Moisi Dalipi: Adrian Aliaj, “simfonia” labe e golit kuqezi

573
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Të gjithë kur e kujtojnë atë gol të shënuar nga mbrojtësi Adrian Aliaj në ndeshjen e 4 shtatorit 2004, Shqipëri-Greqi, ndihen vërtetë mirë dhe krenar. Ishte një gol manual, me një gjuatje të tipit brazilan nga distanca që ka ulur në gjunjë portierin grek Nikopolidis dhe Greqinë. Siç e kujtojnë të gjithë, fitorja 2-1 e skuadrës tonë kombëtare ishte edhe  ndëshkimi që ka marrë Greqia në ndeshjen e parë zyrtare pas 60 ditëve kur ishte shpallur  kampion Europe.Vetë Adriani kur kujton dhe sot këtë ndeshje me këtë fitore disi të veçantë ndihet shumë krenar dhe thotë: “E gjithë skuadra jonë kombëtare në atë ndeshje ka qënë jashtëzakonisht mirë. Unë isha thjeshtë një pjesë e saj në atë mbremje të veçantë”.

Më duhet ta veçoj atë 4 shtator të 2004-s  të perjetuar si një gazetar sportiv i ulur në tribunën e shtypit të stadiumit “Qemal Stafa”. Tirana dhe jo vetëm ajo por çdo qytet dhe fshat atë ditë janë përkundur  fort nga emocionet e asaj ndeshje të paharruar. “Shqiponjat” tona zbresin zotat e Olimpit”,- kam shkruar në shtypin sportiv për atë mbrëmje. Dhe heronjtë ishin ata me Foto Strakoshën, Elvin Beqirin, Lorik Canën, Besnik Hasin, Adrian Aliaj, Altin Lala, Klodian Duro, Ervin Skela, Ervin Murati, Florjan Myrto, Igli Tare dhe Memet Dragusha. Golat  janë shënuar nga Murati në minutën e 3` Aliaj në minutën e 11` për kuqezinjët  dhe Janakopulos  në minutën e 38` të ndeshjes. Në krye të skuadrës trajneri gjerman Hans Peter Brigel që me skuadrën e tij fitonte ndaj Otoo Rehagelit në derbin gjerman të pankinave. Por ajo mbrëmje do dërgonte jehohën e fitores deri në ishullin grek Zakiso ku u vra nga disa tifozë vendas emigranti shqiptar Gramoz Palushi  me arsyen se po festonte  këtë fitore me shokët e vet me flamujt shqiptar në duar. “Ta dija se gëzimi për atë fitore do kishte këtë ngjarje të hidhur  nuk do shënoja kurrë atë gol”,- thotë Adriani  me sytë e përlotur.

Ajo ndeshje ishte ndeshja numër 193 në historinë e ekipit tonë kombëtar dhe e 17-ta për mbrojtësin e majtë Adrian Aliaj me fanellën kuqezi. Por jo vetëm kaq, sepse goli i shënuar në këtë ndeshje kishte ishte i 7-i nga 8 golat gjithësej që ky mbrojtës ka shënuar në 29 ndeshjet e zhvilluara me ekipin tonë kombëtar në periudhën e viteve 2002-2006. Dhe 7 golat e tjerë  nga ana e tij janë shënuar në ndeshjet miqësore, dy  gola ndaj Portugalisë  dhe Estonisë dhe me rradhë nga një gol ndaj, Suedisë, Islandës dhe Lituanisë. Një rekord më vete ky fakt në historinë e ekipit tonë kombëtar që një mbrotjës të shënojë kaq shumë gola. Dhe e veçanta qëndron në atë, se pjesa më e madhe e golave janë shënuar nga gjuatjet standarte. Debutimin e parë me ekipin kombëtar Adrian Aliaj e bëri në moshën 25 vjeçare, më 13 shkurt 2002  në një ndeshje miqësore kundër Luksemburgut që është, mbyllur me rezultatin 0-0. Pas  kësaj do vijnë me rradhë ndeshjet e tjera ku mbrojtësi energjik me numrin 11 në fanellë do njihte vetëm rritje në shërbim të ekipit kombëtar. Ai do të jetë pjesë e skuadrës kuqezi në atë fitore historike në Shkodër me rezultatin 3-1 ndaj Rusisë, në kuadër të ndeshjeve eleminatore të Euro 2004, por dhe në shumë ndeshjet të tjera jo më pak të rëndësishme në ato vite. Dhe ndeshja e fundit me ekipin kombëtar  për mbrotjësin Adrian Aliaj i pagëzuar si “simfonia” labe e golit kuqezi, do jetë ajo e 11 tetorit 2006 me humbjen 2-1  jashtë fushe kundër Hollandës e vlefshme për kualifikueset e Euro-2008.

Natyrshëm pas kësaj ekspozeje të lind dëshira të mësosh diçka më shumë për karrirën e tij sportive përvec atyre viteve, ndeshjeve dhe golave të shënuar me ekipin kombëtar. Ai ka lindur në Vlorë, ku ka kaluar vitet e fëmijërisë dhe një pjesë të rinisë së tij. Pas shkollës 8-vjeçare, bëhet pjesë e ish-shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”. Kjo i jep mundësinë të ikuadrohet me ekipet e moshave të Partizanit. Kur ishte vetëm 16 vjeç në shtator të vitit 1992 luan dhe ndeshjen e parë zyrtare me ekipin e Partizanit në një ndeshje kampionati kundër Laçit. Për tre sezone 1992 -1995 ishte pjesë e skuadrës kuqe të kryeqytetit ku aktivizohet si mesfushor i krahut majtë. Mosha e re dhe dëmtimet nuk e japin shansin të shpalosi më mirë vlerat e tij sportive. Kjo ishte dhe arsyeja që ende pa mbushur  20 vjeç kërkon të vazhdojë  aventurën e tij sportive jashtë vendit. Dhe së pari përzgjedh për nje sezon skuadrën gjermane Hanover-96. Në sezonet 1996-1998 aktivizohet në Kroaci tek Hajduk Split dhe për të vazhduar më vonë në Belgjikë tek Standart Liezh, La Louvier dhe Charleroi, në Izrael tek skuadra Maçabi Petar Tikva , në Gjermani tek Oberhausen, në Francë tek skuadra e Brestit dhe rikthehet për një sezon në Kroaci tek skuadra  N.K .Solin dhe mbyll karrierën si futbollist në vitin 2007 në moshën 31 vjeçare me skuadrën e Arabisë Saudite Al –Nassr F.C. E pra kështu Ardian Aliaj në karrierën e tij 15 vjeçare, ku është aktivizuar me plotë 11 ekipe futbolli ka zhvilluar 147  ndeshje dhe ka shënuar gjithësej 20 gola, 12 gola prej tyre në kampionate dhe 8 për ndeshjet e kupave.

Dhe pas kësaj Adrian Aliaj që punon dhe jeton me familjen e tij prej shumë viteve në Split të Kroacisë i është përkushtuar fortë punës si manaxher futbolli. Shumë futbollist të ekipit tonë kombëtar që aktivizohen në kampionatet e ndryshme europiane manaxhohen nga studioja e tij në Split. Gjithsesi një fakt tjetër i veçantë për jetën e tij ka të bëjë dhe me atë se, djali i madh Toni Aliaj që ende nuk i ka mbushur 22 vjeç luan futboll me skuadrën sllovene  N.K .Tabor Sezana dhe ka pasaportë të dyfishtë shqiptare dhe kroate. Ai është një “fotokopje” i të atit në fushën e lojës, sepse luan si mbrojtës i majtë dhe mban në fanellë numrin 11. Dëshira e tij është të luaj me ekipet kombëtare shqiptare. Tre  sezone më parë ai ka qënë pjesë e ekipit të të rinjëve të Lacios në Itali. Specialistët e futbollit e vlersojnë këtë djalosh të ri, që i pëlqen fort të quhet labi i “sertë”, si një futbollist me shumë të ardhme. Në këtë mënyrë “simfonia” labe e golave kuqezi ndoshta do të vazhdojë  me ëmbëlsinë dhe ritmin e saj dhe me të birin e Adrian Aliaj. Kështu ëndrra kuqezi trashëgohet bukur dhe siç e kërkon tradita labe, nga i ati tek i biri.

                                            SKEDA  E ADRIAN ALIAJ
Data e lindjes: 24 shtator 1976
Vendi i lindjes:   Vlorë –Shqipëri
Karriera në sport:   Futboll në vitet 1992 -2007
Ekipet që është aktivizuar: Partizani, Hanover 96, Hajduk Split, Standart Liezh, Maccabi Petah Tikva, La Louvier, Charleroi, Oberhausen, Brest, NK Solin, Al Nassr F.C.
Roli në skuadër: Mesfushor dhe Mbrojtës
Numri në  fanellë:  11
Ndeshje të zhvilluara në kampionate dhe kupa: 147 ndeshje
Gola të shënuar: 20 gola
Ndeshje me ekipin kombëtar: 29 ndeshje
Gola të shënuar: 8 gola
Pozicioni aktual: Manaxher futbolli