Prof.Dr.Qemal Lame: Gazsjellësi Nord Stream 2 nuk mund të pengohet

328
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Gazsjellësi Nord Stream 2 është problem gjeoekonomik, por në fakt mbetet njëkohësisht e në radhë të parë problem politik. Rritja e furnizimit dhe e rezervave energjetike është në kushtet e sotme problemi kryesor për sovranitetin e sigurinë në zhvillimin e ekonomisë, dominimin e tregjeve të burimeve, transmetimit, shitjes dhe përdorimit të energjisë.Për këto arsye, projektet energjitike kanë përparësi kombëtare dhe ndërkombëtare për çdo shtet e në veçanti për shtetet më të fuqishme të kohës dhe gjeopolitikën e tyre. Me këtë këndëvështrim, del edhe përfundimi se Nord Stream 2 nuk mund të pengohet nga EU dhe as nga Gjermania, me gjithë kritikat nga Franca dhe kërcënimet e SHBA për sanksione të njëanshme. Me vend është të kuptohet se, thirrjet për të ndaluar këtë projet i shërbejnë vetëm presidentit Vladimir Putin për të forcuar pozitat e tij brenda vendit dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Apelet dhe kërcënimet iluzionare nuk zgjidhin problemet madhore. Ato në fakt favorizojnë Putinin.

Ai reagon në çdo rast qetësisht e me forcë dhe lë të kuptohet: “Shikoni çfarë ndodh. Europa nuk mund të bëjë asgjë. Rusia e vlerëson Bashkimin Europian dhe do të forcojë bashkëpunimin. Por Bashkësia Europiane reagon ndryshe megjithëse nuk ka pushtet të çentralizuar federal. Ajo kërkohet në radhë të parë të ketë unitet midis anëtarëve të saj.”  Është e vërtetë se që në fillim kur u nënshkrua kontrata e ndërtimit ky projekt energjitik u shoqëruar me kritika të forta për gazsjellësin që sjell naftë direkt nga Rusia në Gjermani nëpërmjet Detit Balltik. Realisht Nord Stream 1 është në funksionim që prej vitit 2011. Ndërsa ndalimi i ndërtimit të tubacionit të dytë të çiftit naftësjellës, është kthyer në skenar real që kur SHBA reagoi me forcë në vitin 2020 dhe deklaroi se do të vendoste sanksione kundër firmave që marrin pjesë në ndërtimin e tij. Ndërhyrja e Uashingtonit e ka frenuar ndjeshëm shtrimin e tubacionit të fundit në bregdetin gjerman. Gjermania dhe në tërësi shtetet europiane përfitojnë nga projekti energjitik me Rusinë për të rritur furnizimin e garantuar në zhvillimin aktual e perspektiv të ekonomisë. Megjithë vëmëndjen kryesore për masat kundër pandemisë së covid 19, aktualisht po diskutimet edhe në Gjermani për gazsjellësin nga Rusia. Sidomos politikanët e “Të Gjelbërve” në opozitë kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të ndërtimit, për shkak të fatit të Navalny-t dhe të të drejtave të njeriut në Rusi. Edhe politikanë të veçantë të partisë në pushtet, Unionit të Kristiandemokratëve dhe Kristiansocialëve, kanë mbështetur marrjen e masave të forta kundër Moskës. Kritikat janë reagime të mirfillta politike. Gjermania nuk do të heqë dorë nga Nord Stream 2 dhe sqarohet se qëndrimet politike nuk mund të jenë vendimtare për marrëdhëniet ekonomike gjermao-ruse. Qeveria federale reagon ndaj kërkesave të tilla vazhdimisht njësoj duke thënë: “Kemi të bëjmë me një projekt ekonomik dhe jo politik.” Në një konferencë shtypi me presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarja Angela Merkel tha për të njëqindtën herë se sanksionet kundër Rusisë mund të shtohen për shkak të arrestimit të Navalny-t. Por qëndrimi i saj ndaj Nord Stream 2 vazhdon të mbetet i palëkundshëm. Gjermania nuk mund ta ndalojë ndërtimin e Nord Stream 2.

Së pari, një hap i tillë do të trondiste sidomos besimin e ekonomisë tek politika, gjë që të dy palët e vlerësojnë si shumë të rëndësishëm. Së dyti, Berlinit do t’i duhej të paguante dëmshpërblime të mëdha, sepse projekti ka marrë në Gjermani të gjitha lejet e domosdoshme dhe është faktikisht në fazën përfundimtare. Dhënia fund e projektit me anë të një vendimi të BE-së, do të kishte qenë për Berlinin mbase rruga e vetme për t’i shpëtuar pagesës së shumave të mëdha të dëmshpërblimit, si dhe kritikave që i bëhen Qeverisë gjermane. Dihet që sidomos Polonia dhe Republikat Baltike e preferojnë shumë një gjë të tillë, për vetë interesat që kanë për ruajtjen e gazësjellësit rus që kalon në teritorin e tyre dhe marrin përfitime ekonomike e financiare. Por, nuk është e sigurt se BE do ishte unanime për këtë. Mungesa e unitetit në marrjen e vendimeve u tregua edhe me zgjatjen e sanksioneve jo shumë të ashpra që BE ka vendosur kundër Rusisë për shkak të trajtimit që i bën Ukrainës, për arsye se nuk ka marrë shumicën prej vendeve si Italia ose Austria. Brukseli nuk e ka përparësi futjen e kësaj teme në axhendë dhe ka arsye të forta për këtë gjë, pikërisht për shkak të interesave jo të njëjta të anëtarëve të bashkësisë në marrëdhëniet dy ose më shumë palëshe me Rusinë. Marrëdhëniet specifike gjermano-ruse kanë rol të rëndësishëm në politikën e brendshme dhe bashkëpunimin me Rusinë për vetë mësimet e nxjerra nga historia dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së paqes e sigursië midis këtyre dy vendeve dhe në tërësi të Europës e të botës. Problemet nuk janë thjesht ekonomike e financiare. Një refuzim për përfundimin e Nord Stream 2 do të shkaktonte prishjen e traditës tashmë 50 vjeçare të marrëdhënieve të Gjermanisë me Moskën, jo vetëm në sektorin e energjisë. Hapat radikalë nuk janë pjesë e stilit të diplomacisë gjermane, sidomos me Rusinë, me të cilën Gjermania ka marrëdhënie të veçanta për shkak të ngarkesave të mëdha historike. Frenimi i menjëhershëm i projektit do të bënte po ashtu që Angela Merkel dhe koalicioni i saj qeverisës të humbisnin mbështetjen e popullit. Ata nuk e kanë vënë në dyshim projektin as pas aneksimit të Krimesë dhe luftës në Ukrainën Lindore, as pas vrasjes së politikanit opozitar rus Boris Nemtsov, ose pas sulmit të hakerave rus ndaj internetit të parlamentit gjerman, Bundestag.

Analiza me përgjegjësi e marrëdhënieve gjermao-ruse dhe BE-Rusi, tregon se politika më efektive nuk është ndalimi i ndërtimit të Nord Stream 2, por bashkëpunimi, zgjidhja e probleme duke respektuar interesat e secilës palë dhe mënjanimi i propogandës së qëllimshme të kërcënimeve boshe. Kërcënimet duhen bërë për ato gjëra, të cilat je i gatshëm edhe t’i vësh në jetë. Kërcënimet nuk janë zgjidhje për problemet madhore.Dëbimet e diplomatëve janë vendime me përgjegjësi të lartë shtetërore e ndërkombëtare. Ato janë të domosdoshme në rastet dhe rrethanat politike të justifikuara, por nuk janë zgjidhja afatgjatë për marrëdhëniet dy palëshe dhe as ato shumë palëshe. Nga e kaluara e afërt mund të kujtohen dëbimet e diplomatëve pas helmimit të ish-agjentit të dyfishtë Sergej Skripal dhe së bijës së tij në Britaninë e Madhe. Po kështu edhe sanksionet ekonomike pas goditjes së avionit MH17 mbi Ukrainën Lindore. Tre shtete evropiane perëndimore u paralajmëruan nga autoritetet ruse dhe vendosi dëbimin e tre diplomatëve që morën pjesë në demonstratën kundër dënimit të Navalnyt. Nuk është çudi që kryediplomati i BE-së, Josep Borrell u nënvleftësua për të mos thënë u poshtërua gjatë vizitës së tij në Moskë, u njoftua dëbimi i tre diplomatëve europianë, danez, gjerman e suedez. Bashkimi Europian dhe Gjermania kanë të drejtë të forcojnë kritikën ndaj Moskës si për trajtimin e opozitarëve në Rusi, si edhe për shkeljen e të drejtave e lirive të njeriut ose shkeljet e së drejtës ndërkombëtare. Kritikat e drejta të shteteve perëndimore, Moska i kupton më mirë se sa kërcënimet pa efekte, për ndalimin e ndërtimit të Nord Stream 2.