Aqif Selfo me nga një grusht që kishte marrë në sy dhe prapa kokës, ishte shtrirë pa mend për tokë dhe e kishte syrin me plagë e hundën me gjak. Kadri Baboçi kishte synin t’ajtun e të plagosun. Vajzat u liruan rrugës, të tjerët u mbajtën në proces, në arrest. Profesorët Kadri Baboçi, Zihni Sako u liruan në mes natë, studenti u lirue dje dhe Aqif Selfo sot mbas dreke. Rezulton se një kangë subversive asht këndue… Elementi i policisë ka diskretitue profesorët e arrestuem në mes të popullit.”

Nxënësit protestuan për shokët dhe mësuesit e arrestuar. Për të mos u ashpërsuar më shumë gjendja, autoritetet fashiste deklaruan, se do të plotësonin kërkesat e tyre. Demostrata ngriti lart moralin dhe hovin revolucionar të gjimnazistëve dhe të popullit të qytetit. Drejtori i gjimnazit më vonë do të shkruante: “Efektet psikologjike të demostratës qenë shumë të thella e të pakorigjueshme.”(AQSH, f. 152, Relacion dt. 24 prill 1942) Më 10 mars kuestori i Gjirokastrës i kërkoi Ministrisë së Punëve të Brendshme të merreshin masa ndaj arsimtarëve dhe nxënësve, kërkesë që Ministria ia dërgoi drejtorisë së shkollës, për të “zbatuar masa të rrepta ndaj profesorëve, ashtu edhe ndaj nxënësve gjer në përjashtim. Me këngët patriotike rinia gjirokastrite forconte ndërgjegjen antifashiste të banorëve të qytetit. Dhjetë ditë pas kësaj demostrate, më 17 mars 1942, u zhvillua një manifestim antifashist në Mashkullorë, në përkujtim të luftës së çetës “Çerçiz Topulli” kundër forcave turke. Autoritetet fashiste u përpoqën që këtë ngjarje ta shfrytëzonin për interesat e tyre, prandaj nuk lejuan pjesëmarrje të lirë, veçse me të ftuar.

Gjimnazistët, të shoqëruar edhe nga pjesëmarrës të aktivit të rinisë së qytetit, në orën 3 të natës marshuan rrëzës së Malit të Gjerë për në Mashkullorë. Mbi rrapin e madh u ngrit flamuri kombëtar, në fushën e të cilit lexohej: “Sot valon në zemrat tona, nesër i lirë në malet e Shqipërisë”, qëndisur nga duart e vajzave të gjimnazit. Fashistët nuk e prisnin këtë organizim dhe u ndodhën para një të papriture! Kur fashistët e kryen formalisht ritin zyrtar, u nisën në shtëpinë e një fshatari për të ngrënë drekë. Turma njerëzish që mbushnin sheshet dhe brigjet, u nisën për te rrepet, tek hauri, ku kishte luftuar çeta, duke kënduar këngën “Për Mëmëdhenë”. “Nga mesi i turmës del një burrë veshur me një kapardinë të zbardhur e që mbante në kokë një borselinë. Turma u dendësua më shumë e kënga buçiti më fortë. Fliste oratori Mustafa Matohiti për luftrat e lavdishme të të parëve tanë kundër pushtuesve…”

Pas manifestimit të Mashkullorës, u thirrën në kuesturë shumë nxënës dhe u bënë arrestime për të zbuluar organizatorët e këtij manifestimi. Disa ditë më vonë, më 22 mars 1942, Prefekti i Gjirokastrës, Faik Quku, i dërgon Ministrisë së Punëve të Brendshme: “Drejtoria e Liceut njofton, se një përfaqësi nga nxanësit kanë lajmërue, se nuk do të vijnë në shkollë për përjashtimin e nxanëses Nurie Çiço. Për t’i dalë para ndonjë ngjarjeje, sepse nesër është ditë pazari, Liceu do të pezullojë mësimet.”(AQRSH, F.152, d.261, f. 23) Zhvillimi i gjithanshëm që mori LANÇ ngjalli shqetësime serioze në radhët e pushtuesve fashistë dhe në organet e pushtetit kuisling. Këta intensifikuan ndjekjet, arrestimet dhe burgosjet e antifashistëve: Zija Shapllo, Selaudin Cano, Gole Bashari, Lame Zeko, etj. Ishin në kërkim Zihni Sako, Niko Kekezi, Braho Tato, Haxhi Progonati, Marin Hashorva, etj. Me qenë se nuk u kapën ata, u arrestuan nënat e tyre. U kontrolluan shtëpitë e Qibrie Ciut, Nebahet Bakirit, Faro Xhangos, Faro Muçës. (AQP, F. 17, d. 12, f. 61) Në këtë kohë në gjimnaz ekzistonin katër grupe edukative të rinisë komuniste. Një ndihmë dhanë të rinjtë dhe të rejat, që studionin në shkolla të mesme në qytete të tjera, kur ktheheshin me pushime si: Esheref Pume, Flamur Nishani, Andon Hadëri, Karafil Hadëri, Munir Kokalari, Murat Angoni, Muhamet Bakiri, Piro Kondi.(AKPGJ,

Historia e Luftës Antifashiste në rrethin e Gjirokastrës …” Xhevat Korça kërcënonte popullin me një qarkore policore: “Kjo gjendje e vajtueshme që mund të keqësohet më tepër, e që mund të shkaktojë mbylljen e shkollës së mesme, nuk mund të durohet më gjatë. Prindërit t’i shtrëngojnë fëmijët e tyre që të rrinë urtë. Ai prind që i shmanget kësaj detyre, do të quhet bashkëfajtor e përgjegjës për çdo vepër turbullimi.”( Qarkore e Ministisë së Arsimit, maj 1942.)

Më 10 prill në Gjirokastër shpërtheu demonstrata e bukës, e cila u përsërit edhe në qershor, një popull i tërë thërret: Duam bukë! Partia Fashiste e Gjirokastrës, më 9 qershor 1942, njofton ministrin sekretar të Partisë Kombëtare Fashiste, Kol Bib Mirakaj: “Më 8 të këtij muaji, një turmë e përbërë prej më tepër se 200 veta, bëri një manifestim përpara prefekturës, duke thirrur “Bukë! Bukë!” Një nga përfaqësuesit e prefekturës, Ndoc Bushati, u kap prej protestuesve, të cilët me egërsi i kërkonin informata ku ishte fshehur mielli…”(AQSH, F. 152, d. f. 37) Një detaj jetësor, për këtë ngjarje, na tregoi prof. Ali Xhiku: “Galipi, djali i Hasan Xhikut, kishte një dyqan në Qafë të Pazarit. Në mes të demonstruesve, që bërtisnin “Duam bukë”, ishte edhe vajza e tij, nxënëse e Liceut. U revoltua! Vajti në shtëpi dhe i thotë të shoqes: “Ç’bukë kërkon vajza jonë? Ngriti pazarin në këmbë: “Dua bukë!! S’ka bukë shtëpia”?! Ky detaj, tregon punën e madhe propagandistike që kishte bërë trupi pedagogjik i Liceut të Gjirokastrës me nxënësit. Pas çdo organizimi të njësiteve guerile, qeveria fashiste jepte goditjet e saj; z/drejtori Fr. Seçhi, njofton Ministrinë e Arsimit: “Këshilli i profesorëve, më 28 prill 1942, përjashton nga shkolla Izmini Papajanin dhe Abdurahman Afuzin, Qamil Buxhelin dhe Delmush Thaçin”.(AQSH, F. 195, d. 189, f. 6). I lexova me shumë emocion dokumentat e manifestimit të rinisë shkollore në Mashkullorë, sepse m’u kujtua vizita në shtëpinë e Nurie Çiços në Tiranë, në vitin 1988. Isha së bashku me Shahin Bistrin për të kërkuar disa kujtime për mësuesin e muzikës në gjimnazin e Gjirokastrës, Artistin e Popullit Mustafa Krante, me të cilin do të organizonim një veprimtari kulturore në Mashkullorë, për manifestimin e marsit të vitit 1942. Znj. Nurie Çiço, ishte një grua energjike me një kulturë të gjerë dhe kujtesë që na emocionoi. Komunikimi dhe thjeshtësia e saj, na ç’kontraktoi dhe ne e pyetëm mjaftueshëm për atmosferën e kohës në Liceun e Gjirokastrës. Gadishmëria e saj e etur për të na folur për Gjirokastrën, na dha informacion të bollshëm. Na foli me adhurim dhe nostalgji për mësuesit e Liceut, për shoqet e saj dhe për lëvizjen ilegale në qytet dhe veçanërisht në Dunavat, terren i përshtashëm për luftën ilegale. Mes shumë emrave dhe bazave ilegale, kujtoi edhe familjen e Adet Meros, tregoi, se disa herë kishte shpëtuar nga ndjekja e fashistëve e strehuar pikërisht tek Adeti: “Atje ndjehesha e sigurtë dhe shpesh gdhiheshim së bashku me Bulen. Në mëngjes dilnim vonë nga shtëpia veç e veç, të shoqëruara nga Adeti, si për të bërë ndonjë psonjë dhe ashtu heshturazi shkonim në shtëpi. Një natë zhurmat në lagje nuk pushuan, Adeti ndjehej shumë e shqetësuar. Në mëngjes më veshi një fustan të vjetër mbi fustanin tim, më lidhi shami të zezë në kokë nga ato që lidhin gratë e moshura e plakat gjirokastrite, dhe më përcolli tek shtëpia e një kushëriri, për të mos rënë në sy shtëpia ime. Piu një kafe dhe u largua, sikur kishte ardhur për gjitonllëk. Kur shkoja në Gjirokastër pas çlirimit e takoja Adetin, me merak pyeste: “E keni parë gjë Toren?” Po Violetën, që i fekste siri binadalës! Mbi të gjitha ajo nuk harronte Bule Naipin, të cilën disa ditë para se ta arrestonin e përcolli deri tek porta me një copë bukë e djathë e, duke e përqafuar i tha: “Bule të keqen, ki mendjen e ruaj kokën, se janë kohë të liga” Në këto rrethana, kur veprimtaria antifashiste në Gjirokastër ishte intensifikuar, hiqet prefekti Faik Qyku, dhe në vend të tij emërohet Tahir Kolgjini. Prefekti i ri, një muaj pas emërimit në detyrë, më 13 korrik 1942, i shkruante Ministrisë së Brendshme: “Jam ndodhur fatkeq që gjendja më është dorëzuar shumë e vështirë…do të marr masa të rrepta.” Për të përforcuar situatën, në gusht u dërgua si inspektor i përgjithshëm për prefekturën e Gjirokastrës, Javer Hurshiti. Mbas Rezolucionit të Konferencës së Jashtëzakonshme të qershorit, për forcimin e punës me organizatën e rinisë, Komiteti Qarkor i kushtoi rëndësi krijimit të bazave ilegale: shtëpia e Aqif Xhangos, Bule Naipit, Dhimo Basharit, Haki Toskës, Halkim Dumit, Kadri e Sheri Baboçit, Mero Bijës, Muzafer Asqeriut, Nebaet e Velo Bakirit, Pertef Kokonës, Sejdi Haxhialiut, Asim Meros, Zija Tauzit, etj.(AKPGJ , Histori e rrethit të Gjirokastrës) Lufta Antifashiste në Gjirokastër, si dhe në tërë Shqipërinë, pati heronjtë e vet; më 10 korrik 1942, ra në luftë kundër fashistëve Muzafer Asqeriu, anëtar i Komitetit Qarkor të Partisë. Varrimi i organizuar nga aktivistët e lëvizjes antifashiste, ishte madhështor, ndonëse kortezhi shoqërohej nga forca të karabinerisë. Më 25 korrik 1942, gjeneral komandant i Lugotencës, Aleksandro Biscaçianti, njofton Mëkëmbësin e Mbretit dhe Këshillin e Ministrave: ”Në funeralin e organizuar me rastin e vrasjes së Muzafer Asqeriut, vrarë në përpjekje nga trupat e karabinerisë, morën pjesë 300 persona, mes tyre edhe shumë gra, që e shoqëronin me vajtime sipas traditës. Fjala e Qemal Karagjozit, përgatitur nga studentët gjirokastritë, ngjalli revoltë kundër Italisë, Gjermanisë dhe Qeverisë fashiste shqiptare. Foli edhe e fejuara e Muzafer Asqeriut, e cila hodhi parulla për solidaritet.”( AQRSH, F. 441, d. 846, f. 99) Arkivolin e Muzafer Asqeriut e shoqëruan 2000 vetë, duke e kaluar nëpër Manalat, rreth kalasë dhe mespërmes pazarit. Ishte një kortezh funebër tepër impozant. Pas arkivolit vinin tre kurora me lule dhe grupi i madh i studentëve të Liceut. Në ditët që vijuan u arrestuan 40 pjesëmarrës në kortezh.( AQP Fondi MPB , shkrsa nr, 3502, dt 20. maj 1942). Ky varrim, i cili u kthye në një demostratë të vërtetë antifashiste, i tmerroi fashistët italianë dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët panë një popull të tërë në shtigjet e luftës së armatosur. Më datën 8 tetor 1942, prefektura i përgjigjet, se nuk e përballon dot lëvizjen antifashiste në Gjirokastër. Vetë Ministri i Brendshme po atë ditë njofton Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Tiranë: “Prefektura e Gjirokastrës na shkruan, se nuk mund me mbajt rendin me fuqinë që disponon. Kërkon të formohen katër roje komande.” (AQSH, F. 152, d. 36, f.11) Prefekti bëri përpjekje për krijimin e dy batalioneve me milicë nga Shqipëria e Veriut, kërkoi dy kompani të viheshin në dispozicion dhe një fond sekret për ta përdorur për kapjen e të arratisurve kryesorë.( AQSH, F.152, d. 36, f. 12)

Autoritetet italiane përpiluan listën e antifashistëve që do të arrestonin në Gjirokastër: Faredin Muço, Zenel Muço, Fijaet Fino, Shemzi Totozani, Ibrahim Zverku, Bedri Spahiu, Kadri Baboçi, Siri Shapllo, Niko Kokalari, Zihni Sako, Sejdi Haxhialiu, Bajram Sinoimeri, Hadër Hicka, Sejdi Sinoimeri, Nedin Kallanxhi, Petrit Muslli, Tahir Kadare, Reis Çami, Ihsan Bozgo, Enver Hoxha, Reshat Çani, Selaudin Çani, Xhavit Muço, Fahredin Xhango, Jani Mosko, Arshi Lengo, Jonus Shehu, Astrit Toto, Daut Shapllo, Esat Selfo, Izmini Papajani, Tomor Baboçi, Alush Garaçi, Hamza Xhiku, Kapo Baco, Liri Gega, Niazi Hadëri, Karafil Hadëri, Shyqyri Zani, Shemsho Baboçi, Skënder Musta, Azis Hoxha, Subi Bakiri, Rasim Bozgo, Astrit Gega. Në krah të çdo emri shkruhej motivacioni: “Propagandist me ide komuniste”, “komunist i rrezikshëm”, “ka marrë pjesë në sulme kundër ushtrisë”, “Është arratisur, se e priste burgosja”. Për Enver Hoxhën shkruhej: “I arratisur komunist. Është i dënuar me vdekje nga gjykata e posaçme për delikte të rënda kundër shtetit.”  Më 3 tetor 1942, Inspektori i Përgjithshëm i Kryeministrisë Javer Hurshiti njoftonte Kryetarin e Këshillit të Ministrave, Mustafa Krujën: “Me mijra komunistë të lirë ndodhen në qarkun e Prefekturës dhe punojnë fshehurazi. Qendra kryesore e këtyre është qyteti i Gjirokastrës dhe në shkallë të dytë Kurveleshi i Poshtëm. Bashkëpunojnë me këta një shumicë e madhe grekofonësh… Nëse nuk do të merren masat që do të propozojmë më poshtë, aktiviteti i tyre do të shtohet shumë. Populli i qytetit të Gjirokastrës i gënjyer prej komunistëve dhe grekomanëve, është i tëri, me fare pak përjashtim, kundra Regjimit të soçmë dhe mund të kategorizohet kështu: 50% komunistë, shumica të rinj e të reja, 40% anglofilë që besojnë se vetëm Anglia mund ta bëjë Shqipërinë me të vërtetë indipedente, 5% indiferentë, 5% anëtarë të Regjimit të soçëm, por këta të fundit nuk kanë aspak kurajë që të shfaqin sheshazi mendimin e tyre. Mund të themi se 90% e popullsisë së qytetit të Gjirokastrës, janë kundra Regjimit të soçmë, dhe bëjnë gjithë ç’u vjen për dore për të sabotuar aktivitetin e Qeverisë…”( AQSH, Fondi 149, 1942, D. I-289, f. 16-19) Terrori fashist ishte në ngritje, Sekretari i Përgjithshëm i Lugotencës, Barbariç, më 29 prill 1943, njofton Ministrinë e Punëve të Brendshme: “Na është komunikuar nga Luogotenca që në 16 prill janë larguar nga Gjirokastra profesorët e Liceut Shtetëror: Zini Sako, Kadri Baboçi, Siri Shapllo, Fotaq Kekezi dhe mësuesja Qibrie Ciu. Qendra dëshiron të dijë çfarë masash janë marrë.“ (AQSH, F.153, d. 295, f. 188) Nga egërsia e fashistëve, shumë antifashistë hidheshin në ilegalitet. Këtë realitet, Kuestori, Koço Muka, më 15 maj 1943, ia njofton Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë: “Profesorët Zihni Sako, Kadri Baboçi, drejtori i konviktit, Siri Shapllo, profesor Kekezi e mësuese Qibrie Ciu më 17 prill janë larguar nga detyra. Më 3 korrik 1943, Siri Shapllo braktis detyrën dhe bashkohet me forcat  partizane”. Institutori Naqe Kutra, më 19 prill 1943, njofton Ministrinë e Arsimit: “Qysh në datën 16 të këtij muaji, nxënësit bursistë Qazim Pali, Qamil Buxheli dhe D. Thaçi, janë larguar nga ky konvikt me lejen e zv/rektorit Siri Shapllo.” Të gjithë të “arratisurit” nga Liceu i Gjirokastrës shtonin radhët e ushtrisë partizane, prej së cilës ranë dëshmorë 67 të rinj dhe 4 Heronj të Popullit.