Ermira Babamusta: Presidenti Obama: Ekonomia amerikane më e fortë se para 5 viteve

426
Sigal

Washington DC, Shtëpia e Bardhë: Të premten me 20 dhjetor 2013, Presidenti Barack Obama dha fjalimin për kombin amerikan me rastin e mbylljes të vitit dhe festave. Takimi u zhvillua tek Shtëpia e Bardhë, dhoma ‘Brady Press Briefing Room’. Presidenti foli për sukseset e vitit 2013 dhe vështirësitë që do hasi përpara. Presidenti theksoi suksese si mbi 8 milion amerikanë janë punësuar gjatë 45 muajve të fundit, dhe miliona të tjerë janë të mbuluar me inshurancë shëndetësore. Presidenti shtoi se papunësia ka rënë dukshëm gjatë këtyre 5 viteve të fundit dhe se ekonomia është forcuar që kur ai filloi postin e tij si president. “Për herë të parë për këto dy dekada të fundit ne prodhojmë më shumë naftë sesa blejmë nga jashtë. Po e fillojmë vitin e ri me një ekonomi më të fortë, me më shumë biznese dhe vende pune.” Presidenti Obama tha se 2014 do jetë ‘viti i aksionit’ dhe se do përqendrohet në agjendën e vitit tjetër të sjellë më shumë vende pune, të sigurojë rroga më të larta për sigurim financiar dhe më shumë edukim ku punëtorët të marrin aftësitë e duhura për punë. Presidenti ka shpresë se do sjelli reformë imigracioni nga të dyja palët, demokrate dhe republikane. “Kemi detyrën për të rregulluar sistemin e imigracionit,” tha Presidenti dhe se “do përqendrohem të rris më shumë ekonominë, të sjell më shumë investime dhe mundësi më të mira për klasën e mesme”.  Për çështjen rreth Snowden Presidenti u shpreh, “Kjo është një bisedë e rëndësishme që duhet të ndodhte. Amerika është një shtet që zbaton ligjin, përkrah të drejtat civile dhe kushtetutën. Ka shkaktuar shumë dëme në diplomacinë amerikane. Këtë çështje e ka në dorë Avokati i Përgjithshëm.”  Presidenti gjithashtu foli edhe për punët e jashtme duke thënë “jemi duke mbrojtur interesat tona nëpër botë. Kemi përdorur diplomaci parimore për të gjetur rrugë të reja për një Iran pa armë bërthamore dhe për të shkatërruar rezervat e Sirisë”. Presidenti u shpreh se nga fundi i vitit tjetër do të sjelli ushtarët në vend si dhe i falenderoi për shërbimin që po i bëjnë vendit nëpër botë duke i falenderuar dhe uruar festat. “Dua t’ju falenderoj. Vendi juaj qëndron i bashkuar në mirënjohjen që kemi për shërbimin dhe sakrificën tuaj,” tha President Obama.

*Ph.D., Eksperte e Punëve të Jashtme