Rrezikohet statusi në qershor. Strasburgu, ultimatum qeverisë për pronat

516
Sigal

Shqipëria vihet nën regjimin e vendimit pilot. Këshilli i Europës ka përcaktuar afatin final 17 qershorin e vitit 2014

 Skepticizmi i Europës ndaj Shqipërisë ka arritur të bllokojë dhënien e statusit kandidat, duke e shtyrë atë në qershor. Konkluzionet e BE-së përcaktojnë se “Këshilli do të shqyrtojë, mbi bazën e një raporti që do të paraqitet nga Komisioni në muajin qershor, zbatimin e qëndrueshëm të strategjive për luftën kundër korrupsionit dhe reformën juridike, të legjislacionit të miratuar kohët e fundit si dhe të prirjes në vazhdim për hetimet dhe ndjekjet ligjore aktive, duke përfshirë ato në fushën e krimit të organizuar”. Ndërkohë Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut i ka dhënë edhe 6 muaj afat qeverisë shqiptare që të gjejë një zgjidhje konkrete dhe finale për procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, ose në rast të kundërt Shqipëria rrezikon sanksione nga Këshilli i Europës. Vendimi është marrë korrikun e vitit 2012 dhe afati për të paraqitur një platformë reale për zgjidhjen e problemit të pronave, të cilin gjykata e konsideron si “problem strukturor” të sistemit shqiptar të drejtësisë, është drejt skadimit të afatit të përcaktuar. Por qeveritë shqiptare duket se nuk e kanë marrë seriozisht këtë ultimatum ndërsa shumë juristë të sistemit të drejtësisë flasin të alarmuar për rrezikun e sanksioneve. Sipas një njoftimi të Këshillit të Europës më 5 dhjetor, afati final për Shqipërinë është përcaktuar 17 qershori i vitit 2014. Duke qenë se Gjykata Europiane nuk është një gjykatë e zakonshme dhe nuk mund të merret me çdo rast që praktikisht duhet të zgjidhet nga gjykatat e zakonshme, ajo vendos të pezullojë pranimin e këtyre rasteve dhe nëpërmjet një vendimi pilot i kërkon vendit shkelës të zgjidhë në rrënjë problemin, duke ndryshuar ligjet dhe procedurat e veta. Në rast se qeveria përkatëse nuk pranon t’i bindet vendimit të Gjykatës dhe nuk zgjidh problemin sistemik, Gjykata ia referon çështjen Këshillit të Europës, i cili mund të marrë sanksione. Mes sanksioneve mund të jetë pezullimi i të drejtës së votës së Shqipërisë në Këshillin e Europës, një lloj ngrirjeje e anëtarësimit. Ngrirja e të drejtës së votës dhe praktikisht e anëtarësimit në Këshillin e Europës mund të jetë një shkelm tjetër për Shqipërinë në rrugën e vet drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

 Vendimi i Komitetit të Ministrave të KE-së

 Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës ka bërë publike disa vendime dhe rezoluta të miratuara në mbledhjen e tij të katërt të veçantë për të drejtat e njeriut ( 03-05 dhjetor 2013) gjatë të cilit ai ka shqyrtuar gjendjen e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Shqipëria u përfaqësua nga zëvendësministri i Drejtësisë Idlir Peçi. Për çështjet kundër Shqipërisë, Komiteti mori vendim në lidhje me çështjet  Manushqe Puto dhe Driza Group, si më poshtë: Zëvendësministrat

 1. Përshëndetin praninë e zëvendësministrit të Drejtësisë së Shqipërisë dhe vendosmërinë e shprehur nga Ministri i Drejtësisë, në letrën e tij të datës 27 nëntor 2013, që shpreh vullnetin e autoriteteve për të zbatuar këto gjykime;

 2. Shprehën shqetësim të thellë se, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të Komitetit të Ministrave për miratimin e masave të nevojshme, qenia e fundit e bërë në Rezolutën e Përkohshme CM/ResDH(2013)115 dhe afati përfundimtar në afrim (17 qershor 2014), të vendosur nga Gjykata për zbatimin e akt-gjykimit pilot Manushaqe Puto, autoritetet ende nuk kanë arritur të paraqesin informacion të prekshme ku demonstrojnë për arritjen e ndonjë progresi dhe pasjen e një strategjie për zbatimin e vendimit;

 3. Vunë në dukje angazhimin në këtë drejtim të shprehur nga qeveria e re shqiptare, në detyrë që nga shtatori 2013, për të vënë në vend, brenda afatit kohor të caktuar nga Gjykata, një mekanizëm efektiv të kompensimit dhe për të paraqitur para Komitetit, pa vonesa të mëtejshme, një plan gjithëpërfshirës dhe të hollësishëm veprimi për zbatimin e këtij grupi të rasteve;

 4. Mirëpritën gatishmërinë e autoriteteve për të bashkëpunuar me Sekretariatin me qëllim paraqitjen para Komitetit të një plani të tillë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe në çdo rast, në kohën e duhur për shqyrtimin tij nga Komiteti në mbledhjen e tij të 1193-të (mars 2014) ( DH ).

 Vendimi pilot

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, pasi shqyrtoi rastin Manushaqe Puto e të Tjerë Kundër Shqipërisë, doli në konkluzionin se vendi ynë ka një Problem Strukturor: Moszbatimi i vendimeve administrative për dhënien e kompensimit për pronat e konfiskuara gjatë kohës së regjimit komunist në Shqipëri. “Rasti i përket ankesave nga 20 shqiptarë që, pavarësisht titullit të trashëguar mbi parcela toke, të njohura nga autoritetet, vendimet finale administrative për t’i dhënë atyre kompensim në një nga mënyrat e ofruara nga ligji për rikthimin, nuk janë zbatuar kurrë,” vërejti Gjykata. Ka aktualisht 80 raste të ngjashme në pritje para Gjykatës, e cila i kërkon Shqipërisë: “Të marrë masa të përgjithshme që në mënyrë të efektshme të sigurojë të drejtën për kompensim brenda 18 muajve nga data në të cilën vendimi bëhet final. Gjykata në veçanti i nxit autoritetet, si çështje prioritare, të fillojnë të përdorin format alternative të kompensimit të siguruar nga ligji shqiptar në vitin 2004, në vend që të bazohen rëndë mbi kompensimin financiar. Është e rëndësishme të vendosen afate ligjore realiste dhe të detyrueshme në drejtim të çdo hapi të procesit të kompensimit,” – vijon më tej gjykata, e cila i vendosi një gjobë 1 milionë euroshe Shqipërisë në rastin në fjalë.

Gjykata vendosi në unanimitet se Shqipëria ka shkelur në mënyrë sistematike nenin 13 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (E drejta për kompensim), nenin 6, pika 1 (e drejta për gjykim të ndershëm), si dhe nenin 1 të protokollit 1 (Mbrojtja e Pronës).

Gjykata vendosi gjithashtu të mos pranojë më padi kundër Shqipërisë që prekin raste të tilla duke gjykuar se numri i shqiptarëve që kanë një rast të vlefshëm për padi të suksesshme kundër shtetit shqiptar mund të jetë shumë i madh.

 Naço: “Do zgjidhim problemin e çështjeve të Strasburgut”

 Në datën 9 dhjetor ministri i Drejtësisë përgjigjet në Komisionin e Ligjeve në lidhje me Progres Raportin e vitit 2013. Gjatë kësaj séance, ministri Nasip Naço, përpos reformave gjithëpërfshirëse në sistemin e drejtësisë, ka folur dhe për zgjidhjen e ngërçit të kompensimit dhe kthimit të pronave. Me urdhër të ministrit të Drejtësisë është ngritur një grup negociator i punës për zgjidhjen me marrëveshje miqësore të 17 rasteve të komunikuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të njeriut me objekt të drejtën e pronës. “Ne shprehim angazhimin maksimal dhe vendosmërinë për zgjidhjen e problemit të çështjeve të trajtuara nga Gjykata e Strasburgut”.

 Ja 5 kushtet e KE-së për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

 Në raportin e OSBE-së në 31 tetor për periudhën shtator 2012 – tetor2013, ndër të tjera citohen dhe 5 kushtet e KE-së për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE të cilat janë:

1.Të vijojë reformën në administratën publike

2.Të forcojë pavarësinë, efikasitetin dhe llogaridhënien e institucioneve gjyqësore

3.Të bëjë përpjekje të mëtejshme të vendosura në luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë drejt vendosjes së një bilanci solid

4.Të bëjë përpjekje të mëtejshme të vendosura në luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë drejt vendosjes së një bilanci solid

5.Dhe të forcojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë të romëve dhe politikat kundër diskriminimit si dhe të zbatojë të drejtën e pronës

Toro: Vendimi i 5 dhjetorit i KE-së, kambanë alarmi për qeverinë

 Fakt është që Gjykata e Strasburgut ka ndëshkuar dhe po ndëshkon shtetin shqiptar me dhjetëra vendime të saj duke favorizuar haptazi të drejtën që kanë pronarët përsa i përket të drejtës së pronësisë dhe unë mund të them që brenda dhjetorit 16 vendime të kësaj gjykate do të bëhen publike, ndërsa për vitin 2014 janë dhe 66 vendime të tjera që do të shpallen. Para një viti u dha një vendim pilot i Gjykatës së Strasburgut, ku këshillonte shtetin shqiptar për zgjidhjen e problemit. Ndërsa vendimi i 5 dhjetorit i Këshillit të Europës në lidhje me ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, është një kambanë e madhe alarmi që po bie për qeverinë, e cila po nuk tregoi pjekurinë e duhur në këtë drejtim, ka mundësi të penalizojë sërish popullin shqiptar nga marrja e statusit kandidat.