Mustafa pas protestës së opozitës: Nuk jap dorëheqjen!

542
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë për media, ka falënderuar qytetarët për protestë të qetë, por ka thënë se nuk do të japë dorëheqje. Kryeministri i ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e Pavarësisë së Kosovës. “Dua të ju uroj një ditë të madhe, ditën e pavarësisë. Kjo ditë është e madhe për të gjithë ne, të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, ata të cilët kanë kremtuar në sheshin ‘Zahir Pajazititi’ dhe të gjithë ata që kanë qenë në protestë”. Ai ka thënë se nuk ka gjë më të vlefshme se të jesh i pavarur. “Në këto tetë vite është bërë shumë, kemi ndërtuar forcat e sigurisë së Kosovës, që do të shndërrohen në Forca të Armatosura të Kosovës”, tha ai. “Jemi shtet i pranuar prej 111 vendeve, kemi simbolet tona, kemi identitetin tonë shtetëror ashtu edhe atë nacional. Në festën tonë kemi përdor flamurin dhe stemën e vendit, kështu duke shprehur identitetin tonë para botës”.
Mustafa tha të kenë prit edhe nga ata që po kërkojnë sovranitet që këtë ta bëjnë me simbole të Kosovës. Ne kemi shpallë pavarësinë, kemi shtetin tonë. “Çka ata folën sot janë dëshira të tyre. Askush nuk ka të drejt që ta shpallë të shkarkuar qeverinë nga lama e qytetit. Kjo qeveri do ta vazhdojë mandatin deri më 10 qershor 2018, me përkushtim të plotë”, ka thënë Mustafa. Kryemisnitri tha se pavarësisht kërkesës së opozitës, ai nuk e ka ndërmend të jap dorëheqje. “Ftoj opozitën që të vijnë në Kuvend dhe aty të bisedojmë”, tha ai.
Ai tha se Qeveria është e palëkundur në vazhdimin e mandatit të saj. Kryeministri ka thënë se kauzat e opozitës qysh nga fillimi ishin të rrejshme dhe të paqëndrueshme. Ai tha se edhe Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe partitë tjera në koalicionin qeverisës do të mund t’i thërrisnin votuesit e tyre për të dalë në shesh dhe do të ishin me qindra mijëra qytetarë. Por Mustafa tha se “qytetarët janë njerëz racionalë, njerëz të cilët në rendë të parë e kanë shtetin dhe ata kërkojnë argumente”. “Kush ka argumente, për korrupsion, për keqpërdorime, le t’i prezantojnë ato argumente. Ne flasim për argumentet tona, ata le të flasin për argumentet e tyre”, ka pohuar Mustafa.
Sigal