Putin akuzon Turqinë si furnizuese me naftë e ISIS, Erdogan: Një provë dhe dorëhiqem

485
Erdogani mbron ISIS-in, sepse nga xhihadistët blen naftën me gjysmë çmimi. Vladimir Putini jo vetëm ka shpërfillur Erdoganin, duke i mohuar atë takim që udhëheqësi i Ankarasë kishte kërkuar gjatë zhvillimit të samitit mbi klimën në Paris, por e shton dozën e “helmit”.
Dhe godet fort. “Mbrojtja e turkmenëve – ka shtuar ai, në lidhje me linjën zyrtare të Turqisë – është vetëm një pretekst”. Kremlini ka marrë “kohët e fundit’ raporte të rinj të shërbimeve të fshehtë, të cilët flasin për një trafik nafte nga territoret e kontrolluar nga ISIS-i në Turqi, “në shkallë industriale”. Fjalët e Putinit hapin një kuti të Pandorës. “Nafta nga territoriet që kontrollohen nga Shteti Islamik dhe organizatat e tjera terroriste transportohet në sasi të mëdha në territorin turk. Vendimi i Turqisë për të sulmuar avionin tonë është motivuar nga synimi për të garantuar sigurinë e këtyre linjave të transportit në territorin turk”, ka thënë Putin.
Pyetja që ngrihet, është se cilat janë organiztata e tjera terroriste.
Shteti Islamik siguron shumicën e parave të tij nga shitjet e paligjshme të naftës.
Por raporti mbi emergjencën terroriste i përgatitur nga Financial Action Task Force (Fatf), theksohet se shumica e qeverive jo vetëm nuk marrin seriozisht luftën ndaj komisioneve mes financës ndërkombëtare dhe rrjeteve të terrorit, por madje edhe mbyllin sytë. Një shembull është pikërisht Arabia Saudite, “që përdor standartet e Fatf për t’u mbrojtur në shtëpinë e vet dhe i shkel tërësisht në veprimtarinë e saj jashtë vendit dhe atë ndërkombëtare”. Nëse nga njëra anë, Riadi është në vendin e parë sa i përket aksioneve kundër krimeve të lidhjes mes terrorizmit dhe financës, nga ana tjetër ai është, bashkë me katarin, financuesi dhe mbështetësi më i madh i fytprerësve”.
Në dëgjesën që iu kushtua Financimit të Terrorizmit dhe Shtetit Islamik, organizuar në 13 nëntor 2014 nga Komisioni i Shërbimeve Financiare të Kongresit Amerikan, doli qartë se “ndërkohë që al Kaeda mund të mbështetej, pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, në afro gjysmë milioni dollarë financime në ditë, ISIS-i fitonte 1-2 milionë dollarë në ditë përmes shitjes së naftës, shpërblimeve të kërkuar për pengjet dhe financimeve nga ana e organizatave bamirëse, mbi të gjitha nga vendet e Gjirit, duke nisur nga Katari dhe Arabia Saudite”
Erdogan: Një provë e dorëhiqem, por në rast të kundërt të dorëhiqet Putin
Fjalët e presidentit rus kanë ndeshur në reagimin e menjëhershëm të palës turke: Duke folur në Paris, ditën e parë të Samitit të OKB-së për ndryshime klimatike; përpara 140 liderëve botërore, Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan, ka thënë se është gati të japë dorëheqjen, nëse deklaratat e Putinit konfirmohen.
“Eshtë imorale – ka thënë ai për mediat ndërkombëtare në Paris – që të akuzosh Turqinë se blen naftë nga ISIS. Nëse ka dokumenta, duhet t’i paraqesin, t’i shohim. Nëse kjo demonstrohet, unë nuk rri më në detyrën time. Dhe i them Putinit: po ti do ta bësh të njëjtën gjë?”.
Në qëndrimin e tij, Presidenti turk theksoi angazhimin e Turqisë për të luftuar terrorin e ISIS-it në rrugën më të shkurtër, duke shtuar se ai do të jepte dorëheqjen menjëherë, nëse provohet se është blerë naftë nga ISIS-i.
Erdogan i bëri thirrje homologut të tij rus të shpjegojë se ku e shet naftën ISIS-i. Ai tha se qytetarët siriano-rusë e kanë blerë naftën nga ISIS-i dhe kjo është vërtetuar nga burime zyrtare Amerikane.
“Ndaj së pari ata (Rusia) duhet të përgjigjen për këtë akuzë”, theksoi Erdogan para të gjithë liderëve botërorë, por edhe mediave të të gjithë planetit që ndjekin eventin e Parisit.
Presidenti i Turqisë, shtoi më tej se akuza e Moskës ndaj Ankarasë nuk është morale, pasi “çdo gjë që pretendon duhet të provohet”.
Duke ironizuar me frazën e rusëve, Erdogan theksoi se dihen burimet nga ku turqit e marrin naftën: “Ne e blejmë atë nga Rusia, Irani, Aserbaxhani, Katari dhe Nigeria. Ne nuk mund dhe do të pranojmë shpifje të tilla”, tha kreu i shtetit turk në fjalimin e tij.
Ndërkaq, në lidhje me vendimin e Moskës për t’i vënë sanksione Ankarasë, Erdogan tha se “ vendimi duhet marrë me durim dhe jo emocionalisht”.
Putin deklaroi në fjalimin e tij se arsyeja e rrëzimit të avionit rus nga turqit, ishte që të mos goditen rezervat e naftës së ISIS-it.
Pas rrëzimit të avionit rus, Putin firmosi një dekret për t’i vënë sanksione Ankarasë, kur Erdogan tha se Turqia nuk ka pse dhe nuk do t’i kërkojë falje Moskës. Zyrtarët rusë thanë se mund të ndalohen (nëse duhet), edhe importet e prodhimeve bujqësore nga Turqia. Në fakt Rusia importon një sasi të madhe prodhimesh, kryesisht drithëra, perime, fruta të freskëta dhe të thata, si dhe erëza të ndryshme nga Turqia.
Tensionet mes dy vendeve vijojnë që pas ditës kur Turqia rrëzoi një avion ushtarak rus me dy pilotë nën pretendimin se shkelën hapësirën ajrore turke.
Një pilot rus është vrarë dhe një tjetër ka shpëtuar kur avioni rus Su-24 është rrëzuar nga avionët turq, më 24 nëntor.
Sigal