Bardhyl Berberi/ Ç’shkruhet për Enver Hoxhën dhe Lasgushin në dokumentin zyrtar?

756
Në Drilon takova një mikun tim të vjetër gazetar, i cili mbante në dorë një guidë. “Pogradeci, çelësi turistik” është një guidë e fundit që unë nuk e kisha parë. Pasi u përshëndetëm më thotë se ka ardhur në Drilon të flejë një natë tek dhoma që ka fjetur Enver Hoxha. Mbeta i habitur dhe më pas i them mikut tim se Enver Hoxha nuk ka fjetur asnjë natë në Drilon. Ai këtu vetëm vinte në formën e piknikut, qëndronte disa orë dhe më pas shkonte tek vilat tek rezidenca qeveritare në Pogradec. Bashkimi hapi guidën në faqen 73 ku shkruhej:
Në dhomën e Enver Hoxhës (citojmë pikë për pikë faqen e guidës)
“Deri në vitin 1990, viti i rënjes së sistemit komunist, një pjesë e Drilonit konsiderohej si zonë e ndaluar për popullin e thjeshtë. Enver Hoxha kalonte këtu pjesën më të madhe të periudhës së nxehtë të vitit dhe për të ishte ndërtuar një vilë prej guri dhe druri. Vendi i preferuar i udhëheqësit komunist tani është shndërruar në një hotel privat ku janë bërë jo pak ndryshime. Falë një pagese që shkon deri në 40 euro, mund të shijoni një natë në dhomën dyshe ku flinte Enver Hoxha. Hoteli ka një atmosferë të ngrohtë dhe në të gatuhen gjellë të vendit dhe të guzhinës ndërkombëtare. Natën pylli rreth hotelit krijon një atmosferë të magjishme. Heshtjen e thellë e prish vetëm zhurma e ujit që vazhdon të rrjedhi drejt liqenit. Një natë në vilën e Enver Hoxhës me të vërtetë që ia vlen”.
Ky ishte tektsi i guidës. Ngela i shtangur. Çfarë ke, më thotë miku im, unë kam qenë i përndjekur dhe në djall të shkojnë 40 euro do të fle një natë në krevatin e diktatorit. Ti fli, i them unë por kur vinte Enveri këtu nuk ka patur hotel. Hoteli është ndërtuar pas vitit 1998 dhe Enveri sikur ka vdekur në vitin 1985, pra plot 13 vjet pasi ai ishte ndarë nga kjo jetë! Miku im shtangu, por shtanga dhe unë. Hajde mbroçkulla, thashë me vete, deri ku shkon reklama dhe mashtrimi. Ai më ndiqte pas qejf prishur duke më përsëritur të njëjtën frazë: a je i sigurtë që nuk ka fjetur Enveri?! 
Kjo është padrejtësi, vjen tjetri nga Tirana, blen nje guidë dhe beson tek kjo guidë zyrtare në shqip dhe anglisht ….dhe ngelet i hutuar dhe qorollepsur nga një mashtrim zyrtar…
Mirë, atëhere, më tha kolegu, eja të pish një ponç nga të Lasgush Poradecit e të mbledhim mëndjen.
Po këtë nga na e shpike, i them unë. Ja ku e ke, më tha, tek “Çelësi juaj turistik”. Kolegu hapi guidën në faqen 50 dhe më lexoi:
“Pasi shëtiste buzë liqenit, Lasgush Poradeci ulej tek hoteli i madh dhe bëntë një porosi të veçantë. Vetëm pasi e merrte atë, ulej dhe shkruante mbi blloqet e tij poezitë që e bënë të famshëm. Porosia e tij ishte: Dy gota raki e fortë rrushi perlë e përzier me ujë të ngrohtë dhe pak sheqer. Që nga koha kur e pinte Lasgush Poradeci kjo lloj pije u quajt nga kamarierët e vjetër ‘Ponçi Lasgush’. 
Më poshtë guida vazhdon …
“Provojeni një herë, mbase me anën e tij mund të zbuloni edhe talentin tuaj të fshehur prej shkrimtari. ‘Ponçi Lasgush’ i shoqëruar me një kafe të fortë turke bën mirë si në mëngjeset e freskëta anës liqenit gjatë verës, ashtu edhe në ditët e ftohta me dëborë. Sot në Pogradec të gjitha lokalet ia dinë formulën kësaj pije të veçantë. Por duke porositur atë, do të keni rast të provoni edhe nëse ata që iu shërbejne janë pogradecarë të vërtetë e të vjetër apo jo”.
Kolegu im u rropat lokal në lokal por ponçin e Lasgushit nuk e gjeti asgjëkundi, ajo ekzistonte vetëm në “Çelësin turistik të Pogradecit”…
Të nesërmen kishte vendosur të shkonte në Manastirin e Shën Naumit, edhe kjo një reklamë nga çelësi turistik. Në faqen 39 të po këtij celësi turistik, tek kapitulli “Çfarë mund të vizitoni në Pogradec? Ështe planifikuar edhe një vizitë në manastirin e Shën Naumit ku ndodhet një kishe e vogël dhe brenda saj varri i Shen Naumit” …dhe më poshtë jepen vlerat unikale të afreskeve dhe ikonastaseve që ndodhen aty të gdhendura qysh ne vitin 1711. Aty ndodhet edhe varri i Shën Naumit, një dishepull i shek X …
Mirë, i them kolegut tim, të vaftë rruga e mbarë, por a ke siguracion ndërkombëtar për makinën pasi Manastiri i Shën Naumit ndodhet në pjesën maqedonase të kufirit …Si për t’i freskuar kujtesen i them se ti e di që atë e ka shitur Ahem Zogu tek fqinjët që në kohën që ishte mbret ë Shqipërisë!…
-Edhe, ma preu me gjysëm zëri kolegu ….
– Bli një siguracion ndërkombëtar për veturën që kushton 400 e ca euro dhe shko vizitoje manastrin e Shën Naumit.
Miku im u zbardh si ato statujat e Greqisë duke mbajtur “Çelësin turistik të Pogradecit” si një domino dopjo gjashtë që të ngelet në dorë. 
Sigal