Ekskavatorët kanë zhdukur 2 mijë km2 shtretër lumenjsh, babëzia shpërfill dhe “mbyt” ligjin

705
Vazhdon ende masakra mbi lumenjtë në Shqipëri. Një “ushtri” firmash private që nxjerrin lëndë ndërtimi zhavorr e rërë në shtretërit e lumenjve, janë vërsulur duke shkatërruar këtë pasuri fizike e mjedisore. Fakti është ky: sot, Shqipëria nuk ka asnjë lumë, ku të mos jenë ngulur ekskavatorët që mbushin përditë qindra kamion me rërë e zhavorr. Kjo masakër e pakontrolluar dhe e lejuar nga shteti, sepse në sy të shtetit dhe institucioneve kontrolluese, parandaluese dhe ligj zbatuese këto firma inertesh vazhdojnë aktivitetin edhe pse që prej 9 vitesh përballë tyre është vendosur dhe qëndron në fuqi një vendim i posaçëm që përcakton kriteret, kohën dhe detyrimet që këto firma duhet të përmbushin për shfrytëzimin e shtretërve të lumenjve. E kemi fjalën për vendimin Nr. 1 të datës 21.06.2006 “Reduktimin e shfrytëzimit të zhavorreve dhe rërës në shtretërit e lumenjve”, vendim, i cili përcakton saktësisht lumenjtë ku duhet të ndryhet dhe kohën, se kur duhet të shfrytëzohen këta të fundit për marrjen e inerteve nga “barbarët”, të cilët nuk po lënë pellg dhe rrjedhë lumi pa futur makineritë e tyre, duke çuar në shkatërrimin e plotë të shtretërve të tyre dhe së fundmi në reduktimin e sipërfaqes territoriale të Shqipërisë, e cila në letra është 28.748 km2, sot rezulton të jetë afërsisht 26 mijë km2. E gjithë kjo “babëzi” që bëhet nga të gjitha firmat zhvillohet në mes të ditës, në rrugët kryesore të vendit, aty ku kalojnë dhe lumenjtë të cilët shfrytëzohen në mënyrë mizore në kundërshtim të plotë me ligjin. Shteti nuk merr asnjë masë parandaluese përballë kësaj mizori e cila po çon drejt shkatërrimit shtretërit e lumenjve. Skandali merr përmasa akoma më të mëdha, pasi këto firma jo vetëm që shfrytëzojnë lumenjtë, por bëjnë dhe grumbullimin dhe më pas përpunimin e këtyre inerteve, të cilat për shtetin janë të padukshme. Asnjë ministri përkatëse nuk merr masa, qoftë Ministria e Mjedisit apo institucione të tjera, të cilat qëndrojnë indiferente përballë këtij skandali, i cili çdo ditë e më shumë rritet nga firmat e shfrytëzimit të inerteve të lumenjve. Janë plot 197 pika përpunimi të këtyre inerteve, që zhvillojnë aktivitetin e tyre buzë lumenjve të pa shqetësuara nga shteti, i cili në dijeni të plotë të masakrës që po ndodh çdo ditë, nuk vepron për të vënë në zbatim ligjin e miratuar nga vetë këtë ta fundit. Edhe në ligjin e miratuar në vitin 2006 theksohet se, shfrytëzimi i inerteve lumore lejohet vetëm për periudhën 1 qershor-31 tetor, asnjë nga firmat nuk respekton këtë afat, duke zhvilluar aktivitetin tyre në lirshmëri të plotë, të paprekur nga drejtësia në çdo ditë të vitit. Edhe pse thuhet se pas shfrytëzimit të zhavorrit dhe rërës, nga ana e firmave duhet të bëhet rehabilitimi i zonës, asgjë e tillë nuk ndodh. Asnjë nga firmat “bandite” nuk respekton këtë vendim, duke shkatërruar plotësisht çdo gjë që ata kanë në dorë. Të gjithë lumenjtë në vend janë vënë “nën pushtetin” e firmave, të cilat nuk respektojnë asnjë nga kriteret e përcaktuara në vendimin Nr. 1 të datës 21.06.2006 “Reduktimin e shfrytëzimit të zhavorreve dhe rërave në shtretërit e lumenjve”. Ndërkohë që kjo masakër mjedisore merr përmasa gjigande çdo ditë, shteti hesht, jo se nuk shikon se çfarë ndodh, por se interesat e këtyre të fundit janë të lidhur ngushtë me shfrytëzuesit “banditë” të inerteve në lumenjtë e vendit, të cilët po shkatërrojnë dhe atë pak pasuri që ka mbetur. 
Ja Vendimi Nr. 1, datë 21. 06. 2006, për kontrollin e shfrytëzimit të lumenjve
Vendimi i marrë nga Këshilli Kombëtar i Ujit në datën 21.6.2006, për reduktimin e shfrytëzimit të zhavorreve dhe rërave në shtretërit e lumenjve, vendosi: 
1- Shfrytëzimi i zhavorreve dhe i rërave në shtretërit e lumenjve lejohet vetëm kur, nga institucionet e specializuara, studimore dhe projektuese, në fushat e hidraulikes, hidroteknikes, hidrologjisë, gjeologjisë, tokave, pyjeve, mjedisit etj, si dhe ne monitorimin e autoriteteve të ujit, janë realizuar studimet e projektet e nevojshme për shfrytëzimin e zhavorreve e rërave dhe për rehabilitimin e zonave, që do të shfrytëzohen.
2- Shfrytëzimi i zhavorreve dhe rërave në shtretërit e lumenjve lejohet vetëm kur, sipas studimeve të kryera nga institutet e specializuara, ka depozitime të mjaftueshme dhe vetëm në segmentet e mëposhtme:
-Në basenin Drin-Bunë:
a) Në lumin Bunë, nga bashkimi i tij me lumin Orin deri 1 km me poshtë.
b) Në lumin Kir, në të gjithë gjatësinë e tij.
– Në basenin Mat:
a) Në lumin Mat:
– Segmenti nga bashkimi i lumit Mat me lumin e Fanit, deri në 500m mbi Urën e Zogut.
– Segmenti nga Ura e Milotit (500m nen urën e autostradës) deri në fshatin
Gurze.
b) Në lumin e Fanit, në segmentin 500m nën urën e Rrëshenit deri në bashkimin e tij me lumin Mat.
– Në basenin Shkumbin:
a) Në lumin Devoll, gjatë të gjithë rrjedhës së tij.
b) Në lumin Shkumbin, në segmentin 500m mbi urën e autostradës, Peqin, deri ne rrjedhën e sipërme, me përjashtim të zonës së banuar të qytetit të Elbasanit,
– Në basenin Seman:
a) Në lumin Seman, në të gjithë gjatësinë e tij, me përjashtim të zonës së fshatit Vërri, përballë Marinzës.
b) Në lumin Osum, në të gjithë gjatësinë e tij, me përjashtim të zonës 500m mbi Urën Vajgurore e deri në bashkimin me lumin Devoll, si dhe të zonës së banuar të qytetit të Beratit.
– Në lumin Vjosë: 
– Segmenti nga fshati Dragot deri në bashkimin me lumin Drino.
– Segmenti nga derdhja e lumit të Bënçës në Vjosë deri në përroin e Damesit.
– Segmenti nga fshati Poçëm, deri në 5 km mbi urën e Mifolit.
b) Në lumin Shushicë, në segmentin nga Kota deri në bashkimin me lumin Vjosë.
c) Në lumin Drino, nga rezervuari i Viroit deri në rrjedhën e sipërme. 
ç) Në lumin Bistricë, në zonën e Mesopotamit
d) Në lumin Kalase, gjatë të gjithë rrjedhës së tij.
3. Shfrytëzimi i inerteve lumore lejohet vetëm për periudhën 1 qershor-31
tetor, të çdo viti.
4. Shfrytëzimi i inerteve lejohet deri në thellësinë O.5 m mbi nivelin minimal të pasqyrës së ujërave nëntokësore.
5. Sasia e materialit, që merret nga çdo subjekt, të jetë jo më shumë se 50
Për qind e prurjeve të ngurta vjetore të zonës, që është miratuar për shfrytëzim.
6. Kërkesat e pikave 4 e 5, te këtij vendimi, zbatohen edhe nga subjektet e pajisura me leje shfrytëzimi, para hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Subjektet e pajisura me leje, në zonat e ndaluara për shfrytëzim nga ky
vendim, lejohen të punojnë me inerte lumore deri me 31 tetor 2006. (të çdo viti).
B. Brenda vitit 2006 të hiqen të gjitha impiantet e përpunimit të inerteve dhe materialet e grumbulluara, që ndodhen brenda argjinaturave dhe në shtretërit e lumenjve.
Sigal