Dosier/ Si u arrestuan drejtuesit e Degës së Brendshme brenda 1 nate. Rrëfimi/ Arratisja e dy femrave dhe urdhri i Zylyftar Ramizit për arrestimet masive. Torturat në hetuesi, dasma e vajzës dhe dallimet mes Kadriut dhe Hekuranit. Ja historia e plotë

1309

Rrëfimi rrëqethës i shoferit të ish-kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme Sarandë, Sali Veliut, se si dhe pse u arrestua katër ditë pas dasmës së vajzës

Rrëfej ditët e tmerrit në Degën e Punëve të Brendshme të Sarandës, më 1984

-Si u arrestuan të gjithë drejtuesit e Degës së Brendshme Sarandë brenda një nate

-Arrestimi erdhi pasi u arratisën dy femra

– Një arrestim i tmerrshëm që as Kadri Hazbiut i është bërë

– Kam udhëtuar dy herë me Kadri Hazbiun dhe një herë me Hekuran Isain, ishin burra të mirë

-Në hetuesi më pyetën, pse kryetari Veliu e bëri dasmën me koka qengji

Sarand Nikollo, ish -shofer i kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të Sarandës, Sali Veliu, rrëfen për “TELEGRAF” arrestimin e bujshëm të vitit 1984 të drejtuesve të Degës dhe Shtabit të Batalionit të kufirit të Jugut. Nata e tmerrit dhe ditët e frikshme që pasuan,vijnë në këtë rrëfim, që edhe sot pas kaq shumë vitesh, jehona e saj nuk ka ikur nga memoria e sarandjotëve, ashtu siç nuk ka ikur portreti i mirë i ish-shefit të Degës së Punëve të brendshme, Sali Veliu, i arrestuar katër ditë pasi martoi vajzën e vetme. Akuza, si përgatitës i një puçi ndaj shtetit, sepse në dasmën e vajzës vuri në trapezë meze me kokë të pjekura. Çdo të thoshte kjo? Për të gjithë asgjë, por për shtetin e kohës, shumë: Të kujt qenë kokat që hante kryetari dhe dasmorët? Gjashtë oficerë të lartë përfundojnë në pranga si armiq të popullit. Në rrëfimin e Sarand Nikollo, ish-shoferi i kryetarit të DPB të Sarandës, shpaloset panorama e frikshme e rrethimit të degës nga forcat e gardës, mbledhjet e mesnatës deri në të gdhirë, hetuesia dhe pushimet nga puna. Vijnë portretet e Kadri Hazbiut,

Hekuran Isait dhe Zylyftar Ramizit, ashtu si dhe kotësia dhe terrori psikologjik i shumë veprimeve të Ministrisë së Brendshme të asaj kohe, sidomos pas spastrimeve me vetëvrasjen e kryeministrit Mehmet Shehu. Mundëm t’ia shkëputim këtë rrëfim të shkurtër Sarandit me shumë mundim dhe e falënderojmë edhe për kaq se nuk foli më shumë, kur kish për të folur shumë.

-Përshëndetje z. Sarand! Duke ju falënderuar për mundësimin e kësaj bisede për të hedhur dritë në një nga ngjarjet më të bujshme të arrestimeve, jo vetëm në Sarandë, por edhe në Shqipëri. po ju pyes se sa vite punuat si shofer në Degën e Punëve të Brendshme të Sarandës?

-Faleminderit! Por nuk do flas shumë dhe mos më shtrëngoni! Do tregoj vetëm për atë natë. Në DPB të Sarandës punova 20 vjet si shofer i kryetarit të saj.

-Atëherë ç’mund të thoni për atë ngjarje që ka mbetur e ngulitur në mendjet e sarandjotëve?

Zylyftar Ramizi

-Po! Kur u arrestuan ka qenë viti 1984, siç më kujtohet mua. Ne ishim lajmëruar të ishim të gjithë në Degë. Ishim lajmëruar kështu, dhe aty rinim. Nuk bëje dot naze. Po vinte mesnata dhe asnjë urdhër, po ishim mësuar me të tilla, se ishim edhe rreth kufitar dhe ngjarje mund të kishte me kufirin; si për ikje dhe për shkelje desante. Një dyshim lëvrinte, por nuk na i mbante. Hamendësimet e shprehura zakonisht të përfundonin prapa hekurave të hetuesisë. Po sot po e them dyshimin që pata: “Si neve na mbajnë në gatishmëri dhe kryetari dhe dy nënkryetarët s’janë këtu?! Epo do jetë ndonjë ngjarje e rëndë, ndaj do jenë në mbledhje tek Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit”, se atje shkonin njëherë para ndonjë situate apo arrestimi. Po nuk flisnim. Në këto hamendësime na gjeti mesnata, kur vijnë dhe ndalojnë në oborrin e degës dy IFA (kamionë) me gardistë dhe gjashtë ARO (mjete veturë rumune që përdoreshin nga zyrtarët) me zv/ministrin Zyliftar Ramizi dhe operativ të ministrisë së brendshme. Gardistët rrethuan degën, ndërsa Zylyftari pa folur fare, hyri në zyrën e oficerit të rojës, të cilin e nxori jashtë me një fjalë të vetme: Ik! Mbajti vetëm nënoficerin. Në kohën që merrej Zyliftari me nënoficerin pyeta shokët e mi shoferë të Tiranës, se ç’është? Më thanë me supe ngritur se jemi të çoroditur: Fillimisht urdhëruan për në Durrës se ka kryengritje, më pas në Lushnjë, Fier, Gjirokastër dhe përfunduam në Sarandë. Asgjë s’dimë! Po mesa duket këtu është dasma. Se nuk ndaluam në asnjë qytet, pavarësisht se na urdhëronin sa i afroheshim qytetit thoshin, se kryengritësit janë më tutje deri sa erdhëm këtu. Siç tregova më lartë zv/ministri i brendshëm pasi largoi oficerin e rojës nga detyra, u mor me nënoficerin, të cilin e urdhëroi të njoftonte kryetarin dhe dy nënkryetarët të paraqiteshin në organ urgjent. U njoftuan menjëherë. Prisnim në ankth se ç’do ndodhte. Megjithëse ishim mësuar, prapë çdo rast kishte çudinë e tij. Qetësi absolute. Sytë e Zylyftarit na kaluan në revistë të gjithë neve që akoma rrinim gatitu. Kryetari, Sali Veliu, hyri tek porta. Zyliftari doli nga zyra e oficerit të rojës që qe ngjitur me portën e madhe të jashtme dhe dorës së shtrirë të mirëseardhjes së kryetarit ju drejtua me fjalët: “Me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm të RPSSH je i arrestuar!” Shtangëm të gjithë! E futën me pranga në njërën nga ARO-t. Të them të vërtetën më shkanë lot, po më ndihmoi nata e nuk më panë, se ndryshe e piva. Pas disa minutash vjen nënkryetari, Panajot Barka. Edhe ky të njëjtin fat dhe fjalë si kryetari. Dega dukej se dridhej e gjitha si nga ndonjë tërmet 10 ballë dhe do të rrafshonte gjithçka. Dhe vërtet rrafshoi gjithçka. Pas pak vjen edhe nënkryetari tjetër Sami Resuli, se vinin sipas largësisë së banesave me këmbë, as mua s’më lanë ta merrja kryetarin me makinë. Edhe ky përfundoi në pranga. Nuk i mbajtën më po i nisën urgjent drejt Tiranës. Ushtarët kërcitën armët. Frikë kudo. Dy nga ARO-t e ardhura u nisën drejt Livadhjasë ku ndodhej komanda dhe shtabi i batalionit të kufirit për jugun. Aty arrestuan shefin e shtabit të kufirit dhe një nënoficer. Na thanë të ikim në shtëpi. Sa arritëm mbërritën ushtarët dhe policët dhe na lajmëruan për t’u paraqitur përsëri në Degë. “Epo vate kjo punë!” thashë. Si unë thanë edhe të tjerët, siç treguan më pas. Pashë edhe një herë fëmijët dhe u nisa për në degë. Nuk kam ndjerë më dhimbje në veten time kur pashë gruan dhe fëmijët që më shikonin të çuditur. A pa, pa! Çaste tmerri. Shpirti dhembka shumë nga dëshpërimi i gruas dhe qelqi i syrit të fëmijës, Po nejse…vajta në Degë. Qenë mbledhur shumë, e të tjerë vinin. Të hutuar e të trembur. Po rrinim tek porta e “Shën Pjetrit” dhe prisnim kujt do t’i flitej emri…Na futën në sallën e mbledhjeve ku erdhi përsëri zv/ministri,Zylyftar Ramizi dhe shkurt komunikoi zyrtarisht emrat e të arrestuarve. Vetëm emrat, pa motivacion. Sallën e mbretëronte një qetësi dhe frikë absolute. More nuk dëgjohej miza! Nuk të besohet, po kështu qe vërtet. Na pyeti të gjithëve me radhë. Një oficeri të kontrollit i foli ashpër: -Po ti!Nuk i kape dot ato dy vajzat që u arratisën? Që në Qafë të Muzinës t’i kapje, ndaj je! Apo ha bostan shumë ti, të pëlqen i shkreti, ë? Edhe një punëtori tjetër operativ të qytetit i tha: -Edhe ty do të fut në burg, sylesh! Të duket vetja bukurosh dhe s’e ke mendjen në punë. Dhe vërtet pas tre ditësh Qazimi u arrestua dhe u burgos. S’e bënte fjalën dy Ramizi, jo!

Ja kjo qe historia e bujshme e arrestimit të tyre. Një arrestim i tmerrshëm. As Kadri Hazbiut nuk iu bë arrestim i tillë…

-Interesante! Po të lutem të vazhdojmë edhe pak! Si u prit nga punonjësit e Degës arrestimi i Kryetarit dhe dy shefave kryesorë?

-Diçka thashë edhe më lart. Nuk mbajta asgjë. U bë një arrestim shumë i poshtër. Një arrestim që s’kish bërë vaki ndonjëherë që Dega e Punëve të Brendshme, jo vetëm e Sarandës, të rrethohej nga forcat e gardës së Republikës dhe të arrestohen drejtuesit e saj në atë mënyrë. Mund t’i thërritnin në mbledhje në Ministri dhe t’i arrestonin. Dyqind forca, dhe në atë kohë…me gjithë ato mjete dhe operativë të ministrisë së Brendshme.

 

-Sot a beson në akuzën që u hodh mbi të arrestuarit që përmendëm?

-E vërteta është që në shpirt nuk e besuam. Po heshtëm, frika… Qe një kryetar shumë i mirë, babaxhan e popullor. Edhe dy nënkryetarët, Panajoti dhe Samiu, shumë të mirë qenë. U çuditëm se si ky njeri që qe shumë i rregullt në punë e shoqëri, përfundoi në pranga. Po ma do mendja, me që qe mallakastriot dhe s’qenë mbaruar akoma spastrimet nga krahu i Mehmet Shehut…

-Ju thirrën në hetuesi?

-Po,po! Na pyetën shumë. Po lëre…Më në fund na hoqën edhe nga puna. Për këtë nuk flas!

 

-Mirë! Si të duash! Po më thatë që punuat 20 vjet shofer tek kryetari i DPB-së. Udhëtuat ndonjëherë me ministrin e Brendshëm?

-Po! Kam udhëtuar dy herë me Kadri Hazbiun dhe një herë me Hekuran Isain. Kadriu më dukej njeri shumë i mirë. Nuk të bënte përshtypje shumë të keqe ai njeri. Qe i rregullt dhe i përpiktë në sjellje e fjalë. Me të udhëtova njëherë në Konispol dhe njëherë në Vlorë. Gjatë rrugës,të dy rastet, nuk bëri asnjë pyetje provokuese. Qe burrë i matur. Me Hekuranin udhëtova vetëm njëherë në Himarë. Edhe ky qe shumë i urtë dhe i mirë. Po mund të them, sipas mendimit tim, se po t’i krahasosh qe më i mirë nga Kadriu..

-Pse?

-??

-Mirë, po si mendoni, të qe vërtet armik Kadriu?

-Nuk e di!Si të them… klane… bërryla… kolltuku… pushteti… Unë s’kam aq shumë shkollë sa të gjykoj e të jap një mendim të saktë si përgjigje të pyetjes suaj. As e kuptonim fare atëherë se pse e si u futën në burg, sepse edhe mendimi qe në burg. Le të flisje po të doje! Sot ka komente e dokumente të ndryshme që mund ta zbardhin të vërtetën.

-Ndonjë kujtim tjetër që ruan me kryetarin?

-Ka shumë! Të gjitha i kam të palidhura me punën. Nuk fliste në makinë fare. I vetmi kujtim me punën dhe më i hidhuri, është arrestimi i tij. Fola dhe më lart. Qe njeri i mirë. Nuk merrte asgjë si dhuratë e ryshfet. (nga ato që kishte koha produkte bujqësore e blegtorale) Bile më thoshte, që me mua dhe për mua, mos merr asgjë! Megjithëse me një rrogë të vogël e me shpenzime të shumta, qe njeri i mirë e i rregullt Sali Veliu.

– Tregona një kujtim familjar?

-Po, se edhe ai ka lidhje me arrestimin. Bëri dasmën e vajzës dhe menjëherë pas katër ditësh e arrestuan.

-Mos kish ndonjë motiv nga dasma arrestimi?

-Jo! Para dasmës dërgoi mua në frigoriferin e thertores (thertorja e jugut) së Delvinës dhe mora koka qengji për t’i servirur të pjekura tek të gjithë të ftuarit. Mora dhe mish. Pagova lekët dhe i prura faturën. Të gjitha i çuam tek Bar-Restorant “Bistrica” për t’i gatuar, se aty u bë dhe dasma. Bëri një dasmë shumë të mirë se e kish dhe vajzë të vetme. Ah, po! Paske të drejtë (qesh)! Ke të drejtë që pyet se edhe në hetuesi na pyetën: -Pse e bëri kryetari dasmën me koka qengji?! Kushedi ku u shkonte mendja atyre…

-Pas gjithë këtyre, e ndjenit se mund t’u vinte arrestimi edhe juve si shofer i kryetarit, tanimë i akuzuar si armik dhe puçist?

-Pas kësaj më pushuan si shofer i kryetarit dhe më caktuan në zjarrfikëset e qytetit. Po nga DPB varej edhe ky repart. Muaj të tërë rrija i trembur. As me shokët s’flisja. Le që edhe ata nuk rrinin e flisnin me mua. Ruheshim shumë. Edhe sot çuditem, se si nuk përfundova në pranga. Qe koha e spastrimeve të mëdha. Edhe njëherë të vetme të kishe pirë kafe me një nga armiqtë e etiketuar, pikëpyetja kthehej në pranga. Edhe sot falënderoj fatin që më shpëtoi. Po ngaqë situatat precipituan e rrodhën ndryshe shumë shpejt.

-Sot pas 30 vitesh të ngjarjes dhe 20 viteve demokraci, si e gjykon veprimin e asaj kohe?

-Shumë të keq! Një arrestim që s’ka bërë vaki! U arrestuan shumë grupe armiqësore, anëtarë të Byrosë Politike e të Këshillit të Ministrave, po si ky lloj arrestimi jo, jo, nuk kam parë e mos më pafshin më sytë. Nuk e kuptuam pse në atë mënyrë?! Kryetari qe edhe anëtar i byrosë së rrethit dhe takohej dhe me kooperativistë. Qe masovik. Në arrestime nuk merrte pjesë. Nuk qe njeri agresiv. Edhe kur binin të arrestuar skuqej në fytyrë dhe nuk u foli me gojë asnjëherë. Me kolegët dhe vartësit sillej mirë. Qe shumë i rregullt: zyrë-punë-shtëpi! S’futej në ahengje e klube, jo! Pas arrestimit të tyre u vendosën rregulla më të rrepta dhe një frikë rrezatonte kudo e në çdo fytyrë të punonjësve të DPB-së në Sarandë. U kryen edhe veprime që edhe sot kanë shijen e hidhur tek opinioni publik i Sarandës. Po ikën e kaluan… Besoj je i kënaqur?

Faleminderit!

AGRON MEMA

( Dhënë për “Telegraf”, në Tetor 2012 )