Kryeministri kanadez ngre çështjen e të drejtave të njeriut me Presidentin e Filipineve

Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se e ngriti çështjen e të drejtave të njeriut në bisedën me Presidentin filipinas Rodrigo Duterte, i cili ka ndërmarrë një fushatë kundër trafikut të drogës, duke shkaktuar ndërkohë mijëra të vdekur.

Zoti Trudeau u tha sot gazetarëve në Manila se gjatë takimit në kuadrin e samitit të grupit ASEAN, i theksoi zotit Duterte domosdoshmërinë e respektimit të shtetit ligjor dhe të të drejtave të njeriut. Zoti Trudeau tha se zoti Duterte “i mirëpriti komentet e mia dhe shkëmbimi ishte shumë miqësor dhe pozitiv”.

Fushata kundër drogës që zoti Duterte filloi pak pasi mori detyrën, është bërë e përgjakshme dhe brutale. Sipas organizatës “Human Rights Watch”, që nga mesi i vitit 2016, forcat e sigurisë si dhe persona të armatosur të paidentifikuar kanë vrarë të paktën 7 mijë të dyshuar si përdorues drogash dhe tregtues. Nga këto, 3116 vrasje janë kryer nga policia. Niveli i vrasjeve në vit në Filipine është tashmë më i lartë se gjatë periudhës së ish-diktatorit Ferdinand Marcos, në vitet 1972 – 1981.

Presidenti amerikan Donald Trump pothuajse e shmangu diskutimin e të drejtave të njeriut me zotin Duterte gjatë takimit të tyre ditën e hënë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders tha se të drejtat e njeriut u përmendën shkurtimisht në kontekstin e luftës që Filipinet po bëjnë kundër drogave”. Por, zëdhënësi i zotit Duterte, Harry Roque, e hodhi poshtë këtë version, duke thënë se “nuk u përmendën fare të drejtat e njeriut. Nuk u përmendën vrasjet e jashtëligjshme”.

Përpara se të zgjidhej zoti Trump, zoti Duterte sulmoi ish-Presidentin Barack Obama duke e quajtur “bir bushtre”, pasi administrata Obama kritikoi vitin e kaluar zotin Duterte për të drejtat e njeriut.

Përpara se të takohej të hënën me zotin Trump, zoti Duterte u shpreh se nëse udhëheqësi i ri amerikan do të ngrinte çështjen e të drejtave të njeriut, ai do t’i thoshte që “ta linte të qetë”.