Sefer Pasha: Ja historia e rrallë e Pusit të Vezirit, e ndërtoi Ali Pasha, piu ujë mbrreti i Greqisë me mbretëreshën ruse

596
Sigal

Vijon nga numri i kaluar

Ke pasur ndonjë rast të takosh familjen Gërvalla?

– Më vonë për famijen e Jusuf Gërvallës nuk kam shfaqur ndonjë interes. U  kujtova kur pashë në lajme se vajza e Jusuf Gërvallës, Donika, ishte bërë Ministre e Jashtëme në qeverinë e Albin Kurtit.  Motivi i pritjes së familjes së saj më datën 30 mars të vitit 1982, të cilin e kisha shënuar në ditarët e mi, m’u duk interesant. Forcat e kufirit nuk kanë asnjë kontribut në sigurimin e jetës së familjes së Jusuf Gërvallës.  Si njeri i letrave në vitet e demokracisë nuk jam prekupuar, kur në një gazetë të përditëshme e shoqja e Jusuf Gërvallës,  Zana,  kishte dhënë intervistë duke vjellë helm kundër regjimit të Enver Hoxhës. E lexova intervistën dhe rashë në mendime.  Përse sakrifikova aq shumë në vitet e socializmit i thashë vetes? Kur përcolla për në Greqi në një rast, gruan e shpikësit të penicilinës, Flemingut, e cila ishte deputete në parlamentin grek, ajo tek porta me tela më tha që t’i zhduknim telat me gjemba.  Nuk i ktheva përgjigje. Por unë isha i detyruar që t’i bëja gardh telat me gjemba. Jepja “çmime” për ata që bënin shpikje për sofistikimin e pengesës elektrosinjalizuese të klonit. Kështu bëra për një shpikje që bëri njeriu i klonit, Hodo Liçua nga Hormova. Televizioni Shqiptar dhe revista “Në shërbim të Popullit” i bënë reklamë. Për të gjitha këto ndjej dhimbje. Por tek kujtoj  Zana Gërvallën,  them se ne, nuk kishim shumë faj.  Parlamenti grek e mbante në fuqi ligjin e gjendjes  së luftës me  Shqipërinë.  Ishim të detyruar  të mbroheshim me tela me gjemba dhe me topa.  Pranë pjatës me fasule mbanim të mbushur granatat e dorës dhe kallashnikovët. Nuk kishim rrugë tjetër.  Lufta e pamëshirshme e kufitarëve grekë, ishte me ne “pushtuesit” nga Shqipëria.  Posta kufitare Kakavijë strehohej në 700 metra tunel.  Asnjë kufitar nuk fliste me zë të lartë.  Askush nuk e zgjaste kokën nga muri rrethues i kalasë. Edhe pse në dhomën e kulturës kishte fizarmonikë,  klarinetë,  çifteli,  daulle e mandolinë,  atyre askush nuk u binte, edhe pse kishte kufitarë  që ishin muzikantë.  Tregohej kujdes se kufitarët grekë  ishin në gjumë.  Tridhjetë metra më tutje ishte fjetorja e grekut.  Mote të shkuara, një kufitar nga Tropoja e transferuan nga Kakavija në Jergucat.  Ushtarakët grekë  në një takim, ngritën një incident të paimagjinueshëm.  U ankuan se një kufitar shqiptar,  gërhinte në gjumë aq fort, se zgjonte nga gjumi kufitarët grekë!.

Lajmi se vajza e Jusuf Gërvallës, Donika, u bë Ministre e Jashtëme e Kosovës, më ktheu pas, tek motivi i ditës kur  Zana Gërvalla u fut në territorin e Shqipërisë së bashku me tre fëmijët e saj. Në ditarin tim gjeta pakogjë.  Shënimet në ditar i kam mbajtur më datën 31 mars të vitit 1982.  Pra, një ditë më vonë.

-Dhe çfarë shkruat në ditarin tuaj?

-Familja e Jusuf Gërvallës ka ardhur në Kakavijë në orën 08:00 të datës  30 mars 1982.  Kur e shfletova ditarin e vitit 1982, më erdhi për të qeshur. Ngaqë oficeri i Sigurimit të Shtetit, Ylli Mitra,  që mbulonte kundërzbulimin na mbante nën vëzhgim, unë në ditarin e datës 31 mars nuk e përmend fare emrin e Zana Gërvallës. Për të qenë brenda shkruaj: – “Ajo kosovarja…..”.  Asnjë sekret nuk duhet as të hynte dhe as të delte nga porta me tela me gjemba. Ishte jetë mbi bajoneta. Oficerin Dilaver Kalanin, e arrestuan dhe e futën në burg, se humbi një rregullore të sektorit të prapavijës. Po çfarë kishte në brendësinë e saj kjo rregullore, që i shkatërroi  jetën një oficeri të kufirit? Në faqet e rregullores ishin normat e ushqimit. Bukë, fasule, oriz, vaj luledielli, djath kaçkavall e marmalatë. E ç’e donte këtë palo rregullore zbulimi grek? Kufitarët shqiptarë, të vetmen normë të lartë,  kishin “erën e Janinës”.  Pas oborrit të postës greke, përditë therrej nga një viç. Grekërit edhe në transhe kishin frigorifer. Kurse posta kufitare shqiptare nuk kishte asnjë frigorifer.

                                                                                                                                                                         –               E kam të freskët momentin kur djali i Jusuf Gërvallës, Premtoni, këputi lulet e marsit tek Pusi i Vezirit.  Unë që isha përqëndruar tek “snajperistët” e UDB -së nxitova se mos djali varej tek pusi. Pusi i Vezirit ka një histori. Kur ka kaluar aty Ali Pashë Tepelena dhe ka parë hanxhinë që mbushte ujë me kovë, u dha urdhër asllanëve të tij, që pusi të farkohet me gur qemeri nga të Janinës. Dhe ulja e ngjitja në pus të bëhej me shkallë. U bë siç tha Veziri i Janinës.  Pusi qe një monument. Ne e mbyllëm pusin se, në fshatin Kakavijë, erdhi uji i ftohtë që nga mali i Strugarës. Një degë të shpërndarjes Ndërmarrja e Ujësjellësit të Gjirokastrës ia kaloi postës kufitare dhe doganës. Sa mirë do të qe që të ruhej Pusi i Vezirit!  Kakaviotët thoshin se kur kishte ardhur nga Korfuzi Mbreti i Greqisë Jorgo, bashkë me mbretëreshën që e kishte ruse, tek Pusi i Vezirit kishte pirë ujë të ftohtë. Për mbretin e Greqisë, Jorgon, lebërit këndonin këngën: – /Jorgo dhëndërr i Rusisë/ S’ke parë djemtë e Shqipërisë/ Heqin pullat e jelekut/ Dhe ja vënë plumba dyfekut/.

Kur kam shkuar për herë të parë pas përmbysjes së socializmit në Kakavijë, mbeta pa gojë.

-Kishin ndodhur ndryshime?

-Kakavija e kohës time nuk ekzistonte.  Aty ku është ngritur dogana e re, ishin rrafshuar tri kodrat vezake. Ishin kodra të bukura sikur dikush t’i kishte pikturuar.  Kurrë nuk qe korrur një fije bari.  S’ ishte më as lapidari i gjeneralit italian Telinit.  Nuk dukej as Pusi i Vezirit,  as rrënojat e hanit dhe as fusha ku Faik Cani stërviste qenin e kufirit duke pasur si figurant foton e Xhevdet Mustafës.  Të gjithë kolegët e hekurt kishin shkuar si emigrantë në tokën helene.  I vetmi që kishte mbetur në Gjirokastër, ishte Heroi i Popullit Jorgo Sulioti. Nuk e gjeta të gjallë. Kishte vdekur. E kishin rrahur e burgosur personazhin misterioz që mbante “diplomën” e rinisë time. Më thanë se Jorgo Sulioti para se të vdiste, atje ku banonte, në lagjen “Zinxhira”, njerën dhomë të banesës e kishte salduar në të katër anët me hekur të trashë, që të mos i futeshin brenda vrasësit. Aty kishte vdekur.

Unë shkova deri tek ish porta me tela.  Asnjë milimetër më tutje.  Kakavija në të dyja anët gjëmonte nga lëvizjet.  U ç’orientova.  Isha banor i “qytetit” të rrafshuar nga liria. Ndihesha keq. Isha më mirë dikur me miqtë e mi ujqërit dhe çakejtë. Para se të kthehesha në Tiranë, bëra dhe disa foto. Në këtë shteg qëndrova nëntë vjet. Në Kakavijë nuk lejohej të bëje fotografi.  As Zana Gërvallën nuk e lejuam që të bënte me fëmijët ndonjë fotografi.  Aparatin e kishte në dorë.  Grekërit ball për ballë nesh na shikonin dhe vepronin me urrejtje.  Unë nuk kam shkuar në asnjë vis të Greqisë. Përmbysja na zuri nën vete. Motrën e heroit të Kakavijës,  Llesh Pal Çupit, të cilën e prisnim çdo vit me rastin e festës së kufirit, e kishin parë në ullishtat e pronarëve grekë.  Shkonte në Greqi dhe nuk kthehej tek lapidary  i  të vëllait, vepër e skulptorit Ksenofon Kostaqi.  Askush nuk vendos lule tek lapidari i heroit, ku unë në tërë ato mote, fola e shkruajta poema për trimin e madh.  Lapidari qe mbushur me korba. Janë të trishtueshme këto që kanë ndodhur. Po kjo është Kakavija pas përmbysjes së madhe. Isha i tepërt në Kakvijë. Ja kishin mbathur dhe miqtë e mi ujqërit. Pyeta dhe për ta!  I takoja kohës së mundur.

Vitet rrodhën. Jo shumë kohë pas pritjes dhe përcjelljes së familjes së Jusuf Gërvallës nga Kakavija për në Tiranë, mua më transferojnë në verlindje të vendit. Buzë Drinit të Bardhë.  Më vinte për të qeshur kur brigjeve të Drinit të Bardhë, kujtoja lumin e Drinos poshtë Kakavijës. Lumenjtë nuk kishin të krahasuar. Drini i Bardhë me burimet në Istog, gjëmonte si një det. Kurse Drinosi i Janinës qe sa një përrua. Më vonë në luftën e Koshares për çlirimin e Kosovës, më shfaqej në imagjinatë ai filmi i rinisë time në Kakavijë. Kur mbërrita në Koshare sytë më mbetën tek shkëmbi mbi Rrasën e Zogut.  Në faqen e shkëmbit shkruhej me të madhe: “JUSUF GËRVALLA”.  Luftëtarët e UÇK -së tregonin se Komandanti i parë i Lëvizjes për Çlirimin e Kosovës, ka qenë Jusuf Gërvalla. Ai i ka bërë programet për UÇK -në e ardhëshme. Kur u vra Jusuf  Gërvalla,  Ukshin Hoti vuante dënimin në burgun e Istogut. Mbrojti demonstrat e studentëve të vitit 1981.  Adem Jashari stërviste kolonelët e rinj të UÇK -së.  Ku do të ishte tani Jusuf Gërvalla po të ishte gjallë?  Pa më të voglin dyshim se ai do të ishte Presidenti i shtetit të Kosovës.