Putin: Bashar Al Assad gati të mbajë zgjedhje të parakohshme

61
Presidenti sirian Bashar Al Assad është gati të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare ose të ndajë pushtetin e tij me opozitën, për të mirën e vendit. Deklarat është bërë nga aleati më i mirë i Assad, homologu i tij rus Vladimir Putin.
“Ne e kuptojmë që në Siri ka nevojë për ndryshime politike. Po punojmë bashkë me Sirinë për të rikthyer stabilitetin në vend, për të bashkuar forcat në luftën e përbashkët kundër terrorizmit por paralelisht kjo duhet të ecë edhe me disa ndryshime politike të brendshme në Siri.
Vetë presidenti sirian është dakord me këtë, madje edhe të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare, për të rivendosur kontakte të shëndetshme me opozitën”.
Sa i përket përfshirjes direkte të Rusisë në aksionet direkte ushtarake kundër Shtetit Islamik, të drejtuara nga SHBA-të, shefi i Kremlinit e ka përjashtuar si opsion, të paktën për momentin.
“Ne duam të krijojmë realisht një koalicion ndërkombëtar për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin, përkrah partnerëve tanë si SHBA. Kam biseduar për këtë cështje me presidentin Obama, me presidentin turk, me liderët e Arabisë Saudite etj. Por është ende e parakohshme të diskutosh një përfshirje direkte të Rusisë në aksione ushtarake kundër ISIS. Për momentin Moska po vlerëson opsione të tjera”.
Mediat britanike kanë shfaqur kohët e fundit disa pamje të transmetuara nga televizioni shtetëror sirian, ku shfaqen trupat ruse që po luftojnë në Siri pro regjimit të Assad.