Edicioni i 54 i Festivalit “Vera e Ohrit” u shpall i hapur nga Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov

48

 Ngjarja e 12 prillit 2012, dhe kërkesat reale të shqiptarëve

Maqedonia përpiqet  të qetësojë situatën

Këto ditë në Ohër do të zhvillohet një ngjarje e rëndësishme kulturore. Edicioni i 54 i Festivalit “Vera e Ohrit”. Me këtë aktivitet qeveria maqedonase do të kthejë normalitetin pas atyre ngjarjeve që u bënë çështje e ditës kudo në botë.   Për të arritur në ditët e demonstratave masive (të para disa ditëve shqiptare) kundër institucioneve të drejtësisë maqedonase, le të kalojmë në një retrospektivë të ngjarjeve. Pse po dënohen me burgim të përjetshëm shqiptarët në Maqedoni? Çfarë krimi kanë kryer? Si ka qenë realiteti? Krimi makabër ndodhi më 12 prill 2012, kur u vranë katër të rinj maqedonas dhe një peshkatar maqedonas pranë liqenit të Smilkovcit në periferi të Shkupit,  ndërsa prokuroria akuzon shtatë shqiptarë si autorë dhe kryerës të këtij akti. Gjithçka filloi në fillim të muajit prill të vitit 2012 dhe përfundon në fillim të muajit korrik të këtij viti, kur Gjykata Themelore “Shkupi 1” shqiptoi dënimet me burgim të përjetshëm për 6 shqiptarët e akuzuar për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit: Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviç, Fejzi Aziri, Haki Haziri dhe Sami Luta. Ndërsa vetëm njëri nga të akuzuarit Rami Sejdini është shpallur i pafajshëm. Trupi gjykues vendosi mbi bazën e aktakuzës së ngritur nga prokuroria për këtë rast të koduar “Monstra”, me ç`rast gjashtë shqiptarët akuzohen për vepër terroriste si autorë të kryerjes së krimit makabër që ndodhi më 12 prill 2012 në liqenin artificial Smilkovc në periferi të Shkupit, ku u vranë katër të rinj maqedonas dhe një peshkatar maqedonas nga fshati Radishan i Shkupit. Procesi gjyqësor ka filluar më 20 dhjetor 2012, pas hetimeve disamujore. Të dënuarit me burgim të përjetshëm janë: Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviç, Fejzi Aziri, Haki Haziri dhe Sami Luta. Por dy nga të dënuarit Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviç janë në burg në Prishtinë, ku janë të dënuar për armë pa leje dhe se procedura për ekstradimin e tyre është në vijim e sipër. Prokurorja publike Gordana Geshovska ka kërkuar për të dyshuarit e rastit “Monstra”  dënim i përjetshëm, kërkesë të cilën Gjykata Themelore “Shkupi 1” e zbatoi përmes gjykatëses Dijana Gruevska Ilievska. Sipas saj, me provat materiale dhe ato verbale që disponohen, mund të vërtetohet vrasja e pesëfishtë në prill 2012-të, sipas  kërkesës së prokurores,  që e ka realizuar kryetarja e Trupit Gjykues në Gjykatën Themelore “Shkupi 1”, gjykatësja Dijana Gruevska Ilievska.

________________________________

Presidenti Maqedonas Ivanov:  Muzika është emri i dytë i lirisë, ajo ka fuqinë e vet si rrallë njeri  që mund ta shprehë shpirtin e njeriut.

 Mbrëmje e Verdit në festivalin  “Vera e Ohrit”

   Ohër, 13 korrik

 Teatri antik në Ohër ishte stërmbushur me spektatorë për mbrëmjen e parë të festivalit ndërkombëtar muzikoro-skenik “Vera e Ohrit”, për të përcjellë koncertin dhe paraqitjen spektakolare të sopranos Barbara Frittoli dhe baritonit Leo Nuçi, nga Italia,  shoqëruar nga Filharmonia e Maqedonisë, nën drejtimin e dirigjentit Maestro Luis Gorelick nga Argjentina.

 Edicioni i 54 i festivalit “Vera e Ohrit” u shpall i hapur nga Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, nën patronatin e të cilit edhe mbahet ky festival, për të vazhduar me spektakolaritetin e duetit Frittoli – Nuçi, me ariet e operave të njohura të Giuzeppe Verdit, si “Don Karlos”, “Simon Bokanegra”, “Mbrëmje siciliane”, “Travijata” etj., etj..

 Gjatë fjalës së tij në hapje presidenti Ivanov theksoi mes tjerash se muzika është emri i dytë i lirisë, duke aluduar në 70- vjetorin e formimit të Filharmonisë së Maqedonisë. Muzika e ka fuqinë e vet si rrallë njeri  që mund ta shprehë shpirtin e njeriut,-theksoi ai.

Mesazhin artistik e përcolli sopranoja Millka Eftimova, e cila theksoi se artistët e Maqedonisë janë radhitur krah për krah në “Vera e Ohrit”, që e konsiderojmë si nder të madh për artistët.

Koncerti i duetit Frittoli – Nuçi në këtë mbrëmje sipas organizatorëve, iu dedikua katër pjesëtarëve të ARM-së, të cilët humbën jetën tragjikisht në aksidentin-përplasjen e helikopterit në Strumicë, duke i nderuar me një minutë heshtje.

Flakadanin e festivalit e ndezën Vesella Ristevska dhe Trajçe Naumoski, pjesëtarë të gjeneratës së parë të krijimit dhe fillimit të festivalit “Vera e Ohrit”.

Gjatë 40 ditëve në vazhdim, festivali “Vera e Ohrit” do të ofrojë sipas organizatorëve, mbrëmje të paharruara për publikun përmes emrave të njohur të skenës muzikore dhe teatrore botërore.

 Tradicionalisht, festivali “Vera e Ohrit” hapë siparin më 12 korrik, për të vazhduar rrugëtimin muzikoro-skenik deri më 20 gusht. Këtë vit, ceremonia e hapjes së festivalit ishte rezervuar për performancën e duetit: Barbara Frittoli – soprano nga Italia dhe Leo Nuçi –baritone-të cilët arritën në Ohër me aeroplan special- nën drejtimin e maestro Luis Gorelik, nga Argjentina,  të shoqëruar nga Filharmonia e Maqedonisë. Sipas programit, dueti Frittoli dhe Nuçi u paraqiten me ariet nga operat: “Don Karlos”, “Simon Bokanegra”, “Vallëzim me maska”, Otello”, “Rigoleto”, “Travijata”, “Fuqia e fatit”  etj., të kompozitorit të madh italian Giuzeppe Verdi.

 Festivali ndërkombëtar muziko-skenik, “Vera e Ohrit” që tradicionalisht fillon më 12 korrik dhe zgjat deri më 20 gusht, nga viti në vit, sjell artistë nga mbarë bota, ndërsa sa i përket kulturës muzikore dhe skenike shqiptare, ajo nga viti në vit tkurret dhe arrin në shkallën e përfaqësimit simbolik.

 Gjatë 40 ditëve sa do të zgjasë festivali i 54 “Vera e Ohrit”, në pjesën programore muzikore do të perfomojnë artistë dhe ansamble, pos atyre nga Maqedonia edhe  nga: Argjentina, Kina, Izraeli, Armenia, Kazakistani, Rusia, Polonia, Gjermania, Franca, Italia, Kroacia, Serbia dhe Shqipëria, që do të “përfaqësohet” nga violinisti Jonian Ilia Kadesha në duet me pianistin gjerman Florian Glemser.

 Përfaqësuesi i vetëm shqiptar në pjesën muzikore të këtij edicioni, është  violinisti i njohur Jonian Ilias Kadesha i lindur më 1992,  i cili jeton në Greqi. Violinisti shqiptar  Jonian Ilia Kadesha, është nderuar me disa çmime prestigjioze, ku mund të përmendim çmimin e  dytë “Mozart” me  çmimin  “Joseph  Haydn”  në “Trio  Gaspard” në Vjenë dhe shumë vlerësime të tjera për  muzikë dhome (kamertale). Ai duke luajtur në violinë, do të shoqërohet nga pianisti gjerman Florian Glemser.

 Në pjesën skenike-teatrore pos të tjerash është edhe  Teatri Shqiptar nga Shkupi, me pjesën e Martin McDonagh (Martin Mak Donah) “Ligjërimi”, me regji të Qëndrim Rijanit.

 Kur jemi tek Teatri Shqiptar nga Shkupi, vlen të theksohet se përzgjedhësi i pjesës së programit teatror të festivalit, Gjorgji Jolevski, në konferencën për shtyp është shprehur:  “Teatri Shqiptar” ka hyrë në një çmenduri të quajtur Martin McDonagh me tekstin e tij dramatik “Ligjërimi” me regji të regjisorit të ri Qëndrim Rijani. Kjo komedi e zezë do të jehojë si shpërthim, para së gjithash, për shkak të katërshit aktorial Adem Karaga, Xhevdet Jashari, Amernis Nokshiqi dhe Luran Ahmeti. Ata, këtë tragjikomedi do ta fusin në botën e absurdit, çmendurisë, drogës, të pakuptimtës dhe në kërkim të kuptimit të ekzistimit”.

 Vlen të theksohet se këtë vit pjesa skeniko-teatrore është orientuar kryesisht kah komedisë, ku nga vetë titujt e veprave (shumica e Uilliam Shekspirit) flasin se, “njeriu në këtë kohë ka nevojë për pak humor, për të qeshur”. Poashtu, intenca e drejtorisë së festivalit dhe të vetë përzgjedhësve është që shfaqjet të mbahen kryesisht në ambiente të hapura e jo nëpër salla.

 Violinisti Jonian Kadesha dhe Teatri Shqiptar nga Shkupi, përfaqësojnë kulturën e përgjithshme muzikoro-skenike shqiptare në këtë edicion të 54 të festivalit ndërkombëtar “Vera e Ohrit”, që flet për një tkurrje, anashkalim, të mos themi edhe injorim të artit dhe kulturës shqiptare në përgjithësi, kur kemi parasysh se paraqitja e artistëve shqiptarë në këtë festival ka lënë mbresa pozitive për organizatorët dhe kritikën artistike.