Goditje e rëndë për Merkel

225

Gjykata e lartë Kushtetuese e Karlsruhe nuk aprovon ligjin elektoral gjerman

Vendimi i jashtëzakonshëm detyron Bundestag për të vënë “dorë” mbi ligjin e ri elektoral, projektuar vitin e kaluar nga qeveria e Angela Merkel dhe kontestuar ashpër nga opozita. Shtypi gjerman dhe ai europian është marrë shumë, dje, me këtë eveniment të gjykatës Kushtetuese kundër Merkel. “E papritura ndodhi”, shkruan me jehonë sarkastike gazeta “Der Spiegel”, ndërsa italiania “La Repubblica”, e quan vendimin me germa të mëdha: “Pëllëmbë për Angela Merkel” duke publikuar edhe një foto “trishtuese” të saj në gazetë. Ata që paraqitën akuzë në Gjykatën Kushtetuese të Karlsruhe, ishin opozita SPD, të Gjelbërit dhe tremijë qytetarë që firmosën në mënyrë të rregullt dhe ligjore padinë ndaj aktit të papranueshëm sipas tyre, të qeverise Merkel. Në këtë akuzë të fituar tashmë, përfaqësuesit e opozitës, të Gjelbërit dhe qytetarët, kontestuan ashpër të ashtuquajturin “Ueberhangsmandat”, mandat deputeti në përjashtim, marrë nga zgjedhja direkte e kandidatit, pa marrë parasysh sistemin proporcional. Sipas ligjit elektoral ekzistues, në fakt qytetaret disponojnë dy vota, gjatë votimit, e para për të zgjedhur me mazhorancë relative kandidatin e preferuar në listën e hartuar, ndërsa me votën e dytë shënojnë partinë që dëshirojnë, që mund të jetë edhe e ndryshme nga ajo për kandidatin e zgjedhur dhe vjen e fiksuar me paraqitje në mënyrë proporcionale në Bundestag, për çdo forcë politike. Në zgjedhjet e fundit të 2009-s, për zgjedhjen e Kancelarit, Partia Kristian-Demokratike e Angela Merkel, ka marrë kështu 24 vende pa të cilët koalicioni qeverisës zi e verdhë, nuk do të kishte marrë mazhorancën me vende në Bundestag. Rrëzimi i këtij sistemi nga gjykata Kushtetuese gjermane, e bën të pamanovrueshëm fiktivitetin e votës së qytetarëve, dhe me këtë vendim, vërtet “skualifikues”, Merkel nuk do të ishte në qeverisje dhe Bundestagu do kishte tjetër konfiguracion. Opozita, të gjelbërit, tremijë firmat e qytetareve, duke u marrë në konsideratë nga gjykata Kushtetuese, ndërsa ngushtojnë mundësinë e fitores në tavolinë, i japin avantazh më të plotë votës së Sovranit, i cili përfaqësohet më denjësisht në qeverisjen e vendit. Natyrisht, vëzhgon shtypi, kjo goditje që merr me meritë Merkel, është një hap përpara, për demokraci reale, e cila duhet t’i paraprijë edhe qeverisjes. Pavarësisht nga kjo goditje konstitucionale, e djathta e Merkel dhe vet ajo, ka kohë që është tronditur me humbjet e shumë landeve, që i kanë kaluar meritueshëm të majtës SPD në koalicion me të Gjelbërit dhe forca të tjera progresive. Analistët theksojnë se, me këtë rrëzim të sistemit elektoral, vet Merkel ul ndjeshëm shanset për rizgjedhje nga mazhoranca e votuesve gjermanë. Fati i saj si grua e hekurt, prodhim i komunizmit lindor, më shumë se sa nga ky rrëzim kushtetues, është pothuaj i përcaktuar, nga gabimet e saj në ekonomi ku, “stopimet” e fundit dhe bllokimi i ekonomisë (është ende primare në  BE, por me aleatë të dobët) dhe me zhurmim të madh ndaj jugut “parazit “europian, (siç e emërtojnë me diskriminim, Greqinë, Spanjën, Italinë në krizë), kanë rritur zemërimin e shumicës së vet gjermanëve… Goditja Kushtetuese, ka nervozuar gjithsesi Merkel dhe prestigjin e saj edhe jashtë Gjermanisë. Mjaftojnë artikujt e komentet në shtyp, të kuptohet realiteti i shkuar dhe ai që po vjen me ndryshime të mëdha, edhe më të mëdha se në landet e humbur prej saj! Ky fakt mbi të gjitha tregon se në  Gjermani gjykata nuk blihet a urdhërohet nga pushtetarët, siç ndodh shpesh në Shqipëri.