Bardhyl HAZIZAJ / Ja si ua shitën Shqipërinë serbëve, Esat Toptani, Ahmet Zogu dhe Markagjoni

1272
Sigal

Pse, thotë studiuesi ushtarak Bardhyl HazizAj se, historia nuk bëhet nga shkrues batalionesh, por nga historianë seriozë

Thuhet nga kalemxhinj oborri e shërbëtorë, se Zogu ka marrë pjesë në Shpalljen e Pavarësisë (!). Kjo s’është aspak e vërtetë, pasi ai ka qenë me studime në Vjenë të Austrisë. Ai nuk ka marrë pjesë në asnjë nga momentet kulmore të historisë së vendit. Është mashtrim të thuhet se ai me iniciativën e tij u bëri thirrje parësisë së vendit duke përfshirë edhe Kosovën dhe shoqëritë shqiptare në mërgim për t’u mbledhur në “Kuvendin Kombëtar” në Elbasan më 1916, i cili do të vazhdonte punën e ndërprerë të “Kuvendit të Vlorës”. Është fakt se, komandant i ushtrisë kombëtare ka qenë Kasëm Qafzezi e jo Zogu, i cili kishte në atë kohë gradën e nëntogerit dhe ishte në shërbim të dajës së vetë, Esat Toptanit. Thirrjet për Kuvend i bënë patriotët si Aqif Pashë Elbasani e të tjerë. Po kështu në mënyrë të paskrupullt “justifikohet” ardhja e tij me forca të huaja nga Jugosllavia, duke e ripushtuar vendi. Historia nuk është vetëm turp, është rruga ku kanë kaluar brezat dhe se ai segment i rrugës që mbulohet me turp i takon atij brezi që e lejoi turpin apo që e bëri turpin. Historia nuk fshihet, as turpi nuk fshihet. Një autor ka bërë  një libër ku deformon figurën e Enver Hoxhës, duke treguar anektoda dhe shaka bazuar në fakte historike, një libër plehër tipike politike nga një arsenal antikomunist, jo i bazuar në burime historike të verifikuara dhe vërtetuara. Ka dokumente autentike që vulosin të vërteten e thënë dhe hedhin poshtë akuzat e sotme. Historianët me servilizëm po e shtrembërojnë historinë. U zhvlerësuan vendimet e Kongresit të Përmetit, 24 Maj 1944 dhe ato vendime të mëvonshme

Serbët, “Republika e Mirditës” dhe Markagjoni

Për gjendjen e krijuar në Shqipëri në vitin 1921 shkoi Noli si përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Aty ai e mbrojti shumë mirë çështjen shqiptare dhe kërkoi nga Këshilli i Lidhjes që të njihte kufijtë e Shqipërisë caktuar prej Konferencës së Londrës më 1913. Por Këshilli i Lidhjes së Kombeve, me një vendim që mori më 25 qershor 1921, ia la në dorë atë çështje Konferencës së Ambasadorëve, e cila zëvendësonte Këshillin e Lartë të Konferencës së Paqes. Në Konferencën e Ambasadorëve, Jugosllavia e Greqia kishin gjithmonë përkrahjen e Francës. Duke përfituar nga gjendja e brendshme e Shqipërisë, Jugosllavia desh ta shkallmonte këtë me anën e shqiptarëve vetë dhe t’i tregonte botës së jashtme, veçanërisht Konferencës së Ambasadorëve dhe Lidhjes së Kombeve, se Shqiptarët nuk mund të formonin një shtet. Për këtë qëllim gjeti Kapedanin e Mirditës, Marka Gjonin. Ky pat qëndruar ca kohë në Prizren, ku ishte marrë vesh me qarqet jugosllave për t’iu shërbyer planeve të tyre. Me të hollat dhe armët që i dha Jugosllavia, u kthye në Mirditë dhe filloi kryengritjen nga mbarimi i qershorit 1921. Disa javë më parë, shtypi jugosllav kishte filluar një fushatë kundër qeverisë së Tiranës, të cilën e paraqiste si pasardhëse të Turqve të Rinj dhe përndjekëse të katolikëve. Nga kjo fushatë, kuptohet se qarqet jugosllave menduan që Marka Gjoni do të mund të tërhiqte rreth tij gjithë katolicizmin shqiptar. Por mbasi Kapidanin, në rrugën e tradhtisë, nuk e ndoqi as e tërë Mirdita, ai u shtrëngua të kthehej përsëri në Jugosllavi ku, nën mbrojtjen e jugosllavëve dhe i këshilluar prej tyre, shpalli në Prizren “Republikën e Mirditës” më 17 korrik 1921. Pastaj me anën e jugosllavëve iu drejtua Lidhjes së Kombeve, si edhe Jugosllavisë, Greqisë e Italisë që ta njihnin “republikën” e tij. Jugosllavët i dhanë Marka Gjonit ushtri jugosllave, artileri, banda kriminelësh të arratisur në Jugosllavi, dhe e nisën për në Mirditë. Kjo ngjarje e shëmtuar e tronditi shtetin e ri shqiptar dhe ju dha zemër grekëve në jug. Qeveria shqiptare u përpoq t’i bënte ballë gjendjes. Fuqi të reja u thirrën nën armë dhe u formuan trupa vullnetarësh t’u qëndronin bandave të Marka Gjonit. Në tetor 1921, përfaqësuesi jugosllav në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve e paditi qeverinë shqiptare se, gjoja bënte një politikë fanatizmi mysliman që synonte shfarosjen e të krishterëve. Këtë shpifje të ndyrë e përgënjeshtruan me një telegram drejtuar Lidhjes së Kombeve Arqipeshkvi i Shkodrës, Abati i Mirditës dhe grupi i deputetëve katolikë. Mbasi ndërhyrja jugosllave në Shqipëri po rrezikonte paqen, Konferenca e Ambasadorëve nuk mund ta mbante më të mbyllur në sirtar çështjen shqiptare. Ajo ndërhyri në Shqipëri nëpërmjet komisionit, i cili nuk gjeti asnjë lloj republike në Mirditë, dhe vetë Marka Gjoni ishte hoteleve në Beograd

Miq të vërtetë të Jugosllavisë

Zogu, porsa erdhi në pushtet, përjashtoi nga Parlamenti gjithë deputetët e opozitës, shpërndau Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, i dha Jugosllavisë grykën e Vermoshit dhe Shën Naumin, që ishin brenda kufijve të shtetit shqiptar të vitit 1913. Zogu asgjësoi figurat më të shquara të luftonin për çështjen kombëtare e që nuk i deshi Serbia. Më 13 gusht 1925, në gazetën “Politika”, Nikolla Pashiç me entuziazmin e fitores thotë: “Ne kemi marrë nga Shqipëria disa pika shumë të vlefshme, si nga pikëpamja strategjike dhe komunikative, siç është gryka e Vermoshit… Diplomacia jonë ka kryer këtu detyrën ashtu siç thuhet”. Dhe për shërbimet që i bënë Jugosllavisë, Ahmet Zogu dhe Ceno beg Kryeziu u vunë në qendër të shtypit të Beogradit si “miq të vërtetë të Jugosllavisë”.

Fundi i Nolit, me valixhe në duar

Përpara se të niste sulmi, Jugosllavët kishin përqendruar trupa gjatë kufijve dhe filluar nga provokimet. Me të hollat që i dhanë anglezët (Shoqëria Anglo-Persiane), me armët dhe municionet që i dhanë jugosllavët dhe me forcat mercenare që përgatiti në Jugosllavi, ku mblodhi rusë të bardhë e aventurierë, Ahmet Zogu e sulmoi Shqipërinë nga mesi i dhjetorit 1924. Një regjiment i ushtrisë së rregullt jugosllave shkeli kufirin shqiptar për t’iu hapur udhën bandave mercenare që komandonte Ceno Kryeziu. Njëkohësisht hynë nga ana e Kakavisë, në jug, Myfit Libohova dhe Koço Kota me bandat e përgatitura në Greqi. Qeveria shqiptare, përveç disa përpjekjesh të vogla, nuk bëri dot qëndresë, se çdo gjë ishte shthurur që më parë: nuk kishte as komandë, as plan, as drejtim. Një qëndresë që bëri Elez Isufi, në Peshkopi, u thye, dhe ai vetë u vra. Po ashtu mbaroi edhe qëndresa e Bajram Currit. Pasi mblodhi fuqi të tjera në Dibër e Mat, Ahmet Zogu hyri në Tiranë më 24 dhjetorit 1924.  Fan Noli me qeverinë dhe me një grumbull “demokratësh” hipën në një vapor, në Vlorë, dhe ikën në Itali.

FAIK KONICA PËR AHMET ZOGUN NË 7 PRILL 1939

Eshtë një shprehje e popullit, që thotë “bë 100 të mira, një të keqe po bëre ajo të mbahet mend”. Edhe Ahmet Zogut më shumë se çdo gjë tjetër i mbahet mend “Ikja” në 7 Prill1939, braktisja e popullit të vet në ditën e pushtimit fashist. Historia nuk përmend një rast të ngjashem si ky, të paktën në rajonin e Ballkanit ku jetojmë. Sa për ilustrim po sjellim këtu fjalët e Faik Konicës për arratisjen e Amhet Zogut:

“Në rast se Zogu do të kishte vendosur që të qëndronte me popullin e tij dhe do ta godiste pushtuesin nga malet, ai do të kishte përsëritur në shekullin e njëzetë epokën e Skënderbeut, duke fituar kështu adhurimin e botës dhe mirënjohjen e popullit të tij. Në vend të kësaj ai zgjodhi arratisjen dhe, për pasojë, nuk arriti ‘ta fitojë adhurimin e botës dhe mirënjohjen e popullit të tij”.

HASAN PRISHTINA

Më 14 gusht, në Selanik, u vra Hasan Prishtina, njëri prej ideologëve më të shquar të rilindjes shqiptare, por edhe të Pavarësisë  së Shqipërisë. Ai u vra nga një prej të ashtuquajturit Ibrahim Çelo nga Resnja e Manastirit, njeri i hurit e i litarit, të cilin Hasani e kishte mbajtur me bukë. Vrasësi ishte i paguar nga Zogu dhe ndihmohej nga konsulli shqiptar në Selanik që ishte shërbëtor i Zogut. Kjo ishte një vrasje e pastër politike dhe që bëri bujë të madhe.

BAJRAM CURRI

Për të mos rënë në duart e xhandarmërisë së Zogut kreu vetëvrasje në Shpellën e Dragobisë më 25 maj 1925. Gjatë jetës së tij u shqua si prijës popullor, si luftëtar i paepur, si strateg tejpamës i kryengritjeve të mëdha antiosmane e antishoviniste, si udhëheqës demokratik antifeudal, kundër regjimit të feudalëve dhe bajraktarëve, si ministër i luftës e komandant i përgjithshëm, për çlirimin dhe mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut.

MARRËVESHJA PASHIÇ – ESAT TOPTANI, 17 SHTATOR I VITIT 1914

* Pasi që me dëshirën e zotit të dy popujt, serb dhe shqiptar e banojnë një territor, vetvetiu janë të detyruar nga ngjarjet historike të jetojnë në paqe dhe miqësi, të ndihmohen reciprokisht dhe bashkërisht të mbrohen. Që të plotësohet dëshira e zotit dhe urtësia politike, paria – përfaqësuesit e të dy popujve janë pajtuar ta bëjnë këtë marrëveshje:

* Serbia dhe Shqipëria lidhin midis tyre paqe të përjetshme dhe miqësi. Do t´i shmangen si njëra ashtu edhe tjetra që të mos ofendojnë dhe dëmtojnë interesat dhe nderin e palës tjetër.

* Serbia dhe Shqipëria marrin mbi vete detyrë dhe obligime, që prej tani mos të bëjnë marrëveshje me cilin do shtet tjetër në dëm të interesave dhe zhvillimit të palës tjetër, dhe kurrë me askënd mos të bëjë marrëveshje kundër mikut dhe aleatit të vet.

* Serbia merr mbi vete obligim ta ndihmojë rregullimin e Shqipërisë në frymën e vetive popullore dhe të nevojave të kombit shqiptar, duke pasur parasysh veçoritë e fiseve që janë zhvilluar gjatë historisë.

* Po ashtu Serbia merr mbi vete obligim ta ndihmojë formimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, ku do të jenë të përfaqësuara të gjitha fiset. Këshilli do të ketë fuqi ligjdhënëse dhe do t´i emërojë gjyqtarët e popullit.

* Të dy palët janë dakorduar që për sundimtar të Shqipërisë ta njohin atë shqiptar, të cilin do ta zgjedhë Kuvendi i madh popullor i përbërë nga dy përfaqësues të fiseve më të mëdha dhe nga një i fiseve më të vogla.

* Nëse do të zgjidhet Esat Pasha, ose çdo shqiptar tjetër i aftë dhe i denjë, atëherë të dy palët obligohen që bashkërisht t´i nxjerrin tre kandidatë dhe atë që do ta zgjedhë Këshilli i madh popullor, atë ta njohin dhe ta përkrahin të dy palët.

* Për t´u siguruar miqësia e përjetshme dhe aleanca midis Serbisë dhe Shqipërisë, ata që tani janë dakorduar për doganën e përbashkët, mbrojtjen e përbashkët, përfaqësinë e përbashkët ndaj vendeve tjera si dhe për mjetet e përbashkëta të komunikacionit.

* Nëse e kërkon nevoja, për ruajtjen e miqësisë dhe aleancës së përbashkët si dhe kontakteve të drejtpërdrejta për mbrojtjen e të dy shteteve, do të themelohet me kohë një trup i përbashkët që do të kujdeset për zhvillimin dhe ekzistimin e enteve të përbashkëta.

* Krerët shqiptarë marrin mbi vete obligim se në territorin e vet nuk do të durojnë kurrfarë agjitacioni kundër Serbisë dhe qetësisë së saj, dhe se do t´u lejojnë të krishterëve predikimin e lirë të besimit dhe mësimit në dialektin me të cilin flasin.

* Kufiri definitiv midis Serbisë dhe Shqipërisë do të caktohet nga një komision që do të përbëhet nga një numër përfaqësuesish serbë e Shqiptarë.

* Shqipëria merr mbi vete obligim se nuk do t´i kundërshtojë Serbisë në ndërtimin e hekurudhës së Adriatikut deri në Durrës, pasi që kjo të marrë obligim që t´ua kompensojë pronarëve për tokën që ua merr për nevoja të hekurudhës.

* Që të mund t´i paguaj shpenzimet rreth sendërtimit të kësaj marrëveshjeje Serbia obligohet të japë nga 50. 000 dinarë në muaj, deri sa të zgjidhet sundimtari. Pasi të zgjidhet ky, do të bëhet një marrëveshje e posaçme për pagesën e shpenzimeve për nevoja të enteve të përbashkëta.

* Ushtria serbe nuk guxon të kalojë kufirin serbo – shqiptar, po ashtu edhe ushtria shqiptare, ose njerëz të armatosur, nuk guxojnë të kalojnë në tokat e Serbisë.

* Kjo marrëveshje është arritur tani midis përfaqësuesve të Serbisë dhe përfaqësuesit të Shqipërisë Esat pashës, kurse më vonë do të vërtetohet nga sundimtarët e Serbisë dhe të Shqipërisë, kur të zgjidhet ky.

* Përfaqësuesi i Shqipërisë, Esat Pasha, pranon mbi vete obligimin se nuk do të punojë asgjë kundër përmbajtjes së kësaj marrëveshjeje dhe se gjithnjë në marrëveshje dhe me besnikëri do të punojë me përfaqësuesin e Serbisë, pa marrë parasysh se kush do të caktohet nga ana e Serbisë.

Në Nish, më 4 (17) shtator 1914.

Në emër të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar Esat Toptani.

Teksti i marrëveshjes është shkruar në turqisht me shkrim arab, kurse nënshkrimi i Esatit është në latinisht. Po ashtu një kopje është edhe në serbisht.

4 MËKATET E PASHIÇIT NDAJ SHQIPËRISË

Para se të fuste Zogun në Shqipëri në vitin 1924, kur ai kish marrë arratinë pas Qeverisë së Nolit, serbomadhi, armiku më i madh i shqiptarëve, Pashiç, e kishte bërë këtë veprim edhe tre herë të tjera më parë; një herë në vitin 1913, ku kish derdhur lumenj gjaku kosovarësh; herën tjetër, në vitin 1914, kur futi dajon e Zogut, Esat Pashë Toptanin në Shqipëri për të bërë lëmsh punët e këtij vendi të vuajtur; më vonë, më 1921 futi Marka Gjonin, që formoi të ashtuquajturën “Republika e Mirditës”; dhe tani po fuste Zogun, duke i dhënë mjetet që i duheshin për të rimarrë pushtetin. Në aksionin e tij Zogu u ndihmua nga Ceno Beg Kryeziu, i cili hynte e dilte në Beograd si në Shtëpinë e tij.