Pompeo takon May, kërkon intensifikimin e marrëdhënieve me Britaninë

236

Pas anulimit të vizitës në Gjermani dhe në vazhdën e deklaratave të Iranit se do të tërhiqej pjesërisht nga marrëveshja bërthamore, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo mbërriti në Londër, ku këtë çështje e diskutoi menjëherë me kryeministren Theresa May.

Në axhendën e tyre të bisedimeve ishte edhe propozimi për një “marrëdhënie të veçantë” mes dy aleatëve, pasi Britania të jetë tërhequr nga Bashkimi Europian.

Shefi i diplomacisë amerikane është shprehur në takimin me May-n se marrëdhënia e Amerikës me Anglinë po lulëzon.

“Marrëdhënia mes dy vendeve tona do të vazhdojë të mbetet e fuqishme pavarësisht se si do të mbyllet çështja e Brexit-it”, tha Pompeo, ndërsa shtoi se Presidenti Donald Trump pret me padurim ta firmosë marrëveshjen e tregtisë së lirë me Londrën.

“Presidenti Trump po e pret me shumë kënaqësi vizitën e tij muajin e ardhshëm. Dhe nga biseda që pata si me ministrin e Jashtëm britanik, Jeremy Hunt, ashtu dhe me kryeministren, mund të them se marrëdhënia e veçantë mes dy vendeve tona nuk është se thjesht po reziston, ajo është duke lulëzuar”, deklaroi Pompeo.

Vizita vjen në klimën e tensioneve në rritje me Iranin pas njoftimeve të zbulimit se Teherani ka dislokuar me anije raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në ujërat pranë brigjeve të tij.

“Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë interesat e tyre kudo që të jenë dhe ne gjithmonë do të sigurohemi që të kemi një strukturë force që besojmë se mund ta arrijë këtë qëllim. Pra, vizita ime dhe veprimet e ndërmarra nga Departamenti i Mbrojtjes, mesazhi që u kemi dërguar iranianëve, shpresoj se na e bën të mundur t’i dalim përpara kësaj dhe iranianët do të mendohen dy herë para se të sulojnë interesat amerikane”, deklaroi Pompeo.