FBI rihap hetimin ndaj Clintonit për “e-mail”-et

498
Sigal

Byroja Federale e
Hetimit (FBI) ka bërë të ditur këtë të premte se do të rihapë hetimin mbi
përdorimin e një serveri privat “e-mail”-i nga Hillary Clinton, gjatë kohës që
ajo ka qenë në postin e Sekretares amerikane të Shtetit.

Lajmi konfirmohet pas letrës së shkruar nga drejtori i FBI-së, James Comey,
drejtuar Komitetit të Gjyqësorit në Senat.

“Në lidhje me një çështje të ndryshme nga ajo që është hetuar më parë, FBI-ja
ka mësuar ekzistencën e ‘e-mail’-eve, që janë subjekt për një hetim të mundshëm.
E pranoj se FBI-ja duhej të kishte ndërmarrë hapat e duhur investigativë, të
cilat do t’u lejonin hetuesve të rishikonin këto ‘e-mail’-e për të përcaktuar
nëse përmbajnë informacion të klasifikuar apo jo, si dhe për të vlerësuar
rëndësinë e hetimit tonë”, shkruan Comey.

Zyrtarët e agjencisë federale ligjzbatuese thanë më vonë se “e-mail”-et e reja
të pazbuluara gjatë hetimit të mbyllur ndaj Clintonit, këtë herë u zbuluan pas
sekuestrimit të një pajisjeje elektronike që i përkiste Huma Abedin, një prej ndihmëseve
kryesore të zonjës Clinton në fushatën presidenciale, si dhe bashkëshortit të
saj Anthony Weiner. FBI-ja po heton mesazhet e paligjshme të shkruara (SMS) të
dërguara drejt një vajze 15-vjeçare në Karolinën e Veriut.

Një zhvillim i papritur ky përpara zgjedhjeve të nëntorit, teksa duket se
Hillary Clinton nuk do t’i shpëtojë dot çështjes aq shumë të debatuar të
përdorimit të adresës së “e-mail”-it të saj privat.

FBI-ja ka vendosur t’i hedhë edhe njëherë një vështrim më të detajuar
përmbajtjes së tyre, edhe pse disa muaj më parë, Departamenti amerikan i
Drejtësisë vendosi që të mos ngrinte akuza ndaj Clintonit.

Për Donald Trump, ky është një lajm tejet i mirë, aq sa kandidati republikan
për Shtëpinë e Bardhë nuk nguroi të fliste vetëm 10 minuta pas njoftimit.

“Unë kam respekt të madh për faktin se FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë
tashmë janë të gatshëm dhe kurajozë për të rregulluar gabimin e tmerrshëm që
kanë bërë. Ky ishte një gabim i rëndë i drejtësisë, që populli amerikan e
kishte kuptuar plotësisht. Dhe kjo është shpresa e të gjithëve se tani janë
gati ta korrigjojnë”, tha Trump.

Ndërkohë, kreu i fushatës së Hillary Clintonit, John Podesta i ka bërë thirrje
kreut të FBI-së, Comey, të japë më shumë informacione mbi letrën e dërguar
Kongresit në lidhje me hetimin mbi çështjen e “e-mail”-eve, duke shtuar se
“është diçka e jashtëzakonshme që të shohim diçka të tillë vetëm 11 ditë nga
zgjedhjet presidenciale”