Vrasja e shqiptarit në Itali, vajza që e futi në kurth ishte shqiptare nga Maqedonia

632
Sigal

Zhvillime të reja lidhur me vrasjen e shqiptarit Ismail Luli në Itali.

Siç raportojnë sot mediat vendase, hetuesit kanë marrë në pyetje 20-vjeçaren Ambera Saliji, shqiptare nga Maqedonia me banim në qytezën italiane Lunano, si dhe është bastisur nga policia banesa ku vajza jeton.

Efektivët raportohet se kanë marrë në banesë celularë dhe kompjuterë.

Mbi mjetet elektronike të sekuestruara, hetuesit do të hulumtojnë për të zbuluar nëse ka elemente që implikojnë vajzën në vrasjen e Ismail Lulit, më 19 Korrik 2015 nga dy shqiptarë të tjerë, Igli Meta 22 vjeç dhe Marjo Mema 21 vjeç, të dy të dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit.

Ish e dashura e një prej dënuarve, Igli Metës, është nën hetim për bashkëpunim në vrasjen me paramendim. Vajza është nën hetim që prej 26 Prillit 2017, ndërsa më herët ka qenë dëshmitare e prokurorisë.

Sipas hetimeve: Ishte Ambra e cila duke zbatuar udhëzimet e Iglit, me anë të një mesazhi futi në kurth Ismailin, duke kërkuar një takim me të, pak kohë pasi të dy kishin pasur një marrëdhënie seksuale. Një tradhti që Igli e zbuloi nga një mik i përbashkët i tiji dhe Ismailit, vetëm pak ditë para krimit.

Nga ai moment, Igli Meta mendoi për hakmarrjen ndaj Ismailit, por gjithashtu mësoi se e dashura e tij Ambra e kishte tradhtuar edhe me disa shqiptarë të tjerë.

Por, Ismaili ishte më i lehtë për t’u goditur, duke qenë se Ambra i paralajmëroi të tjerët, ndërsa Ismailit nuk i tregoi për qëllimin e Iglit për hakmarrje.

“Mesazhin kurth”, Ambra ia dërgoi Ismailit rreth orës 14 të 19 Korrikut, para tre vjetësh, me kërkesë të Iglit. Po të mos ishte për atë SMS, Ismaili nuk do dilte kurrë nga shtëpia për të takuar Iglin. Në vendtakim, Ismaili Luli nuk do të gjente Ambrën por Iglin, e më pas do të ekzekutohej prej tij.

Ajo është justifikuara para hetuesve, duke thënë se nuk e mendonte se takimi mes Iglit dhe Ismailit do të përfundonte në vrasje. Vajza ka thënë se e imagjinonte si një takim sqarues, shkruan Panorama.

Avokati mbrojtës i Ambrës, Giovanni Chiarini, citohet nga mediat italiane, të ketë thënë: “Është e drejtë që të bëhen të gjitha kontrollet e nevojshme dhe asistentja ime nuk do të kundërshtojë asgjë dhe gjithmonë do të ofrojë bashkëpunimin e saj si zakonisht”.

“Vajza është e pafajshme, kurrë nuk mendonte apo imagjinonte se kjo tragjedi mund të ndodhte. Nga një pikëpamje morale është e vetëdijshme për atë që ka ndodhur, por ligji penal ndjek një rrugë tjetër dhe do të provohet pafajësia e saj”, ka shtuar ai.