Ballshi dhe uzina, dy binjakë të sëmurë

1160
Ballshi është qendra administrative e krahinës së Mallakastrës, që shtrihet nën kurorën e bleruar të kodrave dhe është një qytet po aq sa i vjetër edhe i ri. Si i vjetër është pinjollë i Bylisit të lashtë, me vlera të mëdha të Ilirisë dhe antikitetit, kurse në Mesjetë me emrin Gllavenicë që kishte kishën e madhe me emër ku u pagëzua car Borisi i Bullgarisë. Ndërsa si qytet i ri është i lidhur me Uzinën e Përpunimit të Thellë të Naftës, e cila u ndërtua në vitet ‘70-të, në luginën e lumit Gjanica që gjarpëron në këmbët e tij. Qyteti dhe uzina janë pothuajse binjakë dhe në gjithë këto vite kanë bashkëjetuar. E gjithë nafta që nxirrej nga nëntoka jonë përpunohej aty dhe nënproduktet e saj ishin të shumta dhe përfitimet ekonomike të larta. Pranë saj u ndërtua edhe një TEC, që funizonte me energji elektrike dhe avull jo vetëm këtë uzinë, por edhe të gjitha nevojat e rajonit. Ky qytet i vogël pati jo vetëm zhvillim ekonomik, por dhe kulturor dhe profesional, fal lidhjeve të tij me këtë uzinë të cilës i jepte fuqinë punëtore të kualifikuar nga shkolla e mesme industriale, që ishte aty krahas gjimnazit dhe merrte prej saj forcën ekonomike e kulturën e njerëzve të shkolluar e të ditur. Ardhjen e demokracisë e pritën me shpresë të madhe si të gjithë edhe ballshiotët, të cilët aspironin të bëheshin pjesë e familjes së madhe europiane, prisnin që të fillonte një erë e re e zhvillimeve të shpejta ekonomike, politike, sociale e shoqërore dhe të preknin një mirëqënie të ëndërruar në vite. Por, kjo ëndërr mbeti ëndërr si për fatin e të gjithëve, gjatë gjithë këtyre viteve. Për të qenë realist, ardhja e demokracisë u prit edhe me inatin e akumuluar gjatë ndaj shtetit, që i kishte ndrydhur e shtrënguar në një trysni të skajshme mendimet dhe lirinë. Me paragjykime se çdo gjë e shtetit binte “erë të keqe”, u shkatërruan uzina, fabrika, ferma, vreshta, kanale ujitse e të tjera, për të cilat qe derdhur shumë djersë dhe mund. 
Abuzimet me lirinë
Më parë popullit i mungonte liria, që të ndalte abuzimet e shtetit ndaj lirisë së individit dhe shoqërisë, kurse pas viteve 90-të shteti nuk ishte në gjendje të ndalte abuzimet me lirinë dhe gjithë ai mund e djersë shkoi dëmë. Por, uzina, fal përkujdesjes së punonjësve të saj, i rezistoi shkatërrimit e më vonë u kthye në një shoqëri aksionere me emrin “Armo”. Në këto vite ajo ndjeu shenjat e lodhjes dhe prapambetjes teknologjike, por kollonat e saj ishin ende të forta. Krahas punës së mirë që u bë në këtë periudhë u shfaqën edhe simtomat e korrupsionit dhe keqmenaxhimit, ku antiligji dhe antishteti e përkeqsuan gjendjen e saj. Para disa vitesh “Armo” u privatizua me synimin për t’u shfrytëzuar më mirë, me kapacitet dhe efikasitet maksimal në prodhimin e nënprodukteve të naftës për nevojat e vendit dhe me angazhimin për tu kryer më shumë investime për riparimin e rinovimin e saj me synimin që aty të përpunohej e gjithë nafta e nxjerrë nga nëntoka jonë bujare. Progresi qe i pakët dhe roli i shtetit në realizimin e detyrimeve për të cilat ishte rënë dakort nga kompania, qe minimal. Në këto kushte uzina shtrydhej dhe hante përditë vetë –veten, aq sa sot nuk është në gjendje të paguaj as pagat e punonjësve të saj prej 4 muajsh. 
Uzina e sëmurë nga indiferenca
Tani kjo uzinë e sëmurë nga indiferenca dhe abuzimet, nga pakujdesia dhe lënia në harresë, lëngon në reminacion dhe nuk del asnjë “mjek” të marrë përsipër e të ngrehi në këmbë të vetmen uzinë, me përmasa të tilla përpunimi e punësimi që ka vendi jonë. Tek-tuk hidhet ndonjë fjalë në parlament, zyrave të ministrive, apo këtu në Ballsh, por pa rrugëdalje, pa shpresë për ta nxjerrë këtë uzinë nga kolapsi e ajo vazhdon lëngimin e mplakjen çdo ditë e më tepër bashkë me 1000 punonjësit të saj, të cilët kanë 4 muaj që marrin bukën me listë dyqaneve të qytetit të Ballshit, që duket i mekur, i heshtur para funeralit të rradhës që ndoshta përgatitet për të përcjell si të tjerat edhe këtë uzinë të vetme që i ka mbetur vendit. Mos qoftë e thënë, mos e pastë këtë fat, jo vetëm për problemet sociale që shton por edhe për vlerat e saj ekonomike. Premtimet se e gjithë nafta e vendit tonë do të përpunohej aty, kanë humbur, bashkë me to edhe ata që i trumbetonin në qytetin e vogël, të përgjumur në një heshtje të dhimbshme me sytë nga oxhakët, që nuk dihet nëse do të nxjerrin më tym a shpend të zesë do të ndërtojnë fole në majat e tyre. Si mallakastriot, si ballshiot që u rrita me erën e gurëve të Bylisit, që dhurojnë qëndresë, pranë Gllavenicës që i lutej Zotit, me erën e rëndë të arit të zi, që përpunohej në këtë uzinë, përjetoj si bashkëqytetarët e mi zhgënjimin e dhimbjen të cilat i bëjnë këto ditë edhe me të ftohta. Bashkë me ta eci këmbë zbathur mbi flori dhe padashur kujtoj, kur hyra për herë të parë në atë uzinë si vizitor, si nxënës shkolle dhe nuk i shlyej dot ato kujtime e mbresa, kur e gjithë ajo uzinë kimike kishte aq pastërti e lule sa nuk kishte e nuk ka sot asnjë qytet i tërë. Kurse sot e plakur, e rrudhur para kohe, kur simotrat e saj nëpër botë ndoshta më të vjetra se ajo punojnë si më parë, kërkon të mbijetojë. Ajo i dha aq shumë këtij vendi dhe nuk e meriton ndryshkun e harresës që e bren përditë. Rënkimet e saj i ndiejnë përditë ata që kanë punuar ndër vite aty, e sot qëndrojnë të heshtur dhe nuk mund të bëjnë asgjë as për vete dhe as për uzinën. 
Premtimet si “daulle e grisur”
Kurse të tjerë që duhet të flasin, por heshtin lajnë duart si Pilati. Të tillë njerëz e marrin zvarrë kohën dhe vendin gjithë halle. Të tillë njerëz bëjnë veçse premtime nga thesi i pafund i premtimeve, për të marrë një trastë vota nga varfanjakët. Sa turp! Ç’marrëdhënie mjerane, ç’hendek i thellë ndërmjet atyre që lypin vota dhe atyre që lypin bukë. Premtimet kanë ngelur si daulle e grisur dhe zgjedhjet janë larg për t’na ngopur me të tjera premtime nga thesi i pafund. Në këto ditë të ftohta uzina e heshtur bashkë me binjakun e saj shtrijnë dorën për ndihmë e të dy digjen nga ethet e urisë, njëri për naftë bruto e tjetri për bukë. Kurse shteti si zotni i rëndë shkon shpërfillës duke murmuritur shprehjen Migjeniane “Zoti të dhasht”. Qarku i Fierit, një nga më të mëdhenjtë e vendit tonë, ka një numër të madh intelektualësh e inxhinierësh me përvojë në fushën e naftës, gjithashtu ka një numër të madh deputetësh të majtë e të djadhtë nga të cilët Ballshi dhe uzina kanë pritur e presin dorën e tyre të ngrohtë në këto ditë të vështira. Heshtja në këto momente nuk nderon askënd, heshtja është motër me shprehjen e mësipërme “Zoti të dhasht” të cilën dy binjakët nuk e meritojnë dhe me thirrjen “sos” kërkojnë ndihmën e tyre, për të qenë pranë dhe për të ngjallur shpresën, kurse drejtuesve të kësaj kompanie të madhe u kërkojmë të bëjnë përpjekje maksimale për ta shëruar këtë uzinë, për të shlyer pagat e punëtorve që sytë i kanë aty. Ballshi dhe uzina, dy binjakë me thirrjen “SOS” pyesin dhe presin çdo të sjellë e nesërmja për ta. 
Sokol Hysenaj
Sigal