Pinotti: Alarm i lartë i rrezikut të terrorizmit dhe në Itali

492
Pas ngjarjeve në Tunizi, Francë e Britani e Madhe, ministrja italiane e mbrojtjes Roberta Pinotti, në një intervistë televizive shprehet se dhe Italia mund të jetë objekt i atentateve terroriste. Në intervistën e saj, ministrja italiane e mbrojtjes shpjegon se në alarmin terrorist ekziston dhe një tjetër front mjaft i rrezikshëm, siç është ai ballkanik. 
“Nuk kemi menduar kurrë se jemi imun nga këto akte terroriste, dhe pse sot nuk kemi elementë që mund të na lejojnë të themi se jemi më shumë ose më pak në rrezik se vendet e tjera evropiane. Italia aktualisht është nën kërcënimin e terrorizmit si çdo vend tjetër i Evropës. Në Itali ekziston një fenomen ndryshe, pasi nuk kemi ende emigrantë të brezit të tretë, siç ndodh në Francë ku janë pikërisht ata që provokojnë këto akte terroriste. Por rreziku ekziston e për këtë motiv është rritur mjaft niveli i vigjilencës.
Nga Ballkani të mbërrish në Itali është shumë më e thjeshtë se nga çdo vend tjetër i Evropës. E dimë prej kohësh se një front terrorist ekziston dhe në Adriatik e po punojmë shumë, sidomos gjatë këtij viti të fundit që kjo zonë mos të shndërrohet në një eksportuese pasigurie. Italia ka një numër të konsiderueshëm forcash ushtarake në Kosove, të cilat nuk i ka reduktuar pikërisht në kuadër të këtij objektivi. Prej disa muajsh janë shumëfishuar kontrollet në ruajtjen e selive të ambasadave e konsullatave të huaja, të institucioneve e organizatave të rëndësishme ndërkombëtare, në porte e aeroporte, si dhe pranë objekteve me rëndësi historike, kulturore e fetare. Kjo vigjilencë do të jetë mjaft e lartë”, deklaron ministrja Pinotti.
Sigal