Rekordi në “Twitter” : 75 mln postime për zgjedhjet presidenciale në SHBA

163

Një ditë më parë, zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës ishin kryefjalë edhe në rrjetin social “Twitter”, duke shënuar dhe një
numër rekord.

Mediat
ndërkombëtare shkruajnë se plot 75 milionë postime janë lidhur me hashtagun
#Election2016, që nga dita e votimit e deri në momentin e shpalljes së fitores
së Donald Tramp.



Ky përditësim vjen në rrjetin social që thekson se në vitin 2012 ditën e
zgjedhjes janë shënuar 31 milionë postime.



Lidhur me këtë, vetë manjati njujorkez ka modifikuar biografinë e tij në
“Twitter” dhe ka bërë postimin e parë si president i zgjedhur, ku u shpreh se
“askush nuk do të jetë më i harruar”.



Ndërsa nga ana tjetër, postimi i fundit i Hillari Klinton ka qenë falënderimi
për mbështetësit dhe është postimi i saj i dytë më i shpërndarë.



Autoritetet e rrjetit social kanë bërë të ditur se që nga fillimi i vitit,
temat më të debatuara në “Twitter” kanë qenë për zgjedhjet në SHBA, ndjekur nga
politika e jashtme me 50 milionë postime, terrorizmi me 29 milionë, ekonomia e
SHBA-së me 25 milionë, armët me 19 milionë dhe siguria informatike 18 milionë./Botasot/