Nesip KAÇI/ Burkina Faso në rrugëkryq

738
Sigal

*Ish-ambasador në Burkina Faso me rezidencë në Algjer

 Burkina Faso, ish-koloni  franceze, që deri më 4 gusht 1984 quhej Volta e Sipërme,  nën presidencën e kapiten Thomas Sankara u pagëzua Burkina Faso, që në shqip do me thënë atdheu i  njerëzve  të integruar, të një bashkësie të lidhur ngushtë dhe të pandarë  në një atdhe  me  shumë  etni.

Burkina Faso kufizohet nga Bregu i Fildishtë, Mali, Niger, Benin, Togo dhe Gana. Burkina Faso ka një sipërfaqe: 274.000 kilometra katrorë dhe një popullsi  prej 17.300.000 banorë me fe të ndryshme.

Më 11 dhjetor 1958 Volta e Sipërme u bë një republikë, anëtare e Komunitetit Franko-Afrikan dhe fitoi Pavarësinë më 5 gusht 1960. Presidenti i parë i Voltës së Sipërme ishte  Maurice (Moris) Jameogo i etnisë Mosi. Më 4 janar 1966 Leitnant-Kolonel Abubakar  Sangole Lamizana, i etnisë Samo, e zëvendësoi në pushtet. Më 25 nëntor 1980 një  puç ushtarak  e çoi Kolonelin Saye Zerbo në krye të vendit. Ky i fundit u përmbys më 1982 nga një tjetër grup ushtarakësh  dhe vendin e tij e zuri  mjeku-komandant Jean-Baptiste  Uedraogo  dhe  kryeministër në janar 1983 bëhet kapiten Thomas Sankara. Këtë të fundit, pas katër muaj si kryeministër, e arrestuan. Një grusht i ri shteti më 4 gusht 1983 e vendos kapiten Thomas Sankara në krye të Këshillit Nacional Revolucionar me orientim  marksist. Më 4 gusht 1984 kapiten Thomas Sankara  emrin Volta e Sipërme, që buronte dhe lidhej me kolonializmin e bëri Burkina Faso, që buron nga traditat afrikane. Ai ndoqi politikën e emancipimit të popullit, mishëroi dhe drejtoi revolucionin Burkinabe. Ai u përpoq t’i japë popullit  pushtetin demokratik  për ta  shpëtuar  atë nga uria, nga etja e mungesës së ujit, nga sëmundjet dhe epidemitë vdekjeprurëse masive. Qeveria e tij ndërmori reforma të thella kundër korrupsionit, përmirësoi edukimin, hapi shumë shkolla  dhe institucione shëndetësore, çrrënjosi pushtetin feudal, punoi  për çlirimin e grave dhe vajzave nga prapambetja dhe shtypja e shefit të tribuve, luftoi analfabetizmin shekullor, ai nuk synoi veturat luksoze për funksionarët, ai udhëtonte me një veturë “Renault 5”, që edhe të tjerët të vepronin si ai. Ai kreu shkolla të larta ushtarake në Kadiogo,vijoi Akademinë Ushtarake në Madagaskar dhe më 1966 emërohet komandant i Qendrës Kombëtare, që përgatiste komandon me disa shokë si Henri Zongo, Buhari Kobore  dhe Zhan- Baptiste Lingani , me të cilët themeloi  grupin klandestin, “Rigrupimi i Oficerëve Komunistë”, të influencuar nga idetë marksiste. Më 15 tetor 1987, kapiten Thomas Sankara u vra në Uagadugu gjatë një grushti shteti organizuar  nga shoku i tij  ngushtë dhe numri 2 i tij, Kapiten Blez Kompaore (Blaise Compaore) Mungesa e procesit gjyqësor dhe anketës nga ana e qeverisë Burkinabe  dhe grushti i shtetit, që  u pagëzua nga Blez Kompaore si një  “ Korrigjim”, u dënua nga Komiteti i të Drejtave të Njeriut të OKB më 2006. I dyshuari  kryesor dhe përgjegjës për vrasjen e tij është kapiten Blez Kompaore, i cili i zuri vendin. Është fakt se pas vrasjes së tij  nga ata që e rrethonin në qeveri, nuk u dënua as kush.

      Dhuna policore, terrori, vrasjet e kundërshtarëve të Presidentit Blez Kompaore shpërthyen gjatë dhjetëvjeçarit  1990-2000. Më 30 tetor 2014 populli u ngre kundër Blez Kompaores  sepse ai u përpoq të modifikonte  Artikullin 37 të Kushtetutës për të kandiduar për herë të pestë për President. Populli e kundërshtoi  vendosmërisht, si pasojë Blez Kompaore u largua definitivisht nga pushteti. Shefi i Shtabit  të Ushtrisë,  Honore Traore shpalli  krijimin e një “organi të tranzicionit”, i ngarkuar me pushtet ekzekutiv  dhe legjislativ  për një periudhë 12-mujore, me objektiv kthim në rendin kushtetues. Më 1 nëntor 2014 ushtria  publikoi një komunikatë që mbështet Isak Zidën si President i tranzicionit. Honore Traore është një nga nënshkruesit e saj. Kjo e implikon kthimin e tij në pushtet. Por populli i Burkina Fasos është ngritur i gjithi në këmbë kundër marrjes së pushtetit në mënyrë jo kushtetuese, ai kërkon që të mos vendosë vetëm ushtria por të merren në konsideratë të gjithë faktorët e brendshëm, që nga shoqëria civile, organizatat e masave të popullit punonjës,  përfaqësuesit fetarë të etnive, studentët e të tjerë. Unioni Afrikan që shkoi në Burkina Faso, kërkoi  që pikë  së pari ushtria të dorëzojë  pushtetin.

Kur punoja  në Algjeri me detyrën e ambasadorit, midis 12 vendeve afrikane, ku isha i akredituar, mbuloja dhe Burkina Fason dhe  në fund të tetorit 1983, me udhëzim të Tiranës, shkova në Uagadugu për t’i paraqitur Letrat Kredenciale  shefit të shtetit, kapiten Thomas Sankara. Ministria e Punëve të Jashtme  më porositi, që kur të shkosh në Paris për të marrë avion për Burkina Faso, aty të pret sekretari i parë i ambasadës tonë në Paris, shoku Isa Rama, i cili merret me Lëvizjen Studentore në Afrikë dhe do të të shoqërojë në paraqitjen e Letrave Kredenciale në Uagadugu. Ashtu bëra, në Paris, ambasadori  ynë  në Francë, Maxhun Peka, shoku dhe miku im i vjetër, më prezantoi dhe më njohu me shokun Isa Rama dhe të nesërmen të dy u nisëm me linjën UTA  për Burkina Faso, që zgjati 6 orë. Gjatë udhëtimit shoku Isa Rama më shpjegoi se, sot lëvizja studentore në Afrikë, që është më pranë pushtetit, është në Burkina Faso, ku lëvizja studentore  udhëhiqet nga marksistë-leninistë të krahut tonë. Në krye të tyre është shoku Adama Ture, ministër  i Informacionit dhe numri tre në qeverinë aktuale. Por,- më theksoi ai,-  kapiten Thomas Sankara është gjithashtu, revolucionar. Mua më caktuan t’ju shoqëroj Ju në paraqitjen e kredencialeve se më jepet mundësia të bisedoj nga afër me militantët  e partisë  marksiste-leniniste për zhvillimet e mëtejshme. Të nesërmen, më 2 nëntor në orën katër na priti në takim kapiten Thomas Sankara në zyrën e tij, me cilësinë e Presidentit të Këshillit Kombëtar të Revolucionit  dhe Shefit të Shtetit. Në këtë pritje mori pjesë sekretari i parë i ambasadës tonë në Paris, Isa Rama, që merrej me lëvizjen studentore në Afrikë si dhe ministri i Informacionit të Burkina Fasos, Adama Ture. Në fillim ai falënderoi qeverinë shqiptare që e njohu ndër të parat Burkina Fason dhe  shfaqi mendimin,  që marrëdhëniet midis dy vendeve dhe popujve tanë t’i forcojmë më tepër në të ardhmen, nëpërmjet kontakteve dhe vizitave reciproke. Ai foli me superlativa  për kundërshtimin që i  bën Shqipëria imperializmit dhe kolonializmit. Ai më informoi se nesër do të organizojmë një miting në  Po, qytet 150 kilometra larg nga kryeqyteti për dorëzimin e Letrave Kredenciale nga ambasadorët e Shqipërisë,  Republikës Demokratike Gjermane dhe Palestinës. Të nesërmen shkuam në qytetin Po me makinë. Rruga kalonte përmes pyjeve afrikanë të kokosë, avokado dhe shumë drurëve frutorë afrikanë. Natyra ishte këtu shumë dorëlëshuar. Rruga në dy-tre raste na u ndërpre nga kopetë e mëdha të elefantëve, të cilët po  të mos ndaloje makinën sa të kalonte  edhe i fundit  elefant, të sulmonin. Eskorta jonë ishte e pajisur me armë të lehta, por shoferi i makinës tonë na tha se, po nuk i shqetësove, nuk të ngasin. Ai kur shikonte nga larg kope elefantësh, ndalonte një  kilometër më parë, deri sa të largoheshin nga rruga. Ky udhëtim ishte për mua dhe Isain tepër interesant, se në jetë i takon rrallë këto surpriza. Aty nga dreka mbërritëm në qytetin Po, pranë kufirit me Ganën. Në drekën e shtruar nga kapiten Thomas Sankara  merrnin pjesë, veç ne tre ambasadorëve edhe disa ministra, komandantë  të ushtrisë, përfaqësues të shoqërisë civile, të partive politike dhe të tjerë. Në tavolinën, ku isha ulur unë dhe Isa Rama, erdhi dhe ministri i Informacionit Adama Ture me përgjegjësin e partisë së  tij në këtë qytet, i cili na tha se në mitingun që do bëhet në mbasdite do kemi shumë simpatizantë. Në orën 17:00 u zhvillua mitingu, ku fjalën e hapjes e mbajti kapiten Thomas Sankara, i cili foli për mobilizimin e popullit  Burkinabe për  çrrënjosjen e kolonializmit dhe mbeturinave të feudalizmit. Pastaj na i dha fjalën ne tre ambasadorëve me radhë sipas alfabetit dhe i pari isha unë, Albanie, i dyti ishte i Gjermanisë Lindore dhe i treti ai i Palestinës (OCP). Fjala që mbajta unë në këtë miting ishte  përshëndetje për fitoren e revolucionit të popullit burkinabe nën udhëheqjen e kapitenit Thomas Sankara si dhe mbështetjen e Shqipërisë në këtë betejë të madhe të tyre. Në miting pamë pankarta me parullën: Rroftë Shqipëria-pararoja e luftës kundër imperializmit dhe kolonializmit. Unë në Burkina Faso, veç kësaj here që shkova për paraqitjen e Letrave Kredenciale, shkova dhe, më 4 gusht 1984, bashkë me këshilltarin tregtar të ambasadës tonë në Algjeri, Mehdi Frashërin me të cilin përfaqësuam Shqipërinë në festimet e njëvjetorit të shpalljes së Burkina Fasos. Me këtë rast hapëm në Uagadugu edhe ekspozitën fotografike me temë: 40 vjet Shqipëri Socialiste, ku në  përurimin e saj mori pjesë shefi i Shtetit, kapiten Thomas Sankara, ministri i Shtetit i deleguar në presidencë Blez Kompaore, ministri i informacionit Adama Ture, i cili foli para pjesëmarrësve në këtë tubim edhe për vizitën e suksesshme që kishte bërë në Shqipëri nga data 23 nëntor deri 2 dhjetor 1983.  adës tonë në Paris, Isa Rama.

Foto 2

Shefi i Shtetit kapiten Thomas Sankara, ministri i Shtetit i deleguar në Presidencë kapiten Blez Kompaore dhe ministri i Informacionit i Burkina Fasos Adama Ture, në inaugurimin e fotoekspozitës shqiptare  “40 vjet Shqipëri e pavarur”