Dr. sh. Vangjel Dh. Kasapi/ Sami Meçollari – shtatmadhori me kërkesa të larta

1827
Sigal

Në janar të vitit 1974 përzgjidhet kandidatura parësore për kryetar të Shtabit Madhor të Ushtrisë

Sami Meçollari lindi më 10.03.1937 në Marjan të Oparit malor, në Prefekturën e Korçës. Që në moshë tepër të re nisi rrugën e gjatë të arsimimit profesional ushtarak, duke kryer së pari Shkollën Ushtarake “Skënderbej” e më pas Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”, prej nga doli me rezultate të shkëlqyera e mori titullin oficer, por, si përjashtim, nga ky institucion prestigjioz iu dha direkt edhe grada toger. Duke vlerësuar aftësitë e tij intelektuale, Sami Meçollari kryen edhe Fakultetin e Inxhinierisë të Universitetit të Tiranës e kështu me radhë Akademinë Ushtarake për kuadro të larta, si dhe Shkollën e Lartë të Filozofisë (Partisë). Të gjithë këto hallka arsimimi Meçollari i kreu me vlerësimet më të larta. Për nga specialiteti, Samiu i përkiste armës së Kimisë, por, për shkallën e lartë të njohurive dhe të aftësive profesionale-ushtarake shërbeu në disa funksione, duke u shpërngulur në profilin “Gjitharmësh”, të paracaktuar për Shtabe dhe Komandues. Kësisoj, Meçollari rezulton në tri profile dhe në katër hallka organizative të ushtrisë: shef i shërbimit kimik në batalion (Berat), shef i Brigadës (Peshkopi – 1960-’63) dhe shef i Korpusit (Shkodër 1963-’65). Këtu e shkëputËn nga kimia, për të kaluar në dy hallkat më të rëndësishme; emërohet shef Operativ Korpusi (po në Shkodër, 1968-’70), shef Shtabi Korpusi dhe mandej komandant nga Veriu në Jug (Gjirokastër 1970-’75). Si kuadër tepër cilësor, i përpiktë dhe me rezultate në detyrat funksionale, në janar të vitit 1974 përzgjidhet kandidatura parësore për kryetar të Shtabit Madhor të Ushtrisë. Ishte ky momenti historik për të zëvendësuar Shtatmadhorinë me zë e autoritar, Petrit Dume. Kështu, Sami Meçollari vijoi në rrugën e paraardhësit, duke e shtuar kërkesën e llogarisë ndaj komandave, shtabeve dhe institucioneve të ushtrisë në riorganizimin e saj. Ndoshta Meçollari, për arsye ideo-politike që zhvilloheshin në parti-shtetin, nuk arriti t’i shpalosë të gjitha virtytet që e karakterizonin, si dhe performancën e tij plot njohuri, përvojë dhe zotësi, si lider ushtarak i respektuar. Në pak kohë, deri në dhjetor të 1974-s, kontribuoi mjaft dhe u ndien ndryshime përmirësuese në Shtatmadhori, të reflektuara këto në ushtri. Politika, kudo e kurdoherë, në çdo shtet e ushtri të botës, “djeg” ose “bën kokë turku” oficerë-kuadro të lartë e të vlerësuar. Sami Meçollari, në kulmin e përkushtimit, pa asnjë motiv gabueshmërie, papritur e zhvendosin – gjithnjë me konsiderata të larta – nga posti madhor në detyra po të rëndësishme, si komandant brigade, mandej Komandant i Shkollës Ushtarake të Oficerëve në rezervë (Zall-Herr, Tiranë) dhe në mbyllje të karrierës, komandant i Shkollës së Lirë Ushtarake (Rrëshen). Me daljen në pension në vitin 1986 dhe ardhjen e periudhës së demokratizimit (pluralizmit politik), krijohet Organizata Ushtarake e Pensionistëve të Liruar (1991). Në krye të saj zgjidhet organizatori me shumë përvojë Sami Meçollari. Gjithë jetën e tij prej ushtaraku karriere, si patriot i zjarrtë e intelektual me shumë përvojë, Sami Meçollari e përcolli me pjekuri e maturi, kurdoherë i nderuar për idealet kombëtare.