Dr. Vangjel Kasapi/ Dali Ndreu – personalitet i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH-së

750

Dali Ndreu është lindur në vitin 1912 në Sllovë të Dibrës. U rrit në gjirin e Xhelilëve të shquar të kësaj krahine për burrëri e atdhetari. Në formimin e tij ndikoi posaçërisht veprimtaria patriotike e demokratike e atit Sufë, që i transmetoi të birit trimëritë në luftërat antiserbe, për besnikërinë ndaj qeverisë së Ismail Qemalit dhe për qëndrimet demokratike në krah të Fan Nolit. Fisi nga ai vinte, si dhe kjo rrugë traditash e rriti Daliun me cilësi të rralla, ashtu siç ishte dega e fortë e lisit të Ndreajve, një pasardhës i kapedanëve dhe “gjeneralëve” të “Nëntë Maleve”. I etur për arsim, ashtu si gjithë dibranët, Daliu u shqua gjatë të gjitha cikleve të arsimit, në fillore në vendlindje dhe në të mesmen teknike në Tiranë. Krenar në udhën e karrierës ushtarake, ai mbaroi me sukses (1931) edhe Shkollën Ushtarake të Plotësimit për oficer artilerie. Nëntogeri fillimisht shërbeu në degën e Rekrutimit në Përmet. Më pas punoi pranë artilerisë së Divizionit Kosova, deri në vitin 1933. Midis shokësh, Dali Ndreu u shqua si oficer me perspektivë, ndërsa për idetë e tij përparimtare dalloi në rrjedhat e lëvizjes antimonarkiste dhe demokratike në Shqipëri. Si rezultat i këtij aktiviteti, në vitin 1934 u lidh me një grup oficerësh antizogistë dhe në vitin 1935 u përfshi në Lëvizjen e Fierit. Për këtë u shkarkua si oficer dhe u burgos. Pas daljes nga burgu u tërhoq nga karriera ushtarake, për të ndjekur studimet e larta – Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Firence (Itali). Pushtimi fashist i Shqipërisë e tronditi thellë ndërgjegjen kombëtare të Daliut dhe ai kthehet në atdhe. Me aktin e lartë ai tregoi se i përkiste çështjes së lirisë të Shqipërisë. Rruga e gjatë dhe e vështirë do ta ngjiste drejt panteonit ushtarak.

Dali Ndreu u përfshi menjëherë në rezistencën e armatosur antifashiste. Duke parë se PKSh-ja kish ngritur flamurin e luftës për çlirim, edhe ai u përfshi në radhët e saj (1941). Shpejt shndërrohet veprimtar aktiv i krijimit të formacioneve partizane. Pas Çetës Partizane të Pezës në Shqipëri nisi periudha e lindjes edhe të shumë formacioneve të tjera luftarake e atdhetare antifashiste. Pikërisht, në prill të 1942-shit, para Konferencës historike të Pezës, në Sllovë të Dibrës formohet njësiti luftarak, që u rrit në çetë me komandant Dali Ndreun. Kudo në aksione shquhet për trimëri, sidomos për aftësi drejtuese ushtarake. Falë origjinës së familjes, për kontribute të spikatura atdhetare-luftarake, dije profesionale, trimëri, drejtësi, gjakftohtësi dhe komunikim të mirë me njerëzit, prej nga gëzonte ndikim të ndjeshëm në popull, në mbledhjen për krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ-së, Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar e zgjedh Daliun anëtar dhe zëvendëskomandant të këtij institucioni strategjik ushtarak. Pas major Spiro Moisiut (komandant), Dali Ndreu vinte figura numër dy ushtarake në Shtabin e Përgjithshëm të Luftës dhe Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Kjo u vlerësua si një ngjitje e madhe e dibranit 31-vjeçar. Gjatë përzgjedhjes u vlerësuan aftësitë e shumanshme ushtarake, karakteri i paepur, maturia dhe pjekuria për gjykimin e situatave, në përpunimin dhe marrjen e vendimeve.

Në sajë të përgatitjes dhe aftësisë ushtarake, në bashkëpunim me shokët e pjesës operative të Shtabit, Dali Ndreu dallohet në hartimin e planeve për problemet e organizimit të UNÇ-së, për çështjet operative të veprimeve luftarake të njësive e reparteve, si dhe për hartimin e dokumenteve të luftës për UNÇSh-në. Me krijimin e Divizionit Sulmues (28.5.1944), për aftësitë e tij dhe përvojën e fituar si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Dali Ndreu u emërua komandant i parë i kësaj njësie operative të parë të UNÇSh-së. I takoi atij ta drejtonte këtë njësi të parë të madhe me Brigada të shquara si ajo e Parë dhe e Pestë Sulmuese, madje në kushtet kur pa e marrë formën e plotë organizative. Divizioni i Parë Sulmues kaloi menjëherë në beteja për përballimin e mësymjes së egër, që ndërmorën forcat gjermane në një operacion të gjerë (qershor 1944). Divizioni operoi kryesisht në drejtimet Elbasan–Gramsh–Tomoricë dhe Qafë-Thanë–Maliq–Mazrekë (28.5-24.6) kundër mijëra trupave armike të pajisura me artileri, tanke e avionë. Operacioni mësymës i armikut u shtri edhe në Shqipërinë e Mesme e të Veriut. Edhe në këto zona, Dali Ndreu u shqua në krye të shtabit të tij në të gjitha luftimet, tashmë nga qershori deri më 13 shtator ku, në bashkëveprim me Brigadën e 23-të Sulmuese, Grupin e Pezës dhe batalionet territoriale të zonës, u çliruan zona përreth Tiranës, Burrelit, Peshkopisë e Dibrës.

Korparmata e Parë, njësia e parë strategjike, u formua nga vjeshta e 1944-s. Ajo përfshinte Divizionin e Parë e të Dytë Sulmues etj., formacione këto ushtarake e vullnetare të Shqipërisë së Mesme e të Veriut. Në krye të shtabit të saj si komandant u caktua gjeneral Daliu. Pas “Gjeneralit me shajak” Elez Isufi (daja i Daliut) të Dibrës, Dali Ndreu vinte gjenerali me titull nga dera e madhe e Ndreajve, i treti pas Enver Hoxhës e Spiro Moisiut gjeneral, për nga funksionet ushtarake. Edhe në korpus u ndie kontributi i tij i shquar në drejtimin e operacioneve, që kjo korparmatë zhvilloi në bashkëveprim edhe me Korparmatën e Dytë e të Tretë për çlirimin e plotë të Shqipërisë. Korporata I e UNÇSh-së, që komandoi gjeneral Daliu, luajti rolin kryesor operativo-strategjik për shkatërrimin e forcave të Korparmatës XXI malore gjermane dhe kolonave të gruparmatës “E” që, nëpërmjet Shqipërisë, tërhiqeshin drejt Jugosllavisë e Austrisë. Në këto luftime u çliruan Mati, Kruja, qyteti i Dibrës, Kukësi, Tropoja. Nën drejtimin e tij, sipas udhëzimeve të Shtabit të Përgjithshëm, u hartua plani i hollësishëm dhe urdhri luftarak që iu dërgua Divizionit të Parë Sulmues, si forca kryesore goditëse në këtë operacion. Edhe gjatë 19 ditëve të luftimeve komanda e korparmatës lëshoi disa urdhra, ku divizionit i viheshin detyra konkrete në zhvillimin e mësymjes vendimtare për çlirimin e kryeqytetit e sidomos për bllokimin dhe shpartallimin e kolonës së madhe gjermane të grupimit “Shtaine”, që vinte nga Elbasani në ndihmë të armikut të rrethuar në Tiranë. Ngjarjet e mëtejshme u zhvilluan sipas këtij urdhri. Armiku u godit e u shpartallua në Mushqeta, ndërsa Tirana u çlirua me luftime frontale pas 19 ditësh luftë epike, më 17 Nëntor 1944. Në krye të Korparmatës së Parë, së bashku me dhjetëra drejtues të tjerë të njohur të luftës e të ushtrisë, Dali Ndreu drejtoi me mjeshtëri e sukses grupime e njësite luftarake, njëherësh për çlirimin e Lezhës, të Shkodrës etj., deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë më 29 Nëntor 1944.

Gjeneral Daliu ka shkruar: “Më 29 nëntor armiku dëbohet edhe prej Shkodre. E gjithë Shqipëria është e lirë. Ushtria jonë, në mbështetjen e madhe të popullit, pa ndihmën direkt të askujt, e çliroi atdheun e saj të shtrenjtë. Ne ishim të parët që u robëruam, të parët që fituam lirinë me armët tona, me gjakun tonë”.[1] Si udhëheqës i lartë ushtarak, një nga personalitetet e Luftës e të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ai zgjodhi e mbajti një qëndrim shumë të arsyeshëm në marrëveshjet me aleatët ushtarakë të Koalicioni Antifashist Botëror. Anëtari dhe zëvendës i Shtatmadhorisë, komandanti strategjik dhe gjeneral, Dali Ndreu mund të konsiderohet në historiografinë ushtarake të LANÇ-it e të UNÇSh-së autori i parë i përgjithësimit shkencor dhe i botimit në shtypin ushtarak (gazeta “Luftëtari”, 1945-‘47, sidomos i tri operacioneve më të mëdha operative-strategjike: thyerja e mësymjeve të përgjithshme naziste të dimrit (1943-44) e të verës (1944) dhe të operacionit mësymës për çlirimin e kryeqytetit – Tiranës, kur autorë të tjerë, gjeneralë e studiues nuk ishin shfaqur në mënyrë kaq sintetizuese në opinion publik, ndonëse më vonë ata i zgjeruan e i thelluan ato operacione madhështore të historisë moderne ushtarake të popullit dhe ushtrisë shqiptare.

Por befas, pas gjyqit të deputetëve, gjeneral Dali Ndreu lirohet nga ushtria dhe kështu nis e tatëpjeta, rruga e mundimshme, kalvari i dyshimeve dhe i ndëshkimeve pafund. Arrestohet bashkë me gruan e tij Liri Gega dhe të dy, më dhjetor 1956, pushkatohen. Pra atdhetari, luftëtari, komandanti, shtatmadhori dhe gjenerali i shquar i luftës antifashiste dhe i ushtrisë NÇSh u shndërrua në një personalitet dhe gjeneral të harruar. Figura e tij u rishfaq, që të ridimensionohet portreti dhe vepra luftarake e këtij personaliteti ushtarak, e asaj periudhe historike të ushtrisë e të popullit shqiptar.

Dali Ndreu ishte një yll që shkëlqeu në vargun e personaliteteve ushtarake shqiptare, por që, për fat të keq, u fik shpejt, atëherë kur mund të ndriçonte më tepër.